Buzuku, (anti)miti i Kullës së Babilonisë

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

(Në 1555, 463 vjet më parë, u botua Libri i Parë Shqip)

Miti i Kullës së Babilonisë.

Mit që ka torturuar memorien dhe fantazinë njerëzore pareshtur, që ka rritur ndjeshmërinë vetiake dhe kolektive që ka bërë një shpërthim zinxhir të paradokseve që jo vetëm pjellin, por dhe hanë njëri-tjetrin.

Pra, në fillim qe një gjuhë e vetme, gjuhë që e ka ditur ndoshta vetëm mbreti i kryehershëm i Babilonisë, Nembroti.

Dantja në kryeveprën e tij të skëterrshme, ndonëse si parafjalë ose si paradhomë të dritës parajsore jep disa shprehje të pakuptueshme në gojën e Nembrotit në amëshimin e Ferrit, këto shprehje janë të pazbërthyeshme sot dhe janë të barasvlershme me formulat magjike gnostike, janë glosa okulte të mistershme që nuk përdoren më, por shfrytëzohen për ushtrime dhe spekulime mendore nga astrologët gjenialë dhe të lajthitur.

Pra, vetëdija e planetit ku më tepër zotëronin kafshët se sa njerëzit, ujërat dhe pemët, më tepër sesa ide nis me gjuhën e vetme që sot nuk është më.

Zoti kur pa se njerëzit merreshin vesh për të ngritur Kullën e Babilonisë në lartësi marramendëse drejt qiellit, drejt selisë hyjnore bëri mrekullinë e dënimit: në të njëmijtën e sekondës krijoi 72 gjuhë të ndryshme dhe kështu u zhduk gjuha e vetme komunikuese dhe njerëzit ende nuk kishin shpikur ndërmjetësin, domethënë, përkthyesin, nuk u morën vesh, përçarja qe kaq e humnershme sa arkitektura kolosale dhe e frikshme, rebele dhe kërcënuese mbeti në mes e kurrë nuk u ngrit.

Ky shpjegim biblik ka një shumësi metaforash të ndritshme dhe të tmerrshme.

Kulla e Babilonisë pati vetëm një fillim, por nuk pati kurrë një mbarim dhe kjo për shkak të forcës fatale ndarëse të gjuhëve të veçanta.

Ky është një dënim hyjnor dhe prandaj është krejt i pakuptueshëm për mendjen e kufizuar njerëzore.

Pakufishmëria e Zotit- personazh-me teper metaforik, transcedental i kesaj parabole te njohur – u shpreh kështu nëpërmjet copëzimit, ndarjes, veçimit, duke krijuar nga kjo katastrofë e kobshme individualitete të forta, të spikatura të popujve të kombeve, të gjuhëve dhe të kulturave, bile dhe të racave dhe dallimeve etnografike, të mitologjive të feve.

Por historia e njerëzimit nuk mund të jetë asnjëherë veçse kontradiktore.

Herakliti e kishte kuptuar shkëlqyeshëm forcën lëvizëse të kontradiktës, e cila ka dhe mohimin dhe pohimin. Akti ndalues dhe mohues i Zotit, qe forma më e skajshme, më e shpjegueshme dhe më e lehtë për të bërë pohimin e gjuhëve etnike, pra Zoti është më përpara idesë së filozofit të paditur, por dhe mendjemprehtë Platon dhe realitetin e Shumësisë në Një.

Në mijëvjeçarë zhvillimi i njerëzimit synonte të bënte mohimin e restaurimit, domethënë, procesin e kundërt, atë të mohimit të mohimit, për të kundërshtuar revolucionin e hatashëm gjuhësor në të njëmijtën e sekondës të Zotit. Kolektiviteti njerëzor shpiku strukturën shtetërore dhe nga autoriteti i padiskutueshëm dhe patriarkal fisnor u kalua në kultin e perandorive të mëdha botërore.

Nuk duhet të përmend shumë shembuj të vjetër në histori, as gjuhët e vdekura të fenikasve, asirëve, babilonasve, etruskëve, thrakasve etj., por dua vetëm të kujtoj thjesht dhe me modesti se si perandoria romake shpalli dhe vendosi në mijëvjeçarë gjuhën e vetme komunikuese, latinishten, kurse Perandoria Bizantine konsakroi për një kohë tepër të gjatë si gjuhë të vetme universale greqishten bizantine.

