“Enveri e kishte pikë të dobët Kosovën, përherë e ngrinte zërin për të”

Nga Wikibooks

“Në qoftë se gjendet një politikan shqiptar që ka bërë më shumë se kushdo për Kosovën e kosovarët, ai është pa dyshim Enver Hoxha”.

Një konsideratë të tillë jep për politikën e jashtme dhe në veçanti atë të ndjekur ndaj Kosovës prej ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, Rita Marko, ish-anëtari i Byrosë Politike.

Në dorëshkrimet e tij të radhës, që “Albanian Free Press” i sjell sot ekskluzivisht lexuesit për të 14-tin numër radhazi, ai tregon pikërisht disa aspekte të politikës së jashtme që ndiqte Enver Hoxha.

“Që gjatë LANÇ-it dhe gjatë tërë viteve të pasçlirimit, Enver Hoxha nuk ka pushuar së foluri me zë të lartë për çështjen kosovare. Nuk ka Kongres dhe nuk gjen ngjarje të tjera me theks politik, ku të mos ketë folur Enver Hoxha për tragjedinë e Kosovës”, citon ai.

Duke përmendur mes të tjerash, edhe vlerësimin që sipas tij, ish-presidenti i Francës, Sharl De Gol ka bërë për Enverin…

Përgatiti: Albert Zholi

Problemin e Kosovës, Enver Hoxha e ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes

Sipas Rita Markos, nuk ishte as rastësi dhe as një detyrë e pamenduar dërgimi i forcave partizane shqiptare matanë kufijve shtetërorë. Por edhe pas luftës, ai thotë se Enver Hoxha nuk kurseu asgjë për të ndihmuar arsimin në Kosovë

Në qoftë se gjendet një politikan shqiptar që ka bërë më shumë se kushdo për Kosovën e kosovarët, ai është pa dyshim Enver Hoxha. Nuk ishte as rastësi dhe as një detyrë e pamenduar dërgimi i forcave partizane shqiptare matanë kufijve shtetërorë, në veri të Shqipërisë. Përkundrazi, Komandanti i Përgjithshëm mendonte larg e thellë. Edhe pas çlirimit, siç pohonte Fadil Hoxha me gojën e tij, Enver Hoxha nuk kurseu asgjë për të ndihmuar arsimin në Kosovë. Në vitet ‘70-’80, personalisht Enver H oxha u interesua që të shkonin pedagogë shqiptarë për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës.

Të gjithëve u kujtohen veprimtaritë artistike-kulturore në qytetet e Kosovës dhe të Shqipërisë amë, të artistëve shqiptarë dhe të atyre kosovarë. Që gjatë LANÇ-it dhe gjatë tërë viteve të pasçlirimit, Enver Hoxha nuk ka pushuar së foluri me zë të lartë për çështjen kosovare. Nuk ka Kongres dhe nuk gjen ngjarje të tjera me theks politik, ku të mos ketë folur Enver Hoxha për tragjedinë e Kosovës. Duke u qëndruar besnik mësimeve të Marksit e të Leninit, Enver Hoxha mendonte se çështja e Kosovës, në dekadat e pas çlirimit, në radhë të parë ishte çështje e vetë kosovarëve.

“Faktori i brendshëm është kryesori dhe përcaktuesi, edhe në Kosovë”, porosiste ai. Kur në pranverën e vitit 1981 shpërthyen demonstratat e fuqishme në Kosovë për të drejtat e shqiptarëve, më kujtohet si tani, Enver Hoxha thirri në mbledhje të veçantë dhe urgjente Byronë Politike. Kjo e fundit u shpreh me unanimitet në mbështetje të kërkesave të rinisë studentore e të popullit të Kosovës.

Përmbajtja e konkluzioneve të Byrosë, u publikua që të nesërmen në një kryeartikull të “Zërit të Popullit”. Kështu, tërë udhëheqja e lartë politike e Shqipërisë iu vu në mbështetje zërit të fuqishëm politik të shqiptarëve. Fjalimet e Enver Hoxhës, të transmetuara dhe të ritransmetuara disa herë në ditë në mjetet e informimit masiv, elektrizuan të gjithë shqiptarët, ata të matanë dhe këtej kufirit.

