Jump to content

Dhjetë ditë, Kanadaja në sytë e një shkrimtari

Nga Wikibooks

Reportazh/ Kritiku dhe shkrimtari sjell për “Shekulli”-n mbresat e tij, gjatë një qëndrimi dhjetëditor në Kanada. Ai gjatë këtij udhëtimi takon emigrantët shqiptarë, por nuk lë pa vizituar kullën CN, e quajtur mrekullia që “shpon” qiellin, teatrin dhe kataraktin Niagarës

Nga Miho Gjini, Mjeshtër i Madh

Jeta është e mbetet një lëvizje e përjetshme që kur je në barkun e nënës. E më pastaj do të “ulërish” me gojë, këmbë e duar, me dëshirën e verbër për të lëvizur e për të ecur. Ndjenja e lirisë vetjake prej këtu fillon.

Shumë vite më pas, kur do ma hiqnin lirinë, isha i detyruar që të lëvizja në një qeli të ngushtë (4×2,5m), duke bërë afro 20 km rrugë në ditë (përmes numërimit të hapave!), deri në marramendje, për të mbijetuar e për të mos u çmendur! Po edhe më vonë, kur do të rrëzohej shteti i diktaturës, i cili “u hoqi lirinë “ edhe pulave e sidomos kur do të shembej “gardhi” i kufirit tokësor e ai i detit, ashtu sikundër na gjeti, të ngujuar e të rraskapitur nga uria më e thekshme, do të kërkoja edhe unë të veja pas shumicës së të ngujuarve, drejt lirisë së “fqinjëve” që i shihnim nga larg, më përtej “fanarit që ndriste botën”! “Fluturuam” gjithandej, si zogjtë e qiellit….

Dhe pastaj vjen dëshira për ta parë botën! Si “udhëtar kureshtar” i kësaj bote, kam preferuar për të “lëvizur”, trurin e këmbët e mia, biçikletën, furgonët, trenat dhe autobusët e linjave të afërme e të largëta. Nuk po flas për “të tekurën” e mëpastajme që te kem edhe unë (pse jo) një makinë, të cilën, sa e bleva, deshi ajo të ma “merrte jetën”! Me pesë karambolet e mia, që tanimë i dinë që të gjithë e janë të shënuara edhe në defterët e policisë së këtushme. Aeroplanët i admiroja tek i shihja në “fluturimin e tyre”, po trembesha të hipja ndër to për dy arsye: qenë të “kripur” në çmim, po edhe pse kishin filluar “të binin” gjatë fluturimit, pak si shpesh mbi tokë e mbi det! E megjithatë: “Guxim. Guxim!”,-ka thënë Dantoni. S’ka pak ditë që vendosa të “çaj qiellin” drejtë Kanadasë e të çmallem me të tre nipat e mi, para se të më mbarojë “peri i rodhanit të jetës”! Dhe kështu bëra.

Nisemi nga Athina, ku kemi emigruar që 30 vite më parë, në orën 10 të mëngjesit, ndërrojmë linjën për në Kanada, për aq kohë, sa nuk do të shihja dot asnjë minare nga larg e nuk do të pija asnjë filxhan kafe turke, që ma donte shpirti… Nga monitori i aeroplanit tjetër do të ndiqja tanimë trajektoren e mjetit gjigant të fluturimit mbi Europën tonë të dëshiruar, që tashmë, për habi e kisha poshtë këmbëve të mia, derisa të delja mbi sipërfaqen e pa anë te oqeanit. Ime shoqe ndali shikimin e tmerruar poshtë dritares së avionit! Kishte parë ishujt e Islandës me pikëllim, ku patën vajtur për të jetuar e punuar kushërinjtë e saj nga Piqerasi, nga ai çikë bregdet i artë, që na “martë lumi”, përçka pësuam! Shihnim pa fjalë tek njëri-tjetri dramën e njëri-tjetrit!

