Aktrimi/Teatri Nacional në Kosovë/Çifti Martin
Çifti Martin
nga Eugene Lonesco
Autor: Eugene Ionesco / Regjia: Bekim Lumi / Luajnë: Astrit Kabashi & Gresa Pallaska / Harmonikist: Agon Xharra / Muzika: Agon Xharra & Bekim Lumi / Skenografia: Mentor Berisha / Kostumografia: Samka Ferri / Dizajni i Ndriçimit: Asllan Hyseni / Tonist: Enver Maxhuni / Inspicient: Bajram Mehmetaj
ÇIFTI MARTIN
Shfaqja “Çifti Martin” është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë “Këngëtarja tullace” të Eugene Ionesco-s. Zatën, në krejt plotninë e kësaj antikomedie, skena e çiftit Martin mund të lexohet edhe si një dramë më vete. Dialogu ekspresiv i kësaj skene antologjike, i sajuar në formën e një parodie mbi motivin e “rinjohjes” burrë e grua, është një gjedhe e papërsëritshme dramaturgjike, e cila, përmes aventurës triviale të një çifti fiktiv, parodizon konvencionalitetin, falsitetin dhe “shkëlqimin” e marrëdhënieve bukur shpesh të rrejshme bashkëshortore.
Në një marrëdhënie të këtillë, krejt çmendurisht, mplekset jeta e Martinëve të martuar prej shumë vitesh, të cilët, ndonëse banojnë në të njëjtën shtëpi, ndonëse vazhdimisht udhëtojnë me të njëjtin tren, ndonëse flenë bashkë në të njëjtën dhomë dhe bëjnë seks në të njëjtin shtrat dysh të mbuluar me jambuli e, për më tepër, ndonëse kanë edhe një vajzë të vogël dyvjeçare, “nuk njihen”, prandaj, ashtu si në tragjeditë antike greke apo në baladat popullore Shqipetare të rinjohjes, përmes “shenjave” të ndryshme “rinjihen” vazhdimisht.
Krejt ndryshe nga dramat me intonim klasik dhe konvencional, madje edhe jashtë klisheve dhe uniformitetit me të cilin zakonisht trajtohen tekstet e teatrit absurd, drama e çiftit Martin i jep mundësi të paskajshme, deri në xhonglerim të çmendur, gjenit kreativ aktoresk dhe regjisorial. Jo rastësisht, prandaj, akti krijues i kësaj shfaqjeje vjen në formën e një burleske teatrore me elemente të mjuziklit, në të cilën, varësisht nga situatat e ndryshme, kompozicioni i tablove, nga imazhet poetike dhe vibrimet e lehta komike, përshkallëzohet deri në parodizim dhe karikaturizim grotesk.
Shfaqja “Çifti Martin” nuk është as më shumë e as më pak se veç një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe, njëkohësisht, të qajë me lotë ironie, pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.
http://www.teatrikombetar.eu/cm/cifti-martin-nga-eugene-lonesco/