Anastas Kostandini: Kur mbarova 8-vjeçaren hapa ekspozitë për 500 vjetorin e Skënderbeut
Anila Dedaj
Anastas Kostandini çel ekspozitën “Muzgje arbërore” në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Kjo ngjarje përkon edhe me 50-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike. Artisti rrëfen kujtimet e festimeve të 500-vjetorit të ndarjes nga jeta të Skënderbeut, sipas tij, 50 vite më parë eventet ishin të organizuara më mirë
Ishte viti 1968, kur ai sapo kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe çeli ekspozitën e tij të parë në qytetin e lindjes. Fati e desh që ai vit të përkonte me atmosferën e 500-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Kanë kaluar 50 vjet nga ajo kohë, dhe ja, po në Pogradec Tasoja shqiptar (Anastas Kostandini) i dedikon një ekspozitë speciale Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Veprat e tij vijnë përmes teknikës së grafikës dhe atë të vajit, dhe entuziazmi i artistit ndihet jo vetëm përmes pikturës, por edhe nëpërmjet fjalëve të tij. “Kjo është një ekspozitë, të cilën nuk ia dedikoj thjesht heroit tonë kombëtar, por edhe heroit tim personal që është Skënderbeu. Një figurë që gjatë gjithë jetës sime më ka ngjallur interes dhe e kam marrë herë pas here në shqyrtim përmes artit”, shprehet Kostandini për “Shekulli”-n. Në ekspozitën “Muzgje Arbërore” artisti sjell edhe një tablo simbol, “Betejën e Torviollit”, të bërë 50 vjet më parë, kur do të merrte rrugë fati i tij si artist. Mirëpo si u festua ky vit jubilar, krahasuar me’68-ën, dhe sa u angazhuan institucionet? Në këtë 550-vjetor të ndarjes nga jeta të heroit, Pogradeci, ashtu si shumë qytete të tjera të vendit, përfshirë edhe Krujën e ndien fare pak, për të mos thënë aspak rëndësinë e këtij viti dedikuar heroit. Artisti rrëfen se 50 vjet më parë, situata ishte krejt ndryshe. Sipas tij, edhe pse rrethanat ishin të veçanta eventet ishin spektakolare. Përsa i përket angazhimit të artistëve me këtë temë, piktori thotë se është shumë e rëndësishme që ata të shprehin sentimentin dhe përfytyrimet e tyre mbi këtë figurë. Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur deri në janar.
Zoti Kostandini, 50 vjet më parë nis rrugëtimi juaj si piktor, një ngjarje që përkonte me 500-vjetorin e ndarjes nga jeta të Skënderbeut. Si e kujtoni këtë moment të veçantë të jetës suaj?
Edhe pse Pogradeci është një qytet i vogël, në atë kohë kujtoj se atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Kujtoj se në kinemanë e qytetit e gjithë trupa profesioniste ishte aktive, madje unë ende e mbaj mend një operetë të shkruar nga Mirosh Markaj (mjek dhe shkrimtar pogradecar), i cili nuk jeton më, me skenografi të piktorit të parë të qytetit Todi Matos. Ishte një spektakël madhështor dhe unë e kam përjetuar fort atë atmosferë. I kam ndjekur pothuajse të gjitha shfaqjet që jepeshin ditë pas dite. Në shtëpinë e pionierit asokohe u organizua një ekspozitë me disa nxënës, ku punimet e mia zinin vendin kryesor. Qe pikërisht në atë periudhë që nisi të marrë jetë ideja se unë duhet të konkurroja për pikturë. Përveç kësaj ekspozite që u hap në janar të ’68-ës, unë nisa të pikturoj një tablo me ngjyra vaji. E para që kam realizuar dhe që desha ta bëj pjesë të ekspozitës pasi për mua është një pikturë simbol, bënte fjalë për “Betejën e Torviollit”. Pas kësaj babai im do të bënte të mundur një takim me skulptorin dhe piktorin e popullit Sadik Kaceli. Ishim në studion e tij kur unë i tregova profesorit pikturën që kisha realizuar dhe ai më tha: “Djalë, ti duhet patjetër të vish në lice!”. Nuk ishte e lehtë, për shkak të disa peripecive të familjes dhe elementit “biografik”, mirëpo në fund ia dola të bëhesha pjesë e Liceut Artistik. Kështu “Beteja e Torviollit”, për mua do të konsiderohet si fillimi i krijimtarisë sime. Ndaj mendova se në këtë ekspozitë dedikuar Skënderbeut, një pikturë e tillë simbolike do të ishte interesante për ata që çmojnë artin tim dhe më ndjekin, por njëkohësisht përbën edhe një sodisfaksion për mua, për të kufizuar në një farë mënyre vitet e krijimtarisë sime gjysmëshekullore.
