Jump to content

2 i Kronikave - Kapitulli 21

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< 2 I KRONIKAVE >
Kapitulli 21
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36


1 Pastaj Jozafati pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën me ta në qytetin e Davidit. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jehorami.

2 Ai kishte vëllezër, bij të Jozafatit: Azariahun, Jehielin, Zakarian, Azariahun, Mikaelin dhe Shefatiahun; tërë këta ishin bij të Jozafatit, mbretit të Izraelit.

3 I ati u bëri atyre dhurata të mëdha prej argjendi, ari dhe sende të çmueshme, bashkë me qytete të fortifikuara në Judë, por ia dha mbretërinë Jehoramit, sepse ishte i parëlinduri.

4 Por kur Jehorami shtiu në dorë mbretërinë e atit të tij dhe u përforcua, vrau me shpatë tërë vëllezërit e tij dhe disa krerë të Izraelit.

5 Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.

6 Ai ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.

7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërrojë shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t'i jepte atij dhe bijve të tij një llambë përgjithmonë.

8 Gjatë ditëve të mbretërisë së tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi një mbret.

9 Atëherë Jehorami u nis me komandantët e tij dhe me të gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, natën dhe i mundi Edomitët, që e kishin rrethuar atë dhe komandantët e qerreve të tij.

10 Kështu Edomi nuk iu nënshtrua pushtetit të Judës deri ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye kundër pushtetit të tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.

11 Edhe Jehorami ndërtoi vende të larta në malet e Judës, i shtyu banorët e Jeruzalemit në rrugën e kurvërimit dhe largoi Judën.

12 Atëherë i erdhi një shkrim nga profeti Elia, në të cilën thuhej: "Kështu i thotë Zoti, Perëndia i Davditi, atit tënd: "Meqë nuk ke ndjekur rrugët e Jozafatit, atit tënd, dhe rrugët e Asas, mbretit të Judës,

13 por ke ndjekur rrugët e mbretërve të Izraelit dhe ke shtyrë në rrugën e kurvërimit Judën dhe banorët e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar shtëpia e Ashabit, dhe ke vrarë vëllezërit e tu, vetë familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti,

14 ja, Zoti do të godasë me një fatkeqësi të madhe popullin tënd, fëmijët e tu, bashkëshortet e tua dhe gjithçka që ti zotëron;

15 ti vetë do të goditesh nga sëmundje shumë të rënda, nga një sëmundje e zorrëve që do të të nxjerrë çdo ditë pak e nga pak zorrët"".

16 Përveç kësaj Zoti zgjoi kundër Jehoramit frymën e Filistejve dhe të Arabëve, që banojnë pranë Etiopasve;

17 dhe këta dolën kundër Judës, e pushtuan dhe morën me vete tërë pasuritë që gjetën në pallatin mbretëror, duke përfshirë bijtë dhe gratë e tij; kështu nuk i mbeti asnjë bir përveç Jehoahazit, më i vogli prej bijve të tij.

18 Mbas tërë kësaj Zoti e goditi në zorrët me një sëmundje të pashërueshme.

19 Kështu, me kalimin e kohës, në fund të vitit të dytë, nga shkaku i sëmundjes, zorrët i dolën jashtë dhe vdiq duke hequr mundime të tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume për nder të tij, ashtu si kishte bërë për etërit e tij.

20 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem. Iku pa lënë keqardhje; e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.