Duke krijuar Festivali teatror “Kadri Roshi”, risi për Gjirokastrën e artit

Nga Wikibooks

Vangjel L. Shumeli

Qytetin e gurtë të Gjirokastrës e shoqëroi për një javë rresht festivali mbarëkombëtar i teatrit që mban emrin e legjendës së artit dhe krenari e qytetit për shkak dhe të origjinës së tij “Kadri Roshi”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të një momenti jubilar për artin gjirokastrit. Bëhet fjalë për 50 vjetorin e krijimit të teatrit profesionist të qytetit ku prej asaj vatre kanë dalë shumë aktorë të cilët ngritën në piedestal me profesionalizmin dhe sakrificat e tyre emrin, kulturën, historinë që mbart Gjirokastra brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë event mjaft impresionues dhe argëtues për spektatorin vendas morën pjesë 7 trupa teatrale nga e gjithë hapësira shqiptare. Pavarësisht çmimeve që u dhanë prej jurisë së nderuar të festivalit triumfuesi real ishte publiku gjirokastrit, i cili për asnjë moment nuk kurseu brohorimat dhe duartrokitjet në shfaqet që u dhanë dhe ishin të pafundme. Ai ishte një nga gjërat e veçanta që u pasqyrua atje. Salla e kinoteatrit “Zihni Sako” ka qenë i tejmbushur si kurrë më parë.

Spektatorët pavarësisht kohës së ftohtë dhe reshjeve të shiut prisnin me padurim për të hyrë në sallë për të ndjekur shfaqjet. Kjo tregon se Gjirokastra, ajo pikë e floririt në Malin e Gjërë është e etur për artin.

Festivali “Kadri Roshi” konsiderohet risi për këtë qytet me histori dhe traditë për shkakun se gjatë viteve të tranzicionit pushteti sikur e ka lënë në “hije” dhe nuk e ka vënë dorën në zjarr sa duhet për sa i përket teatrit profesionist në pjesën e investimeve.

Veç kësaj dhe ndryshimi i sistemeve në fillim vitet ’90 bënë të vetën, njerëzit emigruan masivisht qofshin artistë ose jo dhe faktet treguan që si organika e teatrit dhe interesi i publikut për të po zbehej, po humbiste shkëlqimin e mëparshëm. Me kalimin e viteve sidomos kohët e fundit publiku gjirokastrit po reflekton, po arsyeton që s’bën dot pa artin. Teatri nuk është vetëm ai event 1 javor që i dha gjallërimin qytetit. Teatri është dhe ajo trupë profesioniste, janë ata artistë që sakrifikojnë kohën e tyre të lirë, programin dhe punët e tyre personale për publikun.

Kushedi sa kohë, sa muaj, sa ditë u duhen për t’u përgatitur për një shfaqje në ato ambiente të ftohta të kinoteatrit, por të ngrohta nga atmosfera ngazëllyese dhe mbështetja e pakursyer e spektatorit gjirokastrit që pavarësisht kushteve i ndjekin vazhdimisht aktorët e trupës profesioniste të cilët meritojnë përulje pafundësisht nga ne, meritojnë respektin më të madh për çka na japin me artin e tyre që të bën për vete. Këto rezultojnë si “mësim” si “dajak” ndaj pushtetit që duhet t’i japë prioritetin e duhur teatrit sepse ai është Tempulli i Artit dhe Kulturë mbi të gjitha.

Përmbledh emancipimin për një popull dhe pse jo për një komunitet si ai i qytetit të gurtë të vendit tonë,një nga perlat e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO siç është Gjirokastra. Brënda kësaj risie të quajtur si festivali teatral “Kadri Roshi” pati dhe pikat pikante të saj që e forcuan më tepër si risi dhe tabu dhe e shndërruan atë në një çast mjaft atraktiv dhe impresionues nga artdashësit të cilët e ndoqën me dashamirësinë më të madhe. Të 7 trupat teatrale dhanë më të mirën dhe e lanë spektatorin të mahnitur me talentin dhe profesionalizmin e tyre.

Gjithë ajo punë intensive meriton respekt dhe përgëzime pafund. E bukura me ato ishte se historitë e dramatizuara kanë qenë mjaft të goditura sepse tregonin realitetin shqiptar në kohë të ndryshme duke nisur nga tragjedia “Pirro” që i referohej luftës për pushtet dhe mbijetesë që në kohët e lashta, duke vazhduar me komedinë “Mbesa e krahinarit” ku citohej burokracia e shtetit dhe korrupsioni në kohën e mbretit Zog, jo se nuk ekziston dhe në ditët tona e deri në problemet e emancipimit dhe lirisë së femrës duke i referuar dramës “Gratë” realizuar nga teatri shqiptar i Shkupit.

Këto shfaqje lanë tek spektatori emocione të papara dhe gjurmë të thella që nuk do u hiqen nga mendja asnjëherë,do kenë se çfarë të kujtojnë. Ky është një nga çelësat e suksesit që u arrit në këtë festival artistik që bëri bumin në të 4 anët e vendit.

