Jump to content

Apeli i veteranëve: Ndal akteve revanshiste dhe antishqiptare!

Nga Wikibooks

Apel i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Organizata Kombëtare e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ: Të mbrojmë me vendosmëri idealet, vlerat dhe kontributet patriotike e kombëtare të vendit tonë

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Organizata Kombëtare e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ, bazuar në misionin e tyre atdhetar që kryejnë të sanksionuar në platformën, programin dhe statutin e vet, ndjekin me shqetësim atë revansh antihistorik dhe antikombëtar që kanë ndërmarrë në të kaluarën dhe veçanërisht në periudhën e fundit, forca politike dhe segmente të djathta me prirje revanshiste, të nxitur dhe nga faktorë të jashtëm antishqiptarë, të cilët përpiqen me të gjitha mjetet të godasin, denigrojnë e errësojnë dy nga periudhat e rëndësishme historike të vendit tonë, sikurse janë epopeja e lavdishme e LANÇ dhe periudha pas çlirimit, e rindërtimit dhe ndërtimit të Shqipërisë.

Këto forca, me në krye PD dhe satelitët e saj, të udhëhequra nga ish komunisti ekstremist, i konvertuar në “demokrat” Sali Berisha, pas ndryshimit të sistemit iu turrën simboleve të LANÇ duke i shkatërruar ato, varrezat e dëshmorëve lapidarët, memorialet, muzeumet; hoqën nga institucionet, shkollat dhe rrugët emrat e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ dhe në vend të tyre vendosën emra kriminelësh e bashkëpunëtorësh të pushtuesve; dekoruan e shpallën patriotë diversantët dhe tradhtarët që kanë lyer duart me gjakun e bijve shqiptarë, për restaurimin dhe korrigjimin e kësaj paudhësie sot qeverisë dhe pushtetit vendor i duhen fonde të shumta.

Të njëjtën batërdi kryen këto forca të errëta me pasoja të rënda edhe në ekonominë shqiptare, duke shkatërruar e vjedhur fabrikat, kombinatet, uzinat e ndërmarrjet ekonomike, fermat bonifikimet etj; shkatërruan ushtrinë dhe sistemin e mbrojtjes në tërësi etj, me parullën famëkeqe: “Të shkatërrojmë çdo gjë komuniste, se do na vijë çeku i bardhë”. Rrjedhimisht me mijëra njerëz dolën në rrugën e madhe duke sjellë rrënim dhe fukarallëk të tejskajshëm. Ndërsa nga soji i tyre u majmën me pasuritë të vëna nga vjedhja e abuzimi. Kjo gjendje detyroi shumë shqiptarë të lënë trojet e veta duke u larguar në emigracion. Dhe janë po këta bastardë që sot bërtasin nëpër ekrane e tubime për fukarallëk e largim të njerëzve nga Shqipëria, duke vepruar si hajduti që thërret: “Kapni hajdutin”, apo si Pilati që desh të lante duart e lyera me gjak.

Tani së fundmi, PD për t’i shkuar gjer në fund marrëzisë antishqiptare ka përgatitur të ashtuquajturin projektligj “Për dekomunistizimin e vendit”, nëpërmjet të cilit synohet që të goditin rëndë dhe një fushë tjetër të rëndësishme atë të artit, kulturës dhe krijimtarisë në përgjithësi, me qëllim që gjithçka e krijuar gjatë periudhës 40 e ca vjeçare si filma, teatro, botime letrare etj., të hiqen nga qarkullimi dhe pse ato pasqyrojnë një realitet të caktuar historik, me vlera të mëdha atdhetare e edukuese, për të cilat janë angazhuar një armatë e madhe intelektuale progresiste dhe janë vënë në dispozicion fonde të mëdha nga buxheti.

Këtyre qëllimeve të errëta antihistorike e antishqiptare, që kanë për synim të fshijnë nga kujtesa e popullit dhe veçanërisht te brezi i ri ato vlera të pazëvendësueshme, u duhet prerë rruga. Qeveria, institucionet përkatëse dhe Kuvendi i Shqipërisë, këto kërkesa absurde duhet t’i refuzojë në mënyrën më kategorike.