Nuk kishim bërë as gjysmën e “rrugës qiellore” dhe “Anija Fluturuese”, me 600 pasagjerë në bordin e vet gjigant, donte edhe 6 orë fluturim që të arrinte cepin e Kontinentit të Ri. Udhëtimi po më dukej tepër i gjatë, i llogaritur për 16 orë të ditë-natës në këtë anomali të ”shkrirjes në hapësirë” të 7 orëve të natë-ditës për pjesën e errësirës që humbiste çuditërisht! Po një film i bukur erotik, me Michael Dugllas, ku ai ndjehej i tradhtuar nga bashkëshortja e re dhe tepër e bukur, që po e ndiqja në monitor, do të ma shkëpuste vëmendjen nga gjithçka tjetër. Super aktrimi i tij të bënte të harroje tmerrin e këtij fluturimi mbi masivin pa anë e fund të ujit oqeanik! Frymëmarrja ime do të rregullohej, kur të zbrisja në tokë, në Aeroportin e Torontos. “S’ka më e ëmbël se toka!”, thashë me vete, duke përqafuar nipin tim Romeo, qe kishte ndalur të na priste, bashkë me nusen Arjeta, ende pa rënë nata në atë vend të ftohtë, jo shumë larg Polit të Veriut.

Një qytet gjigant i “fshehur” në fushë

I shtrirë në 70 km gjatësi e 40 km gjerësi, Kryeqendra e Ontarios, Toronto, me 5 milionë banorët e saj, është gati e padukshme, befasuese, si një mister i fshehur në fushë, midis “xhunglës” së dikurshme të pyjeve që harlisen drejt Jugut dhe në brigjet e një liqeni të madhërishëm, që ngjan si bregu fundor i Oqeanit Paqësor, nga njëra anë dhe të Oqeanit Atlantik nga krahu tjetër. Por që është e mbetet një liqen i stërmadh e mahnitës, E përreth këtyre pyjeve e brigjeve që gjelbërojnë e ndrisin në të gjitha stinët viteve, duket sikur “mbijnë” gradaçelat që “çajnë qiellin”.

Qytetërimi që erdhi i vrullshëm, falë “aventurës detare” të Kolombit, nga Kontinenti i Vjetër, në këto territore pa anë e fund, ku jetonin indianët e veriut e ku, pas luftërash të pafundme e fort të ashpra, pas përpjekjeve civilizuese më pastaj, të guximit e vetëmohimit qytetar, u krijuan këto Kryeqendra të magjishme, ku tashmë bashkëjetesa e racave dhe e kombësive të ndryshme është tani thuajse e pandjeshme, në një frymëmarrje të njëjtë. Mrekullia qytetëruese e së drejtës, e zotërimit të ligjit,e barazisë sociale dhe e një jetese të nivelit të lartë, është krijuar e plotë po këtu.

Ne qendër të Torontos të mahnitë ndërtesa prej guri e Basshkisë së Vjetër, e ndërtuar në vitin 1899, në stilin roman dhe, pas 100 vjetësh, atë e ka zëvendësuar pak më tej, godina e Bashkisë së Re, me arkitekturë moderne, prej xhami dhe çeliku. Njëra më e bukur e më e madhërishme se tjetra. Sepse këtu është “Zemra” e Torontos. Harmonia midis tokës e qiellit, e cila gjallon përmes ansamblit të gradaçelave nga 100 metra e lartë, deri në lartësinë prej afro 600 metrash të CN TOËER-it. Rrezatimi i diellit e rrezatimi i syrit të njeriut, verbojnë e dritësojnë pareshtur njeri-tjetrin!

Autostrada kryesore që sjellë deri këtu “vërshimin lumor” të makinave me 7 korsi të gjëra, sikur humbet në arteriet e qendrës gjigante, për t’u degëzuar e tretur nëpër “pyjet e gradaçelave” që vijnë duke u rralluar nëpër degëzimet e lagjeve të shumta, të mbuluara nga gjelbërimi i thellë i fushës. Vijojnë më pastaj ndërtime të qeta, shpesh të njëtrajtshme, dhe të krijohet ideja e gabuar se këtu gjithçka ndërpritet e mbaron nga bukuria e madhështia e qendrës. Po gabohesh! Toronto është qyteti më befasues në bote. I ndërtuar në brendësi të “Xhunglës së dikurshme”, qyteti i madh “humbet” nëpër pyje të pafundme. E papritur sikur “mbijnë nga dheu” grupime gradaçelash të tjera, anash disa kështjellash të vjetra, të ndonjë përroi e mulliri po kaq të vjetër, që mbahen si relike të çmuara turistike, a të banesave me çati të thikta që presin tufanet e dëborës në dimrin e egër. E rrugë të tjera që hapen e ngushtohen prej ndërtimesh që nuk mbarojnë kurrë në ritmikën e shpejtë të ndërtimeve të ndryshme. Është duke u përfunduar degëzimi i metrosë së nëndheshme në të gjitha skajet e qytetit dhe disa cilindra vija-vija me ndriçues nga brenda, janë rrëfyesa të sinjalistikës më të dukshme, natën e ditën, për t’u orientuar e për të mos u ndërprerë qarkullimi marramendës i qytetit të madh. As në verë e as në dimër, kur dëbora trashet gjithandej me bardhësinë e vetë, herë të frikshme e herë të bukur…Po ajo që të lë pa mend e pa frymë këtu është etika qytetare, ngado që të shkosh, natën e ditën,rregulli e qetësia, kultura e kalimtarëve. Ecën midis qindra rrugësh e mijëra pallatesh e të duket sikur nuk pipëtin asnjë frymor. Je i shoqëruar gjithmonë nga zogjtë e nga ketrat që zbresin nga lartësitë e pemëve për të të bërë shoqëri. Secili në punë të vet, pa thirrur, pa sharë vençe, pa i rënë borisë shoferët në rrugë si të çmendur, pa hedhur mbeturina nëpër trotuare, asnjë letër e bisht cigareje, E do të habiteshe tek shikoje një zonjë elegante tek përthyhej për të mbledhur e futur në qeskë jashtëqitjen e qenit të vet leshtor!. Gjoba e kundravajtjeve i tejkalonte këtu të pesë mijë dollarët, jo shaka!. Po jo vetëm për këtë. Është krijuar edukata e qytetarisë!

