Jump to content

Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndërvarura/8

Nga Wikibooks


Planifikimi në mësimdhënie, mësimnxënie dhe vlerësim


Mësimdhënia konsiderohet e suksesshme atëherë kur:

  1. Mësimdhënësi di t’u ngjallë nxënësve interes për orën e mësimit duke i përfshirë ata në veprimtari të larmishme dhe të vazhdueshme, të organizuara këto në mënyrë individuale, në çifte dhe në grupe.
  2. Mësimdhënësi di të drejtojë situata të papritura.
  3. Mësimdhënësi flet qartë, kuptueshëm, qetë dhe saktë.
  4. Mësimdhënësi është i ngrohtë dhe i dashur me nxënësit.
  5. Mësimdhënësi shfrytëzon burime të ndryshme informacionesh për të zgjeruar njohuritë e tij dhe është në kërkim të vazhdueshëm të tyre.
  6. Mësimdhënësi ka vizion e koncepte të qarta të planifikimit dhe të organizimit në përgjithësi dhe në veçanti të kohës prej 45 minutash.

Mësimdhënia mund të jetë e suksesshme vetëm nëse mësimdhënësi të gjitha këto i planifikon. Pra,suksesi i punës mbështetet vetëm në një planifikim të mirë.

Planifikimi

  • “Të dështosh në planifikim, do të thotë të planifikosh dështimin”
  • Suksesi i punës mbështetet në planifikim të mirë
  • Planifikimi paraqet një aktivitet të lartë intelektual – kognitiv
  • Dallimi në mes Planifikimit dhe planit:
a) Planifikimi është proces
b) Plani është instrument, gjendje, rezultat i planifikimit. Plani paraqet bazën teorike për punën e ardhme praktike.

Të planifikosh do të thotë:

  • të paramendosh
  • të projektosh
  • të skicosh
  • të modelosh
  • të vizatosh
  • të shkruash etj..

Para se të planifikojmë një gjë, duhet të përgjigjemi në këto pyetje:

  • Pse duhet të planifikojmë?
  • Çka duhet të planifikojmë?
  • Si duhet ta planifikojmë?

Llojet e planifikimit (planeve)

Një ndarje:

  1. Planifikimi i programeve mësimore
  2. Planifikimi i përmbajtjeve të lëndëve mësimore
  3. Planifikimi i një tërësie programore
  4. Planifikimi i një grupi temash mësimore
  5. Planifikimi i një teme – një njësie mësimore

Ndarje tjetër:

  1. Planifikimi vjetor (global)
  2. Planifikimi semestral
  3. Planifikimi mujor
  4. Planifikimi ditor

Kush janë bartësit e këtyre planifikimeve?

  • Planifikimin e programeve mësimore dhe të përmbajtjeve të lëndëve mësimore e bëjnë institucionet e larta arsimore (shtetërore)
  • Planifikimin rreth copëzimit në tema dhe në njësi mësimore e bën mësimdhënësi.
Fazat nëpër të cilat kalon planifikimi i orës mësimore


Procesi i planifikimit i orës mësimore realizohet përmes tri fazave:

a) përgatitja para mësimit – është e barabartë me hartimin e planit ditor
b) puna dhe veprimtarit brenda 45 minutash
c) reflektimi pas mësimit

Faza I: Planifikimi para mësimit

Në këtë fazë (të parën) planifikohet :
a) struktura e orës së mësimit
b) hartohen objektivat e orës së mësimit
c) Objektivat duhet të jenë specifike (sjelljet që nxënësit duhet t’i demonstrojnë ose produktet që duhet t’i japin dhe të nxisin nivele të larta të të menduarit.
d) Motivimi është element tjetër shumë me rëndësi i planifikimit. Ky lidhet me lerën dhe vlefshmërinë që ka tema apo njësia mësimore
e) Mësimi duhet të planifikohet, të ndërtohet mbi njohuritë paraprake që kanë nxënësit
f) Gjithsesi për të pasur sukses mësimi duhet planifikuar procedurat e mësimit, teknikat dhe strategjitë si dhe format organizative.
g) Që në hartimin e planit ditor mësimdhënësi planifikon se cilën detyrë nxënësi do ta kryejë në mënyrë individuale, cilën do ta punojë në qifte dhe cilën do ta kryejë në grup të vogël apo të madh.
h) Gjithsesi në këtë fazë planifikohet edhe koha e realizimit

