Jump to content

“Grand Tour”, udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri

Nga Wikibooks

Dorian Koçi

Do ketë qenë shumë e çuditshme për popullsinë shqiptare të mesit të shekullit të XIX, të shikonin mes rrugëve, shtigjeve dhe shkrepave të tyre gra udhëtare që përshkruanin vendin e tyre. Në kulturën dominante mashkullore vendase, kjo gjë ishte diçka e paperceptueshme dhe e paimagjinueshme, ndërsa në kulturën angleze viktoriane, sapo kishte filluar të merrte udhë.

Kultura është kontakt dhe bashkëveprim, por sot në fakt ne njohim vetëm përshtypjet e zonjave angleze që udhëtuan nëpër Shqipëri. Për fat të keq, nuk kemi edhe shënime nga eksponentë të kulturës shqiptare të asaj kohe rreth përshtypjeve të tyre nga udhëtimet e këtyre zonjave angleze në Shqipëri. Fillimisht kishin qenë zonjat e ambasadorëve që shoqëronin bashkëshortët e tyre në udhëtimet diplomatike dhe më vonë, me fillimet e Revolucionit industrial, përparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit, fillojnë të udhëtojnë në Ballkan dhe gra të shtresës së mesme dhe të profesioneve të lira, kryesisht infermiere dhe studiuese.

Ky fenomen i njohur mirë në kulturën angleze i nisur që herët dhe i emërtuar si Grand Tour për fisnikërinë dhe shtresat e pasura, udhëtim të cilin e kishin ndërmarrë Lord Byron dhe Hobhouse, dr. Henri Holland, Thomas Hughes dhe Disraeli nga gjysma e dytë e shekullit XIX, do të bëhej i mundur falë zhvillimeve të mjeteve të transportit, rritjes së interesit të publikut nëpërmjet literaturës së botuar prej tyre edhe për shtresën e mesme, tregtarë, administratorë, studiues etj. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve europianë që vizitonin Shqipërinë, vazhdoi të rritej ndjeshëm. Vendin tonë e vizituan edhe udhëtare femra siç është rasti i udhëtares dhe antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa shënime interesante, ka botuar libra rreth Shqipërisë dhe ka koleksionuar kostume popullore që sot ruhen dhe ekspozohen në muzetë e Britanisë së Madhe. Për shkak të kontributit dhe përfshirjes së saj në çështjen kombëtare shqiptare, emri i saj është shndërruar në një mit që dëshmon pjesëmarrjen e të huajve në pavarësinë e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë ka lënë paksa në hije shënimet e udhëtimit dhe librat me tematikë shqiptare të udhëtareve të tjera angleze që u përfshinë në fenomenin e udhëtimit që nga mesi i shekullit XIX e në vazhdim në Shqipëri.

Përshtypjet dhe mbresat e zonjave angleze që vizituan Shqipërinë, sigurisht, ashtu si e gjithë literatura e udhëtimit, para se të jenë tekste të mirëfillta dëshmitare të ngjarjeve dhe dukurive sociale të kohës, janë edhe tekste që mbartin në vetvete orientalizmin dhe paragjykimin e tjetrit, koncepte që përcaktoi qartë Edward Said në veprën e vet, “Orientalizmi”(1978). Shqipëria dhe territoret ku banonin në shumicë shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, vazhdonin të ishin ende të panjohura dhe të ngjallnin kërshëri në Europë. Kjo mosnjohje dhe kërshëri, përkthehej shpeshherë në përshkrime për të shuar etjen e një publiku që dëshironte të njihte sa më shumë për këto territore që konsideroheshin si Orient, por në të njëjtën kohë ishin shumë afër, në Europë. Saidi përcakton në veprën e vet se “orientalizmi është një shpërndarje e shqetësimit gjeopolitik në tekste estetike, shkollore, ekonomike, sociologjike, historike dhe filologjike”. Ky shqetësim gjeopolitik reflektonte edhe politikat britanike në rajon në ruajtjen e status quo-s të vazhdimit të dominimit osman në Ballkan, si kundërpeshë e ambicieve sllave dhe austro-hungareze. Për këtë arsye, shpeshherë gjejmë përshkrime romantike, si dhe të udhëtarëve më të hershëm të kostumit popullor shqiptar, të përfaqësuar nga fustanella, dhe shumë pak detaje rreth jetës politike dhe ambicieve për përparim të popullsisë shqiptare.

