Jump to content

Asdreni: Dallëndyshe

Nga Wikibooks
Dallëndyshe
Dallëndyshe bukuroshe
Shpesë e dashur, vogëloshe.
E palodhur udhëtare,
Që mërgimit s’trembesh fare,
Eja, zogë, prap ndaj neve.


Dallëndyshe mërgimtare
Eja prapë në dritare,
Ndënë strehë bëj folenë,
Zogjt e vegjël ku të flenë,
Diell na sjell edhe pranverë
Siç na solle tjatër herë,
Të shkëlqejë bukuria,
Të ringjallet bukuria,
Të ringjallet njerëzia,
Gjth me lule nëpër fushat,
Vajzave t’u zbardhen gushat...
Hijeshi dhe zbukurime,
Gjith’ me këngë dhe gëzime,
Këngë malli, dashurie
Veç të rinjve q’u ka hije.
Dhe për trimat shtatselvije,
Që të presin si ngaherë,
Që t’u çfaqesh prap’ te dera
Me një lule symëshqerrë
Dhe t’i thuash: djal’ o merre!
Dallëndyshe vrapimtare
Hapi flatrat lodhëtare,
Me plot endje pranverore
Ndër livadhe lulëzore,
Ku shkëlqejnë mijra ngjyra,
Të na çelet prap’ fytyra,
Të na ndizet rishtas malli,
Të rrudhoset pakë balli,
Të dëgjojmë ligjërata
Sa mban dita, sa mban nata.


Asdreni
Burimi: Gazeta "Shqiptarja.com" 12.11.2013