Si është ideuar kompozimi i ekspozitës?
Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, gjysma e saj përbëhet nga kompozicione me piktura në vaj, me portrete e skeda të ndryshme si dhe me dimensione nga më të paparashikueshmet. Ndërsa, gjysma tjetër e ekspozitës është cikli im i grafikave, i cili është me të vërtetë një risi… Të paktën unë besoj se mund të konsiderohet si i tillë përsa i përket krijimtarisë sime. Një risi për të cilin unë kam vite që punoj, pasi e kam nisur këtë projekt që në vitin ’88. Fatkeqësisht kishte mbetur i parealizuar dhe unë për çdo vit kam krijuar një cikël gravurash në dru. Teknika që kam përdorur është ajo e artistëve gjermanë që kanë ilustruar dhe përshkruar historinë e Skënderbeut, me të cilën jemi edukuar që prej teksteve shkollore. Pastaj mund të them se për të gjitha këto harmonizohen të dyja anët që kompozojnë botën time. Brenda meje është ende entuziazmi i atij djalit që 50 vite më pare bëri “Betejën e tij të Torviollit”. Momentet që rrëfeva mësipër janë shumë të forta dhe më nxisin të jem brenda kësaj vorbulle krijuese. Tregon shumë edhe fakti që unë vazhdoj të jetoj në të njëjtën shtëpi dhe qytet…, kështu që historia vazhdon këtu.
Është kjo arsyeja që zgjodhët ta çelnit këtë ekspozitë në Pogradec?
Sigurisht edhe kjo është. Unë kam dëshirën që t’i ekspozoj këtu punët e mia, pasi në Pogradec më respektojnë shumë dhe më ndjekin. Ka kuptim gjithashtu pasi kjo ekspozitë bashkë me dedikimin për kryeheroin shqiptar mbart edhe një histori artistike. Kjo është një temë e trajtuar nga unë edhe si ilustrues. Gjatë viteve të ndryshme unë kam ilustruar libra të ndryshëm me Skënderbeun. Veçanërisht në vitet ’80 kam punuar si ilustrues në organet e shtypit, kryesisht në tregimet, legjendat me temë kombëtare për fëmijë. Kështu unë në njëfarë mënyre vendosa të qetësoj për disa kohë studion time nga ekspresiviteti i kërkimeve formale dhe atyre në fushën e formës dhe të prirjeve moderniste për të bërë një ekspozitë ku të lavdëroja heroin e kombit. Duket se arti është i krijuar edhe për këtë arsye.
Cilat janë materialet që ju kanë shërbyer si referencë për të realizuar pikturat?
