Jump to content

Aktrimi/Oda/Emigrantët

Nga Wikibooks

Emigrantët - 2009
S. Mrozhek


Regjia: Agon Myftari Skenografia: Petrit Bakalli Luajnë: Ahmet Pasha dhe Hazir Myftari

Ky projekt i Kompanisë Teatrore “Moissi” në bashkëpunim me Teatrin ODA vjen si fryt i bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe në shenjë të 40 vjetorit të karrierës artistike në teatër si dhe film të dy aktorëve tanë të mirënjohur nga Tirana e Prishtina.


Disa fjale për shfaqjen

Kjo shfaqje flet për ekzistencën dhe vështirësitë e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgim. Dihet se një e treta e popullit shqiptar janë emigrantë të shpërndarë gjithandej nëpër botë. Bashkatdhetarë tanë si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria që kanë qenë të detyruar për një arsye apo për një tjetër të largohen nga vendi i tyre. Dhe kjo është një çështje mjaft e ndjeshme dhe një fat i dhembshëm për të mos thënë tragjik i popullit tonë. Sot, në kohën tonë, kjo dramë merr një kuptim të ri. Në një botë të globalizuar, fjala "Emigrant" ka marrë konotacione të ndryshme. Cila është pesha e fjalëve të pushtetit për kthimin e emigrantëve? Cila është rëndësia që ia japin njerëzit e pushtetit çështjes së emigracionit? Sa bëjmë ne për ta? Cili është imazhi i emigrantëve tanë në sytë e të huajve? Janë këto pyetje që tregojnë se ç'fenomen tragjik është fati i emigrantit: ikja prej diçkaje e kërkimi i diçkaje tjetër - kërkimi i një ëndrre të pakapshme. Sot, në botën tonë politikisht jostabile dhe ekonomikisht në krizë, realiteti i emigracionit, i refugjatëve të luftës, i të përndjekurve politikë, i punëtorëve ilegal a gjysmë-legal që punojnë në mërgim për të fituar për nevojat e familjeve të tyre, mbetet çështje e pazgjidhur dhe plagë e hapur e popullit tonë.

Për dramën

"Emigrantët" është një tragjikomedi nga S.Mrozhek, një ndër figurat më të rëndësishme të dramaturgjisë dhe teatrit evropian të shekullit të kaluar. Vepra është një portretizim i hidhur e ironik i dy emigrantëve të zënë në shoqërinë e palakmueshme, por shpeshherë edhe mallëngjyese të njëri tjetrit në një bodrum pa dritare, në natën e Vitit të Ri.

Njëri nga këta dy emigrantë (Ahmet Pasha) është emigranti politik, një intelektual, shkrimtar e mendimtar, njeri i cili u largua nga atdheu i tij me arsye se nuk mundi t'i shprehte lirshëm mendimet e tij. Ky njeri i cili vjen nga një vend ku të mendosh lirshëm konsiderohet krim dëshiron që t'i bëjë të zëshme mendimet e tij, njohuritë dhe idetë e tij rreth njeriut, rreth së vërtetës, rreth lirisë dhe robërisë. Dhe pasi sakrifikon të kaluarën e tij, ai e gjen veten në të njejtën dhomë me një tjetër bashkatdhetar emigrant.

Personazhi tjetër (Hazir Myftari) është emigranti ekonomik, një fshatar, punëtor krahu, njeri i paarsimuar që zgjodhi emigracionin për të gjetur lirinë materiale, që e la vendlindjen për të fituar para. Ai është rob i sendeve dhe i botës materiale duke pasur për mjet të vetëm trupin e tij, të cilin nuk e kursen aspak për të fituar sa më shumë të holla. Mbledhja e të hollave është qëllimi i tij i vetëm. Ai ëndërron pandërprerë në kthimin e tij në vendlindje për të ndërtuar një shtëpi të re.

Të dy këta emigrantë janë të detyruar të shikojnë kohën se si ju ikë para syve, pa e kuptuar se sa të varur janë nga njëri tjetri, se sa larg kanë udhëtuar secili me arsyet e veta për të qëndruar larg shtëpive, larg vendlindjes. Secili nga ta e konsideron tjetrin si torturuesin e vet pa e marrë parasysh që ata në të vërtetë s'janë tjetër veçse dy përbërësit e një tërësie, se janë mendja dhe trupi i të njëjtës qenie. Këta dy burra të cilët përfaqësojnë mendime dhe marrëdhënie tipike të shtresave te kundërta shoqërore, janë të detyruar nga rrethanat të qëndrojnë së bashku në një situatë tragjikomike brenda një mikrokozmosi, brenda një bote të vogël e të izoluar.

Gjenia krijuese e Mrozhekut përbëhet nga zotësia e tij për të përshkruar aq bukur në këtë vepër ndjenjat universale të mërgimit si: vetmia, izolimi, ndjenja e të qenit “i huaj”, divergjencat shoqërore, perceptimi i dallimeve, afërsia e detyruar nga komuniteti dhe gjuha e njëjtë, ekzistenca në vrimën mes dy botëve: “vendlindjes” dhe “vendit te huaj”.



"Emigrantët" është përkrahur nga: Kolegji Victory, AJO pictures, Te Ismeti, AltaVia Travel, Agim Sulaj - piktor, Susler, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe PTK-sponsor gjeneral i Teatrit ODA