Drita që buron nga errësira

Nga Wikibooks

Xhevdet Shehu

(Skicë-portret për Llambi Blidon)

Ngjyrat janë gjithçka për piktorin. Si tingujt për muzikantin, si fjala për shkrimtarin, si zëri për këngëtarin.

Glaukoma është armiku numër një i piktorëve, si shurdhërimi për kompozitorët.

Në shkurt të 2016-s jam befasuar si rrallëherë në jetën time kur mora vesh se piktori Llambi Blido do të hapte një ekspozitë me 100 punime në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ishte njëlloj sikur të më thoshnin se Marin Barleti ka botuar një libër të ri për Skënderbeun. Llambi prej vitit 2001 është tërësisht i verbër… Mjafton ky fakt për të kuptuar këtë realitet.

Si është e mundur?, pyeti shumëkush. Një piktor i verbuar i ngjan një anijeje pa busull. Por edhe busulla nuk qenka gjithçka. Është njeriu që ka shpikur busullën dhe, kur mungon busulla, njeriu shpik diçka tjetër për t’u orientuar.

Llambi kur humbi shikimin, iu drejtua vetëdijes së tij si artist dhe nuk e humbi orientimin e tij në vijimësi, as si njeri dhe as si artist. Nuk ishte i pari që e bënte këtë. Edhe për Homerin, thonë se ka qenë i verbër. Ndërsa për Bet’hovenin është e sigurt se ishte krejtësisht i shurdhër kur kompozoi disa nga simfonitë më të famshme të tij. Edhe Borhesi humbi shikimin kur e bënë drejtor biblioteke.

Mirëpo edhe errësira ka anët e saj të bardha, thotë diku tek “Njeriu që qesh” Viktor Hygo.

E pra, Llambi Blidoja, piktori i përkorë dhe fin që e njihja prej shumë vitesh e bëri të pabërën. Mes errësirës pa dritën dhe nuk u nda prej saj. Hapi një ekspozitë me punimet më të mira të tij para dhe pas humbjes së shikimit. Më mrekulloi ky fakt dhe arsyetova në sekretin që i bën njerëz të tillë të mos dorëzohen edhe në rrethanat më të vështira të jetës. Sepse errësira ku e shtyri fati, është diçka e tmerrshme që godet në radhë të parë vetëbesimin. Triumfi mbi errësirën është diçka madhështore, heroike. Llambi Blidoja e bëri këtë akt. Nuk ishte i pari ndër artistët, por në Shqipërinë tonë ai e bëri. Pa asnjë bujë, sikurse e ka në natyrën e tij. Duke sfiduar shumëkënd, edhe përtej fushës së artit.

Një befasi tjetër, e ditëve të fundit është ky shkrim që po botojmë sot në ‘DITA’ i shkruar rreth një muaj më parë nga artisti enkas për gazetën tonë. Është një dëshmi e freskët e vullnetit të pashembullt të tij, e vetëdijes së tij artistike se e ka fituar betejën me errësirën.

Ai rrethohet nga errësira ndërsa shpërndan pareshtur me fisnikëri dritë dhe ngjyra për të tjerët. E, ndërsa jeton në bashkëshoqërim të pareshtur me dritën dhe ngjyrat, arsyetimin e ka aq të kthjellët dhe të admirueshëm për një artist si ai.

A nuk e vlen të përshëndetet gjesti i tij i jashtëzakonshëm, sidomos në kohët e sotme kur nuk janë të paktë ata që i mbyllin sytë me vetëdije para dritës dhe së bukurës?


9 Gusht 2018