Para disa muajsh një miku im më tregoi një tregim të shkurtër të Faik Konicës, që fliste për Mrikën e Krujës. Një histori e shkurtër, gati legjendë, por e jashtëzakonshme. Unë menjëherë e bëra tablo. Atë nuk munda ta riekspozoj dot pasi tani nuk është më e imja, por unë u rreka të sjell një variant tjetër të saj, që ka edhe një element risie. Në një tablo tjetër kam pikturuar dy figura shqiptarësh, ku njëri është me veshje otomane. Bëhet fjalë për kthimin e tradhtarit në shtëpi. Kjo dramë e madhe e shqiptarit e nxitur prej një egërsie të paimagjinueshme të luftërave të asaj kohe. Një tjetër risi është mishërimi në pikturë i lindjes së djalit të Skënderbeut dhe hidhërimi i Hamza Kastriotit. Mandej vjen skena me ëndrrën që pa Skënderbeu me Shën Gjergjin, ku ky i fundit e inkurajonte të shpartallonte armiqtë e tij e kombit të tij dhe të krishterimit. Çka do të bënte që populli të mobilizohej në masë. Një histori e përcjell nga Fan Noli dhe Marlin Barleti. Pra “Historinë e Skënderbeut” dhe libra të tjerë rreth tij unë i kam lexuar me endje prej kohësh, por u jam rikthyer përsëri gjatë procesit të krijimit. Në një farë mënyre unë kam jetuar në këtë botë paralele të shekullit të XV-të.
Çfarë ju nxiti që t’i dedikonit kaq shumë kohë krijimit të ciklit dedikuar Skënderbeut?
E gjithë kjo nismë e imja është nxitur edhe nga përjetimet që marr kur udhëtoj në Evropë. Kur vizitoj pallatet dhe kështjellat e mëdha unë takoj tablotë madhështore që glorifikojnë historitë e jashtëzakonshme të këtyre vendeve. Unë mendoj që heroi ynë nuk është më i pakët, mirëpo është shprehia artistike që duhet ta fiksojë këtë. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që artistët e këtij vendi dhe të kësaj kohe, të shprehin sentimentin dhe përfytyrimet e tyre mbi këtë figurë. Kjo ndoshta nuk do të tingëllojë shumë praktike, por arti nuk ka karakter praktik. Ndaj e theksoj për mua, ilustrimi i këtij sentimenti është thelbësor. Në këtë sens mua do të më pëlqente të kishte ndodhur një ekspozitë e madhe në Galerinë Kombëtare, jo për të kujtuar ekspozitat e mëdha jubilare, por për të bërë një ekspozitë madhështore ku të përfshiheshin të gjithë artistë që duan të shprehen rreth kësaj figure. Pasi në njëfarë mënyre kjo do të ishte enjë mundësi që të nxiste koncentrimin mbi ngjyrën kombëtare, mbi territorin tonë, mbi tërësinë e vlerave tona shpirtërore e historike. Mendoj se është e pamundur të mos ketë interes në një vend që ndodh një koncentrik i tillë. Unë jam i prirur dhe më pëlqejnë edhe artet e vjetra, klasike e romantike. E kam lënë veten të lirë dhe jam në prerjen e të gjitha ndikimeve. Dikur ndikimi ishte armiku kryesor që i bëhej artit, sot është krejtësisht e mundur që artisti ta lërë veten të lirë të ndikohet. Dhe pastaj ai që mund të qëndrojë mbi ujë, le të ketë jetën e vet artistike në të kundërt le të humbasë, pasi këto janë ligjësitë e artit.
Pse e shikoni kaq të rëndësishme angazhimin e artistëve në një temë të tillë?
Duket sikur e gjithë kjo është romantizëm për botën mesjetare, por unë mendoj se nuk është vetëm aq. Figura e Skënderbeut ka kontribuuar për të rritur imazhin tonë kundrejt Evropës, pasi është një nga personalitetet e historisë që ka mbrojtur qytetërimin evropian, përpos rolit të tij në pikëpamjen e unifikimit kombëtar. Sigurisht që ndaj kësaj figure herë pas here përpiqet të hidhet baltë, nga pjesa bastarde e dekombëtarizimit që nuk mungon kurrë. Nuk flas aspak si “kampion” i nacionalizmit, pasi unë e përjetoj të qenit shqiptar në mënyrë të natyrshme. Pastaj ajo që e lidh me punën dhe që e bën më pasiononte është fakti se unë jam piktor, artist dhe kam më shumë ndjeshmëri ndaj kësaj. Fatkeqësisht një pjesë jo e vogël e popullatës, në shumë kthina të shoqërisë shqiptare e kalojnë këtë moment përmes një mospranimi në heshtje, edhe pse në fakt është një ftesë për më tepër unifikim të shpirtit kombëtar. Kjo është ajo që do të na bënte më të besueshëm për të qenë Evropianë sikundër edhe jemi.
