“Djalëria lushnjare” denoncon…

Nga Wikibooks

Nga Naun Kule

(Një letër në AQSH-Myzeqarët mbështesin qeverinë demokrate të Nolit…)

Muajt e qeverisë së Nolit e cila doli nga Revolucioni i qershorit, kanë qënë të ngjeshura me aktivitet të dëndur politik dhe luftarak të cilat, shprehën shkallën më të lartë të luftës klasore që i shpuri forcat kundërshtare në ndeshjen me armë.

Kjo luftë është bërë e ashpër edhe në Myzeqe, ku acarimi dhe përplasjet mes bujqërve argatë dhe pronarëve agallarë, ishin shekullore. Pas fitores të forcave demokratike, vendosjes së qeverisë së re dhe premtimeve të shumta që bëri ajo për reforma të thella sociale dhe çrrënjosjen e feudalizmës, masat e shfrytëzuara të popullit prisnin me ditë ndryshimin e gjendjes në dobi të tyre, prisnin masa të shpejta dhe të rrepta të qeverisë kundër gjithë aparatit të kalbur shtetëror dhe zevendësimin e tij me të tillë demokratë e luftëtarë që rrokën armët kundër qeverisë zogiste.

“…Myzeqari do tokë të ushqejë kalamajtë dhe spitale të shpëtojë nga malarja- shkruante Naun Doko prifti në gazetën “Politika” më 10 qershor, 1924.

-Shteti do nëpunës të gjallë e të rinj dhe jo rrangallë e dallkaukë…”

Pikërisht kundër këtyre “rrangallëve dallkaukë” të cilët e minuan nga brenda qeverinë demokrate të Nolit, u ngrit me forcë protesta e gjithë opinionit përparimtar të kohës, duke bërë objekt kritike në faqet e shtypit, në mbledhjet e popullit dhe metingjet në disa qytete. Gjithë këtë aktivitet demokratik e organizonin dhe e udhëhiqnin demokratët liberalë. Propagandë të tillë kundër feudalëve të Myzeqesë, Fierit, dhe disa qyteteve të Shqipërisë së mesme ka bërë veprimtari dhe luftëtari i shquar me armë e fjalë, nolisti dhe mësuesi i në disa shkolla të Myzeqesë, Naun Doko Prifti i cili, ishte njëkohësisht edhe organizatori i Degëve të “Bashkimit” të Lushnjes, Fierit dhe Libofshës.

Në Arkivin e Shtetit ruhet një letër protestë e shkruar pikërisht nga Naun Doko Prifti drejtuar qeverisë Nolit në emër të Shoqërisë “Djalëria lushnjare”. Bie në sy në këtë letër protestë përveç guzimit dhe trimërisë për të denoncuar gjithë padrejtësitë e administratës shtetërore, duke i marrë zë për zë dhe emër për emër, edhe formimi politik i autorit, bindja për nevojën e domosdoshme të “çrrënjosjes së feudalizmës” në Shqipëri.

Mësimi i madh i historisë se çështja themelore e çdo revulucioni është çështja e pushtetit, shprehet në këtë letër me kerkesën kategorike që i bëhet qeverisë për ta pastruar sa më parë aparatin shtetëror nga feudalët dhe zyrtarët tradicionalë që përfaqësojnë ata.

Qartësinë politike të autorit, e tregon gjithashtu analiza e thellë socialklasore që i bënë ai këtij aparati, duke marrë shkas nga organizmat shtetërore të nënprefekturës së Lushnjes dhe veprimet e tyre antidemokratike.

“…Xhandarmëria e këtushme është krejt e fëlliqur-shkruhet në këtë letër denoncuese.-sepse është e përbërë prej personash të cilët nga sjelljet e tyre kundra lëvizjes kombëtare kanë ngrehë mbi vedi gjithë antipatinë dhe mërinë e nacionalistëve…kanë guzimin të kundërshtojnë sheshazi dhe të mbrojnë çdo person që është kundër qeverisë së sotme …të cilën e paraqesin si një “mbledhje cubash…”

Dhe për gjithë këta zyrtarë që vazhdojnë të qëndrojnë në postet shtetërore edhe pas fitores së Revolucionit dhe ende bëjnë ligjin aty, në letër jepen emrat bashkë me “biografitë” e secilit pa iu trembur hakmarrjes dhe pushtetit që kanë. Edhe ky fakt flet për vendosmëri dhe besim të plotë në forcën e demokracisë që pritej të realizonte qeveria e re e Nolit.

“…Të tillë persona, vazhdon letra- nuk mjaftoi që ishin me mish e me shpirt kundra lëvizjes kombëtare e disa edhe me vepra, por edhe sot përhapin lajme se gjoja Ahmet Zogu me 12000 komitë sërb po marrshon mbi Shqipërinë, se e ka djegur Martaneshin dhe po i afrohet Tiranës për ta rrëzuar qeverinë…”

Demokratët revoluconarë si Naun Doko Prifin me shokë, veç të tjerash i shqetëson shumë ngathtësia e qeverisë për të ushtruar pushtetin e saj legjitim. Qeverinë e quajnë të tyren sepse është qeveria që doli nga lufta ku shumë nga këta ishin të rreshtuar me armë ndaj dhe i besojnë e kërkojnë nga ajo t’i mbrojë nga padrejtësitë. Por duket se qeveria nuk po i çjerrë dot kurthet e merimangës së feudalëve zyrtarë.