Edhe diçka tjetër. Këtu gëlojnë qindra-mijëra turistë në ditë. Po asnjëherë nuk mund të kuptosh se cilët janë turiste e cilët vendas! Që të gjithë këtu janë turistë e banorë të ardhur nga e gjithë bota. Shikoji ata me vëmendje tek ngjiten në CN TOËER, përpara Aquarium of Canada, tek Royal Ontario Museum, tek Parku Toronto Zoo, tek Ontario Science Centre dhe tek e famshmja Casa Loma-Majestic Castle dhe do të bindesh përsa thamë më sipër. Tek kjo e fundit sidomos, vlera fantastike e ndërtimeve të traditës së kështjellave mesjetare, e gërshetuar me ato të fillimeve të epokës borgjeze, që sot menaxhohet nga shteti, ka shansin e madh të thithë brenda 24 orëve mijëra e mijëra turistë, me të gjitha mjediset e shuarjes së kureshtjes që ka banesa luksoze e një çifti të pasur, e kënaqësive erotike dhe e romantikës, të kulinarisë e të të gjitha dëfrimeve që rrok mëndja e fantazia e njeriut, jo më e largët se 110 vite më parë. Arkitekti E.J.LENNOX e bëri këtë kështjellë për pasanikun Henry Pellatt, që ai të bënte këtu një jetë të zgjatur e plotë ëndrra, duke vënë në punë 300 vetë për tre vjet me radhë, në një sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh dhe me një kosto prej 3.500.000 dollarësh! Mister Henry jetoi këtu vetëm 10 vjet me bashkëshorten e tij Lady Mary, derisa nuk mundi dot ta përballonte shkëlqimin e ëndërruar dhe e braktisi atë, si në çdo ëndërr tjetër kur ëndrra mbaron! Dhe tani, luksi e magjia e atjeshme tërheq miliona njerëz, bile edhe nëpër tunelin lidhës midis dy kështjellave binjak, ku është sajuar një “ferr” i vërtetë i nëndheshëm, me të gjitha elementët e një filmi horror! .

Jo pa u habitur në këto ditë të ftohta, kur kalon rrugëve të Torontos, do të shikosh të njëjtin dekoracion jashtëtokësor, me skelete njerëzish e kafshësh, me fantazma, shtriga e shtrigan, me kafka kokësh të prera të hedhura në pragun e shtëpive, nëpër lulishte e të varura pemëve. E kur pyet për ketë tmerr të pazakontë publik, të përgjigjen se është Festa Halloëeen që ka të bëjë me prezencën e shpirtrave të këqij dhe dëbimin e tyre nga jeta njerëzore, duke i paraqitur simbolet e të vdekurve e të fantazmave në trajtat më të përçudnuara, groteske e të frikshme dhe duke i larguar ato nga fëmijë të veshur bukur që dalin më 31 tetor të çdo viti për të mbledhur karamele në çdo derë! Ka diçka të përbashkët kjo festë e hershme me Festën e gëzueshme të Karnavaleve, po me të tjera simbole, që kanë të bëjnë me gëzimin e jetës në të gjitha dimensionet e veta. E megjithatë janë festa që të dyja, në respektimin që u bënë atyre populli, kur festat e tjera të jetës vijnë duke u shterur!