Jeta sociale shqiptare, edhe pse e përshkruar në mënyrë piktoreske, prezantohet më e plotë kur citohen detaje historike që dëshmojnë vjetërinë e shqiptarëve si etni dhe popullsi në këto territore, por ndonjëherë ajo edhe paragjykohet nga njohjet e përcipta rreth vendeve dhe popullsisë që jetonin aty. Shpeshherë, udhëtarët e huaj që vizituan territoret shqiptare kanë qenë të influencuara nga filo-helenizmi dhe pan-sllavizimi, dy rrymave të fuqishme kulturore europiane të kohës, që në vetvete mbartnin dhe shqetësime politike dhe gjeostrategjike. Territoret shqiptare shpeshherë shikoheshin si zgjatime të natyrshme të ambicieve greke apo sllave në rajon, çka sillte dhe mospërputhje midis pritshmërisë së udhëtarëve dhe realitetit. Kjo është arsyeja që ndonjëherë në udhëpërshkrimet e tyre, gjenden përcaktime për Kosovën si “Serbia e Vjetër” apo për popullsinë e jugut të Shqipërisë, të qendrave si Delvina si helene. Gjithsesi, këto lajthitje që nuk i përgjigjeshin realitetit, pasi edhe nëpërmjet përshkrimeve të popullsisë të këtyre territoreve nga vetë zonjat udhëtare, gjejmë përcaktimet dhe karakteristikat e popullsisë shqiptare, nuk cenojnë rëndësinë e madhe të tyre kulturore dhe dëshmitare të një kohe kur popullsia shqiptare po kalonte në procesin e ringjalljes së vet kombëtare.

Shënimet e udhëtimit të zonjave angleze, mund të ndahen në shënime udhëtimi që pasqyruan me detaje botën shqiptare, siç janë shkrimet dhe librat e Edit Durham dhe Margaret Hasluck që jetuan për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe shënimeve piktoreske udhëtimi dhe letërsie fiksionitë zonjave të tjera që rastësisht fati e solli të vizitojnë Shqipërinë. Durham dhe Hasluck dallojnë sigurisht mes tyre, sepse vepra që kanë lënë pas vazhdon të mbetet ende një burim informacioni i admirueshëm dhe që shpeshherë është marrë në konsideratë dhe nga historianët e mëvonshëm rreth Ballkanit dhe Shqipërisë.

Historianët e mëvonshëm të Ballkanit, kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj, ku sipas Noel Malcom, ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”. Në shkrimet e saj të mbushura gjithë informacion për Ballkanin, fillon e merr jetë një perceptim më realist i rajonit dhe ka një distancim shumë qartë nga qëndrimi pro-otoman i udhëtarëve të tjerë britanikë. Ajo është nga të parët udhëtarë që njeh dhe bën të qartë për shembull dallimin midis otomanëve dhe shqiptarëve myslimanë si një kombësi e veçantë.

Po kështu, në veprat e saj, shqiptarët nuk thirren me emërtimin e gjuhës turke-arnaut, por me emrin që popullsia e identifikon veten si Shkypitiar. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve, malazezve, grekëve dhe bullgarëve, shpeshherë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i Durhamit dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit, sesa brenda tij. Gjithsesi, përsëritja e ngjarjeve në vitet ’90 në Ballkan, tregoi se shumë nga prognozat e saj ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë e rilexuan për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve. Ky tipar e bën atë krejt të veçantë nga gjithë udhëtarët e tjerë britanikë që vizituan Ballkanin, pasi ky rilexim mund të quhet kthimi tjetër i saj në Ballkan, gjë që nuk i ka ndodhur asnjë udhëtari tjetër britanik.

