Arvanitasit, gjak shqiptar në themelet e shteteve fqinjë
Arvanitasit, gjak shqiptar në themelet e shteteve fqinjë
Kryesisht në jugun e Greqisë, por edhe në treva të tjera të banuara nga shqiptarët, në zonën e Atiko-Beotisë, Peloponezit, Thesalisë, Maqedonisë greke (lindore), Thrakës, Halqidhiqisë, ishujt e Egjeut, etj., dolën luftëtarë të shumtë që krijuan dhe drejtuan formacionet luftarake kundër pushtuesve osmanë. Ndërsa arvanitët e Italisë do të drejtonin luftëtarët e këtij vendi në përleshje të përgjakshme me trupat spanjolle, franceze, turke etj., (Venediku do t’i përdorte si mburojë ndaj katalanasve – Dhimitër Rendi) duke u bërë tmerri i ushtarakëve dhe gjeneralëve të famshëm të kohës, të njëjtën gjë do të bënin arvanitët e vendosur në tokët greke, për të qenë të lirë në vendbanimet e tyre të reja.
Teodor Kollokotroni, Bubulina, Musa Qafzezi, Thimi Bllahava, Sulo Proshova, Veli Gjeka, Tafil Buzi, Asllan Beu, Zylyftar Poda, Bilal Sako, Ali Farmaqi (”Gjithë bota le të thonë/ U’ s’e jap Kollokotronë”) e qindra luftëtarë të tjerë, krijuan një aleancë të qëndrueshme me vezirin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën, me mendimtarë dhe iluministë, me frymëzuesit e revolucionit (Filiqi Eterine), duke formuar barrikadën e pathyeshme të Mesolongjit. ”Thonë doli sadrazemi/ ngrehu Shqipëri t’i vemi…/ Deli, moj Janinë e shkretë/ të shikoni bilbilenjtë/ varurë të trembëdhjetë”.
Shqiptarët që kishin populluar Greqinë, në mos përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së këtij vendi, me siguri që ishin gjysma e saj. Këtë gjë e pohojnë statistikat. Jo vetëm faktori numerik, por më shumë aftësitë gjenetike të kësaj race superiore, e shndërruan atë në shtyllën kryesore të revolucionit grek. Pas një analize të thellë të faktorit shqiptar, Robert Kyprien konkludon:”…në të gjitha kohët populli shqiptar duket se është destinuar të formojë rrugën e fundit të lirive greko-sllave…kur dinakëria osmane e ç’organizoi atë, ai derdhi në luftë të gjithë energjitë e tij dhe në fushat e betejave u bë shumë herë tmerr i lindjes dhe i perëndimit.”. Koçollari, ashtu si Çabej, Konda apo Kola, argumenton mbështetur në fakte dhe emra konkret prijësish e luftëtarësh se, arvanitët, ”kjo farë e ashpër dhe krenare”, meritojnë kurorën e lavdisë nga populli grek.
Liria e Greqisë u detyrohet shqiptarëve trima, të cilët organizuan formacionet dhe mandej rezistencën e armatosur kundër Turqisë. Kjo kurorë lavdie s’u gëzua asnjëherë nga kapedanët shqiptarë, as nga pinjollët e tyre që vazhduan traditën e gjyshërve dhe baballarëve kryelartë. E, si të mos mjaftonte kjo, antishqiptarët duan ta paraqesin të plakur e të drobitur popullin tonë. Irakli Koçollari afron argumente të pakundërshtueshme, të vërtetën që është krejt ndryshe. Raca jonë është një racë vitale që ka ndihmuar edhe rilindjen e Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Italisë, etj. Atdhetaria e Koçollarit, ka brenda dhembshurinë e djalit për nënën. Fjala e tij është e pjekur, gjykimi i thellë, hapi i guximshëm. Misioni është ai që kanë shkencëtarët: të thuhen të vërtetat, qofshin edhe të hidhura, ndryshe s’mund t’i rezistojnë kohës. Ky historian prej vitesh e thotë fjalën e tij nga kjo lartësi akademike.
