Jump to content

Bedri Islami sjell dhe thyen “Vetmi Akujsh”

Nga Wikibooks

Nga Bashkim Koçi

Libri me poezi i Bedri Islamit “Vetmi Akujsh”, teksa e lexoj me vëmendjen e qetësinë që kërkon poezia, më solli një ndjesi tronditëse, më trazoi shpirtin, më çori muret e zemrës dhe nuk di për ç’ arsye u ndjeva edhe unë “pak Bedri Islam”, në raport me vendin tim. Nuk nxora zë e as pëshpërita, por diçka, një betim i përbrendshëm, ashtu si ai i poetit, ia shpreha dikujt: “Shpirtin e kam tek ti/Me emrin tënd në buzë më daltë shpirti!…”

Kapitulli i parë dhe i fundit në këtë vëllim poetik është ndershmëria, është sinqeriteti si i një fëmije të padjallëzuar për t’i shfaqur ndjenjat ashtu si gëlon përbrendshmi zjarri i dashurisë për jetën. Tek poeti Bedri Islami, si kurrëkund tjetër poet, është zemra ajo që vendos se kë duam në jetën tonë, se ndaj kujt kemi detyrimin për t’u përulur me dhembshuri, se kur dhe ku fjala të të bëhet zemër për të treguar dashurinë. Dhe të gjitha këto pyetje “si, kur, ku” tek poezitë e tij kanë vetëm një objekt, atë që nuk tjetërsohet kurrë: vendlindjen. Në këtë vazhdë të gjykimit poezitë në “Vetmi Akujsh”, pa përjashtim, vlerësojnë fuqinë e ndjenjave të poetit, të cilat shfaqen tek “…thyerja e natës bregut të liqenit”, tek “ Mirëdashja e hallës si aromë mollësh në vjeshtë”, apo tek “Kur të mos jem më /Kokën ma ktheni nga nëna”. Poeti, pra Bedri Islami, në çdo rresht të poezive të tij ka vendosur të jetë ai që është, njeri që ka vendor që zemra të rrahë vetëm për ata që e dëgjojnë, që e besojnë se ajo është stërvitur për t’u përballur edhe me mungesa të dhimbshme. Ndoshta janë këto ndjesi të fuqishme, të cilat herë-herë kërcejnë mbi vullnetin e “komanduar” të poetit, duke shfryrë të përbrendshmen që ia thotë zemra. “Kujt t’ia them tjetër,/Kujt t’ia them?/Është mbrëmje e heshtur,/ Shpirti më dhemb…”. Mesa duket ka nevojë për një prekje, për një buzëqeshje, për një fjalë të bukur apo kompliment që t’i vijnë nga njerëzit e tij të dashur.

Është një fakt, të cilin duhet ta kishim bërë të njohur qysh në fillim të këtyre radhëve. Poeti Bedri Islami vëllimin “Vetmi Akujsh” e ka shkruar larg atdheut, atje ku, siç thotë ai, “Të gjithë duan të kenë nën kokë gurin e vendlindjes.” Në këtë hulli qëndrojnë në radhë të gjitha dëshirat, ëndrrat dhe gjithçka që i mungon diku larg në mes të Evropës si “Zhurmën e rrugicave në mbrëmjen/Ku përflaket fëmijëria.” apo “Erën që tund çarçafët e bardhë të reve,/Shiun marroq, mjegullën e hirtë,/ Natën me yje e hënë,/ Mëngjesin plot dritë.” Dhe poeti në fund jep ultimatumin e pakthyeshëm: “Më ktheni në vendlindje/Kur të afrohet dita të vdes!” Të gjithë këtë dashuri për vendin e tij Bedri Islami përpiqet që ta ngjisë deri në majë për ta parë të gjithë, duke nxjerrë në pah edhe arsyet pse e bën këtë gjë, pse e shfaq kaq bujshëm këtë mall. Tek poezia “Shumë gjëra do të më mungojnë” ai i merr një e nga një, i numëron të gjitha. E pastaj vë një kapak trishtues: Nëse s’do më mungonin këto,/Do të thotë se nuk paskësha jetuar…”.

