120 vjet më parë: Elegancë dhe virgjëri e shpirtit malësor

Nga Wikibooks

Nga shënimet dhe fotot, kur këto ishin ende luks, të konsullit francez Degrand në Shqipërinë e Epërme

Zylyftar Hoxha

Nëse të huajt që kanë kaluar në Shqipërinë e Veriut apo edhe në treva të tjera shqiptare në shekullin e 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të nuk do të kishin lënë shënime, historia e Shqipërisë do të kishte një vakuum të madh dhe të pariparueshëm. Por lumturisht, udhëtarët e huaj e kanë shkruar kronikën e atyre viteve, madje shumë më tepër se një kronikë udhëtimesh: ata shkruajtën histori njerëzore, ku ngjizen fate, ngjarje, luftra, këngë e vdekje heronjsh, tradita e supersticione.

Një nga këta udhëtarë është edhe konsulli francez në Shkodër, August Degrand, i cili ka fiksuar dhe imazhe e portrete që sot përbëjnë një pasuri të jashtëzakonëshme, imazhe që na sjellin një kohë që nuk ekziston më.

Po kush është Zhyl Aleksandrë Degrand?

Ish-diplomati, shkrimtari dhe studiuesi i njohur në Paris, Luan Rama ka sjellë në shqip një informacion mjaft të plotë dhe të gjerë për të. Ndër të tjera ai ka sjellë e dhe biografinë e tij.

Diplomati dhe shkrimtari francez, baroni Zhyl Aleksandrë Teodor Dëgran (Jules Alexandre Théodore Degrand, 1844-1911) lindi në Paris dhe punoi për shërbimin e jashtëm francez. Në vitin 1874 ishte kancelar i konsullatës franceze në Galati të Rumanisë. Atje bashkëpunoi në vitin tjetër me konsullin dhe arkeologun amator, Sharl Shampuazo (Charles Champoiseau, 1830-1909) i cili, dhjetë vjet më parë kishte zbuluar statujën e “Fitores Fluturake të Samotraqisë” e cila ndodhet në muzeun e Luvrit.

Me 20 mars 1880, Dëgrani u transferua në legatën franceze të Bukureshtit dhe në vitin 1882 ishte zëvendëskonsull në Konstancë. Në vitet 1893-1899, baroni Dëgran ishte konsulli francez i Shkodrës. Ai ishte tepër i interesuar për historinë e rajonit, në veçanti për parahistorinë dhe kohën antike dhe vizitoi kalatë, kishat mesjetare dhe gërmime, duke shënuar çfarë pa dhe mësoi nga njerëzit që takoi.

Dy vjet pas largimit të tij nga Shqipëria, botoi librin Souvenirs de la Haute-Albanie (Kujtime nga Shqipëria e Epërmë), Paris 1901, një udhëpërshkrim i mirëdokumentuar i Veriut të Shqipërisë, me shumë fotografi të jashtëzakonshme. Objektet që gjeti në nekropolin e kalasë së Dalmacës dhe në varret ilire të Komanit ndodhen sot në Muzeun Kombëtar të Antikiteteve në San Zherman an Le (Saint Germain en Laye) pranë Parisit, dikur seli e mbretërve të Francës, një muze ky i krijuar nga Louis XIV. Edhe sot, gjetjet e Komanit, janë të ekspozuara në Sallën e “Arkeologjisë së Krahasuar”, ku një kënd mban mbishkrimin “Albanie”, për të dëshmuar kështu për qytetërimet e hershme evropiane në Ballkan. Por shpejt, ai do t’i rikthehej përsëri Ballkanit, kësaj radhe si konsull në Mostar, ku do të ulej të shkruante librin e tij me kujtime nga Shqipëria.

Për gjashtë vjet me radhë, nga vitit 1893 deri më 1899, Auguste Degrand kishte qënë konsulli francez në Shkodër dhe nëpër vite, në udhëtimet e tij në veriun shqiptar, ai kishte shënuar ngjarje, fakte, biseda e ndodhi të çuditshme, që më pas do t’i botonte në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” (Souvenirs de la Haute Albanie), të botuar në vitin 1901. Duke lexuar këtë libër kupton pasionin e këtij konsulli për të deshifruar jetën dhe historinë shqiptare. Ai shënon gjithçka që i sheh syri dhe e dëgjon në bisedat me malësorët, përshkruan vëndet ku shkel, kishat e rrënuara mesjetare, qytezat e dikurshme të bratisura tashmë nga njerëzit, mbishkrime në gurë apo stela funerare që flasin për një histori të madhe dhe të lashtë.

