Dëshmia ime për kampin e të internuarve në Tepelenë

Nga Wikibooks

Nga Krenar Progonati

Me anë të këtij shkrimi mbi të vërtetën e Kampi të Tepelenës që po e quajnë “Aushvici shqiptar”, i drejtohem gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Quhem Krenar Isuf Progonati. Kam qenë vetëm mësues i letërsisë, me përvojë 45 -vjeçare, "Personalitet i shquar i letërsisë", momentalisht: mësues në pension.

Nuk kam qenë asnjëherë komunist. Jam banor i qytetit të Tepelenës që nga viti: 16 tetor 1943. Jam vëllai i Heroinës së Popullit NIMETE PROGONATI. Ne tepelenasit e kemi në gjak humanizmin, tolerancën, por nuk durojmë padrejtësitë ngado që ato vijnë dhe aq më tepër kur ato fabrikohen nëpër kuzhinat djallëzore për qëllime aspak njerëzore, por shumë poshtëruese e të pamoralshme. Që nga 23 gushti i vitit 2017 nëpër ekranet televizive dhe në atë të shkruar filloi një fushateë e egërsuar duke shitur për konsum mjaft sajesa jashtë logjikës duke ngjallur zemërim, revoltë tek ne tepelenasit. Dëshmitë e mia realiste i kam paraqitur para popullit në Konferencën e Organizatës së Dëshmorëve më 23 shtator 2017, nëpër mjediset familjare, fisnore e shoqërore, si dhe në takimin me Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro. Nuk do të përsëris ato që u thanë në takimin e datës 22 gusht me nja 15 vetë të ardhur nga Tirana si përfaqësues të të internuarve në kampin e Tepelenës që u ra dakord për shumë gjera. Gjithashtu, nuk do të përsëris ç’u bisedua me Znj. Kumbaro, sepse këto u pasqyruan drejt e shumë gjerë në një shkrim të publikuar nga shokët: Shyqyri Ruci, Hasan Musta dhe Bujar Sula, por unë dëshmoj edhe disa të vërteta historike të tjera të përjetuara: për lidhjet miqësore e familjare që kam pasur me disa prej të internuarve dhe asnjëherë nuk na është dukur veshi nga autoritetet e rrethit.

Lutemi kini durimin të më dëgjoni dëshminë time:

…Kampi i të internuarve në Tepelenë është quajtur “Kampi i vdekjes”, ”Kamp i shfarosjes”, “Kampi ferr”, “AUSHVICI SHQIPTAR”. Dhe me sajesa bëjnë shëmbëllim me 14 mijë kampet naziste në të cilat është realizuar gjenocid antisemit, siç ka ndodhur në kampet në Mathauzen, Dakao, Bukenvald, Aushvic të Polonisë, në Prishtinë tj.

Burimet tregojnë se helmimi i parë me gaz CIKLON B filloi në BELZEK më 17 mars 1942 ku ky kamp kishte kapacitet për të vrarë 15 mijë njerëz në ditë dhe një vit më vonë në SOBIBOR vriteshin në ditë 20 mijë dhe në TREBLINKA e MAJDASREK 25 mijë njerëz. Bashkëpunëtori i Adolf Hitlerit RUDOLF MESSI dhomat e gazit i quante “kapilarët e kufomave”. Dhe në AUSHVICIN e Polonisë u vranë e u dogjën në krematoriume 2 milionë çifutë, përveç të kombësive të tjera. I dhashë këto të dhëna që të kuptohet fare mirë se në vendin tonë edhe pse ka pasur kampe të krijuara nga fashisto-nazistët nuk kanë pasur fytyrën e kampeve të krijuara në vendet e tjera evropiane. Në kampet naziste jashtë Shqipërisë panë tmerret edhe 53 tepelenas dhe brenda vendit edhe 38 tepelenas. Të etiketosh kampin e të internuarve në Tepelenë si “KAMP AUSHVICI SHQIPTAR” është më shumë se marrëzi dhe çmenduri.

