Jump to content

Çfarë do të ishte 28-a pa 29-n?

Nga Wikibooks

Prof. Xhelal Gjeçovi

Edhe këtë vit, kremtimi i dy festave të mëdha 28 e 29 nëntori, u shoqëruan me polemika dhe u festuan të ndara. Një nga shkaqet që ndodhi kështu këtë vit ishte dhe rivarrimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit, ish-Kryetarit të Ballit Kombëtar që bashkëpunoi me pushtuesit nazifashistë. Ceremonia shtetërore dhe qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama rindezi një debat të hershëm. Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste ndoshta ka menduar se kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga lufta dhe shqiptarët i kanë harruar bëmat e Mit’hatit dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht këtu gaboi!


28 dhe 29 nëntori janë dy data lapidare, të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Historia e ka vërtetuar këtë. 28 nëntori dita e flamurit dhe e pavarësisë, se shpallur në Vlorë me 1912 nga Ismail Qemali e patriotë të tjerë të njohur,delegat të zgjedhur për të përfaqësuar të gjitha krahinat e vendit dhe 29 nëntori, dita e çlirimit të atdheut nga Ushtria Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, janë dy data lapidare, të shkruara me germa të arta në historinë kombëtare, që jo rastësisht qëndrojnë pranë njëra tjetrës. Ajo që i lidh e i bashkon është pavarësia, një vepër e madhe historike e gjithë kombit shqiptar, e arritur pas një kalvari të gjatë luftërash, përpjekjesh e sakrificash të parreshtura të shqiptarëve, të cilëve u prinin patriotë e atdhetarë të njohur nga të gjitha krahinat, besimet e orientimet.

Çdo përpjekje për t’i ndarë e shkëputur ato, për të vlerësuar njërën e për të mohuar apo minimizuar tjetrën, janë orvatje qëllimkëqia, që duan të gjymtojnë historinë, vendin dhe kombin shqiptar. Ato nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën, pasi i lidh një vlerë e madhe, e shenjtë, siç është pavarësia, i lidh gjaku i të rënëve për ta arritur, për ta fituar e për ta mbrojtur atë. Noli i madh ka shkruar se 28 nëntori 1912, ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pa 29 nëntorin e lavdishëm 1944, me siguri nuk do te ishte ajo që është. Pa 29 nëntorin 44, ajo do të ishte e mangët, e dobët, jo e plotë, e jo e qëndrueshme.

29 nëntori i dha pavarësisë kuptimin, përmbajtjen dhe shkëlqimin e duhur, që e priste dhe e meritonte, pasi iu dha fund një herë e përgjithmonë pushtimeve të Shqipërisë, trajtimit te saj si plaçkë tregu, për të kënaqur lakmitë e llogaritë e fuqive të huaja, e shndërruan atë në një vlerë reale, e bënë të gjallë, vepruese, të qëndrueshme, të pa prekshme, garanci për mbrojtjen e zhvillimin e pavarur të vendit e të jetës paqësore të qytetarëve shqiptarë.