Mbaron së lexuari ”Arvanitët” dhe bindesh se ke ditur shumë pak për njerëzit e gjakut tënd, të trazuar nga rrebeshet e kohës dhe të larguar në rrjedhën e shekujve. Shpirti asnjëherë i qetë i autorit, siç ndodh zakonisht me krijuesit seriozë, të kujton detin, që kohë pas kohe nxjerr në brigjet e tij korale të çmuara. Mandej, duket sikur arvanitët e kanë marrë me vete ngrohtësinë e racës sonë, dhembshurinë dhe mallin që mungojnë aq shumë midis nesh. Ndaj edhe u drejtohet, sikur ata ta dëgjojnë përtej horizonteve: ”do t’u dërgoj përherë të fala duke shpresuar dhe besuar se të falat dhe malli im do të zbresë përmes reve tek ju…”
Le të jetë ky një hamendësim imi, ndërsa meriton të respektojmë autorin dhe veprën plot vlera që na ka dhënë. Hidhet dritë mbi shumë anë të errëta, të mbuluara nga mugëtira historike: Pse lëvizi drejt jugut dhe u vendos përjetësisht në territoret greke kjo masë kaq e madhe shqiptarësh, të cilët janë jo më pak se 3 milionë (pa futur këtu rreth 500 mijë të tjerë të vajtur në vitet 1992-2002)? Në ç’kushte e për ç’arsye ndodhi ky emigrim? Si u pritën nga vendasit dhe ç’ngjau me ta në rrjedhat e shekujve? Kjo masë e madhe shqiptarësh, si mundi t’u shpëtojë rrebesheve të kohës dhe aq më shumë asimilimit?
Informacione të rëndësishme arkivore, kryesisht për arvanitët dhe për shqiptarët e tjerë të vendosur në Italinë e Jugut, pra për arbëreshët, na afron historiani Irakli Koçollari në studimet e tij, tashmë të publikuara. Unë po veçoj (duke perifrazuar gjykimet e autorit në fjalë) pak prej figurave më të shquara, të cilët kanë bërë vend në kronikat e kohës. Shqiptarët kanë guxuar ta kërcënojnë vdekjen, sepse s’kanë patur ç’të humbasin, ndoshta edhe për një arsye tjetër, gëzimet e tyre kanë qenë shumë të pakta. Rendja drejt lirisë ka qenë motua që ushqente shpirtrat e këtyre njerëzve krenarë.
Në një dokument të vitit 1381, Mbreti i Aragonës, Pedro-kryesundimtari, falënderon shqiptarët për ndihmën që i dhanë në mbrojtjen e kontesë së Solonës. Historiani grek K.Paparigopulos, për valët kolonizuese të shqiptarëve drejt vendeve të Thesalisë dhe Greqisë Perëndimore, të cilat ishin territore të shkreta, pa banorë dhe jopjellore, shkruan se “..ky emigrim jo armiqësor, jo vetëm nuk dëmtoi, por ai qe mirëbërës për popullsinë vendase, prandaj edhe nuk pati kundërshtime serioze prej saj”
Nga historianë të tjerë pranohet se zbritjet e para të popullsisë shqiptare në Greqi janë ato të shekujve VI-VII, kur sllavët filluan dyndjet e tyre masive drejt jugut, ndërsa vendosjet e grupimeve shqiptare në Italinë e Jugut janë kryesisht të fundshekullit të XIII.