Kulla CN -mrekullia që “shpon” qiellin

Isha vizitori 2 milionë +1 i vitit që e piu kafen në lartësinë 553,3 m. në CN TOËER, që ishte kulla më e lartë në botë, e cila u ngritë në vitin 1976, e madhërishme në Toronto, prej arkitektit me origjinë australiane John Andreës. 31 vite më mbrapa, këtë rekord do ta zëvendësonte Kulla e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe në “zemrën e shkretëtirës”! “Do Zoti, vete edhe aty, për ta pirë një filxhan kafe arabe”,-thash me vete.

Gjithsesi është një mrekulli që të lë pa “pa tru e pa fryme njëherësh” të hipësh në këtë “bina fantastike” që përbën “Olimpin e Kanadasë ” fushore e që i kushtoi Kompanisë “Canada Nacional” 52 milion dollarë! Sigurisht që askush nuk ngjitet në këtë lartësi, pa hapur e pa “lehtësuar” portofolin, sikundër do të bënte shoqëruesi im, emigrant më i ri nga Vlora, Taulant Dalipi, me nusen e vet Flora Gugasi nga Delvina, për ta ndjerë veten në mjedise fantastike të jashtëzakonshme, lartë në ajër, nga ku të gjithë Toronton e ke në “pëllëmbë të dorës”. Dhe do të gjeje, po në atë lartësi gjithçka që i nevojitet njeriut: lulet, Bar-Bufet, Ëmbëltoret, Restaurantet, lodrat sportive, ekspozitat e arteve figurative e ato të fotografisë artistike, me një shërbim personeli të specializuar, në të gjitha mjediset e kateve, ku lëviz pareshtur një ashensor i sigurisë së lartë 342m. i gjatë.

Në platformën rrotulluese të kafeneve e të restauranteve, ngazëllehesh prej harmonisë arkitektoriale të këtij kryeqyteti modern që ke përpara syve, si një tërësi e bukurisë, e madhështisë dhe e forcës ekonomike të një shteti. Disa njerëz të guximshëm, të mbërthyer me ganxha te platforma mbi kokat tona, bënin “Xhiron e triumfit!”…Pamja më përtej horizonteve që ndryshonte pareshtur, të krijonte përshtypjen imagjinare të një “bashkëbisedimi” të njeriut me “Zotat në Qiell” dhe, midis tyre, të duket sikur lodrojnë avionët që ngrihen e ulen nën këmbët e tua , atje poshtë, në Aeroportin e dytë të Torontos, i cili ndodhet në humnerën e mëposhtme, në bregun e liqenit që kaltëron e rrezaton deri tek neve magjinë e vet!

Emigrantët tanë

Shtangem përpara një realiteti krejt të ri që i ngjan ëndërrimeve! Ata që më sollën deri në këtë “anë të botës”, në kontinentin e ri, ishin tre nipat e mi që i mbaja përdore kur ishin të vegjël, për të mos u gremisur në kalldrëmet e fshatit: Romeoja, Artani e Niko Cani. Fillimisht i “përplasi dallga “ në Greqi, njeri pas tjetrit. Pas një endjeje sfilitëse nëpër këtë vend fqinjë, nga fshati në fshat, i pari që “çau rrugën” drejtë Kanadasë, nëpër katër-pesë shtete, dete e oqeane , qe më i vogëli, Niko çani, 18 vite më parë, duke u bërë i njohur tanimë në Qendrën e Torontos Dauntaun, si mjeshtër i kërkuar i hidraulikës. Pas tij do të vinte drejtë së panjohurës mjeshtri i pllakave Romeo, duke tërhequr paskëtaj nga pas mjeshtrin e gipsosanidhës, Artanin. Që të tre kanë sot aty kompanitë e veta. Po në “vorbullën” e këtyre “zhvendosjeje”, gati e kisha harruar kushërirën time Marjana, që më vizitonte në periferi të Athinës, në shtëpinë time “me rrota”, bashkë me të shoqin Gasper Kroqi, inxhinierin e mekanikës, kur deshi më mori me vete përroi gjatë përmbytjes së madhe, me gjithë “binanë e katandinë time” e më thoshte me një buzëqeshje të hidhur: “ I ziu vëllai im, si e pësove kështu?!” dhe që tani i gjeta po aty, në Toronto, në një shtëpi dykatëshe të tyre, bërë me djersën e tyre, të burrit, të djalit, të vajzës e të vetë Marjanës, që i qepë e i tregton vetë fustanet e nuseve të Torontos! Tek nipi im Niko, do të vinte të më takonte i kunati Armando Zenelaj nga Gjirokastra, që kishte gjithashtu kompaninë e tij në fushën e ndërtimeve “Argjiro” me 25 punëtorë dhe do të shkonim për ta pirë kafen në lokalin “Perëndimi i diellit” të shokut të tyre Marjano Vangjeli, i cili kishte 15 vjet që e kishte hapur, me një shërbim 24 orësh!