Kjo është dhe arsyeja që as debatet e aq me pak sulmet e forcave të vjetra, që vazhdojnë ende edhe sot, pas afro treçerek shekulli, nuk kanë mundur të lëkundin e të ndryshojnë asgjë ne bindjen e popullit se Lufta ishte shpëtimtare për vendin dhe as vërtetësinë e trajtesave dhe vlerësimeve që historiografia shqiptare dhe ajo botërore i kanë bërë me kohë kësaj ngjarjeje. Debatet dhe e studimet kane shërbyer sigurisht për të rishikuar e për të plotësuar analizat për aspekte të caktuara të Luftës, një proces i domosdoshëm e i vazhdueshëm, por ngjarja në vetvete, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare mbetet, siç është vlerësuar me kohë, ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë, me 28 nentor 1912. Po çfarë e bën atë të tillë? Çfarë i solli realisht ajo vendit? Lufta rivendosi pavarësinë kombëtare, të shpallur në Vlorë më 1912, e cila qe shkelur e likuiduar që më 7 prill 1939. Por, kjo nuk ishte një rivendosje e thjeshtë e pavarësisë që kishim, por një rivendosje mbi baza krejt të reja, pasi mbështetej në faktorë realë, të fuqishëm e të qëndrueshëm, nga masat popullore brenda dhe nga aleatët e mëdhenj jashtë. Kësisoj, për herë të parë, Shqipëria dhe shteti i saj dilnin në arenën e historisë me një sovranitet të plotë, që s’e kishin pasur e s’e kishin njohur kurrë më parë, çka e bënte vendin zot të fateve të veta, të aftë të mbrojë e të garantojë integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve dhe jetën paqësore të qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, lufta i dha fund ndërhyrjeve të huaja, pazareve në kurriz të vendit, trajtimit si plaçkë tregu, për të mbajtur në këmbë ekuilibrat e vendosur nga të mëdhenjtë, duke kënaqur orekset e satelitëve të tyre Ballkan, në kurriz të një vendi e shteti të vogël, të dobët e të pa përfillur, siç ishte Shqipëria para lufte.


Lufta Antifashiste e shpëtoi kombin shqiptar nga rreziku i asimilimit e asgjësimit po të kemi parasysh planet dhe projektet e okupatorit, të shpallura me bujë nga Musolini, kreu i fashizmit italian, për të ndryshuar brenda disa dhjetëvjeçareve përbërjen etnike te popullsisë së vendit, përmes kolonizimit, mbushjes së vendit me kolonë italianë dhe zbatimit të një programi masash në fushën arsimore, kulturore, shkencore etj., që synonin italianizimin dhe fashistizimin e vendit, zhveshjen e popullsisë autoktone nga tiparet më të qenësishme kombëtare, drobitjen e shpirtit “rebel” të shqiptarëve, që shprehej në mospajtimin me të keqen, kundërshtimin e çdo zgjedhe të huaj dhe çdo tiranie në vend, elemente e pjesë të identitetit të tyre të veçantë, të formuar në shekuj, si nevojë për të qëndruar e mbijetuar, përballë furtunave dhe rrebesheve të kohëve të shkuara.

Së dyti, Lufta e rreshtoi Shqipërinë me Koalicionin Antifashist Botëror, me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë. Edhe ky një element i ri, që do të ndikonte fuqishëm në rrjedhat e kohës, në fatet e në përfundimet e luftës, një meritë kjo e atyre që e organizuan dhe e udhëhoqën luftën.

Bota, siç dihet, ishte ndare dysh, mund të shkojë nga njëri krah, por dhe nga tjetri. Propaganda, premtimet, kërcënimet vinin nga dy blloqet. Ka patur në atë kohë vende dhe shtete më të fuqishëm e më me përvojë se ne, që nuk arritën të orientohen drejt, të zgjedhin rrugën e duhur dhe aleatët e duhur, e kjo do t’u shkaktonte probleme e do t’u sillte pasoja, në mbarim të luftës, kur do të bëheshin bilancet e saj. Kurse, Shqipëria doli nga lufta e rreshtuar me fitimtarët, me një kapital të rëndësishëm politik e me një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, që do të shërbenin për të përballuar situatën e vështirë të krijuar menjëherë pas lufte, ne raport me fqinjët ziliqarë që kërkonin ta identifikonin e ta cilësonin Shqipërinë si aleate të boshtit, duke e akuzuar se gjasme i qe bashkuar agresorëve fashistë italianë në agresionin kundër Greqisë fqinje, një shtrembërim flagrant i realitetit historik, pasi dihej fare mirë se Shqipëria, para agresionit kundër Greqisë, ishte pushtuar e aneksuar dhe vetë nga Italia Fashiste. Edhe pse nën okupacion, në konfliktin italo-grek, shqiptarët morën qysh në fillim, anën e Greqisë fqinje, duke mbështetur pa rezerva rezistencën e popullit grek. Dhe këtë mbështetje, Musolini do ta konsideronte njërin ndër shkaqet kryesore të disfatës së trupave italiane.

