Jump to content

Dhimbje arbëreshe për Kristaq dhe Margarita Tutulanin

Nga Wikibooks

Një kujtim nga Nasho Jorgaqi

Në vjeshtën e vitit 1985, i ftuar nga Universiteti i Kozencës, kisha shkuar atje për të dhënë leksione mbi letërsinë shqipe, por me këtë rast vizitova dhe disa katunde arbëreshe të Kalabrisë. Me kërkesën time shkova dhe në katundin Strigar, vendlindjen e poetit të madh arbëresh Zef Serembe. Pasi vizitova shtëpinë e tij muze, kryetari i komunës më ftoi për një takim në vatrën e kulturës me banorët e Strigarit, të cilët më pritën me entuziazëm, si një nga sivëllezërit që vija nga Dheu i tyre i të parëve. Me këtë rast, unë iu përgjigja pyetjeve të ndryshme që ata më bënë për historinë dhe jetën në Shqipërinë e atyre viteve. Në mes të pyetjeve, që më tërhoqi vëmendjen ishte: “Pse guverna shqiptare kishte pushkatuar bashkëfshatarin e tyre Terenc Toçin, që rridhte nga fisi patriot i Toçëve të katundit tonë”?

Unë u detyrova të shpjegoja arsyet se “përse ai kishte marrë këtë dënim kapital, megjithëse ishte një intelektual i njohur, si jurist, gazetar, deputet dhe ministër në kohën e Zogut. Ai kish ardhur në Shqipëri në vitin 1903 dhe kish marrë pjesë në një kryengritje antiosmane të malësorëve të Mirditës dhe të Malësisë së Madhe, por ishte fajësuar se kish bërë marrëveshje për t’i aneksuar këto dy krahina me Serbinë, por pa sukses.Prej asaj kohe, ai qëndroi në Shqipëri dhe u vu në shërbim të interesave të qarqeve imperialiste italiane, madje më pas qe një nga ata që përgatitën terrenin për pushtimin e Shqipërisë nga pushtuesit italianë. Pas pushtimit ishte deputet i Asamblesë tradhëtare, që bashkë me të tjerë i dorëzuan Mbretit Viktor Emanueli, kurorën e Skënderbeut. Veç kësaj, ai qe dhe ministër kuisling, e mbi të gjitha kreu detyrën e kryetarit të Këshillit të epërm korporativ fashist”. Në kohën kur unë flisja për këtë, një grua u ngrit dhe u largua nga salla. Ajo ishte e bija e T. Toçit dhe e bëri këtë gjest në shenjë mospajtimi me fjalët e mia. Kur unë u ula, nga fundi i sallës u çua një burrë i moshuar dhe kërkoi të flasë: “Unë jam një strigariot, që në vitin 1943 isha mobilizuar ushtar dhe më çuan në Shqipëri. Isha në një repart që na kishin vendosur në një qytet, që e kishte emrin Kavajë, në mos gaboj.

Por një natë korriku të vitit 1943, kompania jonë u urdhërua të zhvendosej në katundin Gosë disa kilometra larg Kavajës. Nuk e kuptuam arsyen e detyrës, por kur arritëm atje, ne rrethuam fushën, kurse rrugës nacionale diku afër mëngjezit erdhi një makinë-burg dhe qëndroi përpara syve tanë. Unë pashë tek zbritën të lidhur në pranga një çift të ri, të bukur si ai qielli që po zbardhonte dhe pa humbur kohë, para syve tanë një skuadër fashiste i masakroi pa mëshirë. Të gjithë ne ushtarët u tronditëm përballë kësaj skene makabre, veçanërisht ne, 2-3 ushtarë arbëreshë.Unë mezi e mbaja veten dhe në ato çaste, më shkoi mendja te një arbëresh strigariot, që ishte ministër kuisling dhe kabineti i tij kish vendosur këtë krim që të ikte mendja e kokës. Ky ishte Terenc Toçi, arbëreshi nga katundi im, që dashur pa dashur më bënte edhe mua fajtor. Ata që u masakruan aq mizorisht ishin vëlla e motër, të cilëve nuk ua harroj emrat deri sa të vdes: Margarita dhe Kristaq Tutulani; dy luftëtarë antifashistë që ia kishin kushtuar jetën kauzës së lirisë së Atdheut të pushtuar nga fashistët. Ndaj kujtimi i tyre është i shenjtë e i pavdekshëm dhe për ne sivëllezërit e tyre të Strigarit. Rroftë kujtimi vëllezërve dëshmorë shqiptarë!”.

Salla u ngrit në këmbë dhe duartrokiti, kurse unë rashë në mendime. S’ma merrte mendja që do të përjetoja këtë çast sublim në një fshat arbëresh, ku emri i Kristaqit dhe Margaritës do të shqiptohej atë ditë me aq venerim e krenari arbërore. Këtë ngjarje ma zgjoi 75 vjetori i rënies heroike të Kristaqit dhe Margaritës, që na mblodhi në Berat për t’i përkujtuar e nderuar këtë binom të rrallë vëlla-motër, që i dha historisë shqiptare Lufta Nacional Çlirimtare.


26 Korrik 2018