42 vite pas ndërtimit, rikonstruktohet shkolla e Velipojës
Shkolla “Nikollë Zogorjani” është e vetmja shkollë në Velipojë e ndërtuar prej 1972, por që prej 42 vitesh nuk kishte pësuar ndryshim, përveçse disa ndërhyrjeve të vogla. Këtë vit shkolla do të mirëpresë 370 nxënësit e saj në ambiente të reja.
Mësuese Prenda Çardaku ka dhënë mësim prej 20 vitesh në këtë shkollë dhe tregon se “Nikollë Zogorjani” është një shkollë me tradita të mira, por godina kishte degraduar, çka kishte çuar dhe në largimin e nxënësve. Duke falënderuar ministrin Bushati dhe donatorët për kushtet e reja të godinës, ajo nuk e fsheh dëshirën për të dhënë mësim sërish, por tashmë në ambiente tërësisht të transformuara.
Ndërsa prindërit tregojnë se i kanë sjellë fëmijët në shkollën e degraduar vetëm për shkak të përkushtimit të mësuesve.
“Vetëm për përkushtimin e mësueve që kishin, kemi sjellë fëmijët këtu. Kam qenë dhe ish nxënëse këtu, ndërsa sot si prind jam shumë e kënaqur se si do e nisin sivjet vitin shkollor këta fëmijë. E falënderoj shumë drejtoreshën dhe fëmijët ta gëzojnë këtë shkollë”, thotë Elida Lika, prind.
Eugena, sot është studente por ka qenë nxënëse e shkollës “Nikollë Zagorjani” dhe thotë se me rikonstruksionin e shkollës është shpërblyer mundi i mësuesve.
Rikonstruksioni i plotë i shkollës kap vlerën 340 milionë lekë, dhe përfshin klasat e reja, ambientet e jashtme, instalimin e sistemit të ngrohjes dhe sistemit elektrik. Fenomeni i braktisjes se shkollës as nuk ekziston si term edhe pse, një pjesë e mirë e familjëve jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike. Maturantët e vjetshëm kanë patur një rritje kalueshmerie prej 14% me vitin paraardhës.
15 shtator 2018