Së treti, Shqipëria është ndër vendet e pakta që u çlirua me forcat e veta, me veprimet e ushtrisë së vet nacionalçlirimtare, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë e vendeve aleate, siç ndodhi në disa vende të rajonit, si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari e Greqi, ku hyrja e trupave ruse në Beograd, Bukuresht e Sofje, dhe atyre anglo-amerikane në Athinë, u dha fund pushtimit të tyre. Është e çuditshme që një pohim i tillë, që përbën padyshim një fakt historik që na nderon, një vlerë e shtuar e luftës sonë, pritet me trishtim e shoqërohet me reagime e përpjekje për ta injoruar, denigruar e mohuar, nga forcat e vjetra, kryesisht kolaboracionistët dhe trashëgimtarët e tyre, që u ka ngelur ora në vitin ‘44. Tek po shkruaja këto rreshta, mu kujtua një rast, që lidhet me këtë çështje. Para një viti, në një emisionin në Njuz 24, të përgatitur nga gazetari Rezart Xhaxhiu e të transmetuar në orët e vona të natës, pashë një gazetar tjetër, të njohur për manipulimet e bëra qysh në fillimet e tranzicionit me dokumente historike, që për këtë arsye kisha reaguar e debatuar me një shkrim në një të përditshme, tek po i tregonte Xhaxhiut një shkrim timin pa e zënë në gojë emrin, në të cilin theksohej se Shqipëria është çliruar me forcat e veta, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë e vendeve aleate. Ua, ua, ja bëri menjëherë Xhaxhiu, ç’po na dëgjojnë veshët. Po kush është ai qe e thotë kete mo?, pyeti ai me një farë naiviteti, por dhe shqetësimi. Menjëherë gazetari manipulator e shtyti shkrimin edhe një cikë, qe Xhaxhiu të shihte emrin tim. Ua,ua, ia bëri përsëri Xhaxhiu.

Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë, thashë me vete, duke përsëritur një shprehje të njohur të popullit. Me cilin të merresha më parë,me gazetarin manipulator, që vazhdon edhe sot manipulimin me dokumente apo me Xhaxhiun, që bie kaq lehtë në grackën e tij? Me asnjërin, vendosa. Nuk ia vlen te harxhohet kohë në debate të tilla kallpe dhe fyese, pasi ka dhe jo pak nga kjo sërë, të angazhuar në një veprimtari të ethshme për të hedhur balte ndaj të kaluarës, sidomos ndaj Luftës sikursendodhi edhe ditët e fundit kur me paturpësinë më të madhe një sërë kalemxhinjsh u përpoqën të ngrenë në piedestal Ballin Kombëtar dhe Mit’hat Frashërin, u përpoqën të fshehin dhe të fshijnë kolaboracionizmin e tyre pushtuesit gjatë luftës. E kanë të kotë pasi ajo njollë e zezë nuk u hiqet në jetë të jetëve asa Ballit dhe as Mit’hatit. Nuk kam çfarë t’u shtoj këtyre radhëve që shkruante dje në DITA historiani Pëllumb Xhufi për figurën e Mit’hat Frashërit:

“Egoizmi e protagonizmi i pafre, i ndrydhur në vitet e qeverisjes së Zogut, e çoi Mit’hat Frashërin në rrugën pa kthim të bashkëpunimit të hapur me pushtuesin dhe me kriminelë të regjur, si Isa Toska, Kadri Cakrani apo Hamit Matjani, e komprometuan rëndë figurën e tij përpara popullit shqiptar e përpara aleatëve anglo-amerikanë, të cilët i ndërprenë marrëdhëniet me të qysh në nëntor të vitit 1943. Akoma më zi, Mit’hati shkeli mbi historinë e tij personale dhe atë të familjes së tij, kur në fund të luftës, më 1944, i propozoi përfaqësuesve të qeverisë greke, gjeneralëve Chrysochou e Sarandis, krijimin e një federate greko-shqiptare dhe paraqitjen në Konferencën e Paqes me një delegacion të vetëm. Mit’hati propozonte që Shqipëria të hynte në këtë bashkim federal me Greqinë me kufijtë e Londrës, d.m.th. pa Kosovën e Çamërinë dhe me statusin e një province të nënshtruar, përderisa drejtimi i ushtrisë dhe i politikës së jashtme i liheshin prej tij Athinës.”