Risi e këtij evenimenti është dhe “qershia mbi tortë” është risia mbi risitë. Nuk është parë ndonjëherë që në një shfaqje teatrale në Gjirokastër të shoqërohej dhe për më tepër spektatorët të priteshin me këngë polifonike labe për shkak dhe të tematikës që përmbante shfaqja “Mbesa e krahinarit” e luajtur nga teatri Metropol. Është përdorur ky element për t’i dhënë më hov traditës popullore duke qënë se ngjarjet dramatizohen në vitet 1930.

Grupi polifonik i Teatrit Metropol dhe Qendrës Kulturore Tirana zhvilluan një paraqitje dinjitoze siç i ka hije tabanit tradicional vendas dhe lanë me gojë hapur spektatorët që vinin për të ndjekur shfaqjen. Ata meritojnë mirënjohje për çka dhanë; për ato 30 minuta pa pushim që kënduan para fillimit të shfaqjes në korridorin e kinoteatrit për të uruar mirëseardhjen dhe mikpritjen tradicionale artdashësve. Ishte momenti më kulminant i mbrëmjes së fundit të festivalit “Kadri Roshi” dhe nuk u la dhe kot si “ëmbëlsira për në fund.

Nuk është parë në Gjirokastër në një shfaqje teatri të lidhej kaq bukur artistikisht dhe në interpretim ai gjerdan i çmuar i trashëgimisë sonë shpirtërore,një pasuri që na lanë të parët tanë, gjë që u realizua më së miri dhe në shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë” e zhvilluar prej tyre duke e bërë Shekspirin të flasë shqip dhe si përfundim doli me sukses dhe shumë i dashur për spektatorin. Gjëja e veçantë dhe më e bukura e saj është pjesëmarrja e të rinjve në këtë grup polifonik me zëra brilantë që ngritën një teatër në këmbë si para shfaqjes dhe gjatë zhvillimit të saj.

Kjo tregon se isopolifonia jeton,është gjallë dhe ka premisa për të ardhmen dhe kjo falë atyre të rinjve,atyre diamanteve të së ardhmes së kësaj pasurie që na bëjnë krenar si shqiptarë kudo dhe kanë fatin e madh ta përhapin atë,ta përçojnë në të gjithë trevat shqiptare dhe ta transmetojnë tek brezat më të rinj. Vetëm kështu ajo traditë do forcohet dita-ditës nëpërmjet brezave.

Në këtë aspekt është shumë punë po duhet bërë akoma më shumë që folklori i vendit tonë dhe kultura e tij të avancojë akoma më tepër. Vetëm me energji pozitive,me vullnet,dashamirësi dhe me promotorë rininë arrihet gjithçka. Ata djem të rinj janë promotorët dhe heronjtë që e mbajnë traditën e isopolifonisë labe,stolisë së trashëgimisë tonë shpirtërore më gjallë se kurrë.

E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me teatrin. Duhet të transmetohet tek të rinjtë. Në këtë aspekt shenjat janë më se pozitive duke filluar me bashkëpunimet me universitetin “Eqrem Çabej” dhe kjo falë shfaqjeve që janë realizuar me studentët dhe kanë dalë shumë të suksesshme. Ato aktivitete duhet të bëhen më të shpeshta se ndikon pozitivisht në afrimin dhe angazhimin e rinisë me artin.

Për Gjirokastrën dhe gjirokastritët festivali teatral “Kadri Roshi” ishte risi dhe pjesët pikante ishin risitë e risive që thyen tabunë në Gjirokastrën e artit, kulturës, traditës dhe atdhedashurisë. Gjithë ai sukses i rezultuar dhe ngazëllimi si i komunitetit të artistëve vendas dhe ai i spektatorëve tregoi qartazi se ky qytet ka nevojë për artin,për ushqimin e shpirtit se vetëm ai e tërheq dhe e emancipon një popull drejt integrimit dhe progresit.

Nuk duhet kurrsesi që pushteti të mendojë për artin vetëm për momente jubilare dhe solemne. Gjirokastra e ka nevojë artin muaj për muaj,javë për javë,ditë për ditë se tek gjirokastritët ndjesia artistike dhe për të bukurën u rrjedh në vena dhe me talentin e tyre e kanë ngritur këtë qytet hijerëndë në Panteonin e Artit Shqiptar dhe e kanë bërë të ndihet kudo.

Pushteti nuk duhet ta përdorë teatrin vetëm për fasada jubilare dhe përvjetorë çdo 5 vjet duhet të investojë vazhdimisht,të reflektojë,të zhvillojë aktivitete të përmuajshme pse jo dhe të përjavshme.

Nuk duhet lejuar që neglizhenca ta lejë artin gjirokastrit në mëshirë të fatit dhe të Zotit Marrim rastin e këtij festivali që duhet me doemos të zhvillohet çdo vit se i rrit pikët gjallërisë së jetës artistike në këtë qytet me vlerë dhe histori, sepse Gjirokastra dhe Arti janë një Binom dhe të pandarë.


24 Nëntor 2018