“Vetëm shëndet të kesh,-më thotë emigranti nga Vlora Taulant Dalipi, të cilit ia zënë duart të gjitha,- se të tjerat i ke përpara: punë sa të duash, pagesën e shkëlqyer dhe jetën të siguruar, si qytetar i barabartë me vendësit”, Dhe s’ka as dy vjet që ka ardhur këtu. Po emigranti tjetër nga Vlora, saldatori i kualifikuar Leonard Zoga, i cili ka mëse 20 vjet këtu, tashmë një qytetar Kanadez, bashkë me familjen e tij, ndjen sigurinë e një jete komode, duke u angazhuar edhe si veprimtar shoqëror, tepër i zellshëm sidomos për shkollimin e fëmijëve shqiptar me “gjuhën e mëmës”. Sipas kësaj nisme, tashmë ka një përkujdesje të dyanshme, jo vetëm prej emigrantëve tanë, të cilët,-thotë ai, numërohen deri në 40 mijë persona, po edhe prej vet shtetit Kanadez. Emigrantja me arsim të lartë, mësuesia Emiliana Anastas Zenelaj dhe shoqja e saj Lola Kolaqi, që të dyja nga Saranda, -thonë se në Toronto është krijuar edhe një jetë kulturore e begatë, për të mos u ndjerë të shkëputur nga zhvillimet kulturore e festat kombëtare në Atdheun tonë, sikundër ishte ajo e 100-vjetorit të pavarësisë vitin e kaluar. Që të dyja janë qytetare Kanadeze tanimë e punojnë në një nga qendrat shëndetësore më të rëndësishme të Torontos. I tillë është edhe shkrimtari për fëmijë Janaq Pani, nga Qeparoi i Himarës, që ka shkruar e botuar për ta disa libra radhazi. Disa autorë të tjerë, prozatorë, poetë, gazetarë dhe veprimtarë shoqëror, qe s’munda dot t’i takoja, nuk e kanë lënë mënjan krijimtarinë e tyre letrare, artistike, publicistike, apo interesin intrigues në shoqërinë e tyre të re, sikundër janë: Përparim Kapllani, Xheni Tanini Hall, Englantina Mandia, Rukije Kondaj, Sanije Gashi, Jeta Bajkollari, Kristaq Turtulli, Petro Dhimitri, Sillo Mucko, Klinton Verli, Rifat Dajti, Lorenc Koka, Alberto Frashëri e shumë të tjerë. Për secilin prej tyre është krijuar tanimë tereni emancipues e shoqëror i një “Atdheu te Dyte” me të cilin kanë ndarë bashkërisht jetën e shpirtin e tyre.

Atdheu i dytë?! Po. Është krijuar tashmë në Europë e kudo nëpër botë, një “copë” Shqipëri, edhe pse Europa “kokëforte” ende nuk e pranon se jemi “rrënja” e saj (!?)

Shkrimtari e publicisti ynë i mirënjohur Faruk Myrtaj, që jeton prej mëse dy dekadash në këtë vend të madh, ka shkruar edhe një vepër me këtë titull e unë nuk mund të largohesha prej këndej pa e takuar. Dhe do të bindesha menjëherë se ai këtu “bluante vetveten” me disa libra të shkruara radhazi, po me këtë brengë, me tregime, novela e romane mbi realitetin e sotëm fort të trishtuar, me plotë drama e përpëlitje sfilitëse. Tek po e prisja me padurim në një skaj të Torontos, ashtu i qetë sikurse e njihja, ai po rrëshqiste si hije midis pemëve të larta e shkelte gjethet e vjeshtës me ngadalë, për të ardhur tek unë në këtë perëndim dielli, m’u fanitë ndërroja ime e viteve 90, kur po ngjitja shkallët e redaksisë së gazetës “Rilindja Demokratike”, për t’i sjellë Farukut monologun për Bekim Fehmiun që e pata shkruar në burgun e tmerrshëm të diktaturës.. Atëhere Faruk Myrtaj qe një “zë i fortë” në këtë gazetë, si shkrimtar e publicist, po edhe si një i përndjekur politikë, që më pas, edhe atë “do ta merrte era” në emigrim , si edhe neve të tjerëve. E tek pinim tani një kafe në “Second Cup”, pas afro 30 vjetësh, të malluar sa s’ka më ndër kujtimet tona për miqtë e shokë, për dashuritë tona të munguara, për ato libra që nuk i shkruam dotë atëherë..Dhe një pikë loti i brendshëm do të rridhte brenda nesh, ashtu i padukshëm…