Po si përshkruhen shqiptarët, e kryesisht luftëtarët e kësaj race? ”…janë të armatosur, kanë një përgatitje të mrekullueshme për kalorësi dhe përdorimin e armëve, të shpejtë, të rrezikshëm, të stërvitur dhe tepër të aftë për luftë. Janë një racë e qëndrueshme, dietpakët, të disiplinuar dhe besnikë ndaj fjalës së dhënë. Instiktet luftarake dhe taktikat e tyre ushtarake janë një lloj natyre e përcjellë nga një traditë e thellë e së kaluarës”. Fiset Zguro, Matosi, Makri, Dushmani, Marmori, Doksara etj., i gjejmë në Zaqintho. Fiset Kladha, Menaja, Lukisa i gjejmë në Qefaloni, ndërsa fiset Buo, Buziqi, Barbasi, Veruha, Golemi, Gërbeshi i gjejmë në Korfuz.
Jemi në vitet 1500. Qëndresa e popullsisë arvanitase evidentohet pikërisht gjatë pushtimit osman të territoreve greke, kryesisht në Thesali, Atikë, Peloponez, Korinth, Specia, Hidra, Andro, Poro, Eube etj. Vetëm në Peloponez numëroheshin mbi 30.000 luftëtarë, të cilët u bënë barriera e parë e pushtimit osman. Të gjitha meritojnë vëmendje, edhe veshja, edhe armatimi, edhe taktikat luftarake, por më shumë sesa kaq, është elementi njerëzor.
Krokodil Kladha. Këtu shfaqet edhe Krokodil Kladha, luftëtar dhe prijës i përmasave të mëdha. Fisi Kladha, sipas akteve juridike bizantine, kishte zbritur nga Himara (shumë më herët, ndoshta nga lartësitë e Kurveleshit) dhe ishte vendosur në Peloponez.
Më 1463 Republika Veneciane i shpalli luftë Turqisë, luftë e cila zgjati 14 vite dhe konfliktet mes tyre ishin të përgjakshme. Venediku ishte i detyruar të kërkonte ndihmën e luftëtarëve shqiptarë, të cilët, tashmë ishin një faktor i rëndësishëm, edhe pse këta të fundit ndjeheshin të pa vlerësuar dhe të tradhtuar prej venedikasve.
Në nëntor të vitit 1479 kur venedikasit dhe pushtuesit e rinj osmanë kishin ndarë territoret e Peleponezit si trofe lufte, pra edhe fatet e shqiptarëve që banonin atje, Krokodil Kladha, rreth 55 vjeçar, me 160 kalorës kryen sulme të përgjakshme ndaj trupave turke. Sulltan Mehmeti kërkonte me çdo kusht kapjen e këtij kryengritësi dhe t’ia shpinin të gjallë në Kostandinopojë. Mirëpo pikërisht në këtë kohë, kur turqit dhe venecianët bënin marrëveshje të fshehta në kurriz të shqiptarëve, dy kryengritës të tjerë, Teodor Bua (Griva) nipi i Gjin Bue Shpatës dhe Meksi Buziqi me rreth 600 kalorës nisen nga periferia e Nafplios për në drejtim të Argosit, godasin dhe shkatërrojnë forcat turke pastaj bashkohen me Krokodil Kladhën. Venecianët i afrojnë Kladhës 1.000 dukatë flori nëse ai tërhiqej nga rezistenca e armatosur kundër forcave osmane. Mirëpo Kladha luftoi kundër forcave turke deri më 16 prill 1481, ditë në të cilën u lagua nga brigjet e San Anzolit me një flotilje të drejtuar nga veneciani Francesko Zanko, mik i besuar i Kladhës.
Më 12 qershor 1481 Krokodil Kladhën e priti në audiencë personalisht Mbreti i Mbretërisë së Napolit, Ferdinandi i Parë, i cili i akordoi një titull nderi dhe i lidhi një pension mujor prej 300 dukat.
