“Pakica gjuhësore” me origjinë greke nuk duhet quajtur minoritet

Nga Wikibooks

Zef Bushati

Ngjarja e ndodhur në Shqipëri, në fshatin Bularat, i cili ndodhet në skajin më jugor të shtetit Shqiptar, tronditi qytetarët e Shqipërisë dhe të Greqisë. Ky nuk është një rast i panjohur për diplomacinë dhe politikën Europiane. Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur shumë vite më parë dhe mjaft herë në zonat kufitare të disa shteteve Europiane. Por, nëse Europa ka vite që e ka zgjidhur problemin, politika dhe diplomacia shqiptare dhe ajo greke ende vazhdon të mbetet në nivele që lënë për të dëshiruar, nivele thuajse mediokre, të cilat shfrytëzohen nga grupe ekstremiste nacionaliste. Europa çelësin e zgjidhjes së këtyre konflikteve e gjeti tek interpretimi i termit “minoritet etnik”.

Fjala “minoritet” nuk ishte e vështirë për tu interpretuar se përkthehet lehtë e që do të thotë “pakicë”. Problem mbeti fjala “etnik ” etnicitet, me të cilën abuzohej. Grupet nacionaliste ekstremiste, kuptimit të kësaj fjale, që përmbledh nje grup të caktuar njerëzish që flasin të njëjtën gjuhë e me të njëjtat zakone e bindje fetare, i bashkëngjiten dhe termin “nacionalitet”, “autokton” për të pretenduar se ky “etnitet” jeton në trojet e veta.

Por historia tregon se dyndjet e grupeve etnike, lëvizjet e grupeve etnike sa nga njeri territor tek tjetri, sa nga njëri shtet tek tjetri, nuk u jep atyre të drejtën që të quhen autoktonë në shtetin ku u vendosen. Kështu që ekspertët Europianë vendosen ta ndryshojnë terminologjinë “minoritet etnik ” me termin “minoranza linguistica”, “pakicë gjuhësore”.

Ky përcaktim i detyroi në një farë mënyre që grupet e nacionalisteve ekstremiste të heshtnin disi dhe të mos kishin pretendime territoriale për ndryshim të kufinjve. Natyrisht, ndryshimi i termit u bë duke respektuar të drejtat e pakicave për të përdorur kulturën, traditat dhe zakonet e tyre dhe të flasin gjuhën e tyre si gjuhë të dytë zyrtare në fshatrat ku janë të grupuar. Këtë status e kanë fituar të gjitha pakicat në shtetet europiane, madje edhe Arbereshët në Itali, të cilët në fshatrat e tyre si gjuhë të dytë kanë shqipen.

Fatkeqësisht këtë të drejtë nuk e kanë përfituar Arvanitasit në Greqi dhe as Arnautët në Turqi. Mjafton që Qeveria Shqiptare ta kërkojë zyrtarisht e në përputhje me konventat Europiane e ndërkombetare këtë të drejtë për pakicat gjuhësore shqiptare në Greqi e Turqi, shqiptarët zyrtarisht do ta përdorin edhe shqipen si gjuhë të dytë, pa u merakosur edhe nga presioni i ultra nacionalistëve. Këtë të drejtë e kanë përfituar pakicat greke e maqedone në Shqipëri dhe 6 pakica të tjera, natyrisht mbas kërkesave që kanë bërë qeveritë e këtyre shteteve.

Edhe qeveria Shqiptare duhet të ndryshojë zyrtarisht emërtesën, duhet t’i quajë “Pakica Gjuhësore” të gjitha grupimet etnike që jetojnë në fshatrat brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që përdorin të njëjtën gjuhë e të njëjtat zakone. Këtu bëhet fjalë për territore të vogla, e veçanërisht për ato grupime që kanë emigruar në shtete të tjera, siç kanë emigruar shqiptarët në Greqi, Itali, Amerikë, Kanada, Gjermani etj.

Por nëse kemi të bëjmë me një territor, ku edhe numri i popullsisë etnike e autoktone është pothuajse i barabarte me territorin dhe numrin e popullsisë të një etniteti tjetër autokton, dhe që jetojnë së bashku në të njëjtin shtet, atëherë të dy etnitetet së bashku quhen shtetformues në atë shtet si në rastin e Zvicrës, Maqedonisë etj. Emërtesa “Pakice Gjuhësore” do të na përafronte më tepër me legjislacionin dhe me familjen e Bashkuar Europiane.


14 Nëntor 2018