Degrand udhëtonte me kalë dhe i shoqëruar nga drogmanë, pra përkthyes, çka në atë kohë, në perandorinë otomane ishte kthyer në një profesion të vërtetë. Fillimthi, ai ka udhëtuar nga Ulqini për të ardhur drejt Shkodrës, ku i duhet të kapërcejë Bunën me trap. Kur hyn në Shkodër ai habitet me gjelbërimin e madh përgjatë rrugës, ku udhëtari pikëtakon shkurret dhe pemët e shegëve, manave, fiqve, luleshelgët në ngjyrë rozë. Portat e mëdha të shtëpive, shkruan ai, janë të mbërthyera me gozhdë të mëdha, disa syresh kanë frëngji. Rrugët kanë trotuare të lartë e me kalldrëm. Ai fotografon shtëpitë, çardakët, diku një oxhak të mrekullueshëm shtëpie që është një vepër më vete arti e që të kujton Perëndimin. Për kështjellën e Shkodrës, ai na kujton një tablo të Paolo Veronese-s, e cila zbukuron sallën e Këshillit të Madh të Venedikut dhe që i kushtohet mbrojtjes së Shkodrës nga Antonio Loredano dhe ku shkruhet “Scodra, bellico anni apparatu din vehementerque a Turco appugnata, açerima propugnatione retinetur”.

Padyshim që Degrand e ka njohur mirë qytetin e Shkodrës ku kishte dhe selinë e konsullatës së tij. Ai jetoi atje në një kohë kur edhe pse ende nën pushtimin otoman, shqiptarët mendonin tashmë për pavarësinë e tyre, ashtu si dhe serbët e malazezët. Nuk dimë nëse Degrand, si një apasionues i fotografisë, ka shkruar për Marubin, i cili në atë kohë ishte referencë e fotografisë me “Dritëshkronjën” e tij.

Dëgrand, një arkeolog klasi

Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, pasioni më i madh i Degrand-it ishin kishat dhe qytezat mesjetare, të cilat askush nuk i kishte shëtitur më parë. “Tri orë larg nga Shkodra, – shkruan ai, – udhëtari që shkon me këmbë për në Tivar, shikon në të majtë një kodrinë shkëmbore me një gri të trishtë. Në majë shihen ca rrënoja që duken sikur përpiqen të ngrihen lart mbi shegët e egra. Eshtë Kisha e Madonës së Shasit.” Për këtë kishë, ai shkruan se pikërisht këtu kishte jetuar peshkopi i emëruar nga Papa Clement VII më 1530, por që Farlati nuk na e shkruan emrin e tij. Më pas, Degrand shkon në Gajtan, i cili është një orë larg Shkodrës dhe ku ai gjen fibula të lashta bronxi, copëza amforash e monedha shumë të vjetra të flasin për nje qytetërim të lashtë, madje dhe një monedhë argjendi të Apollonisë së Ilirisë, si dhe 20 monedha bronxi të prodhuara në qytetin e Shkodrës, njëra prej të cilave me kokën e Jupiterit. Më tutje, dy orë me kale ndodhet Danja. Duhet të ndjekësh kodrinat përgjatë lumit Drin, por gjithçka që sheh, flet veç për braktisjen e këtyre vendeve historike. Ai ndalon të fotografojë Shapelën e Madonës, (Chapelle de la Madonne), dhe rrënojat e kishës së vogël të ngritur nga Skënderbeu e ndërtuar me gurë të bardhë e të kuq, plot dekorime e një vitrazh, ngritur “pas një fitoreje mbi ushtrinë veneciane” siç shkruan ai. “Nga një Shën Gjergj që lufton mbi kalë në sulm e sipër, ka mbetur vetëm trupi i tij i mbërthyer në hekura… një harresë e pafund dhe absolute që ndjell veç dhimbje”.

