Agjencia e tregut bujqësor, domosdoshmëri e kohës

Nga Wikibooks
Shko tek: lundrim, kërko

AGJENCIA E TREGUT BUJQËSOR, DOMOSDOSHMËRI E KOHËS



Nga Hysen KOBELLARI,
Universiteti F.S.Noli, Korçë


Para më se dhjetë vitesh, ekspertë të ekonomisë kanë këshilluar ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë së Tregut Bujqësor (Prof.Dr.Y.M.). Por askush nuk i ka dëgjuar këto këshilla,pa le të përpiqet t’i vërë në praktikë! Në kushtet e sotme, kur problemet e tregut bujqësor janë majisur, e shoh të nevojshme ta ringre edhe njëherë këtë problem …

Për zbatimin praktik të politikave qeveritare për bujqësinë dhe mbarëvajtjen e tregut bujqësor është e domosdoshme krijimi i organizmave përgjegjës dhe efektivë. Një organizëm i tillë është këshilluar nga specialistët krijimi psh i Agjencisë së Tregut Bujqësor (ATB), e cila, siç tregon edhe përvoja e vendeve të lindjes, krijon kushte të mira për realizimin e politikave argrare efikase.

Organizëm i domosdoshëm

Këto vite të kaluara të ekonomisë së tregut në vendin tonë kanë provuar se çmimet e produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe të atyre ushqimore të industrializuara me lëndë të parë bujqësore , kontrollohen nga mekanizmat e tregut spontan. Kufizimi dhe mënjanimi për fare i subvencioneve, rritja e konkurrencës nga tregjet e huaja, dobësimi, dhe pse jo, shkatërrimi i lidhjeve të fshatit me industrinë përpunuese, liberalizimi i çmimeve, krijimi i monopoleve në tregëtimin e inputeve dhe autputeve, etj. u shoqëruan me një nivel të ulët të të ardhurave të realizuara nga bujqësia përgjithësisht. Për rrjedhojë, përdorimi i inputeve bujqësore për njësi sipërfaqeje u ul në mënyrë drastike. Vetëm rreth 30 % e sipërfaqes së mbjellë me grurë, misër, patate, perime, etj. merr minimumin e nevojshëm për plehra azotike dhe vetëm rreth 15 % e tyre merr nevojat minimale për plehra fosforike. Humbjet nga mospërdorimi i pesticideve vetëm në bimët kryesore të arave arrijnë çdo vit rreth 40 milionë dollarë amerikanë, sipas përllogaritjeve të një studimi të kryer nga OECD para disa vitesh. Në të tilla kushte, ku tregjet bujqësore janë të pastabilizuara, zhvillohen në mënyrë kaotike dhe pa efektivitet, është e nevojshme të krijohen organizma që të orjentojnë e të mbrojnë prodhimin bujqësor dhe rregullojnë tregun agrar. Këtij qëllimi i shërben krijimi i Agjencisë së Tregut Bujqësor (ATB).

Objektivat dhe detyrat

Objektivi kryesor i ATB konsiston në stabilizimin e tregjeve të produkteve të fermës dhe të mbrojë të ardhurat nga bujqësia. Madje, sipas përvojës së vendeve të tjera, krijohen mundësitë që agjencia të mund të menaxhojë edhe rezervat ushqimore shtetërore. ATB mund të ketë autonomi të gjerë, si për intervenimet (ndërhyrjet) në tregjet bujqësore, ashtu edhe në zbatimin efikas të politikave shtetërore në këtë drejtim. Karakteristika bazë për veprimtarinë e ATB është fakti se ajo duhet të intervenojë në treg nëpërmjet mekanizmave të tregut, me anë të mbështetjes dhe rregullimit të kërkesës dhe ofertës, në vend të përdorimit të kanaleve dhe mekanizmave administrativë. Mbi bazën e politikave qeveritare ajo mund të vendosë për çdo sezon prodhimi e shërbimesh dhe për produkte që shikohet e nevojshme, çmime minimum për të stabilizuar çmimet e tregut. Funsionet më të rëndësishëm të ATB mund të jenë :

- Ndërhyrja në blerjen e produkteve bujqësore ose ushqimore, për t’i magazinuar ose për t’i shitur në tregjet e brendëshme apo të jashtme, me synimin që të arrijë stabilizimin e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale.
- Akumulimi i rezervave të tepërta të produkteve bujqësore e blegtorale dhe menaxhimi i rezervave shtetërore të ushqimit, madhësia e të cilave mund të përcaktohet me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave), në bashkëpunim me ATB.
- Mbështetja e firmave të reja që merren me tregëtimin e produkteve që vijnë nga bujqësia, kryesisht me anë të sigurimit të garancisë së kredimarrjes, si dhe garanci për blerjen, magazinimin dhe eksportimin e produkteve të gatshme për treg.
- Analiza dhe parashikimi i problemeve që lidhen me tregjet e produkteve bujqësore. Mbledhja e të dhënave, formulimi i propozimeve dhe ndërmerr iniciativa për zhvillimin e infrastrukturës së tregut, si dhe studion përmirësimin e operacionet e tregut agrar në vazhdimësi.
Sipas rrethanave dhe nevojave ATB mund të kryejë edhe funksione të tjera që kanë të bëjnë me shitblerjen e inputeve dhe autputeve të bujqësisë.
F i n a n c i m i
ATB në vetvete, nga pikëpamja juridike dhe organizative mund të jetë Trup Korporate. Ajo mund të financohet nga dy burime kryesore :
- Buxheti i shtetit, nëpërmjet planifikimit që i bën Ministria përkatëse;
- Të ardhurat e saj, të nxjerra nga veprimet efiçente në treg.

