Jump to content

Bënja dhe enigmat e prejardhjes së fisit Bundo

Nga Wikibooks

Bënja, ky fshat i bukur kodrinor, shtrihet në rrëzë të malit Qarrishta, në pjesën verilindore të Dëshnicës. Ka reliev me bukuri të veçante, me kodra të buta, ara e livadhe që ndërpriten nga përrenj të vegjël. Në jug përshkohet nga gërxhe e rripa, ndërsa në verilindje mbizotëron relievi i butë, i sheshtë me një fushëpamje që e admiron çdokush që e sheh.

Bënja në historinë e saj mbart shumë e shumë kujtime të paharruara. Ato na sjellin para syve fshatin tonë të dashur, këtë tokë të begate, na kujtojnë truallin e lashtë që ka lindur burra e gra fisnike, trima e luftëtarë për Atdheun.

Është domethënëse dhe e faktuar nga të dhënat, se banorët e Bënjës e të fshatrave fqinje të krahinës sonë, kanë qenë të lirë, të pavarur, krenarë, të fortë, të bashkuar në raste të ndryshme të jetës dhe sidomos tek ata nuk ka ndikuar sundimi otoman, sado që ishte munduar gjithmonë t’i nënshtronte e asimilonte. Po ndodhte që, në të kundërt, patriotët benjallinj, kur ktheheshin nga kurbeti, nuk sillnin në fshat rraqe, por abetare shqipe, që ishin bombat e tyre më shpërthyese të ndjenjave atdhetare.

Benja ka një shtrirje të gjatë e të gjerë, hapësirë të veçantë e të tejdukshme, me fushëpamje që të mahnit. Nëse sytë ngulen diku në juglindje, para tyre shfaqen vargmali Trebeshinë-Dhembel-Nemërçkë, nga perëndimi Qafë e Kiçokut, e më andej janë kodrat e Buzit dhe Komanit të Tepelenës, ndërsa në verilindje duket Skrapari malor me mjaft kodra e male, deri tek qeleshja e bardhë e Tomorrit, malit të Miçanit, Qeshibësit, e vazhdon me majën e Kokojkës së Frashërit, atje ku kanë lindur tre burrat e mëdhenj të kombit, tre dijetaret, poetët e udhëheqësit e Rilindjes sonë Kombëtare, Vëllezërit Frashëri.

Në pjesën verilindore, si kufizim i fshatit duket kreshta e malit të Qarrishtës, vijëndarëse mbetet rrjedhja e ujërave të pjesës jugore të tij, pylli i mbushur me lisa të gjatë e të lartë, të dendur e plot arome, të jep një kënaqësi të veçantë.

Kufizohemi me fshatrat Bejkollarë, Kashisht, Sheremetas Rogun e Muzhakën të krahinës së Skraparit. Në lindje kufizohet me fshatrat Fratar, Gërdas, Riban, ndërsa në jug me Shtiken-Panaritin dhe si kufi shërben një are mjaft pjellore e me reliev të butë, Poda. Në jugperëndim, fshati kufizohet me Leskovecin, që fillon me qafën e Shëndellisë e vazhdon me tokat e Mërtinjit në Muzgë dhe bregun e Xhananjit.

Enigmat e prejardhjes së fisit Bundo

Një nga fiset më të njohura të Bënjës ështe edhe fisi Bundo. Mungesa e dokumenteve të plota me shkrim, apo e biografive të ndryshme, e vështirësojnë punën për të dhënë fakte dhe vërtetësi mbi prejardhjen e vërtetë të fisit Bundo. Për prejardhjen e familjeve të lagjes Bundo, kemi

mbledhur dhe kemi dëgjuar gojarisht shume versione, por asnjë nuk është bindës dhe i faktuar plotësisht.

Varianti I:

Profesor Sherifi jep të dhëna për prejardhjen e fisit tonë, si më poshtë:

Nga të parët tanë kanë mbërritur informacione në forme gojore, sipas të cilave prejardhja e fshatit tonë është nga “Molla e Kuqe”.

