Aventurat e Stefan Zanovicit si “pasardhës” i Skënderbeut
Moikom Zeqo
Të rrallë, të pabesueshëm dhe të patjetërsueshëm janë njerëzit në histori si Stefan Zanoviçi. Historia e jetës dhe e bëmave të tij është e jashtëzakonshme. Ai ka bërë shumë për Shqipërinë nëpërmjet veprimeve të tij paradoksale, përherë i përshndritur nga talenti i tij prej aventurieri dhe letrari. Ai meriton të njihet nga shqiptarët, madje në njëfarë mënyre edhe të nderohet. Po kush është Stefan Zanoviçi? Ai lindi në 18 shkurt 1751 në Budva të Malit të Zi. Këtu kaloi vitet e fëmijërisë. Në 1760 shkoi në Venedik ku nisi studimet për t’i mbaruar në qytetin e Padovës. Në Venedik ai u dha furishëm mbas lojërave të fatit. Ai zbuloi magjinë e probabilitetit, të fitimit të rastësishëm dhe të humbjeve të frikshme. Në 1766 Stefanin e përzënë nga Venediku për shkak të mashtrimeve të tij në kumar. Ai nisi të merrej me tregti. Në 1769, Stefani u grind me një tregtar shqiptar nga Shkodra të quajtur Zenel Krajni. Zeneli e plagosi rëndë dhe ky incident u bë shkak, që Stefanin ta përzënë nga Venediku. Të dhëna që parashtroj më poshtë janë sipas një shkrimi të Dr. Ymer Jakës ku flet për aventurat e Stefan Zanoviçit. Stefani sëbashku me të vëllanë udhëton në Napoli, Firence, Milano, pastaj në qytetin Lion të Francës, ndërsa më vonë në Londër të Anglisë dhe në Amsterdam të Hollandës. Në 1772 Stefani kthehet në Paris, frekuenton sallonet letrare dhe njihet edhe me Zhan Zhak Rusonë.
Tjetërsimi i mentalitetit
Në vitin 1773 Stefan Zanoviçit i lind ideja e tjetërsimit të identitetit. Me një guxim të llahtarshëm ai mashtron të gjithë mjedisësit. Në 1773 Stefani kthehet në Budva dhe paraqitet me identitetin e rremë si gjoja princi malazes Stefani i Vogël. Ai i nxit malazezazit të ngrihen në kryengritje kundër turqve, por ky plan i tij dështon turpshëm. Atëherë ai ndërmerr një ide akoma më të çuditshme dhe më fantastike. Paraqitet me një identitet të ri, gjithashtu të rremë, si gjoja stërnip i Gjergj Kastriot Skënderbeut të Shqipërisë? Pse i lindi kjo ide Stefan Zanoviçit? Stefani thotë se në vitin 1770 kishte njohur në Napoli të Italisë një murg të Urdhrit të Shell Dominikut, i cili quhej Tanush Topia, që gjoja rridhte nga familja e famshme e Topiajve dhe që qe i zotëruar nga admirimi për kujtimin e Skënderbeut, portretin e të cilit e mbante në studion e tij midis ikonës së shën Mërisë dhe ikonës së Jezu Krishtit. Që këtej e tutje Zanoviçi do ta besonte edhe vetë gënjeshtrën e tij, se gjoja që brezi i njëmbëdhjetë, i linjës mëmësore të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai vetë e thuri këtë mashtrim dhe mbeti përjetësisht brenda rrjetës së këtij mashtrimi. Zanoviçi shkoi në Vjenë dhe në Varshavë. Ai u takua me princin polak Mishel Kazimir Oxhinski, që qe pretendent i fronit të Polonisë dhe i premtoi trupa ushtarake që ai nuk i kishte, duke marrë prej tij shuma të mëdha të hollash. Nuk dihet se çfarë situate e vështirë bëri që Stefan Zanoviçi të arrinte kulmin e kulmeve të gënjeshtrës së vet.