Po kështu do të më ndodhte edhe me artistin e rrallë, violinistin Jani Papadhimitri. Kishin kaluar 4o vjet qyshkur jepja mësime aktrimi në Institutin e lartë të arteve dhe të dy vëllezërit Papadhimitri, Jani me Vangjushin “ndrisnin” në violinë, pa mbaruar ende studimet e tyre e tani do të kisha përpara njërin prej tyre, Janin, fare pa flokë, me shpirtin e ndezur për artin e vet. Ai është i biri i skulptorit, mjeshtrit të ikonostaseve Arqile e i piktores Sofia Zengo Papadhimitri, pra nga një familje e nderuar artistësh (ku bënte pjesë edhe aktori i kinematografisë rumune me origjinë shqiptare Kristaq Antoniu). Nëna e tij piktore la një arsenal veprash të artit pamor dhe një shtëpi të saj në trajtën e një Galerie Arti, ashti si edhe i ati ikonostaset e tij me vlerë të madhe. Ndërsa ky muzikant do të ndiqte udhën e tyre në jetë, por në artin muzikor, njëherësh në rrugën e mundimeve që falë arti i vërtetë, 11 vite në Shtetin Grek dhe 17 vjet në Kanada, vetëm me violinën e tij në krahë, me bashkëshorten besnike e me të dyja vajzat po artiste, Sofien pianiste dhe Livian violiniste. Lavdia e artit mbetet kur artisti i përkushtohet artit! I vëllai Vangjush Papadhimitri bëri emër në Orkestrën Simfonike të Selanikut, ndërsa Jani, ish Drejtuesi artistik i Teatrit të Operas e Baletit të Tiranës, violinist virtuoz, do të shkëlqente në formacionet e orkestrave simfonike të Torontos në Kanada. Me të ishte përherë Çajkovski, Sarasaqi, Bahu, Bibisy, Gaci ynë e shumë të tjerë, duke krijuar edhe formacionin e vet TRIO FAMMUS, me të dyja bijat artiste. Ai tani fletë me mua i ngazëllyer në “Kafe CALIFORNIA” të Torontos dhe më rrëfen me pasion për koncertin e tij të ardhshëm që do të japë aty më 17 nëntor, në Kishën Anglikane ISLINGTON, ku salla me 400 vende ka një akustikë të shkëlqyer, karshi një publiku të zgjedhur shqiptaro-Kanadez, me një repertor të pasur klasik, romantik, impresionist e kontemporan.

Po i paharruar për të e për të gjithë emigrantët e atjeshme do të mbetet organizimi i koncertit të 100 vjetorit të pavarësisë tonë nga vet ai e artistët shqiptarë, ku do të asistonin edhe anëtarë të Parlamentit të Ontarios, si Ministri Ekonomisë dhe Ministria e Emigracionit Laura Albanezi, e cila e emocionuar së tepërmi u tha të pranishmëve se:”po të kërkojë edhe unë rrënjët e mia, prej andej nga vini ju, do të jem edhe unë!”

Teatro brenda Distilerisë së dikurshme të alkoolit

Po, si njeri i teatrit, nuk mund të largohesha prej këndej, qoftë edhe pa parë një shfaqje teatrore. Pasi kisha ndjekur muajin e kaluar në pozicionin e Kritikut të Artit Skenik, festivalet teatrore në Korçë, Tiranë dhe në Dibrën e Madhe të Maqedonisë, iu luta zonjave sarandjote Emiljana Anastasi Zenelaj e Lola Kolaqit që t’i frekuentonim këto mjedise në Qendrën Dauntaun. Për fatin tim të keq, si jo pakë herë të tjera, biletat për shfaqjet e dramës “Rrethi i Tebeshirt i Kaukazit” të Brehtit dhe të komedisë së Shekspirit “ Ëndërr e një nate vere”, të cilat më interesonin shumë që t’i shihja, ishin shitur që një muaj më përpara dhe tani më duhej që të zgjidhja midis muzikë-hollëve dhe disa pjesëve të Teatrit të Dhomës. Zgjodha një pjesë të panjohur kanadeze në këto të fundit.