Molla e kuqe, është një krahinë me mbi 40 fshatra në kufijtë skajore veriore të Shqipërisë. Ajo ndodhet ne veri të qytetit të NISH-it, qytet që sot ndodhet nën territoret e administruara nga kufijtë e Serbisë se sotme. Molla e kuqe, ka qenë në kufijtë midis pushtimeve të bëra nga perandoria Osmane dhe kufijve të Mbretërisë Serbe. Ajo ka pasur kufizime në Jug dhe lindje me Preshevën, në kufi me Kumanovën

Si rezultat i presionit të madh të ushtruar nga të dy krahët, nga njëra anë nga pushtuesit Osmane dhe nga ana tjetër nga Mbretëria serbe, popullsia e fshatrave të krahinës u shpërngul drejt Jugut dhe jugperëndimit. Për herë të parë, shpërnguljet kane ndodhur në vitet 1630-1675, për herë të dyte në vitet 1710-1750 dhe për herë të tretë në vitet 1840-1860. Nga studimi i skemës gjenealogjike të fisit BUNDO, gjykohet se ai mund ta ketë prejardhjen nga fshatrat e Mollës së Kuqe, dhe të parët e fisit BUNDO duhet të jenë shpërngulur që andej midis viteve 1710-1750. Ka edhe një rrethanë tjetër që shkon në favor të këtij versioni: Sot, në Serbi ka familje me mbiemrin BUNDO dhe po me këtë mbiemër gjenden edhe familje të emigruara nga Serbia në Spanjë.

Variant! II : Enigma e fshatit të zhdukur Bundo në Panaja të Vlorës

Versioni tjetër, vjen si më poshtë: Poshtë fshatit, Panaja, dikur ndodhej një fshat me emrin Bundo, i cili sot nuk ekziston më. Është i pabanuar, i braktisur dy-tre shekuj më parë, por rrënojat jane ende aty. Nën Panaja ka ekzistuar një fshat i populluar, njerëzit e të cilit vdiqën nga kolera. Dy vëllezër që i shpëtuan sëmundjes, u detyruan të largoheshin në drejtim të Janinës.

Dy vëllezërit që mbijetuan, mund të kenë shtegtuar larg, ndoshta deri në Janinë, por duke qenë të huaj e të pafat, mund të jenë kthyer për t’u ngulur në Bënjë


Rreth autorit të librit: “Fisi Bundo që buron dashuri”

Nuri Bundo lindi më 6.04.1940 në fshatin Bënjë të Përmetit. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Gjuhë Letërsi. Ka shërbyer si mësues në rrethet Fier, Tepelenë e Përmet

Ka qenë drejtor shkolle në Seniçan , Bënjë dhe Topojan.

Ka bërë shkrime në gazeta e revista në shtypin periodik të kohës dhe në ditët e sotme.

Ka botuar monografitë: Naimi është I gjallë midis nesh” –(2007) dhe “Lajmëtari I lirisë-(2010)


Promovimi i librit

“Fisi Bundo që buron dashuri”

Autori Nuri Bundo promovoi këtë fundjavë librin “Fisi Bundo që buron dashuri”, duke sjellë historinë e jashtëzakonshme të fshatit Bënjë dhe të fisit të njohur Bundo, të njohur për krenarinë e tyre, por dhe për patriotizmin që gjatë pushtimit osman, duke qenë përhapës të dijes në gjithë krahinën duke e jetësuar veprën e tyre ndër breza. Gazeta “Dita” sjell parathënien e librit të autorit

Nuri Bundo:


Dëshira për të ditur prejardhjen e fisit tonë dhe për të përjetësuar jetën, punën, gjithë vlerat e tyre, ka qenë e kahershme. Shumë pyetje nga brezi në brez janë bërë: “Nga e kemi origjinën? Si kanë zbritur në fshatin tonë e janë relaksuar në këto troje?” Këto pyetje kanë gjetur disa përgjigje nga tradita popullore në disa versione, por burimi i saktë nuk është vërtetuar se nuk kemi ndonjë shkrim, pllakatë apo kulte fetare.

Disa hamendësime janë sikur kemi ardhur nga “Molla e kuqe”, “Nivicbuba” e të tjera. Për të vendosur që të shkruajmë e të paraqesim para brezit tonë ka pasur shumë mendime. Janë hulumtuar, janë marrë të dhëna gojore nga të parët tanë që në periudhën e viteve ’60-’70, që kërkoheshin historikët e fshatrave. Një gjë të sigurt, sipas të dhënave të traditës popullore, ne si fis kemi mbërritur rreth fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XVIII. Kjo është mjaft e sigurt, por prejardhja ka shumë hamendësime që ka për t’u diskutuar.

Profesor Sherif Bundo sa herë që vjen nga fshati, kishte dashuri, nostalgji për fisin tonë edhe për fshatin. Ai më bënte pyetje të herë pas hershme. “Te lutem, më thoshte, çfarë të reje kemi nga fshati?

