Jump to content

Dhimitër Shuteriqi, në hullinë e kulturës shqiptare

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Përpara se të shkruanim për librin më të fundit me studime „Marin Biçikemi dhe shkrime të tjera“ të prof. Dh. S. Shuteriqit, shkuam dhe e takuam në studion e tij të punës.

I bëmë dy pyetje.

Pyetja e parë: – Cikli i botimit të librave tuaj me studime (deri tani janë botuar dhjetë të tillë) në rrafshin e kërkimeve për historiografinë e letërsisë dhe kulturën shqiptare me ç‘vepër të re do të plotësohet?

Përgjigje: – Këto ditë dërgova për botim një vëllim mbi 300 faqe me materiale folklorike që i kam mbledhur gjatë afro 40 vjetëve brenda në Shqipëri, si dhe në disa pika të diasporës shqiptare jashtë vendit.

Pyetja e dytë: Po vepra të tjera?

Përgjigje: – Dua të bëj një botim të ri të plotësuar të bibliografisë së shkrimeve shqipe që nga origjinat.

Do të vazhdoj ciklin e mësipërm me një libër që dua të shkruaj për figurën e madhe të humanizmit rilindas shqiptar e evropian Marin Barletit, për të cilin vazhdimisht kam shkruar diçka.

Ka ardhur koha t’i kushtoj një studim të plotë.


Libri „Marin Biçikemi e shkrime të tjera“ përmban 26 studime për tema të ndryshme mbi dijetarë e shkrimtarë të kombit tonë në shekuj.

Nocioni kohë sendërtohet në këtë libër në analizat e emrave të shquar të traditave të kulturës shqiptare, të krijimtarisë së tyre. Ky nocion zotëron 5 shekuj (nga shekulli XV në shekullin XX). Shuteriqi i nisur nga pozitat e studiuesit me botëkuptim socialist, parakupton një optikë të qartë afirmative e kritike të traditave, që e kaluara t’i shërbejë së sotmes dhe, bile, të ardhmes.

Meritë e studiuesit është se i ka kushtuar vëmendje të veçantë figurës së Martin Segonit e shkrimeve të tij të cilat e paraqesin atë si një nga humanistët më të hershëm dhe ndër të parët historianë të Skënderbeut.

Shkrimet e Segonit, relacionet e tij dërguar Sikstit IV për çështjen e Otrantos dhe për një kryqëzatë antiosmane, si dhe „Tregimi“ për Skënderbeun etj., zbuluar së pari nga prof. Agustino Pertuzi, tërhoqën vëmendjen e prof. Aleks Budës, i cili në një artikull të botuar në „Zërin e popullit“, datë 22.1.1982, shkroi: „Tani së fundi një studiues i huaj pati fatin të gjejë dorëshkrimet e peshkopit humanist Martin Segonit, me prejardhje nga Kosova, i cili në vitet 1475 deri në 1481 ka shkruar në Ulqin disa „memorandume“ në lidhje me rrezikun e pushtimit osman që i kanosej Italisë së Jugut.

Në këto bëjnë pjesë edhe shënimet kronikore në lidhje me jetën e veprimtarinë e Skënderbeut.

Edhe pse nuk përbëjnë një biografi të plotë e të gjerë, ato përbëjnë, në fakt, biografinë më të vjetër të njohur të heroit tonë – shkruar rreth dhjetë vjet pas vdekjes së tij, afro 30 vjet para biografisë së Barletit.

Botuesi i saj shpreh keqardhjen se kjo biografi e parë nuk jep më shumë nga ç‘priste ai, por ajo ka rëndësinë shumë të madhe që vërteton bashkë me kronikat e tjera një varg të dhënash të Barletit, të cilat pozitivizmi hiperkritik i pati deklaruar si legjenda dhe krijime të fantazisë popullore dhe të erudicionit humanist.

Ky zbulim vë në vend nderin e historianit dhe shkrimtarit tonë të parë Marin Barletit“.


Por studimi i Shuteriqit për Martin Segonin ka meritën se jo vetëm bën për herë të parë të njohur për publikun shkencor dhe të gjerë te ne, pjesë të zgjedhura nga shkrimet e Martin Segonit (në dy gjuhë), por dhe se shtron me argumente e hollësi çështjen e origjinës e kombësisë shqiptare të këtij dijetari.

Bindëse është dhe lidhja e emrit Segon-Segun, me fjalën shqipe zhgunë, që njihet dhe si shegune.

Studiuesi bën krahasimin e „Tregimit për Skënderbeun“ e Segonit me tekstin barletian dhe shikon ngjashmëri e afri të madhe, gjë që mund të hamendësojë studiuesit për një njohje të shkrimeve të Segonit nga ana e Barletit, apo mundësinë e burimeve të njëjta dokumentare.