Faza II: Puna gjatë orës së mësimit

a) Në këtë fazë fillon zbatimi i veprimtarive të planifikuara
b) Përfillet struktura e orës mësimore
c) Përfillen metodat dhe strategjitë, teknikat mësimore të planifikuara
ç) Përfillet materiali lëndor, mjete dhe pajisjet mësimore
d) Përfillet koha e planifikuar
dh) Përfillet kontrolli dhe vlerësimi i planifikuar

Faza III: Puna pas orës mësimore

  • Analiza e realizimit të orës mësimore që do të na shërbej si mbështetje për të planifikuare në të ardhmen
  • Mësimdhënësi në këtë fazë i rishikon veprimtaritë e kryera në klasë dhe gjykon mbi vlerat e këtyre veprimtarive
  • Nga shënimet nxjerr se çka ka ecur mirë, çka nuk ka ecur si duhet. Pse ndodhi kështu dhe si do të ishte më mirë veprimtaria
  • Kjo ndihmon për planifikim të ri të kapitullit të ardhshëm, temës apo njësisë së re mësimore.
Rëndësia e objektivave në planifikim dhe realizim të orës mësimore

Për një planifikim të mirë duhet të përgjigjemi në këto pyetje:

  1. Çfarë duhet që të arrihet?
  2. Cila është përmbajtja që do të transmetohet?
  3. Çka do të jenë të aftë të bëjnë nxënësit në fund të orës mësimore?
  4. Si do ta arrijmë atë që synojmë?
  5. Si do ta dimë se çka kemi arritur


[[Titulli i lidhjesTekst i pjerrët ==

Titull shembull

[redakto]

[[Skeda:Media:Shembull.jpg[[Media:Media:Shembull.ogg qfare eshte puna dhe mesimi Ň]]]] == ]]==KUPTIMI I OBJEKTIVAVE==

Qëllimet arsimore janë synimet e përgjithshme afatgjata që duam të arrijmë në të ardhmen, diçka drejt së cilës duhet të ecim për ta arritur. Qëllimet arsimore lidhen me procesin e përgjithshëm të edukimit. Ato përcaktohen për veprimtarinë tërësore të shkollës, për planet dhe programet mësimore.

Objektivat mësimorë janë synime afatshkurtra dhe më konkrete se qëllimet arsimore. Ato janë produkti që shpresohet të demonstrojë nxënësi si rezultat i të nxënit. Objektivat mësimorë formulohen në kuadrin e kontekstit të qëllimeve arsimore, por me synimin që t’i konkretizojnë ato. Objektivat mësimorë janë bazamenti mbi të cilin ngrihet plani i veprimit. Ato janë bazë për vendimet që lidhen me përmbajtjen mësimore, me metodat e mësimdhënies, me përdorimin e mjeteve mësimore, me vlerësimin.

Çka janë qëllimet ?

Qëllimet janë aspirata të përgjithshme më afat gjata që synohen të arrihen në të ardhmen ( drejtë së cilës duhet ecur).

Shembull: Të përvetësojë një të menduarit matematik në zgjidhjen e problemeve nga jeta e përditshme
Çka janë objektivat ?

Objektivat janë aspirata më afatshkurtra dhe më konkrete se qëllimi. Çka do të arrihet ? Ku do të arrihet ? Si do të arrihet ? A e kemi arrit ?

Shembull: Nxënësi i përdor hierarkinë e kllapave dhe veprimet aritmetikore pa gabime.
Çka janë objektivat e përgjithshme ?

Objektivat e përgjithshme janë pohime të gjëra të asaj që duhet të jetë në gjendje të bëjë nxënësi si rezultat i mësimdhënie.

Shembull: Nx. duhet të jetë në gjendje të dallojë format e ndryshme të trupave gjeometrik. Nx. duhet të jetë në gjendje ta zbatojë T. Pitagorës në detyra praktike
Objektivat specifike

Objektivat specifike janë pohime mbi ata se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë nxënësinë kushte të caktuara. (Çfarë mund të bëhet konkretisht).

