Jump to content

110 vjet më pas, të pathënat e Kongresit të Manastirit

Nga Wikibooks

Prof. Xhevat Lloshi

Ngjarjet madhore nganjëherë rrëfehen si histori rozë për gocat. Një nga arsyet është se vështrohen të shkëputura nga rrethanat reale të njerëzve që marrin pjesë, nga marrëdhëniet ndërmjet tyre, nga karakteret, nga interesat materiale dhe nga ambiciet e tyre, që të gjitha pjesë e natyrës njerëzore, e cila për më tepër është në një ecuri me ndryshime në rrjedhën e kohës, sepse në fund të fundit njerëzit nuk janë shenjtorë e do të shtoja, se vetë shenjtorët nuk kanë qenë edhe aq të shenjtë.

Me Kongresin e Manastirit për shembull, të cilit sapo i festuam 110-vjetorin, lidhen dy emra të njohur njerëzish realë.

Rrëfimi nis pak më herët sesa viti 1908.

Në faqet e “Albanisë” që e botonte Faik Konica nga viti 1897, kishte nisur një debat, në të cilin autorët shprehnin parapëlqimet e tyre kundrejt alfabeteve. Kjo ka rëndësi për të ditur se me çfarë pikëpamjesh do të vinin në Manastir delegatët. Vetë Konica ishte kundër alfabetit të Stambollit dhe nuk pëlqente as alfabetin e autorëve të vjetër, por anonte më shumë nga ai i Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës.

Meqë mëtonte (nr. 7, 1897) se nga 387 letra të ardhura për revistën, vetëm 103 ishin me alfabetin e Stambollit, u detyrua Mit’hat Frashëri t’i përgjigjej (nr. 10), se përkundrazi, ky ishte më i miri, më i bukuri dhe pa asnjë të metë, prandaj nuk kishte lëkundje për ta bërë të pranuar nga të gjithë alfabetin e Stambollit. Dy qëndrime ashpërsisht të kundërta ishin përvijuar pa u mbyllur shekulli XIX.

Idenë përbuzëse për shqiptarët, se nuk do të ishin vetë në gjendje të përcaktonin alfabetin përfundimtar, Konica e ka vënë në zbatim, duke u dërguar një letër frëngjisht (nr. 6, 1898) albanologëve që të jepnin një mendim, por i përjashtonte shqiptarët e Italisë, që të ndërhynin për këtë çështje.

Iu drejtua 15 të huajve. (A nuk thonë ca e ca edhe sot, se historinë duhet të na e shkruajnë të huajt?) E pranonte se mbledhja e një kongresi nuk ishte e lehtë dhe u parashtronte tri pyetje paraprake: a duhen pranuar shkronjat dyshe; a mund të pranohen njëkohësisht shkronjat njëshe dhe dyshe; a do të kishte një pamje të keqe, nëse zbatoheshin bashkëtingëllore prej disa shkronjash. Përgjigjet kanë ardhur duke nisur në nr. 7 me gjuhëtarin e njohur francez M. Brealin, i cili me delikatesë i ka vënë në dukje, se në këtë fushë nuk ka zgjidhje tërësisht logjike.

Nuk po i paraqes mendimet e gjithë të tjerëve edhe te numri 10, meqë dalin gjëra të njohura, si: lehtësia për gjetjen e shtypshkronjave; nuk ka alfabete që të përputhen plotësisht me shqiptimin, madje po të synojë alfabeti të paraqesë gjithë nuancat e shqiptimit, do të bënte shumë më keq sesa më mirë. Përgjigjet janë mbyllur në nr. 10.

Propagandimi i alfabetit të revistës së vet dhe atij të Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës është diçka e kuptueshme dhe e pranueshme, mirëpo njëkohësisht Konica sulmonte pa dorashka gjithë të tjerët, duke e zbuluar haptas synimin mburravec për t’u imponuar pa i zgjedhur fjalët.

Është fakt i padyshimtë, se qeveria osmane më 1898 kishte ndaluar me urdhër hyrjen në Shqipëri të çfarëdo libri me alfabetin e Stambollit, ndërsa Faiku në nr. 1 të revistës për vitin 1902 alfabetin e Stambollit, të cilin e mbronte Frashëri, e quante “turk-moskov”, “të ndyrë në të pamë”, që e përdorin “nja 10 zaptieh këmbëqelbur të Toskërisë”; na ishte alfabet “i memurëve dhe i zaptiheve, i harbutëve e i ylefxhive, me hije aziatike, i egër”. Që në vitin e parë (nr. 7) pasi e fajësonte alfabetin e Stambollit, se i kishte rënduar të metat e gjithë alfabeteve të tjera, vijonte me një pohim nihilist: “çështja e shkrimit të shqipes do të zgjidhet vetëm kur të ndodhë një ndryshim politik në Shqipëri.”

Ky ishte një pohim më e pakta naiv, sepse shqiptarëve alfabeti i përbashkët u duhej pikërisht si një ndër mjetet për të luftuar që të ndodhnin ndryshime politike të statusit të Shqipërisë, ndërsa po të arrihej pavarësia, do ta humbiste mprehtësinë e vet dhe do të ishte thjesht punë e orientimeve kulturore dhe e teknikës tipografike; rrjedhimisht, çështja shtyhej për një të ardhme të paqartë dhe nuk shfaqej asnjë hije për ndonjë kuvend.

Konica ishte kundër mendimeve të ndryshme rreth alfabetit, sepse e quante zgjidhjen e vet si më të mirën. Në nr. 9 të vitit 1905 e vlerësonte se kishte ardhur koha t’u jepej fund bisedimeve dhe të vendosej ai i Bashkimit me disa ndryshime për ta afruar me të vetin. Madje në atë vit e ka quajtur të pamundur një mbledhje të përgjithshme.

Në numrin 4 të revistës për vitin 1906, pasi gëzohet për përparimin e abëcësë së Bashkimit, meqë e përdornin ’Kombi’ i Bostonit dhe ‘Shpresa’ e Raguzës, Konica shfren sërish kundër alfabetit të Stambollit, e quan helm, abëcë sllavishte të memurëve. Dhe vijon me sarkazëm të hidhur: “Anëtarët e kësaj abeje kanë themeluarë një mënyrë feje, me hierarkië priftore, me theologë, me predikonjës e me kanune-kishe.

Pontifi i lartë është një Lumo Skëndo, edhe krye-përvendësi i tij është Kristo Luarasi” etj., etj. Më tej, me inatin kundër Frashërllinjve, degradon në sharje edhe kundër Naim Frashërit si “pontifi i lartë i tyre” i mëparshëm, dhe: “A nuk është vërtet se, si në të shkruar si në të folur, fanatikët i jipjin Naimit titullin “Shënjt”?” Cilësimin ‘memurë’ e ka shpërdoruar sërish në nr. 6 me një artikull të gjatë “Themeli i çdo përparimi edhe çështja e abesë”. Sipas tij, anëtarët e Shoqërisë së Stambollit, “me kuximin e të paditurve dhe të shtazave, nxuarnë alfabetin më të përzjerë e më të çuditshëm të botës”, ndërsa e përsërit fyerjen “shtazat e huqumetit.” Sa për veten, lëvdohet se ”unë hodha të parën urë kombëtare në mes të Gegëris’ e të Toskërisë”.

Më vonë do të përqeshte fjalinë e shqiptuar në materialet e Kongresit të Manastirit, në të cilën përmendej termi “tradhtarët”, por është ai vetë që këtu ka shkruar: “ka gjëra me të cilat është një mënyrë tradhësie të lozim.” Me një vetëbesim kapadaiu ka shtuar se: “Një alfabet i ri nukë ka për të mbyllur, po për të shtuar çarjet”. Historia, me alfabetin e Kongresit të Manastirit të cilin e përdorim edhe sot pas 110 vjetësh, vërtetoi krejt të kundërtën.

Nuk mbeten dyshime, se Konica nuk bënte pjesë në mendimtarët rilindës, të cilët “u bënin thirrje gjithë shoqërive gjuhësore dhe ‘shkronjësve’ të gazetave shqipe, që të ‘arrinin një marrëveshje e të pranonin një alfabet të njëjtë për shkrimin e shqipes”, siç shkruanin Sh. Demiraj dhe K. Prifti në revistën “Gjuha jonë” (nr. 1-4, 2008, f. 102), duke cituar si të parin një artikull të ‘Albanisë’ te nr. 7, 1897. Në këtë artikull “Puna e letrave”, qysh në krye Konica shan alfabetin e Stambollit dhe të Bukureshtit se kanë shkronja të liga dhe pa vlerë, madje të huajt u tallkan me ne.

Nga ana tjetër, lëvdon alfabetin e revistës së vet dhe beson se po të merret vesh me disa mëmëdhetarë dhe të pyesë katër albanologë, alfabeti i tij do të rrënjoset e do të bëhet i përgjithshëm. Premton se në numrin pasues do të paraqesë “shkake të thella” për mbështetjen e vetvetes. Po në këtë numër 7 e rimerr subjektin në artikullin frëngjisht La question de l’écriture albanaise. Në numrin pasues 8, sërish vetëm frëngjisht, asnjë shkak të thellë nuk ka aty, ndërsa rimerret ideja se alfabeti përfundimtar duhet të arrihet edhe me ndihmën e albanologëve seriozë. Njësoj nuk qëndron pohimi i N. Dervishit në librin “Manastiri vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (2018), se Faik Konica ishte “një ndër personalitetet që aq shumë kishte lobuar për thirrjen e një kongresi për unifikimin e alfabetit shqip”, sepse asnjë ‘lobim’ i tillë nuk vërtetohet.

Megjithëse F. Konica nuk mori pjesë, Kongresi i Manastirit u bë edhe pa qenë një ndër ‘yjt e Shqipërisë së sotme”.

“Albania” e shënon numrin 5 si të vitit 1907, ndërsa është e qartë se ai numër ka dalë në fund të vitit 1908. Në rubrikën “Dyke qarë e dyke qeshur” ka një syth: “Kongresi i Abecesë”, ku me të tallur njoftohet, se më 1 nëntor 1908 do të mbahej Kongresi për “një abe të perëndishme”.