Autorët e këtyre kërkesave e propozimeve e kanë të qartë se tani pas 30 viteve pluralizëm, komunizmi nuk ekziston më në Shqipëri. Qëllimi i tyre është që vendin e këtyre krijimtarive, ta zënë ato paçavure që po krijojnë sot, si në fushën e krijimtarisë artistike e publicistike ashtu dhe në atë të kinematografisë, me të cilat përpiqen të çoroditin dhe degjenerojnë brezin e ri të vendit tonë.

Po ka edhe raste si ajo e gazetares të TV News24 e cila bazuar në emisionin e vet, në vend që të thërrasë e të dëgjojë luftëtarët e lirisë, veteranët, familjet e dëshmorëve, kontribuuesit e vlerave shqiptare, thërret disa të ashtuquajtur të përndjekur politikë, për të cilët bën edhe një botim duke i bërë publicistikë. Ndër këta të ashtuquajtur të përndjekur politikë ka edhe nga ata me tituj të lartë të marrë në periudhën e Enver Hoxhës, që çuditërisht ato i mbajnë e krekosen dhe sot duke u kapardisur me to u bëjnë jehonë këtyre veprimeve antikombëtare.

Një paradoks tjetër qëndron në faktin se shumë nga ata që janë shpallur të “përndjekur politikë” nuk janë të tillë, por të dënuar për krime ordinere. E, megjithatë jo vetëm ata por edhe fëmijët, madje dhe nipërit e mbesat e tyre shpërblehen me fonde nga buxheti i shtetit. Në një kohë që Sali Berisha ua u hoqi shpërblimin familjeve të dëshmorëve të LANÇ, fëmijët e të cilëve dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë që gëzojmë sot.

Qëllimi tjetër i gjithë kësaj fushate antihistorike e antishqiptare, bëhet në një kohë kur vettingu po bën goditje të forta ndaj atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë edhe ish Prokurorin e Përgjithshëm Llalla, të cilët pasi përfunduan Kursin 6 mujor te Plepat u vunë në shërbim të Sali Berishës, për t’u vënë kapak krimeve të rënda që ka kryer ai, si dhe i zgjedhuri prej tij Lulzim Basha, jo vetëm me vjedhjet galopante, por dhe me krime të rënda duke vrarë njerëz të pafajshëm si në 21 janar, në Gërdec, dhe në Tropojë ku janë vrarë mbi 100 djem të rinj, ato të grushtit të shtetit të vitit 1997-1998, për çka atyre sot u është vënë laku në fyt.

Organizatat tona prestigjioze nuk e kanë pritur mirë edhe ngritjen e “artbunkerëve” në Tiranë si dhe të ashtuquajturin “Muze përgjimin”, duke gjykuar se nuk ka shtet në botë të mos ketë shërbim përgjimi, apo sistem mbrojtjeje. Veprime të tilla janë të papranueshme.

Kohët e fundit, nëpërmjet mediave është hedhur në treg një e pavërtetë e madhe, sikurse është kampi i të burgosurve dhe i të internuarve në Tepelenë i cili sipas atyre qëllimkeqëve paska qenë një “Aushvic i dytë”. Nëse do të pyeten qytetarët e Tepelenës që kanë jetuar aty, do të vërtetoni se ky është një trillim dashakeq i bërë me qëllime të mbrapshta. Për këtë të fundit, në shtypin e shkruar ka patur shkrime nga qytetarët e Tepelenës të cilët tregojnë se ky është thjesht një abuzim.

Rrjedhimisht, do të ishte një gabim i rëndë i qeverisë nëse do të pranonte një fakt të tillë të pavërtetë. Lidhur me këtë problem, kohët e fundit u vumë në dijeni se ish-kongresmeni i mirënjohur amerikan DioGuardi, mik i Shqipërisë, në një prononcim të tij, tërheq vëmendjen duke thënë: “Mos e ndotni Tepelenën e heronjve me një të pavërtetë të tillë”.

Ne shprehim bindjen se qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë do të tregohen objektivë dhe do t’u presin rrugën veprimeve të tilla antishqiptare.


24 Gusht 2018