Si një plotësim i studimit të Segonit vjen në libër studimi i shkurtër me karakter monografik, për Marin Biçikemin.

Që në fillim autori nënvizon se „humanizmi shqiptar – shekujt XV-XVI – është një periudhë e parë e rëndësishme e kulturës sonë“.

Biçikemi, studiues i pasionuar i autorëve të motshmërisë, retorist, orator, poet, pedagog etj., është “kohëtar i Barletit në veprimtarinë botuese, ndonëse ndonjë dhjetëvjeçar më i ri në moshë”.

Natyrisht Biçikemi nuk bëri epokë për kulturën shqiptare ashtu si Barleti, por shkrimi i tij për rrethimet e Shkodrës e vendos atë në kostelacionin e historianëve të parë shqiptarë.

Në moshën 17 vjeçare Biçikemi martohet në Ulqin dhe martesën e tij e bekon pikërisht Martin Segoni.

A ka patur më vonë lidhje midis të dyve?

Lidhje të Biçikemit me shqiptarë të ditur e të njohur duhen kërkuar edhe gjatë qëndrimeve të tij në Padova e Venedik.

Në këtë të fundit Biçikemi ka patur mik botuesin shqiptar Bernardo Vitali të mbiquajtur Albanezoto-Shqipëtari, i cili i ka shtypur libra dhe atij, dhe Barletit.

Shuteriqi është i pari studiues që ka vërejtur një lloj polemike të Barletit në drejtim të Biçikemit, se ky i fundit nuk kishte bërë atë që duhet të bënte në dobi të kombit të vet.

Veprat e Biçikemit bënë përshtypje te dijetarët bashkëkohës, si De Longaj, Sanudo, Andrea Novagero e bile vetë Erazmi i Roterdamit i ka dërguar një letër përgëzuese.

Nga pikëpamja filozofike Biçikemi ishte eklektik, prirjet e tij të veçanta prej historiani i vuri pak në veprim, shkroi dhe poezi (cerme) etj.

Në „Panegjirikun“ e tij të vitit 1503 për rrethimet e Shkodrës, Biçikemi, më parë se Barleti, jep disa të dhëna të pavarura, me interes.

Shuteriqi në analizën e ndonjë pjese të kësaj vepre vlerëson prozën realiste, me detaje tronditëse, të marra nga jeta.

Kjo duhet parë e lidhur dhe me letrën e Gjergj Marulës po për rrethimet e Shkodrës, autor për të cilin është thënë se është gjithashtu shqiptar (në vitet 1368 e 1371 një Marula punon në Durrës e një noter po me këtë mbiemër, është në Tivar).

Krijimtarinë e Biçikemit studiuesi e shikon të ndërlidhur edhe në një kuadër kulturor e ideologjik me atë të humanistëve të tjerë shqiptarë, si Gazulli, Leonik Tomeo, Mikel Maruli etj.


Një shënim i kronistit Osman Ruhiu, i kohës së Bajazitit II, që tregon se shqiptarët e „shkruanin gjuhën e tyre“ e shtyn studiuesin që të rimarrë në shqyrtim temën e tij të preferuar të dëshmive të hershme të shqipes së shkruar parabuzukiane (artikulli „Një dëshmi e re e rëndësishme për shkrimin e hershëm të gjuhës shqipe“).

Në shekullin XVII Shqipëria përjeton sundimin e mundimshëm osman.

Në këtë situatë të rëndë kultura shqiptare reagon, për të pasqyruar në forma të ndryshme ndërgjegjen kombëtare jo vetëm në Shqipëri, po edhe te ngulimet e njohura arbëreshe.


Një etapë të re gjallërimit e ngritjes së kulturës sonë përfaqëson shekulli XVIII, kur Voskopoja bëhet një çerdhe iluministe, e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Autorin e tërheq personaliteti i Grigor Voskopojarit, të mbiquajtur ai i Durrësit dhe Kostë Çekani, dijetar e poet, si dhe përkthyes i një „Historie të Skënderbeut“. Iluminizmi i këtyre personaliteteve shqiptare përgatit epokën e madhe të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX.


Një syth më vete zënë studimet „Një rilindës e botues i parë i folklorit arbëresh të shekullit XIX – Thoma Paçe“, „De Rada në Shqipëri“, „Zef Jubani letrar“, dhe sidomos „Nga letërkëmbimi i Zef Serembes“ e „Vjersha të panjohura të Zef Serembes“.

Në to lexuesi ballafaqohet me kulturën e Rilindjes Kombëtare, mëson shumë të dhëna të reja mbi personalitetet e saj, si dhe për zbulime të vërteta, siç janë poezi të panjohura më parë të Serembes dhe letra të tij.

