Jump to content

Arti në kodikët e Beratit

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Leksikoni i kodikëve të Shqipërisë ka në një farë mënyre si paradigmë të brendshme Kodikët e Beratit si një ftillesë shkrimore dhe bibliografike metropolitane.

Në shumë pikëpamje Kodikët e Beratit janë kodikët kryeqytetas, ku qendërzohen përbërësit, si një institucionalizim i një biblioteke diturake mesjetare.

Botimi i shkëlqyer e i pazëvendësueshëm “Kodikët e Shqipërisë” ka qenë i shumëpritur, është padyshim një botim kulturologjik i jashtëzakonshëm nga të gjithë pikëpamjet.

Në vlerat e shumëfishta të këtij botimi do të ndalemi një herë tjetër.Artikulimi im ka të bëjë me disa dëshmi të tjera të klasit të parë, të cilat janë substanciale dhe që duhet të merren seriozisht në konsideratë.

Në këtë rrugëtim është arkeologjia që na hap një horizont të ri dhe na bën një iluminim të veçantë.


Disa zbulime që do të them, janë rezultat i studimit tim shumëvjeçar dhe këtu, unë po e shpreh publikisht për të parën herë.

Lidhen me artin ikonografik të krishterë në zanafillat e tij në Shqipëri.


1.Në 1878 arkeologu A. Dummont zbuloi një kupë, paterë qelqi, të zbukuruar me teknikën e gdhendjes me origjinë nga Doclea, që i takonte shekujve IV-V pas Krishtit.

Në këtë monument arkeologjik unikal kemi ndoshta ikonografi më të hershme të krishterë në Evropë.

Janë skicuar 8 skena, 7 nga Testamenti i Vjetër dhe vetëm 1 nga Testamenti i Ri, shoqëruar dhe me mbishkrime në latinisht. Skenat janë: Abrahami në çastin e flijimit të djalit të tij Isakut (Zanafilla 22, 1-19), Adami dhe Eva në skenën e mëkatit të parë (Zanafilla 3, 20, 4, 1), Moisiu (i paraqitur çuditërisht në formën e Pjetrit) e godet me shkop për të nxjerrë një burim (eksodi 17, 1-7), Danieli në shpellën e luanëve (Libri i Danielit 6, 23, 3), të rinjtë hebrenj, që shpëtojnë nga furra e zjarrit në Babiloni (libri i Danielit 3, 20-30) Suzana shpëton nga akuza e rreme (po aty) si dhe Profeti jonë na shpëton nga barku i balenës (Jona 1,4) si dhe Jezu Krishti ringjall Llazarin (Mateu 11,1,44).

Të tetë skenat lidhen me idenë e shpëtimit mesianik, sepse vetë krishterimi u vulëzua si fe e shpëtimit.

Nuk po jap tekstet në latinisht, të cilat janë kopjuar padyshim nga një variant i përkthimit latinisht të Biblës së Shenjtë, që ka qarkulluar tek ilirët në atë kohë, ku është bazuar edhe artisti.

Të bën përshtypje që metaforika artistike e ikonografisë lidhet më shumë me Testamentin e Vjetër, figura më e madhe me përmasa është ajo e profetit Abraham, kurse figura e Krishtit nuk është e spikatur.

Kurse ngatërrimi i figurës së Pjetrit me Moisiun është një gjë shumë e çuditshme dhe gati e pashpjegueshme.

Mos kemi të bëjmë këtu me teologjinë e mëvonshme augustiane, që e shihte Testamentin e Vjetër si metaforën ftillëzuese të vetë Testamentit të Ri, gjë që e ka pasion të veçantë edhe Bogdani i Madh?

Shkrimet në Minuskulë, flasin për një Kodik që sot është zhdukur. Nga ana tjetër këtu kemi një lidhje me të ashtuquajturat Lutje Paradigmë, siç ishte p.sh. Commendatio Animae (Këshillat e Shpirtit, lutje për të vdekurit, që dëshmohet në një version latin në fillim të shek. V, që ruhet në një dorëshkrim në Vatikan).