Zbulimi më i madh i tij, Sarda dhe Komani

Kur shkon në Sardën mesjetare, Degrand gjen veçse rrënoja. Eshtë Sarda antike që siç shkruan ai në librin e tij, përmëndet nga historiani i lashtë Etienne i Bazancit dhe gjeografë të tjerë të kohës antike. Ptolemeo shkruan për banorët “Sardiotae”, Straboni grek për “Sardiaci”, Plini romak për “Sardiatoc”… Degrand habitet që në këtë anë nuk jetojnë më njerëz, në një qytezë kaq me emër që dikur kishte katedrale e peshkopë. Mbi rrënojat dhe me gurët e dikurshëm të katedrales, banorët kishin ngritur një kishë, që siç shkruante Daniele Farlati ishte Kisha e Lindjes së Virgjëreshës, me një pllakë që datonte e vitit 1410. “Në dysheme ka shumë varre, – shkruan Degrand, – madje dhe të reja. Vdekja sikur e ka pushtuar këtë kishë. Mbi secilin varr janë degët e pemëve që kanë mbajtur të vdekurin dhe në kokë të varrit duken kryqet e drurit, që me krahët e tyre u japin atyre pamje të qënieve fantastike, sikur ato qënie të ngrihen nga toka duke mbajtur me ato duar të përdredhura kokat e tyre… Mbi kokë, dhe në çdonjërin sup qëndron një zog i gdhëndur në dru, çka i bën ato si qënie që jetojnë në hapësirë”… Dhe konsulli lë pas këtë “bodrum të vdekurish” siç e quan ai kishën, për të ndjekur rrugën drejt kishave të tjera mesjetare. Një inventar padyshim historik, pasi rreth e rrotull kështjellës së Rozafës, ai do të pikëtakonte tetë kisha të hershme, mes të cilave, siç shkruan ai, Kishën e Shenjtëve të Pafajshëm dhe atë të Shën Pjetrit.

Në Mirditë…

Një nga udhëtimet interesante të konsullit francez ishte dhe ai në drejtim të Mirditës, Oroshit, vënde që më parë i kishin shkelur disa udhëtarë të tjerë francezë, njëri prej të cilëve etnografi Guillaume Lejean, meqë sipas një traktati me Francën, katolikët e Mirditës prej shumë kohësh kishin mbrojtjen e mbretit të Francës. Udhëtimi nëpër Mirditë është i vështirë. Së pari katër orë nëpër lumë me një barkë të një modeli të vjetër, madje katër shekullor, siç thotë ai, barka të gjata e të holla që ai i ka parë madje dhe në monedhat e vjetra bizantine. Me vete ka një drogman si dhe një mirditor të quajtur Zef, nga Mnella. Në Mnellë ata ndalojnë të shlodhen dhe takohen me priftin e njohur Don Domenico. “Miku është i shenjtë, – shkruan Degrand. – Eshtë i dërguari i Zotit ! Sado të varfër të jenë, malësorët janë krenarë të presin miq!” Më pas, të shoqëruar dhe nga Don Domenico, ata u ngjitën gërxheve malore, ngjisin atë që quhet Shkalla e Malit, kalojnë urën e Fanit dhe marrin drejt Malit të Shenjtë, Shën Gjergjit, ku pas një udhe prej 12 orësh mbi kuaj, ata i pret Don Antonio Maggiore. Në Orosh është qendra e Mirditës. Prenk Bib Doda, biri i vetëm i prijësit të fundit, ka ikur në mërgim diku nga Azia, i përndjekur nga turqit dhe kulla e tij ishte djegur me urdhër të guvernatorit të Shkodrës. Pikërisht në Orosh, Degrand njihet me Monsignor Primo Doçi, një prift shqiptar. Bashkë vizitojnë Kishën e Aleksandrit, ku Degrand gjen një kryq me një mbishkrim interesant: “Këtë kryq argjendi e ka bërë Pal Dukagjini në vitin 1447”, kryq që u dëmtua nga zjarri që kishte rënë në kishë më 1896. Pikërisht në Mirditë, Degrand njihet më hollësisht me ligjet e Kanunit dhe të Gjakmarrjes.

…dhe në Shqipërinë e Mesme

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Degrand vizitoi dhe Shqipërinë e Mesme. Duke zbritur drejt jugut, ai tregon për vizitën në kështjellën e Lezhës, ku pamja që i ofrohet para syve e impresionon me imazhet e Krujës, bregut shqiptar të Adriatikut dhe tutje siluetat e Durrachiumit të lashtë. “Pikërisht këtu ka vdekur Konstandin Duka duke luftuar me trupat e Robert Guiscard”- shkruan ai, pa harruar të përmëndë tërmetet e mëdha që shembën tempujt e hatashëm të tij, apo historinë e Hygut të Madh (kryqtar i famshëm frank) anijet e të cilit u mbytën në brigjet e këtij qyteti. “Për tetë orë, një kalë i mirë ju çon nga Durrësi në Tiranë… Shumë bejlerë të Tiranës vishen në mënyrë evropiane, flasin e shkruajnë shumë bukur frëngjishten. Madje ketej kam dëgjuar dikë të këndojë një këngë të ngjashme me “Marsejezën”. Kjo kishte ndodhur në shtëpinë e Fuat Beut, i cili e kishte pritur baronin francez i veshur në mënyrë evropiane dhe ku fëmijët e tij studionin në Paris.