Një nga udhetaret më të hershme, e cila foli pë shqiptarët ishte Mary Wortley Montag, e cila lindi në Londër më 26 maj 1689, me mbiemrin e vajzërisë Pierrepont. Më 1712 ajo do të martohej me aristokratin Edward Wortley Montag, i cili në vitin 1716, u emërua ambasador i Madhërisë së Saj, pranë oborrit të Sulltanit Ahmet III në Stamboll. Ajo do të botonte përmbledhjen e letrave e titulluar thjesht Letters (Letra) me nëntitullin “Të shkruara përgjatë udhëtimeve në Europë, Azi dhe Afrikë” . Libri i Lady Montagut ndahet në dy blloqe: i pari, më i madhi, përmban 60 letra që ajo iu ka shkruar dhe dërguar miqve në Londër. Ndërsa i dyti, më i vogël, ka 30 letra, dhe lidhet me largimin e saj të dytë nga Anglia dhe qëndrimin në Itali. Letra XXX, për Abatin Adrianopojë, 1 prill 1717, flet për shqiptarët, ku i shkruan se ata i ndjekin të dy religjionet.

Të premteve shkojnë në xhami, ndërsa të dielave shkojnë në kishë dhe, për ta përligjur, thonë se ditën e gjykimit kanë për të gëzuar mbrojtjen e profetit te vërtetë; po se cili është ky, ata nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në të gjallë dhe në këtë botë. Ma merr mendja që në mbarë sojin njerëzor nuk ka ndonjë racë tjetër që të ketë një opinion kaq modest për aftësitë e veta. Një tjetër udhëtare Maria Adelaide Walker, u nis për në Kostandinopojë në vitin 1856, tek i vëllai i saj, që ishte Kapedan i Bashkësisë Lokale dhe qëndroi atje për dyzet vjet, duke vazhduar udhëtimet e saj nga njëra anë e Perandorisë Osmane në tjetërën. Veçantia e kësaj shkrimtareje qëndron mbi të gjitha në faktin se ishte gjithashtu një artiste profesioniste. Ajo botoi librin “Through Macedonia to the Albanian Lakes”. Në vitet kur ishte e rrallë të shihej një grua e huaj në Shqipërinë e veriut, udhëtimi i saj ishte një ngjarje për të cilën komuniteti lokal vazhdoi të fliste për një kohë të gjatë.

Emily Anne Smythe (Kontesha Strangford 1826-1887) në parathënien e saj për librin “Brigjet Lindore të Adriatikut në 1863” vërente: “Këto treva ende nuk janë aq të njohura e disa të dhëna mund t’i interesojnë lexuesit”. Në 1 qershor ajo u nis për në Janinë. Zbriti në Sarandë dhe në 2 qershor, kaloi nëpër Delvinë, “një vend jashtëzakonisht i bukur”. Dhe ajo shkroi: “Mëngjesi ishte i lagësht dhe i freskët, dhe ndërsa ne rropateshim kodër pas kodre, ishin të një mendjeje se nuk mund të kishte vend tjetër më të bukur se Delvina, me pyje të dendur e me shumë kopshte”. – Mandej, njihemi me Georgina Muir Mackenzie (1833-1874) dhe Adeline Paulina Irby (1831-1911), dy mikesha britanike, që udhëtuan bashkë nëpër Europë dhe bashkë shkruan dhe botuan librin “The Turks, the Greeks, und the Slavons. Travels in the Slavonic Provinces of Turkey in Europe”, botuar në Londër më 1867. Kur flasin për shqiptarët autoret herë shkruajnë Albania/ Albanian dhe jo rrallë Arnautluk-Arnaut. Agnes Ethel Conway (1885-1950) ishte historiane dhe arkeologe britanike. Ajo u nis me anije për në Shqipëri dhe shënoi: “Anija mbërriti në Vlorë (Aulona) në orën 10 paradite dhe prej aty bregu shqiptar dukej i mrekullueshëm”. Ajo vazhdon udhëtimin për më në veri: “Ndaluam në Durrës (Durrazo) nga ora 4 deri në orën 6 pasdite… Ishte 21 maj, një ditë pas largimit të Esad Pashës nga Princ Vidi. Në të vërtetë, shqiptarët janë raca më e vjetër në Europë dhe flasin një gjuhë që është paragreke”.

