Danieli - Kapitulli 4
|
1 "Mbreti Nebukadnetsar tërë popujve, tërë kombeve dhe gjuhëve, që banojnë mbi gjithë dheun: Paqja juaj qoftë e madhe.
2 M'u duk mirë t'i bëj të njohura shenjat dhe mrekullitë që Perëndia Më i Lartë ka kryer për mua.
3 Sa të mëdha janë shenjat e tij dhe sa të fuqishme mrekullitë e tij! Mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme dhe sundimi i tij vazhdon brez pas brezi.
4 Unë, Nebukadnetsari, isha i qetë në shtëpinë time dhe i gëzuar në pallatin tim.
5 Pashë një ëndërr që më tmerroi; mendimet që pata në shtratin tim dhe vegimet e mendjes sime më tmerruan.
6 Kështu dhashë urdhër që të sillnin para meje gjithë të diturit e Babilonisë, që të më bënin të njohur interpretimin e ëndrrës.
7 Atëherë erdhën magijstarët, astrologët, Kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj.
8 Më në fund erdhi para meje Danieli, i quajtur Beltshatsar nga emri i perëndisë tim dhe tek i cili është fryma e perëndive të shenjta, dhe unë ia tregova ëndrrën:
9 Beltshatsar, kreu i magjistarëve, sepse unë e di që fryma e perëndive të shenjta është te ti dhe që asnjë sekret nuk të shqetëson, tregomë vegimet e ëndrrës që kam parë dhe interpretimin e saj.
10 Vegimet e mendjes sime kur isha në shtratin tim janë këto: Unë shikoja, dhe ja një dru në mes të dheut, lartësia e të cilit ishte madhe.
11 Druri u rrit dhe u bë i fortë; maja e tij arrinte në qiell dhe ai mund të shihej nga skajet e gjithë dheut.
12 Gjethnaja e tij ishte e bukur, fryti i tij i bollshëm dhe ai kishte ushqim për të gjithë; poshtë tij gjenin hije kafshët e fushave, shpendët e qiellit rrinin midis degëve të tij dhe nga ai merrte ushqim çdo qenie e gjallë.
13 Ndërsa në shtratin tim vëreja vegimet e mendjes sime, ja një roje, një i shenjtë, zbriti nga qielli,
14 bërtiti fort dhe tha kështu: "Prisni drurin dhe këputni degët e tij, shkundni fletët e tij dhe shpërndani frytet e tij; le të largohen kafshët që rrijnë poshtë tij dhe shpendët nga degët e tij.
15 Lëreni ndërkaq në tokë cungun e rrënjëve të tij, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le të laget nga vesa e qiellit dhe le të ketë bashkë me kafshët pjesën e barit që i takon.
16 Zemra e tij le të ndryshojë, dhe në vend të një zemre njeriu t'i jepet një zemër kafshe dhe le të kalojnë mbi të shtatë kohë.
17 Kjo është dekretuar nga rojet dhe vendimi vjen nga fjala e të shenjtëve në mënyrë që të gjallët të dijnë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të të keqin e të këqijve".
18 Kjo është ëndrra që kam parë unë, mbreti Nebukadnetsar. Tani ti, Beltshatsar, jepi interpretimin, sepse asnjë nga të diturit e mbretërisë sime nuk është në gjendje të më bëjë të njohur interpretimin e saj; por ti mundesh, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti".
19 Atëherë Danieli, emri i të cilit është Beltshatsar, mbeti për një çast i tmerruar dhe mendimet e tij e shqetësonin. Mbreti filloi të thotë: "Beltshatsar, mos u turbullo as nga ëndrra as nga interpretimi
20 Druri që ti ke parë, që ishtë bërë i madh dhe i fortë, maja e të cilit arrinte deri në qiell dhe që dukej nga të gjitha skajet e dheut,
21 gjethnaja e të cilit ishte e bukur, fryti i bollshëm, dhe ku gjenin strehë kafshët e fushave dhe mbi degët e së cilës bënin folenë zogjtë e qiellit,
22 je ti, o mbret, që u bëre i madh dhe i fortë; madhështia jote është rritur dhe ka arritur deri në qiell dhe sundimi yt deri në skajet e dheut.
23 Sa për rojen, një i shenjtë, që mbreti e ka parë të zbresë nga qielli dhe të thotë: "Priteni drurin dhe shkatërrojeni, por lini në tokë cungun me rrënjë, të lidhur me zinxhirë hekuri dhe bronzi midis barit të fushave. Le ta lagë vesa e qiellit dhe le të ketë pjesën e tij bashkë me kafshët e fushave deri sa të kalojnë mbi të shtatë kohë".
24 Ky është interpretimi, o mbret; ky është dekreti i Shumë të Lartit, që është lëshuar për mbretin, zotin tim;
25 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë bashkë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të lagesh nga vesa e qiellit; do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.
26 Sa për urdhrin për të lënë cungun me rrënjë, kjo do të thotë se mbretëria jote do të rivendoset, mbasi të kesh pranuar që është qielli ai që sundon.
27 Prandaj, o mbret, prano këshillën time: jepu fund mëkateve të tua duke praktikuar drejtësinë dhe paudhësive të tua duke treguar mëshirë ndaj të varfëve; ndofta begatia jote do të zgjasë".
28 E tërë kjo i ndodhi mbretit Nebukadnetsar.
29 Dymbëdhjetë muaj më vonë, ndërsa shëtiste në pallatin mbretëror të Babilonisë,
30 mbreti filloi të thotë: "Nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë ndërtova si seli mbretërore me forcën e pushtetit tim dhe për lavdinë e madhërisë sime?".
31 Këto fjalë ishin akoma në gojë të mbretit, kur një zë zbriti nga qielli: "Ty, o mbret Nebukadnetsar, të shpall: mbretëria jote të është hequr;
32 ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.
33 Në po atë çast fjala lidhur me Nebukadnetsarin u realizua. Ai u dëbua nga njerëzia, hëngri bar si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve.
34 "Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m'u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim
35 Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: "Çfarë po bën?".
36 Në po atë kohë m'u kthye arsyeja, dhe për lavdinë e mbretërisë sime m'u kthyen madhëria ime dhe shkëlqimi im. Këshilltarët e mi dhe të mëdhenjtë e mi më kërkuan, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time dhe madhështia ime u rrit jashtëzakonisht.
37 Tani, unë Nebukadnetsari lëvdoj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiellit, sepse të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe rrugët e tij janë drejtësi; ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi.