Jump to content

75 vjet më parë fashistët digjnin Tragjasin

Nga Wikibooks

Guri Shyti

Viti 1943 është quajtur viti i kthesës së madhe në skakierën e Luftës së Dytë Botërore, pasi, fitorja historike në Betejën e Stalingradit, apo në betejat e tjera të zhvilluara në Frontin Lindor, ashtu si edhe aksionet e shpeshta luftarake të popujve të pushtuar nga trupat e Boshtit, kishin bërë që bisha fashiste, jo vetëm ta humbiste atë vrullin e fillimit, por të shikonte me shqetësim fundin e pashmangshëm të saj. Rezultat i kësaj situate të favorshme ishte edhe shkarkimi i Mussolinit nga posti i diktatorit, në Itali, dhe vendosja në vend të tij e një mareshalli më pak arrogant e mendjemadh se paraardhësi, por jo më pak mizor.

Në kuadrin e gjithë qëndresës antifashiste europiane edhe në Shqipëri ishin shtuar forcat kryengritëse dhe ishin intensifikuar aksionet luftarake të tyre kundër pushtuesve fashistë. Lufta partizane kishte rritur përmasat e saj, aq sa u ndje e domosdoshme të krijohej një shtab udhëheqës për koordinimin e veprimeve luftarake.

Pikërisht në këtë periudhë, kur mendohej se ushtria fashiste italiane nuk e kishte më forcën e dikurshme goditëse, kur mendohej se vetë perandoria fashiste ishte duke “dhënë shpirt”, në drejtim të fshatit Tragjas u nisën forca të shumta për ta nënshtruar atë që, me veprimtarinë antifashiste, i kishte shkaktuar jo pak telashe komandës së forcave pushtuese në Vlorë dhe më gjerë.

Tragjasi, për ata që nuk e njohin, ishte (ndjej dhembje që detyrohem të flas në kohë të shkuar) një fshat me bukuri të rrallë. I ngritur në disa kodra rreth 300 metra mbi nivelin e detit, ai ngjante si një tufë pëllumbash të bardhë që, të lodhur në fluturimin e gjatë, kishin ndaluar majë atyre kodrave për të pushuar, por edhe për të soditur gjiun e kaltër të Vlorës, përballë me Sazanin dhe Karaburunin në “rojë”. Emri i fshatit, vjen nga fjala etruske “tregast”, ashtu si edhe Trieste e Italisë. Kjo do të thotë se daton përpara erës romake, dhe këtë e thonë vetë studjuesit italianë.

Pa dashur të thellohem në histori, duhet të theksoj se Tragjasasit asnjëherë nuk janë pajtuar me pushtuesit dhe kurrë nuk i kanë pranuar padrejtësitë, prandaj edhe janë ngritur në luftë kundër tyre. Këtë e tregon më së miri fakti që, sipas këngëve popullore të mbetura brez pas brezi, në kryengritjet e shpeshta antiosmane morën pjesë masivisht fshatarët e Tragjasit, të udhëhequr nga Mahmut Hoxha, Kamber Delua, Numan Bala, më vonë Alem Mehmeti etj. Tragjasasit nuk iu nënshtruan as Ali Pashë Tepelenës, prandaj ai e ndëshkoi gjithë fshatin me shpërngulje për shumë vjet, duke ia lënë tokat djerr. Në kohën e kryengritjeve të Tanzimatit çeta të Tragjasit luftuan heroikisht kundër hordhive osmane deri në Sinjë dhe Konisbaltë të Beratit. Edhe në Luftën e Vlorës, në v. 1920, tragjasi mori pjesë masivisht dhe i dha Atdheut tre dëshmorë.

Tragjasi ka një të kaluar të lavdishme edhe në fushën e arsimit dhe kulturës. Mjafton të përmendim se shkolla e parë shqipe në Tragjas është hapur ndër të parat në vend, qysh në v. 1908, viti i Kongresit të Manastirit; që rrugën e kurbetit e morën mbi njëqind djem të tragjasit për të punuar, por edhe për të përfituar nga kultura e atyre vendeve. Tragjasi ka qenë i vetmi fshat në qarkun e Vlorës që shkollën fillore e kishte me pesë klasë, të tjerat ishin vetëm me tre ose katër klasë. Si vërtetim i dëshirës së tragjasasve për kulturë është edhe fakti unikal që, vetë fshatarët jepnin ndihmesën e tyre në para’, pa i detyruar kush, për shkollimin e nxënësve të dalluar nga fshati, deri edhe jashtë shtetit. Këto shtysa bënë që Tragjasi, përpara luftës, të kishte njerëz me shkollë të lartë dhe të mesme aq sa gati i gjithë qarku i Vlorës.

Pas pushtimit fashist, ishin pikërisht djemtë e shkolluar të Tragjasit pishtarët e parë të luftës për liri. Gati i gjithë fshati u lidh pazgjidhmërisht me Luftën Atifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte nga Tragjasi djaloshi Shyqyri Alimerko (Hero i Popullit), i cili, në gusht të v. 1941, u vuri zjarrin depove mijëratonëshe me municionet italiane, në Radhimë, që përgatiteshin të dërgoheshin në frontin e luftës italo-greke. Pikërisht në Tragjas e kishte bazën e vet kryesore edhe çeta e parë e organizuar partizane, që mori emrin “Çeta Plakë e Vlorës”.

Për të thyer qëndresën e këtyre fshatarëve, në kapërcyellin e viteve 1942-43, me urdhër të kryeministrit kuisling M. Kruja u dërguan dy regjimente mercenare, me në krye tradhëtarët dhe kriminelët H. Alia e S. Kaloshi, të cilët pas shumë krimeve ndaj fshatarëve të pambrojtur, u detyruan të largoheshin me turp nga sulmi i forcave partizane. Në Tragjas e pati bazën kryesore përballja me padrejtësitë që filluan të bëheshin gjatë luftës, edhe me ndikimin e të dërguarve jugosllavë, të cilën historiografia e kohës e quajti “Fraksioni i Vlorës”.

Në këtë situatë të ndezur luftarake, më 5 gusht të v. 1943, në drejtim të Tragjasit u nisën forca ushtarake italiane të përbëra nga rreth 2500 ushtarë e oficerë të armatosur deri në dhëmbë.

Ndonëse në mbrojtje të fshatit morën pjesë të gjithë ata që ishin në gjendje të përdornin pushkën, duke u fshirë përkohësisht edhe dasitë ideoologjike që ishin krijuar, madje kishte ardhur në ndihmë edhe batalioni “Ismail Qemali”, i udhëhequr nga H. Kapo, gjithsesi, forcat partizane të fshatit, si nga sasia dhe nga armatimi, ishin tejet të pamjaftueshme për t’iu kundërvënë me sukses forcave të shumta armike. Kundër luftëtarëve që mbronin fshatin e tyre armiku përdori artileri, mortaja dhe, sidomos dy-tre avionë, të cilët, duke ndërruar njëri-tjetrin, mitralonin dhe bombardonin, jo vetëm luftëtarët e vendosur në front, por edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin fshehur në malin e Lungarës.

Megjithë vrullin luftarak të forcave mbrojtëse të fshatit, me gjithë dëshirën e mirë ta sprapsnin armikun dhe të mos e linin të futej në fshat, gjithsesi, taktika e luftës partizane na mëson se luftimet frontale janë raste shumë të rralla dhe vetëm në situata të detyrueshme, shumë të veçanta, prandaj parrulla e luftës partizane është: “Godit si rrufeja dhe zhduku si era”; ndërsa një rregull tjetër edhe më i rëndësishëm i luftës është që, përpara se të hysh në një betejë frontale, duhet të bësh raportin e forcave dhe të mjeteve; vetëm atëherë kur ky raport është i pranueshëm, mund të futesh të luftosh. Por, siç e theksuam, në rastin konkret u shkelën të dyja kërkesat, pasi raporti i forcave, si në trupa, por sidomos në teknikë luftarake, ishte dhjetra herë në favor të armikut. Në ato kushte çetat partizane duhej të goditnin dhe të tërhiqeshin në pozicione më të sigurta. Në Tragjas kjo nuk ndodhi. Komanduesit e forcave partizane dhe kryesisht H. Kapoja, vendosi të organizonte “mbrojtjen e fshatit” me forcat e tij tejet të pamjaftueshme. Si përfundim, pas dy ditë luftimesh të përgjakshme, pasi u thyen disa sulme të armikut, forcat partizane u detyruan të tërhiqeshin duke e lënë Tragjasin në mëshirën e fashistëve.

Në këto kushte, armiqtë, të inatosur, si nga gjendja e brendshme e Italisë, por, sidomos nga humbjet që pësuan gjatë luftimit, të cilat, duhet thënë, ishin të shumta, në mëngjesin e 7 gushtit të v. 1943, si bisha të plagosura, u futën me pishë në dorë dhe i vunë zjarrin pothuajse të gjithë fshatit. Nga treqind shtëpitë e Tragjasit, mbijetuan vetëm rreth njëzet.

Dhe populli siç është zakon në ato treva, e qau me këngë: “Shokë do këndoj një këngë/ Do këndoj për fshatin tënë/ Fashizmi na bëri gjëmë/ E dogji me gjithë rrënjë/ Nukë la shtëpi në këmbë”.

Gjithsesi, pavarësisht nga problemet e organizimit, epopeja e Tragjasit hedh poshtë edhe një herë me neveri pretendimet e pinjollëve të bashkëpunëtorëve të fashizmit se: “Në Shqipëri nuk është luftuar”, apo pretendimin edhe më absurd se: “Luftën e ka bërë kinostudio në filmat e saj”.

Vlen të theksohet një fakt domethënës. Pikërisht ata ushtarë dhe oficerë italianë, që morën pjesë në djegien e fshatit, pasi kapitulloi Italia, vetëm një muaj më vonë, më 8 shtator 1943, erdhën tufa-tufa në fshat për t’u shpëtuar raprezaljeve të gjermanëve. Fshatarët fisnikë të Tragjasit, jo vetëm nuk i përzunë ish-armiqtë, por i strehuan brenda mureve të shtëpive të djegura po prej atyre ushtarëve dhe i ushqyen me bukën e misrit të fëmijëve të vet, nga ajo që kishte mbetur pasi, po ata ushtarë ua kishin djegur në hambarët e shtëpive.

Fatin e Tragjasit, d.m.th. shkrumbimin e skajshëm, nuk e pati asnjë fshat tjetër, jo vetëm në Vlorë, por edhe në krahina të tjera. Natyrshëm lind pyetja: Pse Tragjasi? Pse pikërisht në luftën e Tragjasit duhej të shkeleshin ato rregulla, që nuk ishin shkelur më parë dhe nuk u shkelën më vonë, pothuaj gjatë gjithë aksioneve luftarake të partizanëve? Dhe natyrshëm lindin dyshimet. Mos ishte kjo hakmarrje ndaj faktit që Tragjasi, si kundërshtar i padrejtësive që ishte, përkrahu fuqimisht prirjen demokratike gjatë luftës, d.m.th. “fraksionin”? Them se po. Për të vërtetuar këtë hamendje mund të përmendim disa fakte: M. Shehu, gjatë qeverisjes së tij prej disa dekadash, nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur, madje edhe në fshatra që e kishin pritur me pushkë dhe e kishin gjakosur brigadën e tij gjatë luftës, ndërsa në Tragjas nuk shkoi asnjëherë, ose, më saktë, shkoi vetëm një herë, në v. 1967, dhe deklaroi përpara fshatarëve se: “Nuk kam ardhur për Tragjasin, por për nysafirët nga Malësia e Madhe”. Për këtë argument ka edhe fakte të tjera që i kanë lënë në kujtimet e tyre njerëz të nderuar të Tragjasit dhe që e vërtetojnë hamendjen tonë. Një fakt tjetër është nisma e H. Kapos, i cili, pas çlirimit, i bëri një gjëmë tjetër fshatit duke e shpërngulur nga trojet e të parëve për të ndërtuar nga e para një fshat të ri, me mundime të patreguara të fshatarëve, edhe ashtu të sfilitur nga lufta, duke zënë tokat e bukës dhe përmbi burimet e ujit të Izvorit, gjë që e ka vënë në dyshim pastërtinë kristalore të tij. Është edhe diçka tjetër që na shtyn të bëjmë hamendësimin e mësipërm: Tragjasit, i cili u ngrit ndër të parët në luftën çlirimtare, që i dha Atdheut mbi dyzet heroj populli e dëshmorë dhe që, ndër të parët përqafoi reformat revolucionarizuese të pas çlirimit, nuk iu dha asnjë dekoratë, ose titull nderi, siç ndodhi me shumë fshatra të tjera. Madje nuk përmendet as në shkrimet e herëpashershme që flasin për masakrat fashiste, sikur Tragjasi të mos figuronte në hartën e Shqipërisë.

Gjendja në të cilën është katandisur ai fshat heroik, në të gjitha aspektet, është aq tragjike sa edhe ne, të lindurit atje, na tremb dhe na shkakton dhembje të thellë. Me të drejtë një poet nga fshati ka shkruar, midis të tjerave: “…Veç gërmadha. Ferrat gjembat,/ Sokakët kanë mbuluar./ Kjo plagë zemrën ma shembi,/ Plagë që s’ka të shëruar…/

Le të shpresojmë që projekti i “100 fshatrave”, i ndërmarrë nga qeveria Rama dhe ku përfshihet edhe Tragjasi, do ta gjallërojë paksa atë trevë të pasur nga shumëçka, por të varfër për nga kujdesi njerëzor.


7 Gusht 2018