Ruth Pennington (1884-1970) bën pjesë në atë grup që erdhën dhe qëndruan për të punuar në Shqipëri. Ajo pranoi një kontratë për katër muaj punë në një vend që nuk e njihte fare. Me t’u caktuar, ajo u njoh me shkrimet e Edit Durham-it dhe krijoi një ide për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ruth Pennington udhëtoi nga Brindisi në Vlorë. Mbërritja nuk ishte dramatike dhe vetë Ruth nuk u befasua. Po atë ditë u nis për në Durrës, ku e priti gruaja e konsullit, e cila e shpuri në Legatën Britanike për të kaluar natën e parë në Shqipëri, në vitin 1924. Vetë puna, sjellja dhe qëndrimi, veprimtaria dhe karakteri i saj i fortë, krijuan një figurë autoritare, drejtuese e shumë të dashur. Nëse shqiptarët e quajtën Edit Durhamin “Mbretëresha e Shqiptarëve”, Ruth-in e quajtën “Zonja”. Cora Gordon (1879-1950) një tjetër udhëtare erdhi në Shqipëri bashkë me të shoqin, Jan Gordon, në verën e vitit 1925. Libri “Two Vagabonds in Albania” (“Dy endacakë në Shqipëri”) u shkrua dimrin e atij viti dhe gjatë verës së vitit 1926. Që në parathënie shënohet: “Kjo është pamja e një bashkësie gjysmë orientale dhe gjysmë perëndimore, që po përpiqet të bëjë një shtet të vetin”.

Winifred Gordon (1872–1937) ishte aristokrate angleze, bashkëkohëse e Durhami e mikeshë e saj, duket që ka qenë disi e ndikuar nga njohja dhe mbështetja dashamirëse e shqiptarëve. Kjo ndjehet kur lexon kapitullin për Shqipërinë në librin e saj “Një grua në Ballkan” (A woman in the Balkans, Londër 1918), kapitulli për Shqipërinë titullohet: “A Land of Defiance” (“Vendi i Qëndresës”).

Rose Wilder Lane u lind me 5 dhjetor 1886 në Dakota të SHBA. Në gjithë ata vende të Evropës ku ajo shkon, Shqipëria bëhet shumë shpejt vendi i saj i preferuar, nga udhëtimi i parë atje frymëzohet dhe shkruan librin “Majat e Shalës”. Në vitin 1924 vjen përsëri në Shqipëri bashkë me një miken e vet dhe bën një sërë udhëtimesh nëpër Ballkan, të cilat janë botuar si shënime udhëtimi në “Udhëtimi me Zenobinë”, “Zenobia” ishte emri artistik i një makine “Ford”, me të cilën shëtiti nëpër Ballkan dhe më së shumti në Shqipëri. Rose Lane mahnitet nga zgjuarsia natyrale e njerëzve. Mit’hat Frashëri, mik i zonjës Lane, veç që ka një korespondencë të pasur me të, ka botuar që në vitin 1924 shënimet me titull “Duke kënduar një librë”, ku shkruan se ai ka biseduar vetë me këtë grua dhe ka parë me një çudi të kandshme sinqeritetin e ndjenjavet të saj për vendin tonë.

Mit’hat Frashëri shkruan se si Mbreti Zog u marros pas vajzës së huaj, dhe sipas zakonit shqiptar ai u dërgoi një letër prindërve të saj ku kërkonte të fejohej me të. Askush nuk e di se pse nuk përfundoi pozitivisht kjo aventurë rinore, por një gjë është e saktë, se edhe Lane në portretizimet e saj të figurës së Zogut, nuk e fsheh simpatinë që ndjen për këtë njeri, që ajo e quan “Fajkoi i Matit”, shkruan Mit’hat Frashëri. Libri fillon me pershkrimin e autores mbi fushen e Shkodres ku autoria futet ne gjysemerresiren e muzgut, rrefimi mbi shqiptarët për të cilët ajo kishte pasur një njohje fare të pakët, “nganjëherë emri shqiptar më dukej si emri bandit.