Ne dëshmitarëve tepelenas na duhet të çmontojmë çmendurinë. Edhe vetë gjaksorët gjermanë të asaj kohe do të reklamonin të vërtetat e veprimtarisë së tyre lidhur me kampet në vendin tonë, që s’kishin pamjen e kampeve të tyre naziste nëpër Evropën e përgjakur përgjatë LDB. Atëherë pse bëhet ky revanshizëm? Çfarë fshihet pas fabrikimeve të tilla që edhe shkëmbinjtë mund të copëtoheshin e të shkërmoqeshin, edhe diellin mund të çmendej, edhe hëna e qiellit mund të bëhej copë e çikë e thërrime, por tepelenasit janë strallë për nga karakteri, mendja dhe veprimtaria patriotike dhe të gjitha këto e të tjera e bëjnë tepelenasin kryevepër.

Me Çlirimin e Shqipërisë më 29 nëntor 1944 bashkëpunëtorët e nazifashizmit u arratisën e u strehuan në Amerikë, Gjermani, Angli, Francë, Itali e gjetkë. Ata të Francës krijuan Komitetin “SHIQIPERIA E LIRË” dhe me forma të ndryshme bënin çmos për rrëzimin e pushtetit, kurse në vendet e tjera përgatiteshin nëpër shkolla spiunazhi dhe hidheshin diversantë e vinin në Shqipëri nga toka, ajri e deti. Një pjesë e bashkëpunëtorëve që nuk munden të arratiseshin krijuan në Shqipëri organizatën : “KOMITETI I MALEVE” që përbehej nga banda kriminale. Vranë sa deshën. Nga dora e përgjakur u vranë: MARTA TARAZHI e PRENDA TARAZHI me 25 prill 1948, SHKURTE CARA më 5 korrik 1949 MRIKE LOKJA më 26 maj 1947, DILE MARKU(DILICA), HAJDAR TAFA më 2 dhjetor 1950, NDREC NDUE GJOKA më 17. 2. 1946, BABA FAJA MARTANESHI më 17 prill 1947, LLAZI PULLUQI më 25 dhjetor 1947, më 12 prill 1950 vritet në pyjet e UJLUTHIT të Mirditës PAL MELYSHI e qindra e qindra të tjerë bij e bija nënash, luftëtarë të progresit shoqëror e të lartësimit të atdheut në rrugën e qytetërimit e të përparimit. Në emër të kujt u vranë? Tepelenasit, si gjithë populli shqiptar kur dëgjonte për këto krime thërriste me gjithë fuqinë e zërit: “NË LITAR, NË LITAR” Edhe i varfër e rrobaçjerrë, por me moralin atdhetar në shpirt e zemër. Lind pyetja legjitime: Ç’ përfaqësonin këta të internuar që i sollën në Tepelenë? Këta kishin në familjet, në fisin e tyre njerëz të arratisur, ose në “Komitetin e Maleve”. Që të mos krijohej në Veri gjakmarrja e hakmarrja u realizua internimi i tyre, që të mos hakmerreshin ndaj tyre familjarët që u ishin vrarë njerëzit e tyre nga bandat kriminale, fjala vjen ata që përmenda me lart, si Marta Tarazhi me shoqe e shokë. Lindi pyetja: Pse u internuan ? Përgjigja është e kuptueshme: që t’u sigurohej jetesa, që t’i shpëtonin vëllavrasjes, gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Po ku duheshin sistemuar? Ku të sistemoheshin? Në Mirditë, në Pukë, në Tropojë, në Kukës, në Peshkopi, Krujë? Në asnjë mënyrë. Kurrsesi në këto vende. Dhe pse jo në këto vende atdhetare me historinë – këngë , kënduar me lahutë dhe me çifteli nëpër epokat historike, me ato legjenda të trimërisë që yllëzojnë me tërë bukurinë dhe madhështinë në panteonin e lavdisë shqiptare, frymëzim për brezat, por jo në këto vende, sepse ishin troje ku kishin ndodhur vrasjet dhe ekzistonte rreziku i gjakmarrjes dhe hakmarrjes, ngaqë sipas Kanunit gjaku shlyhet me gjak, sepse ishin troje ku kishin ndodhur krimet makabre.