Shembull: Çka thotë Teorema e Pitagorës ? ( Njohje )
Pse në Kosovë nuk mbillet orizi ? ( Të kuptuarit )
Të gjendet lartësia e trekëndëshit në se ….. (Zbatim)
Cili nga punimet e paraqitura (Mend. Kritik)
Përbërësit ose elementet e objektivit
  1. Elementi i parë: VEPRIMI: përshkruhet një veprimtari e nxënësit e cila dallohet përmes një sjellje që mund të vëzhgohet.
  2. Elementi i dytë: KUSHTET: tregon kushtin në të cilat ndodh ajo sjellje e dëshiruar.
  3. Elementi i tretë: KRITERI: tregon nivelin përfundimtar të asaj veprimtarie që bën nxënësi ku hyn edhe kriteri i cili do të na shërbej për të vlerësuar rezultatet, zhvillimin e nxënësit.
Shembuj që janë objektiva mësimorë
- Të shkruajë (saktë katër) termat e reja të mësimit, sipas shënimeve.
- (Në një hartë pa emra), të identifikojë vetëm pesë kryesorët, nga tetë lumenjtë e Francës, të përshkruar në (tekstin mësimor).
- Të shpjegojnë (me shkrim) saktë dhe në mënyrë të përmbledhur shkaqet e Luftës së Parë Botërore (duke u mbështetur në tekstin mësimor) prej një kohe prej 7 minutash.
- Të shpjegojnë saktë (me fjalët e tyre), rolin e fërkimit gjatë lëvizjes.
- (Në një poezi të dhënë), të identifikohen të gjitha metaforat, brenda një kohe prej tre minutash.
- (Veprimi është dhënë me shkronja të pjerrëta, kushti me shkronja të zakonshme dhe kriteri me shkronja të nënvizuara në kllapa
Veprimi
Fjalë të vlefshme për formulimin e elementit të parë të Objektivit:
  • Të shkruash
  • Të recitosh
  • Të veçosh
  • Të zgjedhësh
  • Të krahasosh
  • Të analizosh
  • Të bashkosh
Kushtet
Shembuj fjalësh që shërbejnë për të formuluar elementin e dytë të Objektivit
  • Nga memoria (përmendësh)
  • Duke u bazuar në lisën…
  • Ta kërkojë vetë burimin e referencës
  • Përmes vizatimit, figurës apo mjetit
  • Përmes një substance, harte aparati etj
  • Përmes një rregulle, formule, ligji etj
Kriteri
Shembuj fjalësh shërbejnë për të formuluar elementin e tretë të objektivit:
  • Saktë
  • Pa gabime
  • Përmendësh
  • Të gjitha
  • Katër nga pesë elemente
  • Brenda 5 minutash
  • Duke krahasuar me… etj.
Formulimi i objektivave sipas niveleve të dijes
  • Kur formulojmë objektivat për një njësi mësimore duhet të kemi parasysh se çka presim nga nxënësit.
  • Pra, duhet formuluar objektiva të niveleve të ndryshme pasi në klasë kemi nxënës të niveleve të ndryshme.
  • Kur përmendim nivelet, mendojmë në nivelet e dijës.
Niveli i parë:

Njohja: Është riprodhim, përsëritja e emrave , rregullave, definicioneve. Është niveli më i ulët i dijës. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë: përkufizo, përshkruaj, dallo,rendit, emërto etj..

Të kuptuarit: Ështëaftësia për të kapur kuptimin e materialit. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë: shpjego, zgjero, jep përfundime, rishkruaj, përgjithëso…

Niveli i dytë:(Mesatar )

Zbatimi:Është aftësia për të përdorur materialin e mësuar në situata të reja dhe konkrete. Zbatohen rregulla, metoda, koncepte, parime, ligje teori etj.. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë: Ndrysho, njehso, provo, manipulo, përgatit, prodho, lidh përdor etj..

Analiza: Është aftësia për ta copëtuar materialin në pjesë përbërëse. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë: Copëto, ndaj në pjesë, dallo, seleksiono etj..

Niveli i tretë: (i lartë)

Sinteza: Është aftësia që të formojë një të tërë duke bashkuar pjesët. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë:Kombino, krijo, harto,, organizo, planifiko, rindërto, risistemo etj..

Vlerësimi: Është aftësia për të gjykuar vlerën e një materiali, të mirën e një ideje, motivet e sjelljeve etj.. Foljet që përshkruajnë këtë nivel janë: Konkludo, kritiko, arsyeto.