Që të dyja këto gjuhë universale të papajtueshme me njëra-tjetrën pretendonin se ishin gjuhët perandorake të krishterimit, por të ndarë dhunshëm dhe egërsisht në krishterimin perëndimor dhe krishterimin lindor.

Nuk duhet harruar dhe një gjuhë e tretë universale botërore, arabishtja kuranike, gjuhë që zotëroi me shekuj dhe një nga gadishujt më të mëdhenj të pjesës më perëndimore të Evropës, Gadishullin spanjollo-iberik.

Që të tre gjuhët flisnin për një zot të vetëm, por asnjë gjuhë nuk qe e barabartë me gjuhën e fshehtë parake të Nembrotit. Perandorizmi i gjuhëve lidhej me politikën dhe komunikimet e ndërsjellta dhe të pandalura ekonomike.

Gjuhët universale kështu ishin monedha universale për të gjithë popujt etnikisht të ndryshëm, bazuar në parimin e bilinguizmit, dygjuhësisë.

Kjo dukuri madhështore dhe shtrënguese në histori e gjuhëve universale dukej se qe e përjetshme tashmë. Por mohimi i mohimit gjithmonë synon të jetë përsëri mohimi i mohimit. Dhe ndodhi befas në fundin e Mesjetës një përsëritje e dytë e dënimit hyjnor të Zotit.

Shembulli i Kullës së Babilonisë u përsërit, por jo në mënyrë tautologjike.

Binjakëria e dukurisë është më tepër metaforike. Shekulli XVI në Evropë qe vetë shekulli fatal i thyerjes së monopolit të gjuhës universale latine.

Nëse Marin Barleti mbështetet akoma në forcën paravepruese të monopolit të latinitetit, Gjon Buzuku krijoi monopolin prapaveprues të gjuhës etnike shqiptare.

Kështu thyhet, gremiset, shpërbëhet gjuha botërore dhe kalohet në shumësinë e gjuhëve etnike.

Ky është një mister i Providencës, një përsëritje e dënimit të sipërm për mëkatarët e mëposhtëm, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar ata.

Kjo tregon që gjuha e Zotit duhet kuptuar me gjuhët e ndryshme etnike. Duke shfuqizuar gjuhën universale zyrtare kalohet te bashkësia e gjuhëve të pafundme.

Numri biblik i 72 gjuhëve të ndryshme është gati përkthyer në të gjithë gjuhët e planetit, gjuhë që janë disa mijëra. Situata pasbabilonike është situata që akoma jetojmë.

Gjon Buzuku kështu është një nga shfrytëzuesit në shërbim të Zotit, Zotit të gjuhës universale latine.

Libri i parë shqip buzukian është monumenti i një akti revolucionar gjuhësor të ri.

Fjala revolucion është tepër e rëndë, profane, e rrezikshme, shkatërruese, e mangthshme.

Në të vërtetë, unë dua të nënkuptoj vetëm alegorinë e fjalës në vetvete, duke ia zhdukur kuptimin deri në atë masë sa të kuptohet se latiniteti kishtar qe një sipërfaqe e jashtme, por në të kanë ekzistuar gjithmonë gjuhët e gjalla dhe të ndryshme etnike për së brendshmi.

Kështu e brendshmja bëhet vetë një lartësi e jashtme dhe e dukshme, kurse e padukshmja e humbet statusin e saj të nënvleftësuar ose të mohuar.

Buzuku bëri të dukshme gjuhën e shkruar shqipe.

Ai krijon kështu transfigurim të njëjtë me të që i ndodhi Krishtit kur u ngjit në malin Tabor dhe prej vetvetes së tij shpërtheu një dritë verbuese, që njerëzit të shihnin më qartë vetveten dhe njëri-tjetrin.

Kanë kaluar shekuj nga Buzuku dhe ne jemi të gjithë buzukianë sepse shkruajmë dhe përsosim gjuhën shqipe.

Të gjithë shkrimtarët shqiptarë të gjallë e të vdekur janë jo vetëm në një kuptim, por në të gjithë kuptimet buzukianë.

Nuk kanë rëndësi subjektet, fabulat, format dinake dhe të ngatërruara të ligjërimeve, sistemet rutinë apo modernë të metaforave, nuk kanë rëndësi kronologjitë dhe personazhet, as kohërat e hapësirat, përveç faktit jetik që gjuha shqipe shkruhet pambarimisht.