Atë ditë binte një shi i imtë dëbore që të thante fytyrën. Po qe një kënaqësi e rrallë për mua, kur në Kryeqendrën Dauntaun të Torontos, përbri CN TOËER dhe në mesin e grandaçelave të grupuara bukur, të gjeja disa teatro të dramës, të komedisë, të muzikë hollëve, brenda greminës së dikurshme të DISTILLARY DISTRICT (fabrikës së alkoolit të 100 vjetëve më përpara!). Asgjë nuk qe prekur nga jashtë, përveçse vendosjes të disa dekoracioneve për dashurinë, relikteve teatrore dhe të një kamioni të alkoolistëve të vjetër, para së cilës nxitova që të fotografohem. menjëherë. Dhe pastaj do të stepesha po aty. S’kishte kaluar asnjë muaj kur do të ndiqja në Tirane festivalin e teatrove që zhvillohej në greminën e një institucioni të braktisur, me emrin e çuditshëm TURBINA, të modifikuar edhe atje me dy salla teatrosh, tek mendohej për të shembur të dikurshmin, në një mori debatesh fort të politizuara, për të ngritur apo jo një Teatër Modern po në atë vend! Pa hyrë në këtë debat që mori udhë të shtrembër, m’u fanitën përpara syve gjithë ato kombinate, uzina e fabrika të ndërtuara me paratë e mundin e popullit tonë të rrjepur deri në palcën e vet! Ku janë tani ato?! U shkatërruan, u shembën e u vodhën deri në tullën e fundit, kur mund të bëheshin edhe për aktorët tanë (të cilët s’dihen se ku janë e ku kanë përfunduar!), dhjetëra teatro te dramës, të komedisë e të estradës që populli i donte e i frekuentonte!). Ndërkohë që Shkolla e Lartë e Aktrimit ka 60 vjet që “prodhon” aktorë, si të ishte fabrikë pa plan, pa studim e pa kriter!

Në këto e sipër, spektatorë të shumtë po nxitonin të hynin brenda kësaj “binaje” me tulla të kuqe , me përmasat e ish Kombinatit të Tekstileve në Tiranë dhe “kumbisnin” në një mori sallash, lokalesh e mjediseve luksoze qe llamburitnin nga dritat shumëngjyrëshe . Mua do të më mrekullonte ajo përshtatje e thjeshtë e një Teatri Dhome, që nxinte 200 spektatorë, me dy shkallare përball njëra tjetrës e me skenën përdhese në mes, ku nga 10 kulisat anësore qe realizuar ndriçimi i plotë i aktorëve. Atë natë interpretohej pjesa dramatike e autorit Escape Alone, që trajtonte traumën e dikurshme të fiseve indiane gjatë luftës me të bardhët e cila do të vazhdonte edhe në kohë të mëpastajme, gjatë procesit të inkuadrimit të tyre në një shoqëri të civilizuar. Regjisori Caryl Churchill kishte zgjedhur për të interpretuar këtu tre aktore indiane, të cilat loznin vetveten në nje fazë diskriminimi të racës së tyre, përmes disa monologëve e dialogëve nga vetë drama e tyre e së shkuarës, kur me ta bëheshin edhe eksperimentime të jashtëligjshme, të cilat nuk mund të harrohen kollaj e duhen pasqyruar përsëri në një shoqëri moderne bashkëkohëse. Interpretimi i tyre qe gjithsesi i qetë, pa asnjë skenografi, me 4 karrige gjithsej, nën një morie fletësh pemësh të ndriçuara, që presupozonin pyllin mbi kokat e tyre. Publiku i kulturuar u ngritë në këmbë i emocionuar për t’i përshëndetur me respektin e duhur. Oh! Përbri meje vura re një njeri të mplakur, edhe më të zbardhur se unë, që përshëndeste i mbërthyer në karrigen e vet. Po vetëm duartrokiste përmes lotësh që mundohej t’i fshinte me dorën që i dridhej. Ndofta ishte njeri nga ata!

Jashtë të thante era e fundtetorit!

Katarakti i Niagarës

Kushdo që shkon në Kanada, ka një ëndërr mbi supe: Niagarën! Një nga mrekullitë më magjepsëse të natyrës. Ndajë e lashë për në fund të reportazhit tim, ashtu sikundër isha “si i dehur” prej këtij vendi përrallor.