Sythi është pa emër. Më vonë, në numrin e fundit, saktësohet se u harrua, që të shënohej se sythi ishte nga Pesimisti, domethënë Fan Noli, i cili gjithashtu nuk kishte marrë pjesë, po sidoqoftë ka shkruar me pseudonim, sepse ftesa i është bërë. Rrjedhimisht, nuk është e vërtetë se ai bënte pjesë ndër të shquarit e paftuar, siç do ta formulonte Konica: “armiqt’ e qytetërisë dhe të njerëzisë, me dinakërin’ e zakonëshme t’Anadollakëve, nuk ftuan as një kombëtar të njohur si të këtillë”.

Nuk kam gjetur ndonjë reagim tjetër nga Fan Noli për Kongresin e Manastirit, përveç përgjigjes ndaj ftesës, por është fakt, se “Dielli” (3 shtator 1909) ndonëse përmendte kritikat për Kongresin, shprehte besimin se do të mbetej vetëm alfabeti latin dhe nga nr. 3 ai nisi të përdorte alfabetin e ri dhe, besoj, këtë e ka bërë Fan Noli.

Më poshtë po në atë numër të fundit të vitit 1908 dhe jo 1907, në faqen 98, nën titullin “Kongresi i Shqipëtarëve Xhon-turq”, Faik beu ankohet, se i kishin bërë ftesë vetëm në orën e fundit për këtë të “vetëthënë kongres”. Pason përgjigjja nga Manastiri, e nënshkruar nga vëllai i Gjergj Qiriazit, Kristoja, siç shihet, për sekretarin N. Naçi. Nga llogaritja e datave më del se ftesa i është dërguar në fillim të tetorit. E si mund të dërgohej më parë? Një ftesë e botuar nga Arkivi Qendror për një ‘arësimdashës” është e 23 shtatorit.

Një tjetër për shqiptarët në Fajum është e 24 shtatorit. Vetë ftesa për Th. R. Hoxhsonin, përgjegjësin e Shoqërisë Biblike Britanike në Stamboll është e datës 27 shtator, domethënë ka ndryshim gjithsej prej disa ditësh. Dihet se mundësia që shqiptarët të vepronin hapur u krijua vetëm pas shpalljes së Kushtetutës më 23 korrik 1908, madje me pjesëmarrjen vendimtare të shqiptarëve, prandaj vendimi nga Klubi i Manastirit për të mbajtur Kongresin është shpallur vetëm më 27 gusht dhe e parashikonte konkretisht, që do të ftoheshin autorët e njohur edhe nga Amerika.

Letra e Kristos për Konicën është me shumë mirësjellje, e cilësuar si e veçantë për Faikun, i cili renditet ndër njerëzit “nga të parët ndë këtë punë”. Përgjigjja e Faikut është duke shtrembëruar datat dhe shumë fyese për Kriston, meqë nuk ia paskan dërguar njoftimin të parit atij, sepse ai e ka “më të vjetrën fletë shqipe”. Edhe kjo ishte thjesht një e pavërtetë, ndërsa pjesëmarrësit i quan “pilafçinj turq” dhe “këmbëlëpinjës të krishterë”.

Dihet se në një dorëshkrim të fundit të shek. XIX Konica e kishte mohuar gjithë punën rilindëse përpara tij dhe mëtonte se gjithçka kishte filluar me të, domethënë edhe shtypi shqip. Aty ka edhe pasaktësi qesharake, sepse si është e mundur që më 1899 të shkruhej, se Gjergj Qiriazi kishte botuar një libër aritmetike me pseudonimin Thanas Sina, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 1898 ishin botuar shqip vetëm nja 17 libra, ndër ta dhe ”Numëratore” e Sinës.

Në të vërtetë Konica prej kohësh ishte shprehur, se nuk duhej një mbledhje e përgjithshme. Te po ai numër i vitit 1908 (jo 1907) e kishte shkruar me tallje në kohën e ardhshme të foljes, se do të bëhej Kongresi, por e paska harruar ca faqe më poshtë se tashmë kongresi ishte bërë, kur ai numër i revistës është shtypur.

Kongresi i Manastirit u hap më 14 nëntor 1908. Delegatët me të drejtë vote u mblodhën në një sallë veçan dhe me vota të fshehta zgjodhën drejtuesit e punimeve: kryetar M. Frashëri, nënkryetarë L. Gurakuqi e Gj. Qiriazi dhe 3 sekretarë. Kryetar nderi u zgjodh valiu i Manastirit, Hivzi Pasha, ashtu siç e kishte programi, për të mos pasur ndonjë fërkim me autoritetet vendëse. Meqë nuk kishte ardhur Mit-hat Frashëri, u votua ta zëvendësonte Gjergji për kohën që do të mungonte. Duket sikur çdo gjë kishte nisur mbarë.

Mjaft përralla tonat mbarojnë me shprehjen: “Dhe rruan e trashëguan”. Kurse mua më duket se përralla pikërisht atëherë fillon. Domethënë, askush deri më sot nuk ka shprehur ndonjë arsye as ato ditë dhe as më vonë: Përse nuk kishte ardhur M. Frashëri ditën e parë? E kërkonte etika më e thjeshtë, që kur erdhi, ai të jepte një shpjegim përpara gjithë atyre shqiptarëve.

Dita e shtunë për hapjen ishte caktuar pikërisht sepse nuk paraqiste pengesa për nëpunësit shtetërorë dhe ishte pas së premtes të myslimanëve. Faktikisht M. Frashëri ishte nëpunës osman, përkthyes i vilajetit të Selanikut. Mbetet vend për hamendësimin, se ai qëllimisht nuk u paraqit dhe priti, që të merrej vendimi se ishte zgjedhur kryetar dhe atëherë e quajti të përshtatshme të vinte, duke qenë i siguruar se do të ishte vetë në krye, domethënë do të ishte në pozita imponuese.

Programi i cili u ishte shpërndarë gjithë delegatëve, e parashikonte që si drejtues të Kongresit do të vepronin kryetari e nënkryetari i klubit “Bashkimi”: Rexhep Hoxha dhe Fehim bej Zavalani dhe pikërisht këtë nuk do ta pëlqente Mit-hat Frashëri.

Ishte programi i Klubit, i hartuar nga Fehimi dhe Gjergji, duke nxjerrë në krye mikpritësit dhe jam i bindur, se për pasojë, M. Frashëri nuk ka marrë pjesë në hartimin e variantit të parë të Programit dhe nuk e ka lënë të dalë ai variant në botimin te gazeta “Lirija” këtë pikë, ndërsa e kemi te një variant i arkivit vjenez.

Njohim tashmë jo një, por disa variante të Programit të Kongresit, por nuk do të hyj në krahasimet e tyre të hollësishme. Megjithatë, nuk dëshiroj ta kapërcej sikur nuk ka ndodhur asgjë, ashtu siç kanë bërë gjithë autorët deri më sot. Këtu ka nevojë për një shpjegim rreth emrit të Rexhep Hoxhës, meqë ai del në variantin e parë të Programit të Kongresit. Rexhep Voka (1847-1917) është përfshirë në botimin e dytë të ‘Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (2009) nga Jorgo Buloja si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe thuhet se u bë myfti i vilajetit të Manastirit më 1903 (është gabim data) dhe kjo është përsëritur në librin “100 personalitete shqiptare të kulturës islame. Shek. XIX-XX” (2012). Këtu thuhet: “Duke qenë myfti i Vilajetit të Manastirit, Hoxhë Voka u bë pritësi dhe përkrahësi kryesor i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe ose Kongresit të Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin drejtuesit kryesorë të këtij kongresi.” Këto pohime janë në kundërshtim me faktet dhe të dhënat e shtypit të kohës.

Sipas gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” (17 dhjetor 1909), kur Klubi i Manastirit përgatiti thirrjen, Rexhep efendiu nuk ishte afruar me Klubin. Pastaj u bë anëtar bashkë me tre pasues të tij dhe menjëherë, nuk e di se si, doli si kryetar. Atëherë: “… një mbrëma iu treguan gjithë çështjet e gjithë punërat e Klubit, të cilat ishin mbajtur me rregull ndë protokollë të shkruara me shkronja latinisht.” Ma merr mendja se protokollet i kishte mbajtur Gjergj Qiriazi. Kur u përgatit programi, emri i Rexhep efendiut del, sepse nënkuptohej që drejtuesit e Klubit të Manastirit, sipas traditës së njohur shqiptare, do të ishin edhe drejtuesit e kuvendit, meqë ata ishin mikpritësit; ata i kishin ftuar të tjerët në gosti. Delegatët zgjodhën tjetër kryesi dhe emri i Rexhep efendiut nuk del më gjatë punimeve. Arsyeja ishte se një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep efendiu do të emërohej myfti i vilajetit në Manastir, domethënë hierarku më i lartë fetar. Më pastaj emri i tij na del për shkakun e një veprimi të shëmtuar nga ana e tij. Ai përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e xhonturqve. Prandaj me të drejtë dhe me mprehtësi gazeta ka shkruar: “Kongreja u bë dhe zër’i tij a i shokëvet tij nuk u dëgjua të thonë, se duan shkrimin e gjuhës shqipe me shenja arabisht. Përse nuku folë atëhere?” Ka një njoftim në “Shqypeja e Shqypenisë” në numrin 17, 1910, se Rexhep Efendiu “e ka njoh fajin për gabimin që boni për shtypjen e abetarit me shkronja arabçe dhe u pendue.”