Me pak fjalë thuhet shumëçka. Le t’i kundërshtojë ndokush këto fjalë të Profesor Xhufit.

Megjithatë, apologjetët e kolaboracionizmit nuk kanë faj, pasi e kanë amanet nga paraardhësit e tyre, të cilëve lufta antifashiste ua preu në mes ëndrrat e projektet për rikthim të pushtetit e të privilegjeve, që kishin para dhe gjatë luftës.


Argumentet që sillen janë vërtetë sa të pathemelta e aq dhe qesharake, që tregojnë më së pari injorancën e tyre. Sipas tyre, faktori kryesor i fitores së komunistëve paska qenë ndihma e Britanisë së Madhe, ishte Çërçilli, sipas tyre ai që paska sjellë komunizmin dhe komunistët shqiptarë në pushtet, se fitorja e luftës qenka përcaktuar nga ardhja e dyzetë apo pesëdhjetë misionarëve anglezë, në kohë e në pika të ndryshme të territorit shqiptar, shumica e të cilëve të orientimit të djathtë, që bënë çmos që të mbështesnin e të ngrinin jo komunistët, por ballistët e legalistët, duke i këshilluar që të hyjnë në luftë se vetëm kjo do t’u krijonte mundësi që t’i ndihmojnë të realizojnë dhe ëndrrat për pushtet. Por shpejt anglezët do të bindeshin edhe vetë dhe të alarmuar do të njoftonin qendrën në Londër se krerët nacionalistë këetu duan pushtetin në pjatë, si dhuratë nga jashtë, nga ne, pa luftuar e pa sakrifikuar.

Deri këtu arrin logjika e mbrapshtë e ballistëve dhe kolaboracionistëve të tjerë, që për inat të vjehrrës, siç thotë populli, vete e fle me mullixhinë, që për të zbehur apo dhe mohuar meritat e Frontit e të PK, rivalëve të tyre për pushtet, mohojnë luftën dhe sakrificat e popullit, duke ua atribuuar ato të huajve, në këtë rast anglezëve. Këtë nuk besoj se e ben kush, se e bën ndonjë forcë politike në çfarëdo vendi e kontinenti qoftë. Nga kjo pozitë mjerane e me këtë mentalitet, shkakun e vendosjes së komunizmit nuk e shohin edhe tek gabimet e tyre, tek braktisja që i bënë luftës dhe rreshtimi përkrah forcave te Boshtit Nazifashist, çka u dha mundësi komunistëve të përfitonin e të afirmoheshin si forca e vetme që luftonte kundër okupatorit, që pashmangërisht do t’i çonte dhe drejt pushtetit.