Nga arkivat mësojmë gjithashtu se Krokodil Kladha është takuar në Napoli me djalin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjonin. Mbasi kanë hartuar planin e ekspeditës ushtarake përmes detit në territoret e Arbërisë, Gjon Kastrioti ka zbarkuar në brigjet e Durrësit, ndërsa Krokodil Kladha në brigjet e Labërisë, Vlorës dhe Himarës. Ky i fundit, në bashkëpunim me luftëtarët vendas, mori kalanë e Himarës, zuri 1000 robër bashkë me pashain drejtues, vrau forcat osmane që bënë rezistencë dhe pas kësaj mori kalanë e Sopotit. Forcat turke u larguan të poshtëruara dhe të mundura nga luftëtarët shqiptarë të drejtuara nga Krokodil Kladha. Kështu vazhdoi jeta e këtij luftëtari të paepur, kryengritës i dy popujve, rikthehet në Peloponez mes arvanitëve të tij, shkon në Dalmaci në ndihmë të venecianëve, rikthehet përsëri në Peleponez, pastaj në Himarë, në djepin stërgjyshor. Bie viktimë e pabesisë osmane, kapet prej tyre dhe trupi i tij i lodhur nga luftërat e gjata e të pandërprera, pritet në copa. S’u besohej se ky njeri vërtet mund të vdiste, aq shumë ishin tmerruar prej tij.
(Ka një histori interesante Himara dhe banorët e saj trima, himarjotët. Përmes një informacioni interesant, studiuesi Moikom Zeqo përcjell kumtin mjaft domethënës: “Himariotët nuk kanë reshtur për të patur lidhje me Evropën Perëndimore. Më 12 korrik 1577 pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e shpunë në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Evropa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve.
Një letër e dytë i është dërguar Papës më 1581, ku i thonë se janë gati 50.000 luftëtarë shqiptarë të ngrihen në kryengritje. Papati i Romës bëri diçka të jashtëzakonshme: nisi misionarë katolikë gjatë shekujve XVI-XVIII. Për dy shekuj me radhë këta misionarë të ditur, pjesa më e madhe me origjinë shqiptare, bënë të mundur që të gjallërohej shqiptarësia, të lëvrohej gjuha shqipe. Shënimet e këtyre misionarëve mund të botoheshin në një libër të madh, që mund të quhet Libri Evropian i Himarës. Ky libër duhet botuar edhe në shqip sepse janë të pakta vendet në Shqipëri, që mund ta kenë këtë dëshmi monumentale.
Në shek. XVIII himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin tek Caresha e Rusisë Elisabeta Petrovna. Në letrën që ju dërgua caresësh shkruhej: “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnjë”. Më vonë janë po himariotët, që i dërgojnë letër mbret Ferdinandit të IV në Itali. Të tëra këto letra janë një nga korrespondencat më të çuditshme në kohëra që kanë bërë shqiptarët me Evropën.”)
Mërkur Bua. Është e vështirë të veçosh prijësit shqiptarë, Petro Buziqin, Dhimitër Laskarin, Mërkur Bua, Andrea Muriqi, Kosta Kondo, Jorgo Lepiti, Theodhor Strala apo…Ata janë shumë dhe të gjithë të sprovuar.
Po ndalem te Mërkur Bua, me orgjinë nga fshatrat e bregdetit shqiptar, ndoshta nga Himara, i shpërngulur nga Moreja në Venedik, gjeneral dhe komandant i ushtrive të kësaj Republike, një shqiptar emblematik. Historiani grek Xane Koroneo (”Bua Anthagathimata”) e vlerëson atë si pasardhës të mbretit Piro të Epirit, trim si Akili, Hektori, Enea dhe Aleksandri, i ditur si Nestori, i bukur si Pari…Bën aleancë me Markezin e Mantovës, përballet me spanjollët dhe i thyen ata. Në analizat vijuese do trajtojmë përmasat e vërteta të këtij luftëtari.