Agjencia do të ketë të ardhurat dhe shpenzimet e saj, si shpenzimet për aktivitetin, për blerje të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore, shpenzime për transport, pagesa në avancë për produkte të kulturave të ndryshme, shpenzime për magazinime, për importe, për efekt të rezervave shtetërore, subvencione të mundshme të eksporteve për produkte të veçanta,etj.

- Sistemi i ndërhyrjes në çmime

Theksuam se një nga detyrat kryesore të ATB është stabilizimi i çmimeve për produktet bujqësore. Për këtë qëllim ajo mund të përdorë intervenimin në politikën e çmimeve. Intervenimet lidhur me rregullimin e çmimeve nuk kanë asnjëherë karakter administrativ, dmth ato nuk zëvendësojnë rregullimin e çmimeve nëpërmjet kërkesë – ofertës, por shërbejnë si mjete shtesë, duke rregulluar balancat e humbura përkohësisht. Këshillohet që Agjencia, për të arritur objektivat e saj mund të përdorë dy kategori çmimesh :

- Çmime minimum të garantuara
- Çmime intervenuese (ndërhyrëse,rregulluese)
- Përcaktimi i çmimeve minimum, si nivel dhe sipas produkteve ( sigurisht në nuk mund të përfshihen të gjitha produktet ), mund të bëhet me VKM nga qeveria. Por kjo mund t’i lihet në kompetencë edhe Agjencisë, konkretisht niveli i çmimeve, por jo emërtesën e produkteve, duke patur parasysh resurset në dispozicion, çmimet e tregut dhe kostot e produkteve.

ATB për të marrë vendime sa më të drejta, mund të marrë kontakt me përfaqësues të fermerëve lidhur me caktimin e çmimeve minimum. Pas kësaj, çmimet minimum paraqiten në Këshillin e Ministrave dhe pas miratimit atje, bëhen të njohura publikisht. Këto çmime janë të vlefshme për një periudhë njëvjeçare, e cila konsiderohet si periudhë tregtare. Kjo periudhë mund të jetë nga 1 marsi deri më 28 shkurt të vitit tjetër.

Çmimi minimum përcakton kufirin e poshtëm (dysheme) të fluktuacionit të çmimit të tregut. Limiti (kufiri) më i lartë i çmimit minimum është çmimi i inputit (c.i.f. plus tarifat). Rritja në nivelin e çmimit minimum duhet të lidhet me tarifat sasiore mbi inputet, të caktuara nga ATB.

Me qëllim që të mbulojë çmimin minimum, Agjencisë do t’i duhet të përcaktojë nivelin e çmimeve të intervenimit që, si rregull, janë më të larta se çmimet minimum.

Intervenimi në treg (për të blerë ose shitur) bëhet për të parandaluar lëvizjen e papritur të çmimeve të produkteve të fermës, e cila ka ndikim direkt mbi të ardhurat e saj, çka shoqërohet me vendime jo të drejta, jo racionale të prodhimit, duke ndikuar për keq në nivelin e ekonomisë kombëtare. Aktualisht, duke e lënë fshatarin në mëshirë të lojës së tregut, do të ketë një lëvizje të madhe në strukturën e mbjelljeve, duke paksëuar sipërfaqen dhe prodhimin në kultura të rëndësishme për ekonominë kombëtare dhe për të ardhurat e vetë fermerëve. Kështu, nga njëri vit në tjetrin ka patur pakësime të mëdha të sipërfaqeve të mbjellura dhe të korrura me grurë, panxharsheqeri, duhan, etj. Sipas të dhënave të marra nga vrojtimi statistikor për një vit, të ardhurat mesatare për fermë në të holla dhe jo në të holla, nga aktiviteti bujqësor ka qënë 1219 dollarë, ose rreth 1000 euro.

Agjencia në përgjithësi fillon ndërhyrje në treg për blerje, kur çmimi në treg është më i ulët se çmimi intervenues dhe i shet pastaj produktet e magazinuara, kur çmimi i tregut është pak më shumë se çmimi intervenues. Sikurse shihet, rëndësi të veçantë ka përcaktimi i nivelit të çmimeve të intervenimit. Niveli i lartë i tyre pengon aktivitetin e industrisë përpunuese dhe biznesit tregëtar agrar, pasi operacionet e tyre shpesh varen nga kredia e marrur për të blerë e magazinuar produkte. Nivelet e larta të çmimeve të intervenimit janë të mirëpritura nga fermerët, por bëhen shkak për kosto të larta në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke përfshirë përfundimisht konsumatorët dhe taksapaguesit.