Njerëzorja tek poezitë e Bedri Islamit është si një gjallesë, merr frymë, lëviz dhe shpesh kthen kokën pas. Në vëllimin e tij poetik është një poezi e titulluar “Mungesë”. Aty poeti, për çka përjeton brenda mureve të shtëpisë ku i ka rënë koka, pas kthimit nga larg, trishtimi është shumë i madh. Janë muret e lagështitur, xhamat e thyer dhe ambienti i ftohtë të cilën ai do t’i konsiderojë “vetmi akujsh”. Nuk e njohin rrugicat, nuk e njohin njerëzit sepse “Të tjerë janë tashmë në vendin tim,/ Mjerisht unë jam në vendin e askujt,/ Një copëz mjegull e bardhë…”. E pastaj ai pyet pa kërkuar përgjigje. “Mos vallë/Në këta mijëra mëngjese e perëndime,/Askujt, asgjë/Nuk i mungon/Mungesa ime?”

Ndonjëherë me poetin Bedri Islami mjafton që vetëm një person t’i mungojë dhe gjithçka është e shkretuar. Në këtë rast për të është i tillë, pra që gjithçka ia shkreton jetën nëse i mungon, është një dhe vetëm një, mungesa e nënës, Dritës. Brenda këtij emri janë të gjitha: Qyteti i tij i dashur, Shkodra dhe shtëpia, ku nga aty nisën të gjitha udhët. Dhe për nëna Dritën: “ Kam një shtëpi të përjetshme aty,/Pa mure guri, pa net jetime, /E mira, e shenjta, e shtrenjta,/Nëna ime!”

Tek poezitë në vëllimin “Vetmi akujsh” gjithçka ka portretin e njerëzores dhe se çdo gjë është mësuar në rrjedhën e jetës. Vet poeti nxjerr dufshëm mallin që ka për njerëzit. Ai dëshiron të flas për gjithçka të paktën me një person, ashtu siç flet për hallet me veten e tij. Ndërkohë është i gatshëm ta lëre zemrën të rrahë vetëm për ata që mund ta dëgjojnë.“Merrni nga unë ç’të doni!”- u thotë lexuesve poeti tek poezia “Merrni nga unë”. Ai tregohet bujar dhe është i gatshëm t’ua falë të gjitha: Shpirtin e lodhur rrugëve pa fund ku brodha,/Sytë ku ende është mrekullia e ditës së përflakur,/ Erën që fryn nëpër flokët e vajzës/që desh tërë jetën e nuk u lodha,/Ditët e mbetura dhe dritën e syve.” Në këmbim të të gjithave që fal poeti kërkon me përulje: “Dhe jepmëni mua/ Vetëm ëndrrën që kam dashur,/ Vetëm ëndrrën që dua!”

Tek ky vëllim poetik është paksa e vështirë të gjesh atë për të cilin Bedri Islami jep energjinë e tij. Por dallohet lehtaz se i pëlqen të ruaj kohën, entuziazmin dhe shpirtin e tij për ata që janë të ndershëm. Madje kjo gjë është njësi matëse dhe absolutisht e patjetërsueshme për poetin. Ai, për të triumfuar e mira, që shoqëria njerëzore të mund të mos vdes çdo ditë ngadalë, bën një thirrje qëi del nga shpirti: Mos hesht. Nuk është vendi për të analizuar fjalë për fjalë atë që Bedri Islami dëshiron të thotë me këtë togfjalësh, por esenca është thjesht një thirrje që njeriu, qytetari i emancipuar të mund të ngrihet mbi veten. Nëse hesht, qorton poeti, I braktisur do të jesh si skelë antike.