Nga kryeqendra e Ontarios , Toronto, do të udhëtosh drejtë jugut nëpër fushë e do të të“përpijë” “Xhungla” e gradaçelave e Xhungla e pyjeve, e pemëve që harlisen me njëra-tjetrën, në këtë “trullosje” të natyrës, me gjethet vjeshtake që bien mbi xhamat e përparme të makinave e mbushin rrugët e gjëra…Edhe flamurët kanadezë që valëviten përbri kësaj autostrade të drejtë, kanë si simbol të këtij shteti me fuqi të madhe ekonomike, një gjethe peme, gjethe rrapi në ngjyrën që sjellë vjeshta e artë. Dhe fushë… Gjithmonë fushë. Derisa të “zbresësh” në Amerikë. Aty është edhe Niagara e famshme. Një katarakt që shpërthen befasues e ujëshumë, masë gjigante uji që duket sikur del po aty, nga dheu, me furi të mbinatyrshme e bie mëtëposhtë faqeve të thella shkëmbore, si të prera me thikë. E lumi qetësohet diku poshtë përroit të mbushur me shkumë, avuj uji e stërkala që ngjiten rishtazi përpjetë, për t’u përplasur mbi fytyrat tona të ngrira nga habia e nga ngrica. O Perëndi! Magjia bëhet e zhbëhet po aty. E menjëhershme. Me një ndalje fryme. Natyra sikur shtanget! Dhe pikërisht këtu do të ndodh edhe ndarja e atypëratyshme e të dy shteteve gjigante të botës, në UJËVARËN më të madhe të BOTËS. Njeri andej e tjetri këndej. Si edhe dy kazino përkarshi, sikur tallen me njerëzit që lozin me fatin e tyre. E madhërishmja me marrëzinë e tyre, nga të dyja anët! E në mesin e tyre të fanepset figura fantazmagorike e Kolombit që s’diti ç’bëri kur zbuloi padashje këtë KONTINENT, që e ndanë pikërisht ky katarakt i pazakontë….

Këtu fjalët janë të tepërta. Meket njeriu, i madh e i vogël. Zogjtë shushaten e të vijnë përpara teje , duke të parë si të habitur! Edhe njeriu që i soditë, edhe shpendi që soditë njeriun e nuk trembet aspak, duket sikur ka ngrirë në këtë skenë gjigante të “Teatrit të Perëndive” që krijuan Botën. Dhe uji tërbohet atje poshtë humnerës së frikshme. Pak rrezatim diellor të bjerë, do të krijohen menjëherë dhjetëra ylbere shtatëngjyrëshe. E në thellësi të përroit vigan, aty ku shkuma e ujit duket sikur shuhet e krijohet shtrati lumor, do të bëjë punën e vet dora e njeriut e fantazia e tij, me një mori tragetesh turistike që shkojnë e kthehen nga zemra e kataraktit, si edhe do të shohësh vargun e njerëzve guximtar të radhës që rrëshqasin përmes kovave të çelikut deri në fundin e masës ujore, si të ishin zgalemë fluturues, për t’u matur me vdekjen. E mijëra sy vëzhgojnë, mijëra “sy aparatesh fotografik e celularësh” fiksojnë pareshtur këtë magji të pazakontë të natyrës. Zërat e njerëzve, ofshamat në të dyja brigjet e shteteve, pleksen me njëra-tjetrën, vagëllojnë e shuhen po aty, së toku me oshtimën e ujit. Bëhesh edhe ti si pjesë e natyrës, as në tokë e as në qiell. E nga përplasja gjigante e ujëvarës në humnerën e vet, të vjen një gjëmim i shurdhët. Ndërsa stërkalat e ngritura në ajër, si prej një force të mbinatyrshme, jonizohen në ajër, duke krijuar avullin e bardhë që mbulon soditësit e ngeshëm e të shushatur.

Askush nuk e kthen kokën mbrapa që të shohë qytezën e Niagarës mbi masivin e gjelbër të Bregut, -edhe ajo magjepsëse për nga bukuria e ujdisur nga Perëndia-Njeri, që nuk mbetet mbrapa këtyre mrekullive të natyrës mëmë.

Largohesh nga ky vend i madh, i fuqishëm, bujar, i bukur e i pafund, i cili nuk ka më shumë se 151 vite ekzistencë si shtet dhe ndjen mirënjohje të thellë që i ka pritur emigrantët shqiptarë që erdhën këtu me fatin e tyre mbi shpinë, si bijtë e vetë, duke thënë vetëm dy fjalë, sikundër shprehen malësorët tanë: Falem’nders Kanada!


10 Nëntor 2018