Shpallja e vdekjes së vetvetes
Ai përhapi lajmin për vdekjen e tij, lajm që e botoi në një gazetë të një qyteti Vigenca të Italisë. E shkroi vetë dhe nekrologjinë, madje dhe listën e veprave postume. Në 1776 ky “i vdekur” ringjallet. Ai shkon në Berlin, në oborrin e mbretit Frederiku II. Shkëlqimtar në mashtrim, profesionist i gënjeshtrës, ai bëhet mik i princit trashëgimtar Vilhelmit II. Atij i kushton shumë poezi apologjike. Pastaj zhduket nga Berlini. Për të arritur në një zgrip tjetër surrealist të mashtrimit në vitin 1777 ai paraqitet si një mysliman i bërë haxhi me emrin Varta dhe shkon në Romë ku njihet me femrën Elisabet Çadleji, dukesha e Kingstonit. Dukesha ishte 57 vjeç, vejushë, sapo i kishte vdekur i shoqi, duka i Kingstonit. Zanoviçi qe 30 vjet më i ri, por arriti të aktivizonte epshet e saj, gati u martua me të, një dashuri marramendëse dhe e çmendur. Rastësisht identiteti i tij zbulohet dhe martesa prishet. I dëbuar nga Italia ai shkon në Gjermani, Hollandë dhe Belgjikë, jeton ca kohë si murg në Bavari, shkon në Vjenë dhe takohet me perandorin austriak Jozefi II.
Njohja me Kluts dhe vdekja
Në 1785 ai njihet me Anarkasis Kluts, dishepull i Volterit dhe i Rusoit, një pasanik i madh me origjinë prusiane, të cilit iu pre koka në gijotinë gjatë Revolucionit Francez në vitin 1789. Klutz në kujtimet e tij shkruan për Zanoviçin. Në 1785 Zanoviçi shkon sërish në Amsterdam ku arrestohet. Ai vrau veten në burg duke i prerë venat me xham, sipas një versioni tjetër u vetëhelmua në 25 maj 1786.
Variantet e një libri
Një bibliografi e veprave, kryesisht libra të Zanoviçit e ka bërë i ndjeri albanologu Vinçens Malaj. Përsa i përket shkrimeve në shtypin europian që ka botuar Zanoviçi në disa gjuhë është e pamundur të bëhet një bibliografi e saktë. Përsa i përket librit të Zanoviçit për Gjergj Kastriotin duhet thënë se ky libër ka pasur dy projekte. Varianti përfundimtar i librit “Kastrioti i Madh i Shqipërisë” u botua në 1779. Libri i shkruar frëngjisht por në mënyrë paradoksale disa kopje kanë si vend botimi Parisin dhe disa të tjera kanë vend botimi Frankfurtin. Sipas një teze tjetër libri është botuar në Hollandë, në Hagë ose në Amsterdam. Kjo do të thotë që trilli i Zanoviçit për të gënjyer funksionon e funksionon pa pushim.
Botimi kinse në qytetin Albanopolis
Një libër tjetër të tij Zanoviçi kinse e boton në Albanopolis të Shqipërisë, kurse një tjetër në Konstandinopojë. Është i pashtershëm në trillim. Por ka një kulturë enciklopedike. Kështu ai është informuar që Albanopoli përmendet në hartën e Ptolemeut të shekullit II. Por le t’i rikthehemi librit të tij për Skënderbeun. Teksti i librit është i njëjtë, madje e njëjta faqosje, por hyrjet dhe ballinat e librave ndryshojnë. Dr. Ymer Jaka ka zbuluar se kopjet e librit që kanë si vend botimi Parisin nuk kanë emrin e botuesit, kurse ato që kanë vend botimi Frankfurtin shënojnë si botues J.J.Kessler. Në disa kopje kushtimi i drejtohet kontit polak Oxhinski. Përmbajtja e këtij libri mbështetet në kryeveprën barletiane. Por duket që Zanoviçi ka konsultuar edhe libra të tjerë. Mundet që ai e ka lexuar Barletin në latinisht. Për Zanoviçin kanë shumë rëndësi pikat kryesore të referencës të ideve kryesore. Por Zanoviçi nuk nguron të trillojë të dhëna të tjera të çuditshme. Ai shkruan se në letërkëmbimin apokrif barletian të Skënderbeut me sulltan Mehmetin II në 1460, gjoja letra e Skënderbeut qenkësh përpiluar “në gjuhën arnaute, pra në shqip” dhe se gjoja “kjo letër në shqip gjendet në arkivin e familjes Cërnojeviç – Kastrioti, në Mal të Zi, në kishën katedrale të Shell Venerandës në Çetine.” Madje, thotë se “në Arkivin e bibliotekës së Konstandinopojës gjendet një dokument mbi gjenealogjinë e Kastriotëve.” Fantazia e Zanoviçit nuk përfundon as këtu.