Një udhëtare tjetër Theodora Benson shkruan për Shkodrën dhe hotelin grand: Hoteli “Grand” në Shkodër ishte “perfekt”, ashtu sikundër qe fort i mirë edhe restoranti, ndonëse pak i shtrenjtë, ngaqë paguhej me ar. Kamerierët qenë të sjellshëm dhe u bënë shërbim të veçantë dy zonjushave angleze. Të nesërmen, njëri prej tyre, u dhuroi nga një tufë me lule, gjë që u la përshtypje fort të mirë. Shoqëruesi shkodran i shëtiti në qytet dhe u miqësua shpejt me to. Ai i shpuri deri lart në kështjellë, prej nga hapej një panoramë mbresëlënëse. Në kthim, vizituan një shkollë ku mësonin vajza e djem bashkë. Pastaj, festimet në një dasmë shkodrane i tërhoqën vë- mendjen dhe ato, gjithnjë të shoqëruara, u bashkuan me dasmorët. U pritën miqësisht dhe i gostitnin sipas traditës, gjithë kohën të qeshur e gazmorë.

Pazari i Shkodrës u bëri përshtypje. Për to ishte “mahnitës”, plot me zanatçinj që ofronin lloj-lloj punimesh të ndryshme. Pas drekës, shoqëruesi i tyre i ftoi për një shëtitje jashtë qytetit, meqë ishte bukur. Është fat dhe njëkohësisht një koincidencë e këndshme që zonjat e rritur në moralin viktorian, gjetën në natyrën, shkrepat, jetën sociale në Shqipëri, një strehë ku primitivizmi dhe prapambetja nuk u kthyen në mjete përçmimi dhe nënvlerësimi të kulturës së tjetrit, por përkundrazi, mikpritja dhe bujaria shërbyen si pasaportat më të mira të përfaqësimit tonë në Europë. Duket sikur bota e vjetër kalorësiake e Mesjetës kishte mbijetuar në mënyrë të pavetëdijshme mes shqiptarëve, dhe vazhdonte të transmetonte ende vlera humanizmi.

Në këto shënime e gjen gjithë hartën e etnosit shqiptar në Ballkan, nga Kosova, në Manastir, Ohër e Strugë, Shqipërinë e sotme, por edhe në Selanik e Stamboll, duke qenë në këtë mënyrë jo vetëm shënime dëshmi të shpërndarjes së kësaj popullsie në rajon, por në të njëjtën kohë edhe dëshmi të rëndësishme antropologjike e sociale që meritojnë një studim të veçantë.

Koleksoni i Ylli Sulës ka hapur siparin e një drejtimi tjetër të rëndësishëm të studimeve albanalogjike me renditjen në mënyrë skrupuloze e profesioniste të udhëpërshkrimeve të zonjave angleze në Shqipëri. Deri më tash jemi njohur me udhëpërshkrimet dhe literaturën e udhëtimit të shkruar kryesisht prej diplomatëve, piktorëve, oficerëve, pra një perspektive mashkullore, kurse tani kemi në dorë portretin e zonjave angleze, nga mund të studiohet sesi bota viktoriane femërore angleze e pa Shqipërinë.

Një pasqyrë shumë e rëndësishme për të dy popujt dhe kulturat që përfaqësojnë, pra një histori sociale dhe antropologjike e shqiptarëve dhe imazhi dhe perceptimi i Ballkanit dhe Shqipërisë nëpërmjet Feminizmit, që një shekull më vonë do të kthehej në një rrymë të mendimit kulturor europian. Në këtë mënyrë, këto tekste kthehen në pararendëse të studimit të perspektivës feministe rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi të gjitha udhëtaret, me përjashtim të Durhamit dhe Margaret Hasluck që u përfshinë edhe emocionalisht në çështjen shqiptare, janë dëshmitare të ftohta ndaj realitetit dhe shkruajnë atë çka ato konstatojnë.

Parë në këtë drejtim shënimet e udhëtimit të këtyre zonjave të nderuara angleze, rifitojnë një vlerë të çmuar përmes rileximit të krahasuar të asaj çka perceptonte dhe njihte publiku anglez rreth një shekull më parë dhe atë çka arritur të njihet sot Shqipëria dhe shqiptarët në Britaninë e Madhe. Rrallëherë ndodh që të kesh një pasqyrë ku mund të shikosh të shkuarën, jo vetëm nga pikëpamja historike përmes dokumentacionit, por edhe përmes teksteve të tilla nga perspektiva antropologjike, sociale, kulturore e feministe.


24 tetor 2018