Kuislingu xhonturk i alfabetit të shqipes

Fehim Zavalani si kryetar i Klubit të Manastirit drejtoi vetëm hapjen e punimeve. Është e qartë që mbledhja e delegatëve e përmbysi pikën e programit lidhur me drejtuesit e punimeve të Kongresit për një arsye thelbësore dhe jo filologjike: do të ishte M. Frashëri kryetar si mysliman dhe jugor; nënkryetar do të ishte L. Gurakuqi si katolik dhe verior; Gj. Qiriazi si protestant dhe i Manastirit, domethënë i Shqipërisë së Mesme. Edhe për sekretarët u ndoq i njëjti parim: Hilë Mosi katolik nga Veriu; Nyz-het Vrioni mysliman nga Jugu dhe njohës i turqishtes; Thoma Avrami ortodoks nga Jugu. Domethënia është e qartë: qysh në hapin e parë nga delegatët u bë kujdes, që të përfaqësoheshin palët kryesore sipas përbërjes krahinore dhe fetare, duke zbatuar kërkesën e L. Gurakuqit që “të mos i thyhet zemra askujt”. Pavarësisht nga kundërshtitë dhe mosmarrëveshjet, tërësia e delegatëve bëri zgjedhjen më të mençur dhe me vlerë afatgjatë, modelin e së cilës e kanë ndjekur më pas, pavarësisht se nuk e kanë shprehur me deklarata, të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar, në të gjitha regjimet. Gjithsesi, M. Frashëri doli në krye me bindjen se ai do ta kishte fjalën vendimtare. Por pjesëmarrësit synonin të ruanin drejtpeshimin dhe prandaj kryetar të Komisionit të alfabetit do të zgjidhnin Gjergj Fishtën.

Mit-hat Frashëri nga 31 gushti deri më 1 nëntor i ka shkruar Fehmiut për nevojën e bashkimit dhe për lirimin e Dervish Himës (Ibrahim Naxhiut) nga burgu, domethënë gjatë gjithë asaj kohe nuk ka qenë në Manastir, për pasojë, nuk është marrë drejtpërdrejt me përpilimin e dokumenteve përkatëse. Kjo nuk e përjashton, që kishte ardhur në raste të veçanta. Luigj Gurakuqi më 8 tetor 1908 i shkruante F. Zavalanit: “Ju lutem të merreni vesh me të gjithë që të bahet nji Kongres i vetëm që të mblidhet në nji vend… Per mue Manastiri asht i mirë mjaft, ne mos ma i miri vend.”

Nuk është e vërtetë siç pohonin Sh. Demiraj e K. Prifti në “Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (1978) se: “Elementët reformistë si M. Frashëri, A. Ypi, F. Ypi e të tjerë synonin t’i kufizonin punimet e Kongresit të Manastirit vetëm në çështjen e alfabetit dhe ta largonin atë nga problemet e tjera politike; ata i mbaheshin pikëpamjes se ‘duhet përpjekur jo me pushkë e barut, por me pendë’ (f. 72)”. Në radhë të parë, këto fjalë për pikëpamjen gjenden në Ftesën për Kongresin, të hartuar nga drejtuesit e klubit dhe jo nga ‘elementë reformistë’, sepse vetë M. Frashëri ishte në Selanik dhe jo në Manastir. Gjithashtu Abdyl Ypi nuk ishte delegat me të drejtë vote, ndërsa Ferid Ypi nuk ka qenë aspak delegat, por ka nënshkruar ftesën si sekretar dhe në programin e përkthyer parashihej të fliste për pasuritë natyrore të Shqipërisë bashkë me Izet Zavalanin, i cili ishte delegat pa të drejtë vote. Ato fjalë për pushkën e penën janë edhe në ftesën për Th. R. Hoxhsonin, por kryesorja është se më 1978 është bërë një manipulim me shkëputjen nga konteksti. Ftesa bëhej sepse sot ardhi një dit’ e pëlqyerë për Istorinë tonë, që të nisim liruarë e pa pengim të punojmë për mborthësin’ edhe lumërin e kombit tonë jo me barut edhe me armë, po me kartë e pendë. Natyrisht, kjo fjali është produkt i iluzioneve të muajve të parë pas shpalljes së Kushtetutës, bënte pjesë në statutin e Shoqërisë ‘Bashkimi” dhe u përfshi në ftesën për t’u dhënë zemër pjesëmarrësve dhe aspak për ta larguar Kongresin nga të tjera probleme.

Nuk do t’i përshkoj një për një ditët e punimeve të Kongresit, por me përjashtim të shpalljes së Vendimit të Kongresit, emri i M. Frashërit nuk përmendet në asnjë nga materialet e botuara. Ndërsa nuk ka dyshim, se kokëfortësia e tij për alfabetin e Stambollit ka qenë fort e zëshme në mbledhjet e Komisionit, që u mbajtën të fshehta me betimin se pjesëmarrësit nuk do të nxirrnin gjë jashtë. Ditën e shtatë, 20 nëntor, e premte, u bë edhe një mbledhje e katërt vetëm e Komisionit. Duhej medoemos një vendim përfundimtar, përndryshe nga të gjithë do të nënkuptohej, se puna kishte dështuar dhe kjo do të ishte një katastrofë e papërfytyrueshme. Gazeta ‘Lirija’ e M. Frashërit në Selanik e ka kapërcyer butë krizën e shfaqur, duke tërhequr përsëri shati nga vetja: “… duke marrë përpara syve sa pun’ është bërë për abecenë, mejtohetë se do të ish shumë më mirë duke mbajtur abece e Stambollit me nja dy ndryshime të vegjëlë, dhe bashkë me këtë duke marrë dhe një abece fjeshtë latine me 25 shkronja … Kjo pun’ u pëlqye pej gjithë shokët të komisionit”. Por ka një gabim të plotë, që te lexuesi i vëmendshëm do të ngjallte dyshime – sapo ishte shkruar për dy alfabete, ndërsa tashti flitet vetëm për një – “dhe u vendos që pas dreke abeceja të botohetë përpara delegatëvet dhe shqipëtarëvet të tjerë.” Edhe më poshtë shkruhet se Komisioni “vendosi abecenë me një zë të bashkëtë dhe duke shprehurë një bashkim të mbaruarë”. Po cilën abëcë vendosi, se sikur ishin dy?