A do të ketë pasur në dorë një version analog edhe artisti i kësaj kupe?

Bëhet fjalë për dorëshkrime, që kanë qarkulluar tek ilirët në harkun kohor shek. IV dhe V.


Në mozaikun e Bazilikës së Linit, zbuluar nga miku im arkeolog, i ndjeri Skënder Anamali është edhe një fragment epigrafik i Psalmit nr.83. Kjo dëshmi shkrimore në mozaik lidhet me një version, ose kodik i “Septuaginata” në greqisht shumë më parë përkthimit në latinisht të “Vulgatës” së filologut gjenial ilir Euseb Jeronimit.

Disa mesjetarologë si I.Barnea, A.Ducellier janë marrë me këtë dëshmi epigrafike, po ajo që ka rëndësi për ne është që një vepër arti e shquar mozaikore e shek. V, ose e fillimit të shek. VI ka cituar një version të një kodiku, që ka qarkulluar, të paktën në shek. V.

Fragmenti i psalmit 83 ka dhe disa elementë figurativë siç është figura e një gjetheje në formën e zemrës, të afërt nga ana figurative me simbolin e Kodikut Beratinus të shek. VI.

Kjo gjethe akanti, që është përdorur edhe në një funksion ortografik ka patur edhe një kuptim kozmo-teologjik.

Këtu duhet të shohim një arsye të ftillëzimit ikonografik të vetë simbolit me ngjyrë të kuqe, të ashtuquajtur në formë zemre, që ka Kodiku Beratinus i shek. VI.

Ky është edhe një element i paleografisë së hershme bizantine dhe gjendet çuditërisht edhe në mozaikun muror të Kapeles së Vogël Bizantine në një nga Galeritë e Amfiteatrit të Durrësit.

Gjethja në formë zemre, paraqet kështu një simbolikë të veçantë artistike dhe lidhet me një sistem të ikonografisë së hershme.


Zbulimi më i madh dhe më i rëndësishëm që do të kuptoj është mozaiku i famshëm të Bazilikës në Arapaj, një kryevepër evropiane e artit bizantin në përgjithësi dhe më e shquara në Shqipëri në fillim të shek. VI.

Kjo skenë është një kompozim i rrallë dhe madhështor. Shpjegimet e deritanishme se gjoja kemi të bëjmë me një skenë thjesht bukolike janë tepër të thjeshtëzuara dhe pa referencën substanciale.

Për fatin e mirë kjo referencë ekziston.

Skena e mozaikut në Arapaj është unikale dhe paraqitet në tre horizonte njeri mbi tjetrin, horizonti i parë paraqet një burrë ulur në trungun e një ulliri, mban në dorë një stap dhe para tij është një qen, përballë tij është një djalë i ri i ulur gjithashtu nën trungun e një ulliri, që mban në duar rrotullamen e një litari, që shërben për kapjen e kuajve.

Midis këtyre figurave antropomorfe, përveç qenit është edhe një kalë si dhe dy cjepër.

Në horizontin e dytë janë dy cjepër dhe tri kuaj në lëvizje, kurse në horizontin e tretë janë tre cjepër.

Kjo skenë i ka këto tri horizonte për të kompensuar idenë e perspektivës artistike dhe të konceptit tredimensional të veprës së artit. Kjo skenë paraqitet në një miniaturë të pikturuar në Kodikun Gjergjilian të shek. V, që sot ruhet në Arkivat e Vatikanit.

Në këtë miniaturë janë të ravizuar qartë figurat e një burri e të një djaloshi përballë njeri tjetrit si dhe figurat e kafshëve.

Është e qartë se kemi të bëjmë me një modul artistik.

Dhe miniatura e Kodikut Virgjilian të Vatikanit ka frymëzuar skenën e mozaikut në Arapaj.