Kollokotroni. Sipas dokumenteve arkivore, origjina e gjakut të Teodor Kollokotronit është qyteti i Delvinës, në lagjen “Mëhallë”, e cila tashmë është shkatërruar plotësisht dhe ka mbetur si një kujtim i largët. Veprimtaria e këtij luftëtari të shquar zhvillohet në Peloponez, mes arvanitasve të tjerë. Organizator i rezistencës antiosmane në krah të Ali Farmaqit, Odisea Andruco, Karaiskaqit, Kanarit, Bubulinës, Marko Boçarit etj. Një ndër frymëzuesit e revoltës popullore që përgatiti shkëputjen e Greqisë nga Perandoria osmane. Kapedani Teodor Kollokotron, i cili fliste me krenari për gjakun e tij shqiptar, ishte në krye të revolucionit shqiptaro-grek të Mesolongjit. Pas fitores, pushteti dhe historia greke e la në harresë, populli jo.
Bubulina. Me portretin e kësaj luftëtareje të shquar arvanitase është marrë edhe publicistit i talentuar Luan Rama, i cili jeton në Paris. Ai i referohet Michel de Grece, i larguar një jetë të tërë nga Greqia, por me kërkimet e tij të publikuara në librin “Bubulina” mundi t’i japë dimensionin e vërtetë jetësor, kësaj heroine, pasionin e një gruaje, ku ngjizet dhimbja dhe dashuria për jetën, revolucioni dhe ekstaza, poezia e detit dhe dëshpërimi njerëzor apo vdekja e pashmangshme…
E çuditshme që jeta e një heroine të tillë kishte përfunduar në një vrasje zemërate. Djali i saj kishte rrëmbyer një vajzë të Specajt dhe ditën që do të largoheshin nga ishulli, burrat e familjes së vajzës rrethuan shtëpinë dhe qëlluan mbi Bubulinën. Një javë më pas, në Specaj do të vinte dekreti i Perandorit rus, i cili për merita të veçanta, e shpallte Bubulinën admirale të flotës ruse të Egjeut. Që nga ajo kohë emri i Bubulinës, i kësaj zonje të madhe apo “megali qiria”, siç i thoshin bashkëpatriotët e saj, hyri në legjendë, në këngët popullore që nisën të këndoheshin nga njëri fshat në tjetrin, nga njëri brez në tjetrin.
“Në Specaj flasin “arvanitika”, pra shqip, gjuhën tonë, – shkruan Michel de Grèce përmes gojës së Laskarinës. – Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideal, dhe sigurisht, grekë të sakrificës, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohërash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë? Mos vjen vallë gjuha jonë drejtpërdrejtë nga sanskritishtja, siç e pohojnë ekspertët? Di vetëm se ne jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu…”
Shqiptari s’mund të mbajë mbi vete cilësimin si pushtues, kur atdheun e kemi të ndarë në pesë copa. As koha, as fati s’na kanë ndihmuar, fatkeqësisht, gjithmonë përmbushen dëshirat e fuqive të mëdha. Shqiptari s’mund të akuzohet për pabesi, kur vendi i tij e ka institucionalizuar besën brenda kështjellës së tij shpirtërore, ndërsa fqinji ynë jugor, qysh para 3000 vjetësh e gdhendi pabesinë në artin e drejtimit. Kalit, kësaj kafshe kaq fisnike, i veshën gëzofin e butë të turpit, ju përbalt krenaria, ndërsa legjenda vazhdon të qarkullojë rreth globit si shekuj më parë: ”Kali i Trojës”.
Askush s’kujtohet të thotë të vërtetën:”Greku i Trojës”. Greku i Trojës, jo rrallë tenton të kalojë pragun e çmendinës. Gjaku shqiptar është derdhur edhe përtej brigjeve të Adriatikut. Pothuajse është harruar heroizmi dhe lavdia e burrave tanë të shquar, asnjë mirënjohje, asnjë ndihmë në kohën e vështirë që kaluam e që ende vazhdon. Pas premtimeve, vetëm skafe të mbytur dhe arkivole të zbrazur, që presin eshtrat e munguara, një borxh që koha duhet ta kthejë sipas mënyrës së vet.
Mihal Gjergji