Vlerësimi
Ç’është vlerësimi ?
  • Vlerësimi është gjykimi për cilësinë
  • Vlerësimi është një mënyrë sistematike e shikimit të çështjeve të rëndësishme.
  • Vlerësimi është sigurimi i informacionit për vendimmarrje.
  • Në arsim vlerësimi shpesh lidhet me testimin dhe ngushtohet duke u kufizuar në arritjet e nxënësit.
  • Vlerësimi është një mjet konstruktiv për përmirësim dhe risi.

Pra, vlerësimi është proces i mbledhjes sistematike, analizimit dhe interpretimit të informative me qëllim të determinizmit se në çfarë shkalle nxënësi i ka zotëruar objektivat udhëzues. Vlerësimi përmban përshkrimin sasior dhe cilësor, gjykon vlerat dhe meritat, bazohet në matjen objektive, të saktë , të vlefshme, të besueshme.

Kuptimi i matjes

Vlerësimi dhe matja në arsim shpesh përdoren në vend të njëra tjetrës, kjo në fakt është gabim, sepse vlerësimi dhe matja nuk janë të njëjta. Shtrohet pyetja: Ç’është matja ? Në fillim pjesëmarrësit reflektojnë rreth pyetjes, ligjëruesi shënon disa nga prezantimet e pjesëmarrësve, pastaj ligjëruesi prezanton disa të dhëna për matjen dhe për mjetet kryesore të matjes, si dhe për dallimet kryesore në mes të nocioneve “matje “ dhe “vlerësim “.

Matja është proces krahasimi të një sasie të njohur me një sasie të panjohur. Matja nuk mund të jetë e mundshme pa një standard të përcaktuar dhe të vlerësuar. Matja në arsim është proces i grumbullimit dhe i organizimit të rregullt të informacionit mësimor dhe edukativ. Matja është shumë e thjeshtë në shkencat e sakta, por shumë e ndërlikuar në arsim. Mjetet kryesore të matjes janë: Vrojtimi, testi me goje, testi me shkrim, vetë raportimi, portfolio ( dosja ) etj.

Dallimi në mes të nocioneve “ matje “ dhe “ vlerësim ”.

Këto dy nocione nuk janë të njëjta. Përdorimi i pasaktë i tyre mund të qojë në përfundime të pasakta. Matja dhe vlerësimi janë pjesë përbërëse dhe jetësore të veprimtarisë së shkollave bashkëkohore. Kur matim diçka në arsim,atëherë përshkruajmë atë duke e vënë përballë diçkaje të krahasueshme. Ndërsa kur ne vlerësojmë diçka, atëherë ne gjykojmë në vlerat e saj. Pra, vlerësimi nënkupton vendosjen e një vlere gjykimi, sasiore dhe cilësore, bazuar në matje. Kjo do të thotë se vlerësimi si koncept është më i gjerë se sa matja dhe në vete përfshin edhe matjen.

Pse vlerësojmë ?
  • që të dimë se në çfarë stadi, niveli , pozicioni të njohurive jemi,
  • që të dimë se ku dëshirojmë të arrijmë,
  • që të nxjerrim se cilat janë dobësitë, pengesat, të metat që në të ardhmen t’i evitojmë në punën tonë,
  • për të bërë bilancin e njohurive dhe aftësive të arritura gjatë gjysëmvjetorit –vitit shkollor,
  • për ta ndihmuar nxënësin të përparojë në formimin e tij,
  • për të siguruar një përdorim të drejtë të vlerësimit të nxënësve
  • për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së mësimit me bazë shkolle.

Fazat praktike të procesit të vlerësimit. Standardet e vlerësimit

Sipas Daniel Stffebeam, drejtues i Komitetit të Përbashkët për Standardet e Vlerësimit në Arsim, përcaktohen rreth 30 standarde të ndara në katër grupe të mëdha :

  • standarde të dobisë – vlerësimi i shërben nevojave praktike
  • standarde të mundësisë – vlerësimi realist dhe i matur
  • standarde të korrektësisë – karakteri i ligjshëm dhe teknik
  • standarde të saktësisë – shfaq dhe pasuron informacion teknikisht të mjaftueshëm.

Standardet e vlerësimit shkurt janë: dobia, mundësia, korrektësia, saktësia. Renditja mund të jetë edhe ndryshe. Dhe, së fundi duhet të kuptojmë se:

Vlerësimi nuk ka përfundim. Vlerësimi është ciklik. Vlerësimi është reflektim rreth rezultateve. Vlerësimi shërben për t’i përdorur rezultatet për të përmirësuar të nxënit e nxënësve.