Parimi i figurave përballë buron nga arti antik, por ky parim është i pranishëm në shumë miniatura të Kodikëve të Beratit, që janë botuar edhe në librin në fjalë.

Përgjithësisht janë figura kafshësh ose shpendësh përballë njeri tjetrit. Këto miniatura respektojnë një traditë antike e cila është e pranishme në mozaikun e famshëm në Arapaj dhe që u respektua për shumë shekuj në kodikët e Beratit.

Kjo temë ka nevojë për t’u shtjelluar në një libër të tërë, por unë jam i detyruar të kufizohem thjesht në këtë kuptim.


Arti si estetikë teologjike mbështetet edhe në një traktat shumë të njohur të Pseudo Dionis Aeropagitit.

Ky traktat ka patur ndikim të madh në formulimin e teorisë estetike, që arsyetonte aplikimin e miniaturave dhe të ikonave. Lidhet me parimin transcendental të figurave njerëzore, apo gjallesave të tjera tokësore në një kontekst qiellor, të Castrum Dei (Oborrit ose kështjellës së Zotit).

Duke parë miniaturat e botuara, si dhe ato, që janë ende të pafutura në qarkullimin figurativ shkencor, mund të them se arti si estetikë teologjike paraqet rrafshin më interesant, të kompozimit të kodikëve të Beratit, ku shkrimi dhe piktura krijojnë një unitet të pashlyeshëm.

Edhe kjo gjë, do të përbënte temën e një libri më vete.

Një element shumë i çuditshëm është edhe ai floreal, por i germave nistore, të cilat kanë shpesh profile antropomorfë ose i kafshëve hibride, papërjashtuar këtu figurat arkitektonikë si dhe disa vizatime gjeografike, që lidhen me kabalën.

Një kulm i miniaturës artistike lidhet me ndikimin miniaturist perëndimor të kodikëve të ashtuquajtur të Vlorës, të shek. X-XI.


Dua të bëj me dije se, në botimin “Kodikët e Shqipërisë” ka dhe ndonjë pasaktësi të karakterit ikonografik.

Në faqen 71 është botuar miniatura nga kodiku i 10 i Vlorës, që i takon shekujve X-XI i faqes 146.

Kjo miniaturë nuk ka të bëjë siç thuhet në shënimin shoqërues me një fasadë arkitekturore kishtare, por me Burimin e Shenjtë, temë ikonografike tepër e njohur.

Në faqen 138, është miniatura e një figure njerëzore përkulur në tokë me gjurin e djathtë që mban një kurorë mbretërore mbi kokë dhe në duar mban një lirë muzikore.

Kjo miniaturë i takon Kodikut 41 të Beratit të shek. XIV fq.92, shënimi shoqërues thotë se është figura e një kleriku të lartë.

Nuk është ashtu sepse kjo figurë paraqet mbretin Solomon. Në faqen 146 të librit Kodikët e Shqipërisë, jepet mbulesa në relief metalik e Kodikut 13 të Beratit të shek. XII.

Shënimi shoqërues thotë se kemi të bëjmë me Skenën Deisis. Nuk është ashtu se në realitet kemi të bëjmë me subjektin ikonografik Anastasia apo të Zbritjes së Krishtit në Ferr.

Ka dhe pasaktësi të tjera të ngjashme.

Së fundi dua të kuptoj se para shumë vitesh muzeumologu i njohur i Gjirokastrës, miku im i ndjerë Lefter Dilo më ka treguar një Kodik në pergamen të një të ashtuquajturi Laurenti, që ish një manual si bëhet pikturimi i skenave ikonografike.

Ky manual i sekreteve të pikturimit ka njëkohësisht mënyra te konceptimit dhe realizimit të estetikës teologjike në artin e kodikëve.

Për fat të keq, me hidhërim mund të them se ky kodik i ashtuquajtur i Laurentit nuk ekziston në koleksionin e kodikëve të Shqipërisë, ose ka humbur ose duhet të jetë diku.