Politika e Enverit për Kosovën, e pakundërshtueshme

Rita Marko shpjegon sesi politikanët e djathtë të sotëm nuk mund ta injorojnë politikën e shkëlqyer, sipas tij, të Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës

Disa nga politikanët e djathtë të sotëm e ngrejnë zërin në kupë të qiellit, duke u orvatur të injorojnë politikën e shkëlqyer të PPSH-së dhe personalisht të Enver Hoxhës, për çështjen e Kosovës. Por e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë kot. Politika paqësore e ndjekur nga disa liderë kosovarë, e trumbetuar aq shumë si politikë e kohës dhe demokratike, jo vetëm që nuk nxori gjë në shesh, por përkundrazi, çoi të rëndohej edhe më tej zgjedha në qafën e shqiptarëve. Vetëm kur u veprua siç mendonte Enver Hoxha, domethënë, vetëm kur u vu në lëvizje faktori i brendshëm (kur shqiptarët rrëmbyen pushkët, duke u radhitur në Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës), lëvizi edhe faktori i jashtëm, që çuan në mposhtjen e Milosheviçit.

Si për shumë probleme, edhe për këtë që ka lidhje me Kosovën, Enver Hoxha ka lënë mësime me shumë vlera. Ato kërkojnë që të lexohen me kokë të ftohtë; ato kërkojnë të zhvishen nga ethet partiake, ethe, që për interesa të ngushta e të çastit, të bëjnë të hedhësh baltë ndaj një vlere me peshë kombëtare e historike, siç është qëndrimi i shkëlqyer ndaj vëllezërve të një gjaku në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Veç puthadorëve të deklaruar të Titos, të gjithë të tjerët në Kosovë janë deklaruar shumë pozitivisht ndaj politikës zyrtare të PPSH dhe të Enver Hoxhës.

Kam patur fatin ta dëgjoj shokun Enver në biseda, diskutime dhe debate me udhëheqës të ish-Partive Komuniste e Punëtore të ish-Bashkimit Sovjetik, të ish-vendeve socialiste dhe të partive komuniste të vendeve kapitaliste, që patën ardhur me delegacione në vendin tonë, ose që i kemi takuar në ish-Bashkimin Sovjetik apo në vendet e tyre. Në këto raste, më ka bërë përshtypje të madhe ajo mënyrë e veçantë paraqitjeje e sjelljeje e shokut Enver, mprehtësia dhe aftësia e tij për të analizuar problemet e shtruara për diskutim, të cilat e veçonin nga të tjerët, e bënin superior ndaj tyre, i detyronin ata të silleshin me respekt ndaj tij dhe të shpreheshin me simpati për njohuritë e gjera që kishte, për karakterin e fortë dhe vendosmërinë e madhe që e dallonin.

Partia Komuniste Shqiptare, personalisht shoku Enver Hoxha, luajtën një rol përcaktues për karakterin e luftës së popullit shqiptar. Brumosur me ndjenjat më të zjarrta atdhetare të popullit tonë dhe nisur nga idealet komuniste, udhëheqësi i PKSH dhe Komandanti i Përgjithshëm i UNÇL, Enver Hoxha, e lidhi Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare me atë të gjithë koalicionit antifashist botëror, anglo-sovjeto-amerikan. Ndër të paktët udhëheqës politikë e ushtarakë të Evropës, që kuptoi se lufta për të shfarosur nazi-fashizmin mbetej jo thjesht ideal, por edhe detyrë e popujve, Enver Hoxha, në krye të Ushtrisë Nacional-çlirimtare dhe në ballë të popullit shqiptar, me këtë veprim të zgjuar politik, arriti t’i japë nder dhe lavdi të përjetshme Shqipërisë.

Le të llomotisin kundërshtarët politikë të Enver Hoxhës për gjoja luftë civile në vendin tonë, por e vërteta ndriçon si drita e diellit: mbarë bota e qytetëruar është e detyruar ta njohë rolin e padiskutueshëm të Enver Hoxhës si udhëheqës i madh i një populli të vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore.


1 Gusht 2018