Në rastet kur ekziston mbiprodukt i vazhdueshëm, pra një ofertë e tepërt, Agjencia mund t’i shtrijë operacionet e saj edhe në tregun e jashtëm. Shkëmbimet tregëtare duhet të jenë të tilla që të nxitin ruajtjen e përpjestimeve të përcaktuara midis çmimeve të tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm. Niveli shumë i lartë i çmimeve intervenuese, me referencë joreale të çmimeve botërore pengon përmirësimin e efektivitetit ekonomik të bujqësisë dhe shkëmbimeve të jashtme. Nga sa theksuam dhe argumentuam më lart, kuptohet, se çmimet e tregut do të lëvizin rreth çmimeve intervenuese, prandaj aktiviteti i ATB – së ka ndikim të madh në stabilizimin e çmimeve të tregut dhe sjell të ardhura më të rritura për fermerët. Zbatimi praktik i aktiviteteve nëpër rrethe, mund të kryhet nga sipërmarrje të ndryshme, por të lidhura me Agjencinë me kontrata zyrtare. Kjo shtrirje patjetër që kërkon përmirësime në lidhje me bankat, me infrastrukturën tregëtare, etj.

Rezervat Shtetërore

Rezervat shtetërore të produkteve ushqimore pasqyrojnë politikën e sigurimit dhe sovranitetin. Ato mbulojnë një asortiment të përcaktuar të produkteve të grumbulluara në magazinat e ndryshme shtetërore. Në këtë mënyrë duhet parë edhe ristrukturimi i institucionit ekzistues të Rezervave të Shtetit, që tani është pothuajse në gjendje pasiviteti. Me një fjalë ATB merr përgjegjësi të plotë për rezervat ushqimore.

Rezervat shtetërore janë të nevojshme në një situatë kur pasiguria në prodhimin bujqësor mund të sjellë shqetësime në furnizimin me ushqime. Duke patur parasysh rendin e ri politik në Europë, hapjen e vendit kundrejt tregut botëror, si dhe zhvillimin e tregut të brendshëm të ushqimeve, jo vetëm bëhet i nevojshëm sistemi i rezervave shtetërore , por kërkohet edhe modernizimi i tij, si për nga vëllimi, ashtu edhe nga procedurat e drejtimit. Futja e këtij aktiviteti në veprimtarinë e ATB do të ndikojë pozitivisht në arritjen e këtyre synimeve.

Mbështetja e iniciativave në tregtinë e produkteve bujqësore

Ndër detyrat parësore të ATB-së është mbështetja e iniciativave apo formave të ndryshme, që kanë të bëjnë me tregëtinë e produkteve të fermës, sidomos kur në to përfshihen subjektet private. Disa nga këto detyra lidhen edhe me funksionet kryesore të Agjencisë, dmth të blerjeve intervenuese, ndërsa të tjerat përfshijnë aktivitete që lidhen me intervenimin në mënyrë indirekte. Psh. Aktivitete të lidhura me intervenimin në tregun e grurit mund të ishin :

- Autorizimi i magazinave të drithit (kur nuk janë pronë e rrjetit të Agjencisë), me qëllim që pronarët e tyre të përfitojnë kredi preferenciale për blerjen dhe magazinimin e drithit.
- Blerja e drithit me çmime intervenuese përmes ndërmjetësve të rrjetit të autorizuar të magazinave, në bashkëpunim me agjentët e agjencive, duke përdorur kredi preferenciale.
- Parapagim për një pjesë të vlerës së produktit ose mallrave të magazinuar nga vetë prodhuesit, sipas çmimeve të intervenimit, për t’u transportuar në një kohë të afërt.
- Garantimi i kredive bankare për huamarrësit, kryesisht për blerjen e drithrave.
Sikurse shihet, autorizimi nga ATB i firmave të ndryshme blerëse apo magazinuese, do të ligjëronte një kusht për të fituar kredi preferenciale. Të gjitha shpenzimet që lidhen me autorizimet, do të përballohen nga kërkuesi i tij. Agjencia do të tërheqë drithin sipas kushteve të vendosura në kontratë edhe kur çmimi në treg është nën çmimin intervenues. Në këtë rast, Agjencia blen produktin duke paguar një përqindje shtesë mbi çmimin intervenues,po ashtu edhe shpenzimet e magazinimit. Pagesa në avancë do të bëhet për prodhuesit që do të magazinojnë për një periudhë të caktuar kohe dhe në masën psh. Jo më shumë se 45 % të vlerës së produktit të magazinuar.

Përveç këtyre aktiviteteve, ATB-së mund t’i lihet edhe detyra e kryerjes së importeve për produkte bujqësore direkt vetë ose duke liçensuar firma të tjera. Në këtë mënyrë mund të sigurohen mjete të konsiderueshme financiare për buxhetin e Agjencisë.