Jump to content

Aspekte rinovuese në pikturën tonë të viteve ’60-70

Nga Wikibooks

Llambi Blido

Mbi risitë që konstatojmë në vazhdimësi të periudhave të ndryshme në artin shqiptar në përgjithësi dhe në artin e realizmit socialist posaçërisht kemi folur edhe herë të tjera. Kjo që dëshirojmë të vizatojmë sot ka të bëjë me një segment të caktuar kohor, atë që nis nga viti 1964, vit i diplomantëve të parë të shkollës së lartë të artit në Shqipëri dhe përfundon në vitin 1973, vit i një prapaktheu të fortë, ndonëse të përkohshëm në ecurinë e artit modern shqiptar.

Nga ky brez artistësh të rinj që hynë në këtë periudhë në jetën tonë artistike dallojmë dy kategori. E para përbëhej prej studentëve-artisë të rinj të cilët i qëndruan besnikë mësimeve të shkollës sonë realiste të artit, mësimeve të transmetuara nga pedagogët tanë, të cilët si pedagogë kishin ardhur nga shkollat realiste të kampit socialist. Jo më pak vendimtare për këta artistë mbeti edhe kultura artistike e marrë dikur në Liceun Artistik “Jordan Misja” të kryeqytetit nën udhëheqjen e mjeshtrave të tillë të artit pamor realist si Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Janaq Paço, Kristina Koljaka, etj. Nga këta të diplomuar të parë dolën dhe ecën më tej mjeshtra të spikatur të artit tonë realist, si Hasan Nallbani, Fatmir Haxhiu, Shaban Hysa, Nestor Jonuzi, etj.

Kategoria e dytë, për kontributin e të cilëve bën fjalë dhe ky shkrim, u dalluan, te disa herët dhe te disa të tjerë më vonë, prirjet drejt përvojave moderniste të artit perëndimor. Ne që bënim pjesë në këtë kategori të dytë ishim pak në numër, sigurisht. I angazhuar edhe unë personalisht në këtë drejtim mund të them se kolegu bashkëstudent i cili më bënte përshtypje më tepër për këtë gjë ishte Naxhi Bakalli. I përgatitur mirë në shkollën e mesme artsitike, Naxhiu vizatonte shkëlqyeshëm, punonte me përqendrim të lartë dhe ndërmerrte iniciativa të guximshme në trajtimin koloristik.

Po kështu dalloheshin në kursin tonë edhe Gavril Priftuli, Kujtim Buza, Skënder Kamberi, secili për disa prirje të caktuara në përputhje me natyrën dhe aftësitë e tij, por sidoqoftë si një përpjekje e nivelit studentor për të kuptuar diçka më tepër dhe për ta zgjeruar pak më shumë hapësirën të vënë në dispozicion nga leksionet shkollore. Të kuptohemi, prirjet që në këtë etapë u shfaqën nga më të ndryshmet nganjëherë edhe tepër të ndryshme, por gjithmonë në kahjen pozitive të modernes.

Përpara nesh, ndër diplomantët e vitit 1964 kishte rënë në sy një i ri me kërkesa disi ndryshe nga studentët e tjerë të kursit të tij. Ky ishte Isuf Sulovari nga Elbasani, i ardhur nga shkolla rumune e artit ku kishte nisur studimet e tij, një djalë i talentuar, por edhe pak timid. Kjo pikërisht, si dhe rrethanat e vështira në të cilat u ndodh në mjedisin artistik të vendlindjes së tij ku edhe u emërua, penguan përpjekjet dhe aspiratat e tij për një formim të mëtejshëm të plotë e sidomos të pavarur. Megjithatë Sulovari mbetet një rast interesant.

Në vitet e mëpastajmë u shfaqën njeri pas tjetrit disa të rinj të tjerë të talentuar dhe të përkushtuar gjithashtu për rinovim të mëtejshëm të mjeteve shprehëse në artin pamor. Këta qenë Edison Gjergo, Alush Shima, Ali Oseku si dhe Edi Hila. Hila që duhet konsideruar jo vetëm si një i ri mjaft i talentuar dhe inteligjent, por edhe një rast i veçantë e me ecuri të spikatur në zhvillimin dhe modernizimin e pikturës sonë bashkëkohore, ndonëse në mjetet e tij të preferuara hynte gjithçka me përjashtim të ngjyrave të cilat nuk kanë qenë kurrë preokupimi i tij i rëndësishëm sepse si duket edhe nuk i shërbenin. Në këtë pikë studenti i talentuar dhe artisti i ri ishte në harmoni të plotë edhe me pedagogun e tij më të preferuar-Danish Jukniu, pedagogun dhe artistin e shquar të përmendur për shijen e tij moderne, të sofistikuar, por gjithmonë realiste dhe jo koloristike.