Turku që ruante si relike eshtrën e Skënderbeut
Ai shkruan se gjoja në Konstandinopojë paska njohur një turk, i cili ruante si relike një copë eshtre të Skënderbeut të mbështjellë me ar, mbas hapjes spektakolare të varrit të Skënderbeut në Lezhë. Akoma në mënyrë më paradoksaletë skajshme Zanoviçi flet se gjoja Skënderbeu lexonte veprën e Jul Çezarit „Komentet“, kurse librat e tjerë i përbuzte dhe më shumë nga të gjithë urrente romanet. Ky është portreti i fantazuar i Skënderbeut nga Zanoviçi. Vlera historike e librit të Zanoviçit pothuaj nuk ekziston fare. Por atëherë pse duhet përmendur ky libër? Libri i Zanoviçit është me të vërtetë një pamflet politik i klasit të parë plot ide të iluminizmit, pamflet që luajti rol në atmosferën e ndezur të Revolucionit të Madh Francez. Këtë e vë në dukje në mënyrë të spikatur Dr. Ymer Jaka.
Jo plagjiat i Barletit
Libri i Zanoviçit në këtë pikëpamje nuk është një plagjiat i Barletit, siç e quan V. Malaj, nuk është as vepër e një historiani të mirëfilltë por është një pamflet i mirëfilltë politik. Ky libër u përkthye edhe në gjermanisht, madje edhe në rusisht dhe në suedisht. E rëndësishme në këtë libër është fjalimi i Skënderbeut, një lloj testamenti në shtratin e vdekjes për djalin Gjon. Në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, akademiku shqiptar Androkli Kostallari botoi një studim të rëndësishëm „Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore“. Ky studim të habit për erudicionin që ka edhe sot kur e lexon. Kostallari i kushton një vend të veçantë veprës së Zanoviçit për Skënderbeun duke theksuar karakterin iluminist dhe substancën polemike. Sipas Kostallarit Zanoviçi shtron në pamfletin e tij çështje shumë të mprehta të filozofisë iluministe mbi rendin shtetëror dhe të drejtën, mbi sunduesin dhe popullin, mbi klerin, fenë dhe shtetin, mbi marrëdhëniet midis shteteve. Skënderbeu mbiquhet „si zbukurimi më i madh i shekullit të vet“, paraqitet si përfaqësues arketipal „i absolutizmit të ndritur“, pra si një mbret filozof i utopisë shtetërore të Platonit. Paraqitet si një princ mendimtar, më tepër një kryemësues i popullit. Zanoviçi e përmbys rrënjësisht versionin provenedikas që jep Barleti në librin e tij për Skënderbeun, kritikon karakterin ambikuid të Venedikut, por dhe të vetë Papatit të Romës.
Testamenti apokrif i Skënderbeut
Kemi të bëjmë me një lloj traktati politik dhe filozofik për ndërtimin e shoqërisë dhe të shtetit ideal. Skënderbeu i kërkon drejtësi të barabartë për të gjithë, për popullin e thjeshtë dhe për qeveritarët, për ushtarakun dhe për priftin. Drejtësia – thotë Skënderbeu – është themeli i të gjitha virtyteve. Skënderbeu e porosit të birin që të mos u besojë gënjeshtrave të qeveritarëve dhe lajkave të oborrtarëve, por të vijë vetë në gjirin e popullit dhe të dëgjojë me zemër të hapur zërin e tij. „Nxirr një gazetë që të përhapet në të gjithë mbretërinë i thotë Skënderbeu të birit, që të mos ketë asnjë censurë e të botojë të gjitha padrejtësisë dhe dhuna që mund të bëjnë ata që qeverisin krahinat e tua… Kur të flasin keq për dikë dëgjoje me njerin vesh, por ruaje veshin tjetër për të dëgjuar të akuzuarin… kujdesi për punonjësit është detyrë e parë e monarkut. Ti duhet të mbrosh zejtarët si njerëzit më të dobishëm të shtetit, dhe të mos lejosh në asnjë mënyrë që ata të shtypen nga të pasurit… Mos përbuz asnjëri, edhe ai më i vogli dhe më i varfri mund të të sjellë dobi të madhe me këshillat dhe me guximin e tij. Mbro njerëzit e dobët dhe të mirë, dëno shpirtrat e vrazhdë dhe kryelartë“. Skënderbeu këshillon të birin që në mënyrë të veçantë të përkrahë filozofët dhe t’i bëjë ata „rrojtarë të drejtësisë“. Zanoviçi i vë Skënderbeut në gojë parullat dhe idetë e Revolucionit Francez „liria e njeriut dhe prona e paprekshme… janë gjërat më të shenjta në botë.