Meqë në Tepelenë ishin bosh kazermat e ushtrisë italiane dhe se në rrethin e Tepelenës s’bëhej fjalë për gjakmarrje e hakmarrje ishte bërë zgjedhja e duhur. U sistemuan në kazermat e ushtrisë italiane në periudhën 1949-1953. Krevatet ishin krevate marinari. Hanin në mencë. Një të vërtetë përmendi historiani Pëllumb Xhufi në një emision televiziv. Tha: “Në një dokument të CIA-s Amerikane thuhet se kampi i të internuarve në Tepelenë ishte model…” Dhe mjaft të verbuar iu sulën me tërbim sikur këtë vlerësim e kishte bërë Enver Hoxha dhe sipas tyre zoti Xhufi ishte bërë zëdhënës i Hoxhës. Jo më shumë se 100 burra me sëpata e kosore, të shoqëruar nga dy policë kalonin Urën e Ali Pashait dhe bënin dru për të gatuar, për larje të teshave, apo në dimër për t’u ngrohur. Gratë rrinin në kapanone, merreshin me qëndisma, bënin pupa, a zbukurime mjaft estetike që mund të bëheshin ekspozita në Tepelenë, por Tepelena në ato vite nuk kishte pallat kulture. Ata jetonin në kapanonet e kazermave të ushtrisë italiane, kurse unë dhe gjithë të tjerët kishim shtëpitë- kasolle, mbuluar me llamarinë, muret me katerma dhe dyshemetë të lyera me bajga lope.

Hanim qull me lakra e hithër, ekzistonte sistemi i triskëtimit. Ne kishim racionin e bukës elbi, thekre, a misri 400 gr, në ditë, kurse ata 500 gr. e ca, ne hanim edhe oriz me krimba, po ashtu edhe ata.

Ato kushte ishin kur Shqipëria kishte moçale, këneta, sëmundje të shumta, do të ndërtonte shtëpira, do ndërtonte rruge, hekurudha, fabrika, uzina, kombinate, hidrocentrale, do të luftonte kundër diversantëve , do të luftonte në fushën politike, në sferën ekonomike e të tjera e të tjera. Ç’mund të bënte më shumë shteti atëherë? Të jemi realiste e mos kërkojmë qiqra në hell .

Të mos fluturojmë me presh, se bëhemi gaz i dynjasë. Fëmijët e tyre vinin në shkollën 7 vjeçare “ABAZ SHEHU’ të qytetit. Ishin të veshur mjaft bukur. Binin në sy me ne nxënësit e qytetit. Ishin në të gjitha klasat. Drejtor i shkollës ishte Rait Braho, edhe e shoqja e tij ishte mësuese. Simon Miraka qe nxënës në klasën e dyte. Kaloshaj e Gjon Markaj qenë në klasat e larta.

Unë Krenar Isuf Progonati deklaroj si gjithmonë se kam pasur në klasë këta: Djalin e Hamit Matjanit, Xhavit Matjani, nipin e Ahmet Zogut, Xhalal Zogu, motrën e Pal Mëlyshit, Maria Mëlyshi, një vajzë me emrin Luftanije dhe një djalë me emrin Engjëll. Mësonin shumë mirë. Ne ishim miqësuar me ata. Qemë tamam si vëllezër e si motra. Duheshim shumë. Unë rrija në bankë me Marien, motrën e Pal Melyshit. Maria dhe Luftanija këndonin mjaft bukur.

Këngët që na pëlqenin ishin: “Ahmet Zog, o faqezi/ që na shite në Itali”, “ 39 mos ardhsh kurrë, / që na rrëzove flamur,/ o ministra, ministrat tanë / harram e paçi paranë , / që na shitët vatanë|”Maries i kemi festuar edhe ditëlindjen ku kanë qenë të pranishme nëna ime Fatimer Alikio Progonati, Xhito Kopaci, Nazo Qibini, Qibro Selimi, Naxho Ali Luzi. Kur një herë isha lagur nga shiu e dridhesha nga të ftohtit shoqja ime e bankës Maria Melyshi hoqi bluzën e leshtë e ma veshi mua. Faleminderit, o motër e shtrenjtë Marie që më shpëtove nga ndonjë plevit. Maria më ka dhuruar një palë çorape të bëra me dorën e saj e ku ta dija unë që t’i ruaja dhe pas kaq e kaq vjetësh t’jua tregoja edhe juve se ç’dorë artisteje ishte dora dhe mendja e Maries. Me nënën e Maries, nënën Dava, (kështu e quanin) kishim miqësi familjare, vinte në shtëpinë tonë-kasolle, hanim bashkërisht qull me lakra, petulla me ujë, fasule dhe ndonjëherë edhe qullapite, edhe ndonjë pulë, por edhe oriz me krimba. Doktor nuk kishte në Tepelenë. Kam qenë i dëshpëruar shumë dhe tani që kanë kaluar shumë vite kur i kujtoj me shkasin lotë, na vdiqën dy shoqe: Borziloke Çunaj dhe Anife Mellaraj. Mësues kishim gjirokastriten Hysen Harshova i cili na donte shumë dhe ne i kapnim dorën me shumë dashuri.

