Jump to content

Asdreni: Trazime shpirtërore

Nga Wikibooks
Trazime shpirtërore
(Njëj mikut të pangushëlluar)
Si ndrrohet pylli rrobe dhe stolije,
Kur vjeshta ngjyrëverdhë e përflak
Dhe bryma dërmën flatrave u shtie
I le pa fare fletë dhe pa gjak,


Dhe trupi em, i brejtur prej kujtimesh,
Si brehet vjetesh kurmi i lisit plak,
Rri strukur si një i rrahur frushkullimesh,
Si shpend i rrejtur, kapur keq në lak.


Kur grushti i fortë e prek me vrap furtune,
Tërhiqet zvarrë barkas si shterpi,
Pa përdëllim sheh mjegulla dhe tyme,
Kuçedër gojëgjerë që përpi.


Çdo ndjenjë e ime dridhet si gjeth ahu
Me vrull, kur sqota çthuret e pafre,
Kërkoj fuqi t’i pshtetem kujt pas krahu,
Të mund të marr prap’ frymë krejt të re.


Në shpirtin tem shpërthejnë papandehur
Furtuna dhe shtërngata plot furi,
Si do lëkundje trupi krejt të nxehur
Ofshame që s’e lanë me u përtri.


Më prekin thellë ushtimat mizorie
Posi një ushtimë pylli që kumbon,
Kur çdo sulmim sëpata vjen e bie
Njashtu në trupin tim çdo send ushton.


I lumtur kush aspak s’i ndjen goditjet
E fatit që të ndjek kur bën çdo çap,
As s’i tmerohet shpirti nga tronditjet
E çdo të keqe, thonjsh kur vjen të kap.


Një ças rrënime bën shpesh teje,
Çdo mis i trupit plagë mbushet plot,
Sikundër krisma e rreptë e një rrufeje
Dërmon e djeg atje ku s’vete kot.


M’u tretën ëndrrat, ngjethjet djalërie,
Sot pika lotësh derdh me ngashërim,
Kujtimet çdo së shkuarës gazmore
Më mbushin në çdo çast me mallëngjim.


Çdo shpresë e bukur shkundet fije, fije,
Si shkunden lotet, era kur fillon,
Që larg një frymë e rëndë, frymë zije
Me çap të shpejtë vjen dhe më pushton.


Përse tëhuhen kaq e kaq dëshira,
I trashë hi të zerë vend mbi prush,
Të shkosh padashur ditë të vështira,
Mos gjesh aspak mëshirë nga kurrkush?


Dikur në palcë ndjenja dridhmat gazi,
Nga dejt e mi vërshonte jetë e re,
Por fati kur dhuratat gjijsh m’i zbrazi,
Çdo ditë e bardhë zu m’u mbush me re.


Gëzonja ditën, diellin, natën, yjet,
Natyra krente pamje plot shkëlqim,
Ndër valle lulesh këngë drithnin pyjet,
Një shpirt i lumtur, gaz edhe dëfrim.


Kur çilte ngjyrat rishtazi lilaku,
Si nuse kur stolisej çdo qershi,
Në trup më shigjetonin rryma gjaku,
Mbi bar kur lulet rrithnin posi shi.


Më nge violisë kur i binte zogu,
Më mbushej zemra mall e dashuri,
Më dehte trëndafili, borziloku.
Kallinjt’ e verdhur, larë me flori.


Mbi fushat hëna derdhte rreze ergjëndi,
Liqeni dridhej fshehtas në kallam,
Shijonja bukurirat e çdo këndi
Me një etje sa nuk dinja se ku jam.


Ngadalë ma mbylli derën lumturia
Me të pashoq guxim dhe vendimtar,
Sapo s’më buzëqesh më bukuria,
Këputet delli i tingullit magjistar.


1940


Larg vatrës derdhëm gjerë vala gjaku,
Si lis pa degë mbetëm veç ne gdhënj,
Më s’mbet filiz të mbahet gjallë plaku.
Por male shkarpash veshur me shkëmbinj.


Me gunën tonë të endur flokësh dhie,
Në vend ta mprojmë veten motit t’keq,
E bëmë strehë pritje miqësie,
Përsa që kishim brenda nga një dreq.


Për një lavdi të kotë shkrijtëm eshtrat,
Ku tjetrit s’i pat kurrë shkuar këmba,
U ropmë gjersa na u zbardhnë leshrat
Në vend kurorash, korrëm ferra, gjemba.


U vranë për të tjerë kotsëkoti,
Treguam trimëria pa dobi.
Për vete s’na piku kurrë loti,
Sa mbetmë veç një dorë për habi.


Të verbër nga padia edhe feja
Dëshirë kemi sendesh të pavend,
S’mendojmë se prap’ ne do t’jemi preja
Kujt zgjatim dorën, lypës të pamend.


Na kënda mirërrojtja pa mundime,
Çdo punë toke bëhet pa një hir,
I shkojmë ditët gjithë me sendërgjime,
Duke e mashtruar veten me pahir.


Mos qahemi se faj na kanë fqinjët,
Kurse ne jemi foshnja, mituri,
Na vetë po ja hapim gjerë gjiret.


Një komb i mbledhur rreth një vatre.
Një vatër zanash dielli bukuri,
Mallkim përsa lakmojnë pas një tjetre
Mos rritet madhërisht një brez i ri.


Tiranë, 1938
Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013