“…Financa e këtueshme është e përfaqësuar prej nipash të feudalëve, prej A.Vokopolës, prandaj nuk lenë rast pa gjetur kundërshtim për nacionalistët dhe anësi për agallaret. Në marrëveshje me togerin e xhandarmërisë, borxhlitë, atdhtarë të mirë që kanë borxhe fare të vogla për të paguar, burgosen pa farë mëshire kurse ruhen dhe mbrohen kundërshtarët e lëvizjes kombëtare që kanë borxhe në qeveri nga 5000 deri në 25000 franga ari për person…”

Protesta shpreh thelbin e kontradiktës mes popullit dhe kundërshtarëve, kontradiktë të cilën nuk arriti ta kuptonte në shkallën e duhur, as vet qeveria e Nolit. Prandaj dhe në letër mbahet qëndrim kundër gjithë atyre që flasin dhe veprojnë nga ana tjetër e barrikadës. “Të tillë njerëz që janë dallkaukët e feudalëve, nuk duhet të kenë të drejtë më…të mbledhin taksat nga populli që mjaft i ka duruar…”

Është interesante të shënohet se për ta dhënë të plotë tablonë degjeneruese të aparatit shtetëror të kësaj nënprefekture (si pjesë e gjithë aparatit shtetëror të vendit), letër-protesta e përqendron analizën në katër pika kryesore të këtij aparati; xhandarmërinë, financën, zyrën postëtelegrafike dhe shkollën e qytetit. Përbërja dhe qëndrimi i këtyre organizmave shtetërore pro ose kundër popullit ishte me rëndësi të madhe për kohën kur ato vepronin si hallkat kryesore të pushtetit vendor doemos, edhe si refleks i drejtpërdrejt i pushtetit shtetëror të qendrës.

“…Zyra postëtelegrafike e këtueshme me nëpunësit e sotshëm është komplet në favorin e këtyre dallkaukëve, sepse gjithë telegramet, si privat ashtu dhe zyrtarë, më parë e merrnin dhe e marrin vesh M.bej Vokopola me shokë, se të interesuarit pasi nëpunësat, si vegla të verbëta, nuk ishin dhe nuk janë veçse spiunët e tyre…Këta edhe sot tregojnë sheshazi kundërshtimin e tyre tue përhapur lajme të rrejshme e duke u shoqëruar me ma të rreptit kundërshtarë të qeverisë së sotme…”

Por shqetësimi që e ka shoqëruar tërë jetën mësuesin atdhetar Naun Doko Priftin (Njeri nga dy shqiptarët në botë që arriti të bëhet Rektor Universiteti, në Tbilis-Gjeorgji,1933), si dhe gjithë bashkëkohësit e tij përparimtarë, është gjendja e shkollës dhe figura e mësuesit. Ishte fjala për edukimin dhe përgatitjen e brezit të ri, pra ishte fjala për të ardhmen e kombit shqiptar. Ndaj dhe pritej aq shumë nga qeveria e re, pikërisht në këtë fushë tepër të prapambetur për kohën. Mirëpo muajt shkonin dhe gjendja mbetej po ajo. Shkollën dhe nxënësit i mësonin dhe vazhdonin t’i drejtonin “rrangallët dallkaukë” gjithnjë e më larg idealeve dhe synimeve për të cilat kishte aq shumë nevojë shoqëria shqiptare e atyre viteve.

“…Zevendësdrejtori i shkollës së bujqësisë në Lushnjë- vazhdon letër ankesa– është i njohur nga gjithë organizatorët e Kongresit të Lushnjes si shërbëtor i feudalëve sepse në kohën e mbledhjes ishte kundërshtari më i madh i Kongresit historik…Për këto e të tjera veprime të tilla edhe e dënuan me vdekje por prej mëshirës së disa personave që e çmonin vetëm si vegël të verbër dhe të poshtër, e shpëtuan nga vdekja…”

Jepet ky rast nga merret shkas për t’i kërkuar qeverisë një ndryshim rrënjësor në gjithë sistemin arsimor të kohës.

“…Populli patriot i nënprefekturës së Lushnjes-përfundon letra- pret me padurim që zotnia juaj të merrni masa urgjente, të rrepta dhe të shpejta sepse, po nuk u dërmuan këta njerëz dallkaukë, është frika se edhe ata që kanë shpresë se u liruan nga zgjedha feudale, do mbeten të influencuar dhe do bashkohen me kundërshtarët e qeverisë së sotme…”

Paralajmërim më të saktë dhe më të drejtpërdrejt për qeverinë, nuk kishte. Ishte thirrja e popullit e drejtuar nga bijtë e tij, intelektualët atdhetarë të cilët, punuan aq shumë dhe luftuan me armë për të sjellë në pushtet këtë qeveri. Mirëpo, ngathtësia dhe paaftësia e qeverisë së Nolit për të mbrojtur fitoret e arritura, tashmë dihen.

Nuk u deshën më shumë se tre muaj që vet qeveria dhe populli ta vuajnë sërish atë paralajmërim të “Djalërisë lushnjare” dhe liderit të saj Naun Doko Priftit.

Dhe është po kjo “Djalëri…” e ky popull, i drejtuar dhe nxitur sërish nga Naun Doko Prifti me shokë, që deri pak dite para rënies së qeverisë së Nolit, i bënë asaj telegramin e gadishmërisë për ta marrë në mbrojtje qoftë edhe duke sakrifikuar:

“…Populli i Myzeqesë, besnik i qeverisë demokrate, proteston kundër çfarëdo lëvizjeje dhe është gati të sakrifikojë çdo gjë për mbrojtjen e Atdheut…!

(AQSH,Fondi .252, dosja 97/||, viti 1924, dok. 486, dt. 16 dhjetor, 1924)


5 Korrik 2018