Do të pranohet, se kriza ishte zgjidhur nëpërmjet një kompromisi. Prapa velit të haresë, i gjithë opinioni do të mbetej i befasuar nga zgjidhja e dyfishtë dhe prandaj Vendimi kishte nevojë për një përligjje qoftë edhe të dobët, propagandistike, ndonëse më vonë do të bëhej shkak për interpretime të ndryshme. Përligjja e atypëratyshme ishin rreshtat e parë të Vendimit, që përfundonin me shpresën e vakët “që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes të shqyptarëvet” dhe me kërkesën e prerë, që mësimi në shkollë do të ishte i detyruar për të dyja. M. Frashëri kishte ardhur për ta shndërruar alfabetin e Stambollit në alfabet nbarëkombëtar dhe kokëfortësia e tij për ta arritur këtë ka qenë arsyeja e zgjatjes së punimeve të Komisionit dhe e zgjidhjes me kompromis.

Shpallja e vendimit u bë pas dite në orën dy, në Klubin e “Bashkimit” që ishte mbushur përplot, nga M. Frashëri si kryetar hipur mbi një fron dhe foli se njëzëri ishte vendosur për një alfabet(!). Luigj Gurakuqi zbuloi një dërrasë ku ishte vendimi me dy alfabetet, por sërish gazeta “Lirija” e rrumbullakos në njëjës se “ish shkruar abeceja”. Pjesëmarrësit e pritën me gëzim dhe duartrokitën duke thirrur: “Rroftë abeceja!”

I takonte kryetarit të Komisionit, Gjergj Fishtës, të jepte shpjegime dhe argumetime: alfabeti i Stambollit i plotësonte nevojat e kombit, por për të shtypur libra në vendet europiane dhe për telegramet duhej edhe një thjesht latin. Si argument plotësues ai shtoi, se edhe gjermanët e ruanin alfabetin gotik krahas latinit. Kështu, shpjegimet ishin qepur me pe të bardhë; realiteti tregoi se shqiptarët prisnin një zgjidhje të re historike, ajo ishte ato ditë edhe në mendjet e shumicës dërrmuese dhe prandaj fitoi të ardhmen. Nga ana tjetër, pavarësisht se nuk kemi të dhëna dokumentare, besoj se kompromisi është arritur edhe për shkak të bisedimeve të fshehta mes delegatëve dhe kryesuesve lidhur me domosdoshmërinë e marrëveshjes për luftën e përbashkët për liri. Largimi i një pale ose qoftë edhe i një individi do të dëmtonte imazhin e shqiptarëve të bashkuar dhe vetë imperativin madhor historik. Përpara këtij do të quhej i dështuar cilido që nuk e ulte kryet dhe do të ngelej përfundimisht larg rrjedhës së lëvizjes, pavarësisht prej meritave që mund të kishte pasur. Gjithë shqiptarët prisnin bashkimin dhe Kongresi i Manastirit ua dha, kurse askush nuk e skërmiti kompromisin si ndonjë plagë, me përjashtim të Faik Konicës dhe të M. Frashërit, i cili vetëm prej sedrës së sëmurë u tërhoq pak nga pak, tërheqje për të cilën Vendimet e Kongresit ia linin të çelur derën e pasme.

Kongresi i mbylli punimet, duke shfaqur vullnetin që puna të vazhdohej me kuvende të tjera, sepse ishte dëshmuar që shqiptarët mund të merreshin vesh dhe kjo ishte ndër arritjet e tij të çmueshme.