Më sipër ju ndatë me ne kujtimet dhe entuziazmin tuaj për festimet që janë bërë në 500-vjetorin e ndarjes nga jeta të Skënderbeut. Sot pas 50 vitesh në Vitin Mbarëkombëtar dedikuar heroit nëse bëjmë një krahasim si do ta përshkruanit situatën?
Nuk ka të krahasuar. Ajo që ndodhi para 50 vitesh ishte diçka e jashtëzakonshme, që angazhonte artistët dhe përfshinte të gjithë qytetarët. Pra në rrethe vërehej një tentativë, një aktivizim i botës lokale për të bërë diçka të ngjashme me atë që ndodhte në Tiranë, sepse në Tiranë aktivitetet ishin të shumta. Kujtoj se asokohe është bërë një ekspozitë e jashtëzakonshme, me piktura impresionuese, të cilat unë ende i kam para syve. Përpos kësaj, u ngrit monumenti i Skënderbeut i Odhise Paskalit, Andrea Manos dhe Janaq Paços. Botimet, albumet po ashtu ishin të shumta dhe me vlerë. Përveç këtyre që përmenda dua të vë theksin edhe tek mënyra se si përçohej nëpër shkolla një 500-vjetori i Skënderbeut. Jam duke folur për një përjetim, një ngjarje që populli realisht dëshironte ta festonte pasi i shtonte dinjitetin. Ndërsa, nëse flasim për festimet në Krujë, ’68-ta ka qenë edhe viti kur kam vizituar për herë të parë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti“ të Krujës, i cili edhe pse ishte në një godinë të vogël dhe aspak të përshtatshme kishte skulptura të jashtëzakonshme, në vendin ku legjenda kishte ndodhur. Qe në atë vit që Kadareja shkroi romanin “Kështjella”. Po ashtu në atë periudhë ka luajtur rol të madh edhe shfaqja e filmit “Skënderbeu”.
Ç’mund të thoni për eventet që janë organizuar në këtë 550-vjetor të ndarjes nga jeta të heroit? Shpesh edhe pse i dedikohen Vitit Mbarëkombëtar nuk kanë elemente artistike ku mund të gjenim figurën e Skënderbeut?
Këto janë teknalitetet e sotme, të cilat kanë më shumë “mënçuri” sesa frymëzim. Arti veçanërisht në raste të tilla, po aq sa i drejtohet njerëzve dhe masës së gjerë, po aq duhet të përmbajë personazhin, pasi e gjitha duhet të përcillet edhe si përjetim dhe përgjegjësi personale. Kjo është ajo që nuk po funksionon, edhe pse nuk mund ta mohoj se ka pasur edhe gjëra të bukura. E tillë qe ekspozita moderne në Pallat të Kongreseve në fillim të vitit, ku u shfaqën artefakte dhe pjesë të rëndësishme të historisë së Skënderbeut. Mendova se aktivitetet do të vijonin në këtë linjë, por nuk pati më prurje. Janë bërë edhe prezantime librash, apo albumesh, mirëpo nuk janë hedhur në treg në mënyrë masive. Mua personalisht do të më pëlqente që të kisha një album prestigjioz, luksoz në maksimum të Skënderbeut… Mendoj se ky moment e meriton diçka të tillë, ndoshta një përmbledhje të pikturave më të shquara që trajtojnë këtë temë. Më përpara artistët e kanë pasur të tyren temën e Skënderbeut…
1 dhjetor 2018