Përmenda më lart nënën Dava Mëlyshi, që ishte nëna e Pal Melyshit dhe Maria Melyshi, motër e Pal Mëlyshit. Kjo është diçka interesante. Më 7 gusht 1949 vritet nga bandat kriminale të “komitetit të maleve” Bardhok Biba, që ishte shok i zemrës i Pal Mëlyshit.

Bardhok Biba kishte qenë partizan në brigadën e 7-s. Pas çlirimit ishte kuadër që luftonte me mish e shpirt për përparimin e Mirditës, por veprimtaria e tij patriotike në shërbim të atdheut ndërpritet, se vritet nga bandat kriminale.

Pal Mëlyshi pikëllohet për këtë humbje për mirditorët. Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu e infiltrojnë te komiteti i maleve. Fillimisht u cilësua tradhtar i atdheut që të fitohej besimi te krerët e organizatës ”komiteti i maleve” Pali i zgjuar, trim e guximtar vrau sa mundi e sa deshi, madje një herë kishte nxjerrë revolverin e kishte plagosur veten në dorë për të hequr çdo dyshim që mund t’u kishte lindur, sepse radhët e tyre po pakësoheshin.

Pal Mëlyshi mbante pseudonimin “furtuna”. Më 12 prill 1950 Pal Mëlyshi vritet nga bandat kriminale. Pra, edhe babanë e tij Nikolla, Nënën Dava dhe motrën Marie e internuan në kampin e Tepelenës.

Kjo është dëshmia ime. Realiste, e shenjtë, duke qëndruar si shenjtor para Bibles e Kur’anit, para së vërtetës historike. Dhe s’më ka ardhur aspak mirë kur pashë në ekranet televizive Presidentin e Republikës duke folur para një grushti njerëzish, të ardhur nga Tirana, kurse tepelenasit refuzuan pjesëmarrjen : të fyer, të indinjuar gjer atje sa nuk mban më nga spekullimet, sajesat, mashtrimet dhe profkat e hipokrizia e manipulatorëve të historisë që marrin guximin e inskenojnë ngjarje të pavërteta.

Presidenti Ilir Meta do të jetë ndier keqas, por duhet të kuptojë se është viktime e skenarëve pa bereqet. Nuk duhet shkuar sipas berihajt. Hidhet një gur nga dikush në lumin e turbulluar dhe ftohen për ta nxjerrë. Kjo marrëzi kërkon ndëshkim dhe jo dekorata e lëvdata. Lavdi Popullit Heroik të Tepelenës që kur është puna për të drejtat historike nuk pyet për ministra, deputetër, qoftë dhe për presidentë.

Në Tepelenë është krijuar edhe forumi : “Patriotizmi tepelenas nuk pranon simbolika fantaziste”. Tepelenasi përkulet me nderim dhe adhurim vetëm para flamurit kombëtar, para dëshmorëve të atdheut dhe para së vërtetës. Aventurat frenohen, nuk ushqehen, sepse sjellin rreziqe. Ja pse dhe përse duhet dëgjuar nga të dy veshët. Unë, Krenar Progonati, si dhe shumë të tjerë, do të ishim të mrekulluar nëqoftëse do të lexonim komentin special të akademikut Rexhep Qosja “Qytetar nderi’ i Tepelenës, pasqyrë e pasurive shpirtërore, intelektuale e me vlera njerëzore, koment që në vesh, mendje, shpirt e zemër do na ylberonte si diçka hyjnore, e shenjtë dhe e shtrenjte për kujtesën kolektive të Tepelenës që ka të bëjë me të vërtetën historike të kampit të internuarve në Tepelenë. Edhe për këtë më buçet në ndërgjegje; mirënjohje Profesor, akademik Rexhep Qosja.


30 Gusht 2018