Mllefin e vet kundër Kongresit të Manastirit Faik Konica e ka derdhur në shkrimin e gjatë me titullin pothuaj të njëjtë Kongresi i Shqipëtarëve Xhon-turq në Maqedhonië në numrin e fundit të revistës, 1909, nr. 1. Atë shkrim asnjëherë nuk e citojnë gjerësisht, madje sot edhe e kanë fshehur nga vëllimet që përmbledhin trashëgiminë e tij. Do ta quaja antiraporti për Kongresin e Manastirit. Ishte një mllef i mbledhur si plaga qelbin prej shumë vitesh kundër shqiptarëve që përpiqeshin për zgjidhje mbarëshqiptare, ndërsa beu i Konicës i donte gjithë meritat për vete dhe prandaj shkrimi është i mbushur me “Unë, unë, unë . . .” Nuk do të ndalem te gjithë shtrembërimet, shpifjet, mashtrimet, fyerjet, të pavërtetat e atij artikulli të gjatë, por nuk mund të mos vë në dukje, se e përshkon një frymë raciste dhe degradon deri te futja e pykave për përçarjen fetare të shqiptarëve. Në raste të tilla do të parapëlqeja më mirë një histori rozë për gocat, sesa rënie të standardeve të kulturës, të atij tipi me të cilin fatkeqësisht edhe sot jo në pak raste po na shërbejnë mediat.

Në veçanti Konica ka sulmuar me emër Bajo Topullin dhe Gjergj Qiriazin. Luftëtarin e lirisë e kishte sharë më 1906 (nr. 8), sepse kishte vrarë peshkopin e Korçës, Fotin, vrasësin e Papa Kristo Negovanit. Aktin e përshëndetur nga gjithë atdhetarët e kohës, Faik Beu e quan “katillëk të poshtër”. Komitetin për Lirinë e Shqipërisë e përmend nëpër të me shpërfillje. Me hipokrizi Fotin e quan “një plak të paarmatisur; një kishëtar të motuar”, ndërsa përligjjen për sulmet e veta e gjen te shqetësimi se mos të huajt nuk e marrin për të mirë të karakterit të shqiptarëve këtë atentat. Me demek, vrasja e shqiptarëve nga grekët merrej me të mirë nga të huajt.

Mirë me Bajon e kishte zemërimin që më parë, po me Gjergj Qiriazin? Ky kishte nisur të botonte te “Albania” vjersha që më 1900; prej tij Konica kishte marrë dorëshkrimin e “Gjahut të malësorëve” të Kristoforidhit, ndërsa i dinte fare mirë marrëdhëniet e tij me August Kralin e Austrisë, prej së cilës paguhej rregullisht edhe për botimin e revistës së vet, edhe për sulmet kundër Italisë. Si mund të fyhej si xhonturk Gjergji, për të cilin pashai xhonturk Hilmi kishte thënë, se po të ishte në dorën e tij, do ta kishte varur shtatë herë, kurse në mars 1908 pikërisht xhonturqit kishin bërë plane për ta vrarë? Mllefi i kishte errësuar arsyen aq keq, saqë e quante se Kongresi ishte bërë në fshehtësi.

Ironia e madhe është se pikërisht në atë numër, në çelje të revistës te “Fleta e dreqtorit”, me datën 15 shkurt 1909, Konica pas sharjeve të njohura, e ka pranuar alfabetin e Manastirit, me përjashtim të shkronjës ë. Është një zbythje me një spërdredhje qesharake: “Kështu armën e halldupëve do ta kthejmë kundrë vetes së tyre.” Ironia është edhe më e madhe, se këta rreshta janë shkruar pikërisht me “alfabetin e urdhëruar nga Xhemijeti”. Po nuk mund ta lë jashtë edhe diçka brenda atij numri të fundit. Dreqtori (se këtë trajtë e kishte quajtur Konica më të drejtë për këtë fjalë) e përligjte mospërdorimin e shkronjës ‘ë’, sepse shtypshkronjësi i ishte ankuar, që përfshirja e saj do t’i ngrinte shumë kostot e botimit. Dhe këtë: “munt të shihni nga një copë letrë të kituar te pjesa frëngjisht e këtij numëri”. E lexova me vëmendje atë pjesë për të gjetur letrën e cituar, po nuk m’u shfaq asgjëkundi. Është një harrim, vetëm se të shtyn të bësh një analizë sipas teorisë frojdiste për “Harrimin e gjërave”, që e kam përkthyer më 2007.

Artikullit të nr. 1, 1909 i ka dhënë përgjigje albanologu H. Pederseni në “Dielli” (3 dhjetor 1909). Dhe këtë përgjigje Konica nuk ka guxuar ta shpërfillte. Duke i gjetur me vend vërejtjet e tij për tri shkronja, albanologu e kundërshton qëndrimin e Konicës dhe vendimet e Kongresit i vlerëson si një përparim shumë të madh. Natyrisht, shumë shpejt koha e hodhi poshtë tërësisht kryeneçësinë e Faik beut dhe numrin e fundit të “Albanisë” do ta botonte me atë alfabet, vendimin për të cilin e kishte quajtur ‘të pandershëm dhe të turpshëm’. Për kësi rastesh shqip thuhet: ta hash turpin me bukë. Artikulli i tij kundër ngjarjes madhore, që përcaktoi fytyrën e shqipes së shkruar, është dështimi i tij më i madh.