Edison Gjergo ishte një i ri i formuar si gjithë të tjerët në shkollën tonë realiste dhe gjer në diplomimin e tij nuk dallohej për ndonjë prirje të dukshme drejt modernes. Binte në sy tek ai një lloj force e brendshme. Shpejt tek piktura e Edisonit u vunë re se ai ra nën ndikimin e fuqishëm nga disa artistë të spikatur si të shekullit të njëzetë ashtu edhe më të vjetër. Autorë të preferuar të tij u bënë mjeshtra të këtillë si El Greko, Pikaso, Shagall. Ndryshimet në pikturën e Gjergos kishin të bënin si me interpretimin plastik ekspresionist të formës vëllimore, ashtu edhe me gjuhën e ngjyrave.

Pranë Edison Gjergos dhe në solidaritet të plotë me aspiratat e tij piktorike ndodhej përherë një i ri tjetër i talentuar dhe me kërkesa – Alush Shima. Tek Shima shumë shpejt ranë në sy përpjekjet e tij për një pikturë të fuqishme të kontrasteve të forta të modelimit të gjerë me penelata të shtrira, që ruanin freskinë.

Artisti tjetër i kësaj kohe e me të njëjtat prirje qe Ali Oseku. Aliu u dallua për një farë elegance dhe përpunimi disi më delikat.

Më tej secili nga ne ndoqi rrugën e tij, në përputhje me prirjet individuale, mundësitë, rrethanat. Dikush vazhdoi me ngulm, dikush tjetër pësoi ndryshime dhe shndërrime, dikush tjetër i emëruar në vende pune që kërkonin angazhime të tjera artistike u detyrua të zgjerojë diapazonin e tij në atë drejtim dhe të braktisë kavaletin. Erdhën edhe ditë të vështira për artin shqiptar dhe prirjet moderniste dhe dikush ra edhe në fatkeqësi. Megjithatë kjo periudhë dhe këta artistë profesionistë të kësaj lëvizjeje, spontane, aspak e organizuar të viteve ’60-të – ‘70-të, hodhën farën e disa zhvillimeve moderne perëndimore që i dhanë frutat e tyre si në atë kohë ashtu edhe me ndikimin që patën, por që nuk përmendet më, mbi brezat e mëpastajmë dhe ecurinë e pikturës sonë moderne. Nga ana tjetër përpjekjet e kësaj periudhe dhe këtyre artistëve profesionistë, mbetën si një fakt i rëndësishëm në historinë ende të pashkruar të artit shqiptar.

Ato risi që u shfaqën më parë dhe qartësisht në trajtimin modern grafik dhe plastik dhe që kishin të bënin me prurje të rëndësishme nga shkolla e lartë e artit e Leningradit (Shën Pjetërburgut) si dhe nga shkollat e artit të Çekosllovakisë, Polonisë etj, risi që e gjallëruan mjaft shkollën tonë realiste me elementë ekspresivë por jo të natyrës koloristike, u pasuan nga këto përpjekje të këtij brezi artistësh të rinj të dalë kryesisht nga shkolla jonë e lartë, por që u nxitën dhe u furnizuan me ide të reja rinovuese e që vinin prej artit më të përparuar europian të kohës. Kështu u rivendos edhe linja e vazhdimësisë, e nisur dikur në vitet e para të luftës nga koloristi ynë i parë i madh dhe deri atëherë i vetmi i pikturës sonë moderne, mjeshtri Abdurrahim Buza. Kështu mund të themi fare mirë se kemi të bëjmë historikisht me një lloj “revolucioni” në pikturën tonë, revolucion koloristik që lidhet doemos shumë më tepër nga sa është menduar tradicionalisht nga studiuesit deri tani.

18.07.2018