Bedri Islami është poet që me fjalën e tij ta jep realitetin në sy, por herë-herë dhimbshëm. Poezitë e tij lexuesin e fusin në të thella, ia shkretojnë shpirtin dhe zemrën. “Ikën djemtë!- e fillon poezinë ai, si ta ketë nxjerrë nga “xhepi” i pantallonave të tij në çastin që niset të mërgojë. “Rri nëna ime përpara pantallonave të varura,/Kujtohet kur janë blerë/Dhe kur janë larë sëpari,/Ishte dimër apo kishte ardhur pranvera./Paratë që u harxhuan, rasti pse u blenë,/ Dasmat e mortet, ndarë nga njëra-tjetra,/Gëzimin, pikëllimin e tyre paskan lënë.”Poeti në çdo rresht, në çdo fjalëz të zgjedhur me shumë dashuri për gjëmën e mërgimit, e sjell të regjistruar si në një film me metrazh të shkurtër tërë atë që i ndodhi e vazhdon ende në zbrazjen e Shqipërisë nga brezi më vital i vendit. “Edhe unë ika”- gjëmon shpirti i poetit, duke lënë më pas amanetin-mallkim: “Askush mos më përcjellë mua,/Shkretan m’u endtë shpirti varreve,/Gjithë jetën tjetër zvarrë u heqsha udhëve,/Dielli mos më ndriftë./Kurrë mos pafsha hënën,/Në mos mundsha,/Të mos përcjell as nënën!”

Dashuria për Bedri Islamin është kur lumturia e dikuj tjetër është dhe e tija. Ai në të gjitha poezitë e tij ndjehet i përulur dhe i gatshëm të ndihmojë dikë që të ngrihet. Nuk ka as ndrojtje e as qibër për t’iu gjendur pranë, ashtu si ia thotë ndërgjegjja, njerëzve të zënë në çark nga mërgimi në dhe të huaj, nga situatat e vështira që ua ka sjellë jeta me tepri. Ai e bën këtë edhe sepse në çka sheh e përjeton gjen veten e tij. Kjo ndjesi me siperi njerëzore shkëlqen tek poezia “Vetmi akujsh”. “Ngjajmë edhe ne me njëri-tjetrin,/Sozia ime e një miljonta je,/Unë e një miljonta pjesë e dikujt…/Paj, mos u mërzit e mira ime!”

Bedri Islami është një ndër intelektualët shqiptarë që ka kontribuar në Luftën e Kosovës si kurrkush tjetër. Në të gjitha trojet e Kosovës, në të gjitha, falë pjesëmarrjes së tij në frontin e luftës nga fillimi deri në çlirimin e saj, atë e thërrasin Bac Bedriu. Ai aty u njoh me heronj të vërtetë të asaj lufte, një pjesë e të cilëve ranë në fushën e betejës. Në vëllimin poetik “Vetmi akujsh” luftëtarët, tashmë disa prej tyre dëshmorë, si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, etj. janë personazhe sa të lavdishëm, po aq edhe heroikë. Duke qënë se Bedri Islami i ka njohur nga afër, ua ka parë me sytë e tij trimërinë dhe “marrëzitë” e papërmbajtura, tëcilat kishin të bënin me çlirimin e Kosovës, vargu i poetit vjen “taze”, ka marë erën e gjakut e të barutit. “Nga varri më nxjerrshin shkiakët/E ma ndyfshin gjakun,/Mos më thënçin Fehmi Lladrovci,/Në mos ia marrsha Edit hakun!”

Një fjalë nuk vjen kurrë vetëm. Edhe fjala “vetmi” ka nevojë për dikë që të vuajë prej saj. Tek vëllimi “Vetmi akujsh” i poetit Bedri Islami lexuesi do të gjejë diçka origjinale, diçka të veçantë e që nuk i ngjan tjetërkujt. Por “Vetmi akujsh” përveç kënaqësisë estetike të mëson edhe se si mund të thyhen akujt e vetmisë.


14 tetor 2018