“ Interesante janë dhe këshillat për ushtrinë, se ushtarët nuk duhet trajtuar si skllevër por si shokë. Skënderbeu i Zanoviçit shprehet me nota antiklerikale. Skënderbeu paraqitet si deist, dhe Zanoviçi demaskon në mënyrë patetike legjendën e marrëdhënieve idilike midis Skënderbeut dhe papëve, të Jupiterit të Kapitolit dhe të gjithë priftërinjve dhe murgjve“. Madje, Skënderbeu shpreh keqardhjen se gjoja ra shpesh „viktimë e hipokritëve të ungjillit“. Antiklerikalizmi i Zanoviçit është i një substance me atë të Volterit, të Dideroit, të Rusoit, të Dalamberit. Libri i Zanoviçit nuk është një tekst dokumentesh të Skënderbeut në marrëdhëniet me Papatin e Romës, pra s’mund të merret shkencërisht në konsideratë. Por Zanoviçi me antiklerikalizmin e tij është në shtratin e polemikës të iluminizmit europian dhe të Revolucionit të Madh Francez, një pikë reference e ndezur e atmosferës së shekullit XVIII. Del kështu se emri i Skënderbeut në mënyrë sui generis ka shkëlqyer dhe ka kontribuar në atmosferën letrare dhe ideore, politike të Revolucionit Francez. Ky pamflet politik ka vendin e vet në historinë e politikës, duke mos pasur asnjë vlerë të spikatur në rrafshin e historiografisë.
Aventurieri gjenial
Zanoviçi qe një aventurier gjenial, mashtrues i paskrupullt, kumarxhi dhe seksoman i madh, përvetësues pasurish dhe shfrytëzues miqësish. Nga kjo pikëpamje ai bën pjesë në galerinë e aventurierëve më të famshëm të të gjitha kohëve. Por në bazë të ligjit të paradoksit, ndonëse mashtrues i pafytyrë, ai bëri për popullarizimin dhe lartësimin e figurës së Skënderbeut, si gjeni i lirisë më shumë nga të gjithë shqiptarët e kohës së vet. Subjektivisht ai synonte të përfitonte nga mashtrimi i tij, por objektivisht Zanoviçi krijoi një vepër të paharruar dhe gati të pavdekshme. Ai i shërbeu jo vetëm popullarizimit të emrit të Skënderbeut, por edhe të Shqipërisë dhe për këtë arsye duhet të kujtohet edhe nga shqiptarët.
Një portret i hershëm i Skënderbeut nga Budva
Zanoviçi qe me origjinë nga Budva e Kotorrit, qytet që ka pasur përherë shumë shqiptarë, madje dhe të ditur. Duke rishikuar kohët e fundit një botim të hershëm të dijetarit francez Lavardeni të vitit 1576 në Francë, për historinë e Skënderbeut, libër që u ribotua gjashtë herë deri në shekullin XVII më tërhoqi vëmendjen një gravurë e Gjergj Kastriot Skënderbeut që shoqëron librin e Lavardenit. Kjo gravurë tregon portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut me duar të kryqëzuara në gjoks duke mbajtur shpatën. Është një gravurë e njohur në ikonograme skënderbejane. Ajo që të habit dhe që i ka shpëtuar nga vëmendja dijetarëve deri më sot është shënimi që shoqëron këtë gravurë të shekullit XVI.
Mbishkrimi ndodhet në faqen 17 dhe përmban këtë tekst. “Ky portret është nxjerrë nga Muzeu i Andrea theuet, kozmograf i Mbretit i prurë nga BOUTHOLE, qytet i Shqipërisë”. Cili është ky qytet i Shqipërisë? Sipas Vinçens Malajt emri Bouthole, nuk është gjë tjetër veçse emri i qytetit Budva në “Albania Veneta” që në shekullin XV. Pra, ky portret i hershëm i Skënderbeut e ka origjinën nga Budva, dy shekuj para se të lindte vetë Stefan Zanoviçi. Pra kulti kastriotas ka qenë i gjallë në Budva, vetëkuptohet nga shqiptarët. Mundet që portreti të jetë bërë nga një artist shqiptar. Mos ky portret i Skënderbeut qe pikërisht portreti që mbante murgu shqiptar Tanush Topia në Napoli të Italisë mes ikonës së Shën Mërisë dhe ikonës së Jezu Krishtit, siç shkruan vetë Zanoviçi për takimin me këtë murg shqiptar në vitin 1770.