Do të vështroj tej në horizont malin e Kokojkës së Frashërit, atje ku lindën tre burrat e nderuar, tre vëllezërit Frashëri, luftëtarin e pavarësisë, poetin e madh kombëtar, dijetarin, studiuesin, shkencëtarin, të cilët u njohën nga Europa për kontributin e tyre të çmuar. Pastaj do të vështroj fshatrat e Skraparit radhë-radhë deri tek Mali i Tomorrit, atje ku fluturoi i madhi Abas Ali. Do të hedh sytë nga pjesa jugore dhe do më dalë para syve vargmali i Trebeshinës dhe Dhëmbël Nëmërçkë që pritet nga lumi Vjosë, i cili rrjedh në shtratin e tij.”

Këto shkrime ua dedikoj të parëve tanë. Ata janë ulur në vatrat dhe shtëpitë tona dhe po bisedojnë me ne sikur të jenë gjallë e ne do të çmallemi me ta kur të na e tregojnë edhe një herë gjithë historinë e jetës së tyre. Ne mburremi se familja jonë e parë që zbriti në këtë tokë, në këtë vatan, atë ditë dielli ndriçoi e dha një shkëlqim verbues, qielli i kaltër i përshëndeti, Zoti u fali dashurinë, u dha jetë dhe i shtoi e i shumoi. Për ata burra, gra, bija, motra që jetuan ne jemi krenarë për virtytet e larta, për bujarinë, dashurinë, respektin për punën.

Nga një familje që mbërriti, arritëm të bëhemi 80 familje që jetojnë në çdo vend të atdheut dhe një pjesë jashtë tij. Po të kemi parasysh edhe bijat, motrat e martuara që kanë formuar familjet e tyre dhe po të grumbulloheshim në një vend, do të ndërtonim një “QYTEZË TË VOGËL”, dhe do ta kishte zili çdo banor i fshatrave apo qyteteve.

Le të shërbejë ky libër për të njohur nga afër jetesën, punën, dashurinë, respektin dhe ndryshimet që janë deri në çdo aspekt të jetës dhe të shërbejë për ata që do të vijnë më pas, për ta shtuar e për t’i çuar më tej këto tradita e bashkëjetesa të hershme të fisit tonë.

Bënjë, o moj Benja ime,

Bënjë, o moj Benja ime,

Gjithmonë ke qenë në zemrën time,

Drita, dielli, ndriçojne ndryshe,

Lajmin e jep çdo dallëndyshe,


Më ke rritur me qumështin e nënës,

Me ajrin e freskët të Bënjes,

Drita, dielli të ndriçojnë,

Lulet, pemët jeshilojnë.


Oh, sa bukuri ka vatani,

Sa shumë më merr malli,

Për çdo gur, rrugicë e shtëpi,

Për shokët, lodrat në vegjëli.


Nuk harrohen sa të jetë jeta,

Si nektari që mbledh bleta,

Pse më ngacmon, o zemra ime?

Çdo mëngjes me shumë mendime.

Nuk largohem, o nënë moj,

Se më ke rritur me thërrime,

Kujtoj baballarët e nënat tona,

Netëve të gjata, tregimet e vona


O nëna të dashura nuk u harrojmë,

Në çdo fest me dashuri ju kujtojmë,

o nëna krijesat më madhështore,

Na ngritët në këmbë e na mbanit për dore.


Jeni gjithmonë të gjalla,

Se lezet u kishte fjala,

Ato fjalë të ëmbla shumë,

Që na përkundnin në gjumë. Ne do jemi pranë jush,

Si zjarri i ngrohtë prush.


Fisi Bundo është në ballë,

Gjithmonë ka qenë sofër e parë,


E ka dashur shumë vatanë,

Nga Fetau me Mustafanë,

Që hoqën grekun zvarrë,

Me vonë derdhi gjak Nekiu me Mitanë.


Pse është i ëmbël dheu i fshatit tonë?

A mund të ketë të tillë në këtë zonë?

Po Për ata atje ku jetojnë,

Po për mua s’mund t’i krahasojmë.


Jo mo jo, nuk largohem,

Do vij shpejt e nuk vonohem,

Do të përqafoj o baltë çdo herë,

jeta do gjejë gjithmonë pranverë.


Kur zemra ime do pushojë

Do të jetë e do t’ju kujtojë

Një zë brenda do të thotë:

Fshati do të lulëzojë,

e qindra vjet do të jetojë.


1 Nëntor 2018