Albanologët kinezë çudisin Tiranën, promovohen botime dhe projekte për Shqipërinë
Albanologët kinezë çudisin Tiranën: “Fjalor dygjuhësh shqip-kinezisht e kinezisht shqip” me mbi 40 mijë fjalë; “Enciklopedi e shkurtër e historisë dhe e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”; Ismail Kadare e Dritëro Agolli në gjuhën kineze, një nga gjuhët më të mëdha në botë; “Gramatika praktike e shqipes” në dy vëllime; “Shqipja e folur” në dy vëllime. Të gjitha këto vepra promovohen brenda një ditë, në “Dita e albanologjisë në Kinë”, por jo në Pekin siç mund të merrej me mend, por në vendin e burimit të tyre, në Shqipëri, pikërisht në Tiranë, në mjediset e Akademisë së Shkencave. Këto dhe vepra të tjera për kulturën dhe historinë e shqiptarëve janë hartuar e botuar nga autorë kinezë. Në fakt, shumica nuk janë autorë, por autore. Dhe, për më tepër, të gjithë ata që merren me albanologji në Kinë, përveç emrit, si me thënë zyrtar, pra, kinez, kanë marrë edhe një emër të dytë, shqiptar, me të cilin njihen e komunikojnë në mjediset shqiptare, ku vijnë shpesh. Kështu kemi kinezë me emrat: Shqiponja, Moza, Urim, Xhina (Gjina në versionin kosovar).
E themeluar qysh në vitin 1961, pranë Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit (BFSU), funksionon e vetmja katedër albanologjie në gjithë kontinentin aziatik. Kjo katedër është në të njëjtën kohë njësi shkencore universitare, qendër kërkimore shkencore dhe bord përkthimesh e botimesh. Shkolla doktorale e BFSU u kushtohet çështjeve të rendit parësor në albanologji e në lidhjet kino-shqiptare, si: identiteti shqiptar përmes veprës së Kadaresë dhe opozicionit “vetja dhe tjetri”; ndikimi i filmit shqiptar në kinemanë kineze, shteti dhe feja në Shqipëri, Kadare dhe Andriç në vështrim krahasues, Migjeni dhe Lu Sin si poetë socialë, imazhi i Kinës në letërsinë shqipe, restaurimi e shërimi i kodikëve të Shqipërisë në Kinë etj. Vitin e kaluar pranë kësaj katedre u themelua “Center Studies for Albania”, që organizon çdo vit veprimtari kërkimore e shkencore. Të gjithë pedagogët e kësaj katedre janë jo vetëm hartues tekstesh universitarë, por dhe autorë monografish e përkthyes të letërsisë shqipe në gjuhën kineze. Mimoza, siç njihet me emrin e saj shqiptar përgjegjësja e katedrës, është përkthyese e romanit “Aksidenti” të Ismail Kadaresë; Shqiponja po përkthen një koleksion dokumentesh arkivore për lidhjet shqiptaro-kineze në vitet 1960; Ke Jing (Gjina) ka në duar romanin “Arka e djallit” të Dritëro Agollit.
“Fjalori dygjuhësh shqip-kinezisht e kinezisht shqip”, me mbi 40 mijë fjalë, është hartuar nën drejtimin shkencor të albanologes dhe ballkanologes Ke Jing (Gjina); “Enciklopedi e shkurtër e historisë dhe e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”, është përgatitur po nga prof. Ke Jing, me bashkëpunimin e dr. Ma Sai. Romani “Aksidenti” është përkthim i prof. Fenghua Chen (Mimoza). Kurse tekstet universitare, si “Gramatika praktike e shqipes” në dy vëllime është hartuar nga prof. Ke Jing; kurse “Shqipja e folur” në dy vëllime nga prof. Fenghua Chen.
Shtëpia botuese universitare, në bashkëpunim me katedrën e shqipes pranë Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit (BFSU), synon të përkthejë 25 tituj nga letërsia shqipe, prej De Radës deri tek autorët e sotëm. Katedra ka fituar projektin e hartimit të një fjalori të madh të shqipes. Bashkëpunëtorë të saj, si prof. Zheng Enbo, kanë përgatitur e botuar një antologji dyvëllimëshe të poezisë shqipe, me 70 autorë. Me kujdesin e katedrës dhe punën e saj, rreth 60 personalitete shqiptare do të jenë zëra më vete në Enciklopedinë e Kulturës Kineze. BFSU, përveçse me Akademinë e Shkencave, ka marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, të Vlorës e të Gjirokastrës. Profesorë shqiptarë mbajnë kurse të plota leksionesh në BFSU, kurse prof. Ke Jing ka mbajtur ligjërata shqip në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Tetovë e Prishtinë. Katedra e gjuhës shqipe në BFSU përgatit studiues, përkthyes, diplomatë dhe specialistë të tjerë. Ajo është kryeqendra e albanofonëve të Kinës dhe një promovuese dashamirëse e identitetit shqiptar në Kinë e në botë.
31 tetor 2018