Shekujt pas Buzukut janë triumfi sipëror dhe i lulëzuar i gjuhës shqipe të shkruar.

Gjinia krijuese gjuhësore e kombit shqiptar shfaqet me emra vetjakë.

Këto emra krijojnë panteonin e fjalës shqipe.

Emrat ndryshojnë, por Panteoni është i njëjtë.

Kështu njerëzimi ka pasuar vetveten deri në zgrib.

Se gjuha shqipe e shkruar është një nga thesaret më të habitshëm, më delikatë, më të ashpër dhe më konceptuale të qytetërimit botëror.

Dhe ja arritëm kështu në kohën konvencionale të Mijëvjeçarit të Tretë, ose në atë që quajmë caku zanafillor i shekullit XXI.

Arritëm në epokën e globalizmit ekonomik, monetar, politik, strategjik dhe vetëkuptohet gjeografik.

Mohimi i mohimit është e vetmja gjë që nuk mund të ndahet.

Globalizmi planetar kërkon domosdoshmërisht dhe gjuhën verbale, universale, pra, kalohet dhe njëherë në atë situatë që ka qenë dikur.

Ç’do të bëhet me gjuhët e mëdha të kulturave me frëngjishten, gjermanishten, rusishten, spanjishten, etj?

Kompjuterizimi i botës është forma mekanike e globalizmit të saj, ose matematizimi i globalizmit.

Interneti është një nga çuditë më të parashikueshme dhe revolucioni më i ri i paimagjinueshëm i njerëzimit.

Internetin e zotëron anglishtja universale.

Gjuhët e tjera të mëdha të botës, duam apo nuk duam janë të kërcënuara në fushëbetejën e internetit.

Padyshim në internet do të futen shumë shpejt programet e përkthimit universal.

Përkthimi mund të bëhet mekanikisht, por do të përsoset deri aty ku nuk ta merr mendja.

Atëherë arrijmë me të vërtetë te pyetja apokaliptike?

Kur gjuhët e mëdha të kulturave, gjuha e Gëtes, apo gjuha e Hygoit apo e Servantesit, pa llogaritur dhe gjuhën pasardhëse të Homerit, apo gjuha e Avicenës dhe Averroesit e ndiejnë kërcënimin e fshehtë, që duhet t’i nënshtrohen bilinguizmit, dygjuhësisë.

Ç’do të ndodhë me gjuhën e një populli relativisht të vogël siç janë shqiptarët, ç’e pret në të ardhmen gjuhën shqipe?

Italianët prej kohësh e kanë bërë këtë pyetje për gjuhën e Dantes.

Baskët rezistojnë me një skepticizëm madhështor.

Kinezët duket sikur nuk duan t’ia dinë fare për apokalipsin gjuhësor, por ama në internet përdorin anglishten.

Nuk jam një fatalist aq i pamëshirshëm apo një skeptik dinak dhe kokëfortë sa të profetizoj fundin e gjuhëve etnike dhe zëvendësimin e tyre me gjuhën universale angleze.

E ndiej dhe e di se gjuha botërore është një domosdoshmëri, por kjo nuk mund ta përjashtojë deri në kufijtë e mosparashikimit edhe domosdoshmërinë e gjuhëve etnike.

Dalim kështu, pra, përsëri tek Gjon Buzuku si referencë apo nyje ideore e fillimit të librit të shkruar shqip dhe tek shkrimtarët e ardhshëm shqiptarë që mund të shkruajnë njëherësh në të dy gjuhët, anglisht dhe në shqip.

Fëmijët e shqiptarëve nuk i shmangen dot internetit, sepse edhe interneti nuk mund të mbetet më diçka e panjohur jo vetëm për shqiptarët por për tërë botën.

Qytetërimi i tipografive është qytetërim i gjuhëve të veçanta, qytetërim kompjuterik i internetit është qytetërim i gjuhës universale në vetvete.

Kështu kalohet te gjuha e vetme perandorake e botës.

Veçse këtë radhë perandoria nuk ka kuptimin totalitar të diktaturës politike, por është perandoria e bashkësisë planetare.

Kjo nuk do të thotë se do të zhduken shtetet, qeveritë etj., por hapja e kufijve pafundësisht globalizimi ekonomik, madje dhe monedha e vetme e njerëzimit do të çojë në një kuptimshmëri më reale të vetë gjuhës universale.

Ky është një proces që ka nisur, që mund të përfytyrohet, por nuk mund të saktësohet.

