“Armiqtë” e armikut Mid’hat Frashëri…
Idajet Beqiri
Debati i ndezur kohët e fundit për kthimin dhe rivarrimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe nuk është aspak i rastësishëm…
Qeveria shqiptare ktheu eshtrat e Mid’hat Frashërit në atdhe. Ai u vendos në varr mes babait dhe dy xhaxhallarëve të tij. Kthimi i tij në atdhe, i vdekur domosdo, është një akt normal. Pavarësisht kontestimeve, Mid’hat Frashëri alias Lumo Skëndo, si një njeri me vlera në fushën e letrave shqipe, meriton të nderohet. Nuk i mësova dot arsyet e vërteta se përse me kthimin e eshtrave të tij në Shqipëri u mor Qeveria e Shqipërisë. Mbase do të ishte mirë që ai të sillej në Shqipëri nën kujdesin e Fondacionit “Lumo Skëndo”, ose nën kujdesin e Partisë Balli Kombëtar. Mirëpo, meqenëse ka qenë ministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, mund të justifikohet ceremonia zyrtare e Qeverisë së Shqipërisë.
Rëndësi ka të nënvizohen disa të vërteta:
Të mos glorifikohej deri në ekstazë figura e Mid’hat Frashërit. Nëse Mid’hat Frashëri nuk do të ishte djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, nuk do të ishte ky Mid’hati i sotëm në ceremoninë mortore të rivarrimit në Shqipëri.
Ai nuk do të kishte atë pozitë të lartë në Kongresin e Manastirit, nëse nuk do të ishte djali i Abdyl Frashërit. Emri dhe vepra e babait i dha atij vlera mbi vlerat e shumë burrave të shquar të atij Kongresi, të cilët nuk kishin një baba si Abdyl Frashëri.
Ai nuk do të ishte bërë dot kurrë ministër i Qeverisë së Ismail Qemalit nëse nuk do të ishte djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Kishte burra të shquar që vareshin “nga këmbët e veta”, jo nga meritat e babait, që meritonin të bëheshin ministra.
Nëse Mid’hat Frashëri nuk do të ishte djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, me shitjen që u bëri interesave kombëtare shqiptare te Greqia, si dhe duke u bërë një kolaboracionist i rrezikshëm nazifashist në Luftën e Dytë Botërore, për shqiptarët ai do të ishte një Esat Pash Toptani i dytë! Mirëpo shqiptarët, për hir të së vërtetës, duke patur një nostalgji të përligjur ndaj veprave madhore kombëtare të Abdyl Frashërit, Sami dhe Naim Frashërit, e kanë mbajtur “pak me hatër” Mid’hat Frashërin, duke “e kursyer” atë, ndryshe nga sa kanë bërë për figura të tjera që kanë qënë shumë më pak problematik se ky.
Në këtë aspekt Mid’hat Frashëri nuk ka patur armiq, sepse armik ishte vetë. Pra ai ishte armiku i vetvetes.
Nëse Mid’hat Frashëri nuk do të ishte djali i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit, ballistët nuk do ta zgjidhnin atë Kryetar të Ballit Kombëtar në vitin 1943.
Po t’a ç’veshësh Mid’hat Frashërin nga miti i Abdyl Frashërit, Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nuk do të ishte kurrë me ato përmasa që i kanë dhënë dje dhe sot.
Në këto kushte, Qeveria e Shqipërisë, edhe mund ta bënte, siç e bëri ceremoninë për sjelljen në atdhe dhe rivarrimin e Mid’hat Frashërit. Por duhet t’i gjente atij një vend tjetër rivarrimi, kurrsesi në mes të Abdyl Frashërit, Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Në radhë të parë duheshin gjetur rrugë dhe mjete, duheshin gjetur institucione shtetërore dhe joqeveritare, të cilat të jepnin me kompetencë vlerësimin e tyre nëse, po të ishin gjallë Abdyl Frashërit, Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, do t’a pranonin në mesin e tyre Mid’hat Frashërin, pavarësisht se e kanë djalë apo nip?!
Kryeveprat gjigande të Abdyl Frashërit, Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, janë si nata me ditën me lajthitjet e tmerrshme antishqiptare të Mid’hat Frashërit!
Vlerat e Mid’hat Frashërit janë të mëdha. Ai është Lumo Skëndo dhe si i tillë është një emër i madh i letrave shqipe, i kulturës kombëtare shqiptare. Ai duhet nderuar, por kurrën e kurrës nuk duhet t’u bëhet “peshqesh” Abdyl Frashërit, Sami Frashërit dhe Naim Frashërit!
16 Nëntor 2018