Për De Radën, Shuteriqi argumenton me fakte lidhjen e poetit me mëmëdheun në shumë aspekte, por në mënyrë të veçantë tregon lulëzimin e letërsisë së kultivuar të arbëreshëve, folkloristikën dhe interesimin e madh për thesarin popullor të shekujve.


Autori tubon në bazë të kronologjisë së historisë së letërsisë edhe studimet me të dhëna interesante „Fillimet epistolare të Fan S. Nolit“, „Aleksandër Xhuvani“, „Duke evokuar Nonda Bulkën“ dhe „Në 75-vjetorin e lindjes së Migjenit“. Edhe këto përbëjnë një syth më vete, ashtu siç përbëjnë një syth të fundit shkrimet „Dy këngë të panjohura të Memo Metos“, „Qamil Guranjaku“, „I paharrueshmi Shefqeti ynë“ e „Disa fjalë për Jakov Xoxën e veprën e tij“.


Ç‘të re sjell ky libër?

Për të tëra temat e trajtuara, Shuteriqi paraqet fakte të reja, pra jep një informacion të ri.

Ky informacion është vjelur e skeduar për një kohë të gjatë. Përveç zbulimeve të mirëfillta të tij, autori bën të njohur dhe fakte pak të njohura ose të njohura vetëm nga specialistët duke i hedhur në qarkullim për një publik më të gjerë.

Këtë informacion të çmuar ai e jep në formë të sistemuar, duke i vendosur të dhënat në koordinatat e duhura të kohës dhe të hapësirës, të jetës së personaliteteve dhe të vlerave të krijimeve të tyre.

Mjafton të shikosh në fund të çdo studimi të përfshirë në libër indikacionet e vëna, shënimet e shumta deri në 100 zëra, që në të vërtetë nuk janë vënë thjesht për të shënuar, por për të argumentuar, për të plotësuar, për të ndihmuar lexuesin, bile dhe atë të pakualifikuar, për të ndjekur më lehtë hullinë e mendimit themelor të temave të studiuara.

Ky skedarizim, në kuptimin më funksional të fjalës, është një veçori e librave me studime të këtij studiuesi, tregon seriozitetin e madh të tij për gjurmimet, zbulimet, për lidhjen e vijave “të këputura” nga koha, të harmonizimit e të nxjerrjes së përfundimeve racionale nga tërësia e të dhënave.

Natyrisht studiuesi nuk bën thjesht “një faktografi”, por në bazë të logjikës e të interpretimit dialektik ka një optikë kritike, bën dhe hamendje shkencore, për të gjallëruar mendimin, bën ballafaqime, gjë që me siguri nuk është “një qëndrim ekuivok” i tij siç është thënë në ndonjë shkrim, por tipar i një metode të gjallë pune.


Një përfundim kryesor që reflekton nga ky libër është se etapat e historisë së kulturës e letërsisë shqipe kanë një lidhje të brendshme që përbën, si të thuash, “shtyllën vertebrore”.

Kjo lidhje nuk është e rastit apo dekorative, por e thelbit, e zemrës dhe shpirtit të kombit.

Nga kjo pikëpamje libri vërteton njësinë e karakterit kombëtar të jetës shpirtërore, të krijimtarisë artistike e të historisë.


Shuteriqi, në radhë të parë, është një studiues i talentuar i historisë së letërsisë.

Por kjo duhet kuptuar gjerë.

Te ai janë të shkrira edhe historiani i kulturës në përgjithësi, edhe kritiku letrar, publicisti dhe shkrimtari.

Kultura e shumëfishtë, bën të mundur që shkrimet e tij të jenë sa më shumë eruditive, të jenë objekt e subjekt i kulturës.


Një vlerë e librit që bie në sy është dhe shprehja e pasur gjuhësore, pra aftësia e kultura e të shkruarit.

Jo rrallë, në studime të ndryshme te ne ka gjuhë të thatë, shpesh tekniciste që padrejtësisht identifikohet si gjuhë profesionale, e zanatit, bile e seriozitetit të dijes.

Shuteriqi nuk e formalizon shprehjen, i jep rëndësi strukturimit të gjuhës jo vetëm nga ana sintaktike, por edhe morfologjike dhe përdor një leksik të pasur, të përpunuar.

Kjo nuk bëhet si qëllim në vetvete, si një dekorativitet stilistik, por për të nxjerrë në pah në përmbajtje e në formë thelbin tematik të studimeve, lidhjet e tyre, marrëdhëniet në kohë e në hapësirë, vijimësinë.

Cikli i librave të tij është përherë i hapur, gjë që flet për punën e tij të vazhdueshme.

(Botuar fillimisht 30 vjet më parë në revistën “Nëntori”, 1988, 8 )


14 maj 2018