Në thelbin e procesit është kontradikta.

Bilinguizmi, dygjuhësia ka gjasa të jetë e përjetshme.

Kurrë nuk e kam ëndërruar dhe nuk e dua vdekjen e gjuhëve të veçanta.

Kjo do të sillte një varfërim absolut të botës, madje dhe të ideve dhe të ndjenjave.

Ndoshta modeli i gjuhës së Nembrotit para prishjes së Kullës së Babilonisë nga Zoti, ndjell një fuqi magjike, gjuhë universale të re botërore.

Sekretet e sipërme dhe të larta të Providencës janë sekretet e saj, por gjer në atë pikë që njerëzit kanë mësuar se dënimi hyjnor është një dëlirësim dhe kathars i ri.

A do të ndërtohet sërish Kulla e re e Babilonisë planetare?

Një shpirt i shqetësuar gjenial, si shpirti i Migjenit, mendon, shpreh, kumton, profetizon se parathënia e parathënieve është se njerëzimi do të merret vesh me vetveten, se popujt do të mirëkuptohen me një vetëdije të njëjtë për të ndërtuar kullën e lënë përgjysmë të Babilonisë dhe në majë të kësaj kulle njerëzimi do të klithë: Qenie inteligjente jashtëtokësore ku jeni?

E ardhme e ëndërruar dhe më shpesh e keqkuptuar, e ardhme e paparashikuar dhe e ardhme që do të vijë, e ardhmja e sotme dhe e nesërme ku je, ku gjendesh, si do të na presësh dhe si do të presim, me ç’gjuhë perëndinjeriu apo njeriperëndie do të merremi vesh.

Si do të nënshkruhet kontrata sociale me një Zhak Zhan Rusoi të ri?

A do të verë firmën e tij në këtë kontratë edhe Gjon Buzuku?

Në shekullin XVI Buzuku ka ditur shumë mirë të shkruajë gjuhën latine dhe shkroi shqip.

Pra, qe një qenie gjeniale e bilinguizmit, e dygjuhësisë. Ahere pas stërnipërit shumë të largët të Gjon Buzukut nuk do të jenë qenie gjithashtu gjeniale të bilinguizmit dhe dygjuhësisë?

Nëse jashtëtokësorët do të kenë gjuhën e tyre universale ahere globalizmi tokësor do të shndërrohet në globalizëm kozmik dhe do të kalohet përsëri në një bilinguizëm dygjuhësi të një lloji tjetër.

Nuk kanë shumë rëndësi gjuhët në vetvete se sa ndërlidhja dhe komunikimi.

Kësaj nuk i shpëtojmë dot as ne vdekatarët e rëndomtë dhe as Zoti.

Unë nuk kam dyshime më për asgjë, përveç dyshimeve që më ndihmojnë për të mbijetuar.

E di që gjuha e mrekullueshme, por e tmerrshme shqipe, sa magjike aq dhe rreptësisht e rëndë dhe e vështirë nuk e pranon kurrsesi vdekjen e saj që kurse në botë lindi dhe jetoi Gjon Buzuku.

Gjon Buzuku nuk na çon asnjëherë te vdekja e gjuhës sonë por vetëm te mbijetesa e saj.

Kjo figurë qëndrese e pashembullt është kurajoja, forca dhe morali ynë, që vetëm mund të përsoset por nuk mund të shpërbëhet deri në humbje.

Ja pra që utopistët e pandreqshëm dhe të shpërdoruar të gjuhëve etnike nuk ka pse të shpallen heretikët keqbërës dhe apostatë të gjuhës së vetme universale botërore.

Unë po i shkruaj tashmë këto rreshta vetëm për të më kuptuar, por nuk kam ç’t’u bëj atyre që mund të më keqkuptojnë.

Keqkuptimi është ndarje, është veçim, është linja e këputur e rrymës elektrike që le në errësirë qytetet e mëdha, metropolet, shtëpitë e vetmuara të bjeshkëve, që na kthen te kaosi i errësirës.

Ky kaos nuk mund të eksperimentohet pa pushim, por edhe paradoksi nuk mund të zhduket asnjëherë.

A mund të ketë gjuhë universale botërore pa paradoksin e saj të brendshëm.

Raca e gjuhëtarëve dhe e përkthyesve kurrë nuk do dalë në pension dhe Muzeu Total i Gjuhëve të Vdekura të Njerëzimit nuk do ndërtohet. Amen!


5 Gusht 2018