NDJESHMËRI

Sy dhe shpirtra që flasin

Ato gra e vajza, ata malësorë të fiksuar në objektivin e aparatit fotografik, dëshmojnë për një tipologji të cakuar njerëzore, fytyra që i përkasin një kombi të caktuar, një drame dhe historie, ku qytetërimi perëndimor ende nuk ka zbritur e ku ligji është ende i pashkruar. E, megjithatë, në ato portrete të fiksuara nga konsulli francez, ka një humanizëm të veçantë. Janë sy dhe shpirtra që flasin. Dhe ajo çka është më interesante, është se këto fotografi nuk janë shkrepje të çastit, të papritura dhe fiksime fshehtazi të një realiteti siç ndodh në kohrat moderne. Jo! Ata burra, gra dhe vajza, pozojnë para aparatit, të paqtë, të çiltërt dhe me zemër të hapur, siç ishte vetë mikpritja e tyre për të huajin, çka në ato male ishte e shenjtë: “Shtëpia e malësorit ishte e Zotit dhe e mikut!…”

Lulet e bjeshkëve në rrobat e shqiptarëve

Qyteti i Shkodrës është ai që e tërheq më shumë: hanet janë plot zhurmë dhe argjendarët duket se janë krenaria e këtij pazari. “Pas pazarit të Stambollit ia vlen t’a vizitosh pazarin e Shkodrës, – shkruan ai për atë pazar që shtrihej e zgjatej buzë rrugës mbi dy kilometra. Një përshtypje akoma më të madhe i bëjnë mjediset e brëndëshme të shtëpive shkodrane, me orendi të rënda dhe jastekë të ardhur nga Gjenova e Venediku. “Larmia e pafund e kostumeve, sidomos e grave, është këtu e jashtëzakonshme; gra mirditore nga Shkreli e Shllaku, veshur me xhubletat e rënda prej leshi kuq e zi, me bluzat e me pala e të zbukuruara nga supore me thekë të kuq leshi, të shtrënguara me rrip të gozhduar e kallajisur, me kësulën e zezë mbi kokë e zbukuruar me argjend; gra mirditore, sllave nga Vraka me gërshetat e zeza të vajisura me kujdes e zbukuruar me guaska të bardha, me rripa të gjerë prej bakri, me rroba të fryra e të rënda zbukuruar me pllaka të prera bakri; gra nga Shala, të njohura për bukurinë e tyre, malësore të veshura me rrobat e tyre të festës, plot stoli të mëdha prej argjendi… kalojnë para jush plot elegancë e me pushtet.” Vështrimi i tij është aq i mprehtë, sa ai nuk harron të shkruajë përsëri për bestytnitë e malsorëve të veriut, besimin tek xhindet, tek shpirti i së keqes, syrit të keq, etj.

Gruaja shkodrane, nimfë me një hir poetik tronditës

Konsulli francez tregon një interesim të veçantë për tipologjinë e gruas shkodrane, të cilat i ka fotografuar nga afër. Ato janë muslimane, të krishtera… ai tregon për veshjet e tyre, për martesat dhe ritin e dasmave, madje dhe për detaje që tregojnë jetën e vërtetë të një qytetit, siç ndodh kur tregon për “prostitutat muslimane” në rrugë, apo për ndasitë fetare, kur një grua kristiane që shiste fruta në rrugë, kur i shkoi një musliman t’i blinte, ajo i tha se nuk i shiste dhe se menjëherë kur kaloi një nga shoqëruesit e mij, ajo ia afroi atij pa pagesë. “Kur një grua është e bukur, – shkruan Degrand, – ato gra që e pikëtakojnë në rrugë, i thonë: “Vdeksh menjëherë” (Të martë mortja !), – duke shtuar se, – më mirë të vdiste shpejt, pa përjetuar humbjen e bukurisë dhe plakjen.” Dhe ai bëhet kureshtar kur ndesh në rrugë ato gra muslimane apo katolike me kokë të mbuluar. “Ja një shqiptare muslimane me një hir poetik, e veshur bukur me një dolloma ngjyrë blu. Kjo figurë, kjo enigmë tërheqëse rrëshqet pranë jush me ato tipare që spikasin fare pak, me lëkurë në të bardhë, në të cilën shquhen dy sy orientalë, dy sy të thellë e tronditës si të sfinksit, duke ju vështruar drejtë e me një pamje hijerëndë”.


10 Qershor 2018