M. Frashëri e shprehu, nga ana e vet, se nuk do të mbeteshin të gjithë të kënaqur, duke qenë vetë i pari i pakënaqur. “Lirija” botoi më 5 dhjetor 1908 alfabetin e Stambollit me ndryshimet e kërkuara, domethënë pa hequr dorë prej tij. Po aty, u botua shkrimi me titullin domethënës Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit? Është titull domethënës, sepse delegatë të tjerë të rëndësishëm kishin ardhur jo për të fituar mbi të tjerët, por për të gjetur rrugën e marrëveshjes. Sedra e tij ishte kënaqur që në Vendimin alfabeti i Stambollit renditej i pari dhe ai kishte fituar të drejtën që të vazhdonte botimet me atë. Numri i parë i revistës së tij “Dituria”, janar 1909, ishte me alfabetin e Stambollit dhe hapet me artikullin Istori e shkrimit shqip. Nuk përmendet Kongresi. Ma merr mendja se e kishte përgatitur përpara Kongresit, domethënë kishte shkuar i përgatitur dhe lëndën e tij do ta ketë përdorur nëpër diskutimet e ashpra. Nuk përmenden aspak dy shoqëritë e Shkodrës, as Konica me ‘Albaninë’, po ngrihet lart Shoqëria e Stambollit dhe nënvizohet: “N’është pra se sot shqipes’ i dëgjohet zëri, këtë ja kemi hua asaj shoqëris’ s’Stambollit që ka qen’ e para punë kombiare.” Pikërisht pohime të tilla e cenonin rëndë sedrën e Faik Konicës dhe në reagimet e tij ai u është kundërvënë fjalë për fjalë, pavarësisht se nuk e citon paratekstin.

Për herë të fundit M. Frashëri e ka përdorur ‘alfabetin e Frashërllinjve’ te “Hi dhe shpuzë” më 1915 dhe kur rinisi botimin e “Diturisë” më 1916, tashmë ishte me alfabetin e sotëm.

Themistokli Gërmenji dhe Kristo A. Dakoja i kanë dërguar nga Sofja një Letër të hapur Mit-hat Frashërit me qortime shumë të rënda, prandaj nuk po e riprodhoj të plotë. Do ta përsëris, se në raste të tilla do të parapëlqeja më mirë një histori rozë për gocat, sesa rënie të standardeve të kulturës. Midis të tjerash ata i shkruanin: “Në ‘Liria’ çdo Shqipëtar sot munt të shohë, si zotëria juaj me gjithë që ishit anëtar i Kongresit Manastirit dhe i Kongresit Elbasanit, falsifikuat vendimet e këtyre dy mbledhje kombëtare, vetëm se këto vendime nuku para ishin pas dëshirës suaj…

Nuku ini zotëria juaj, që dhatë urdhër zotit Kristo Luarasi të mos shtypnjë artikullën ‘Bejlerët dhe Pashallarët në Shqipëri’, që po pason këtë letrë dhe u bëtë shkakëtar të lozë druri mbi kuris të tij?

Gazeta Liria është lëvere dhe një lëvere e ndyrë.”

Një vit më vonë, në Kongresin e Elbasanit, M. Frashëri përfaqësonte më shumë se kushdo tjetër 6 klube, porse të gjitha jashtë vendit dhe u zgjodh vetëm nënkryetar. Për më tepër, në një raport nga konsullata austriake e Manastirit, i datës 20 shtator 1909, thuhej: “Mit-hat Frashëri kishte qëllim që Klubin shqiptar të Selanikut ta bënte klubin qendror dhe kjo e përforcon mendimin e përgjithshëm, se ai është më tepër përfaqësues i interesave të xhonturqve, sesa i interesave shqiptarë.” Nuk ka qenë kështu vetëm A. Çajupi, që ka shkruar se ishte xhonturk, as edhe vetëm Faiku nga armiqësia e tij. Në atë kohë ta quaje një shqiptar ‘xhonturk’ ishte njësoj si ta thoshe sot ‘kuisling xhonturk’, me dallimin se atëherë ende nuk ishte shfaqur Kuislingu si simbol i bashkëpunimit me pushtuesin.

Do ta përfundoj me fjalët e Luigj Gurakuqit në “Tomorri” (1910, 20 maj), i cili duke kërkuar që Klubi i Stambollit të botonte programin, me vendosmëri është shprehur, që nga programi: “t’çporret fare çështja e krimburë e alfabetit.” Kjo jo vetëm ishte kërkesa më e shëndoshë e kohës, por edhe dëshmonte se tashmë punë e alfabetit kishte marrë fund, pavarësisht prej mbetjes aty-këtu të dy alfabeteve dhe të kundërshtimeve të tërthorta e të hapurra. Kontradikta me të cilën u përball Kongresi ishte shumë më e thellë sesa njëshkronjëshat apo dyshkronjëshat dhe ai e kapërceu me sukses protagonizmin kokëngjeshur shqiptar, i cili shfaqet në trajtën e bajraktarizmit, domethënë shfaqej atëherë dhe shfaqet edhe sot e kësaj dite. Kongresi i Manastirit ishte historik pikërisht se përmes ndërlikimeve të panumërta, e zgjidhi përfundimisht këtë nyje të rëndësishme dhe ai mbetet një nga ngjarjet madhore në historinë e shqipes së shkruar.


3 - 4 dhjetor 2018