Dua t’u kujtoj këtyre zotërinjve që mohojnë Luftën tonë Antifashiste, se ky fakt, çlirimi i vendit me forcat e veta, nga veprimet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, shërbeu si një argument i fuqishëm, të cilin kryeministri shqiptar Enver Hoxha ua kujtoi dhe përfaqësuesve të shteteve aleate në Konferencën e Paqes të vitit 1946 e që u mbështet pa rezerva dhe prej tyre, duke hedhur poshtë akuzat greke, sipas të cilave Shqipëria i qenkësh bashkuar agresionit të fashistëve italianë kundër Greqisë, e se për këtë arsye, duhej dënuar siç po dënoheshin dhe pjesëtarët e tjerë të boshtit, jo vetëm me dëmshpërblime financiare por dhe me gjymtime territoriale. Në këtë rrugë e me këto akuza false, qarqet verio-epiriote të përfaqësuara në Konferencë, nga kryeministri Metaksai, kishin llogaritur që me mbështetjen e Britanisë së Madhe, të cilën ajo ia kishte premtuar qeverisë mbretërore në mërgim, të vendosur në Londër, të arrinin të shkëpusnin nga trungu i vet, të ashtuquajturin Vorio-Epir, pra Shqipërinë e Jugut, duke zgjidhur kështu çështjen vorio-epiriote, të sajuar për këtë qëllim, për të grabitur pjesë të tjera të territorit shqiptar. Harronin qarqet shoviniste verio-epiriote se përballë tyre nuk ishte Mit’hat Frashëri, që t’ua plotësonte orekset e tyre, por ishte Enver Hoxha, që ishte gati të niste një luftë tjetër, si ajo kundër agresorëve fashistë nëse do të ishte nevoja, për të mbrojtur integritetin dhe dinjitetin e Shqipërisë se re. Ndoshta këto peripeci e rreziqe, që u tejkaluan në sajë të Luftës Nacionalçlirimtare kishte parasysh Noli kur shkruante se historianet kur të shkruajnë Historinë e Shqipërisë nën vështrimin e njëqind vjetëve më vonë, nuk do të jetë çudi që ta nisin jetën indipendente të popullit shqiptar jo me 1912, por me 1944, atëherë kur pavarësia u shndërrua në një realitet të gjallë, të qëndrueshëm e të fuqishëm, të aftë që të garantojë paprekshmërinë e kufijve dhe jetën paqësore të qytetarëve shqiptarë.

Dhe, merita për këtë ndryshim që solli lufta, qe solli 29 nëntori i lavdishëm, u takon të gjithë pjesëmarrsve në luftë, të gjitha forcave patriotike pa dallim, komuniste, antifashiste e nacionaliste, të bashkuar e të organizuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, të udhëhequr me urtësi e largpamësi nga PK dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha, numri një i luftës e i fitores së saj, komisar e në fazeë përmbyllëse e vendimtare të luftës dhe komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe bashkëpunëtorëve të tij, patriotëve të mëdhenj, si Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Omer Nishani, Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Mestan Ujaniku etj.; Udhëheqësve të talentuar të Shtabit të Përgjithshëm e të njësive partizane, si Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Nako Spiru, Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Ramiz Alia, Rita Marko, Rrahman Parllaku, Sadik Bekteshi, etj.,e mbi të gjitha, dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të LANÇ-it, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Manush Alimani, Misto Mame, Mihal Duri, Zonja Çurre, Kajo Karafili, Asim Zeneli, Perlat Rexhepi, me dy shoket e tij, Jordan Misja e Branko Kadia që shkruan një epope që tronditi qytetin; pesë heronjtë e Vigut, bij të Shkodrës, djepit të dijes e të kulturës; të Lezhës së njerëzve të urtë e të mirë, të Mirditës së trimave e të besës, të vrarë tradhtisht e mizorisht nga forcat reaksionare të kapidanit shpirtzi e shërbëtor i çdo të huaji që shkelte këtë vend; 84 qytetarët e Tiranës, të ekzekutuar në masakrën e tmerrshme të 4 shkurtit 1944, që organizuan ballistët e kolaboracionistët e tjerë, masakër që pasi mori bekimin e Mit’hat Frashërit, u udhëhoq nga dy figura të errëta, Xhafer Deva e Kadri Cakrani, i pari ministër i brendshëm, shërbëtor i zellshëm i gjermanëve dhe i dyti, komandant i forcave të Ballit. Vijnë më pas plot të tjerë, një radhë e pafund të rinjsh e të rejash, shumica e të cilëve s’i kishin mbushur ende të njëzetat, për të mbërritur shifrën e 28 mijë yjeve të rënë për lirinë e Shqipërisë, për ta parë atë të lirë, të pavarur e sovrane. Aktet e tyre heroike, janë gdhendur me germa të arta në historinë e Shqipërisë dhe askush nuk ka mundur e nuk do tëe mund t’i fshijë e t’i mohoje, pasi ato janë të rrethuar edhe sot nga mirënjohja e nga dashuria e pa fund e popullit, që çmon e nderon si gjënë më të shenjtë, kujtimin dhe veprën e tyre, lirinë dhe pavarësinë që ata i sollën vendit.


30 nëntor 2018