Funksionet e vlerësimit

Mësimi dallon varësisht nga nevojat e nxënësve. Vlerësimi i mundëson nxënësit të përparojë, ndërsa mësuesit të përshtatë më mirë mësimdhënien. Funksioni kryesor i vlerësimit është të ndihmojë për të kuptuar sa më mirë natyrën dhe cilësinë e çështjes që vlerësohet. Në veçanti funksionet e vlerësimit janë:

  • funksioni formues – shërben për monitorim, planifikim, përmirësim, zhvillim,etj;
  • funksioni përmbledhës – shërben për njohje të përgjegjësisë, për bilancin e njohurive dhe aftësive të arritura gjatë vitit shkollor, për llogaridhënie, për përzgjedhje, për certifikim, akreditim;
  • funksioni proaktiv – i shërben procesit të vendimmarrjes;
  • funksioni retroaktiv - i shërben procesit të llogaridhënies;
  • funksioni psikologjik e social - shërben për të motivuar sjellje të dëshiruara, për të zhvilluar marrëdhënie dhe mbështetje publike;
  • funksioni administrative – shërben për të ushtruar autoritetin.

Puna dhe aktiviteti i nxënësve vlerësohet duke u mbështetur në planin dhe programin mësimor, një vlerësim i vetëm mund të përdoret për më tepër se një funksion, sikurse edhe funksione të ndryshme mund të shfrytëzohen e përdoren me më tepër se sa një mënyrë ose metodë vlerësimi.

Procesi i vlerësimit

Kontrolli dhe vlerësimi shkojnë bashkë, paralelisht. Përgjithësisht nuk ndodh që të bësh kontrolle e të mos vlerësosh, ashtu siç ndodh rrallë që të vlerësosh pa bërë kontroll. Në përgjithësi kontrolli ka të bëjë me konstatimin e një gjendje të caktuar, me sigurimin e treguesve të saj, ndërsa vlerësimi ka të bëjë me konkludimin rreth saj, me gjykimin rreth treguesit. Në literaturë rekomandohen gjashtë faza të procesit të vlerësimit:

Kuptimi i problemit të vlerësimit - përcaktimi i objektit të vlerësimit, përcaktimi i audiencave ose të interesuarve, përcaktimi i funksioneve të vlerësimit, përcaktimi i kritereve që do të përdoren për vlerësimin .

Planifikimi i vlerësimit - zbërthimi i çështjes që vlerësohet, caktimi i detyrave të vlerësuesve, përzgjedhja e instrumenteve matës dhe për vrojtim, përcaktimi i kampionit, përzgjedhja e procedurave të analizës së të dhënave, caktimi i një orari veprimesh.

Mbledhja e informacionit - përcaktimi i llojit të informacionit që do të mblidhet, caktimi i burimit të informacionit, caktimi i procedurave dhe i mjeteve për mbledhjen e informacionit, caktimi i personave që do të mbledhin informacionin, caktimi i afatit të mbledhjes së informacionit.

Analiza e të dhënave - caktimi i procedurës së analizës së të dhënave, caktimi i mënyrës së interpretimit të të dhënave

Raportimi i rezultateve të vlerësimit - caktimi i audiencës, caktimi i formave të raportimit, caktimi i kohës së raportimit.

Dhënia e rekomandimeve - caktimi i përmbajtjes për përmirësim, caktimi i afateve për përmirësim.

Llojet e vlerësimit në shkollë

Në praktikën shkollore aplikohen lloje të ndryshme të vlerësimit.

Llojet e vlerësimit më të përdorshme që aplikohen në shkollë janë si më poshtë:

Vlerësimi diagnostifikues – përmes këtij vlerësimi identifikohen vështërsitë e të nxënit ose problemet që kanë të bëjnë me të nxënit. Po ashtu përmes vlerësimit diagnostifikues identifikohen anët e dobëta dhe të forta të mësimdhënies , përcaktohen shkaqet e ndryshme të problemeve në mësimnxënie etj ,në mënyrë që të merren masat për përmirësimin dhe avancimin e saj dhe për formulimin e planit për veprim në ndihmë nxënësve..

Vlerësimi formues – përmes këtij vlerësimi synojmë të identifikojmë gabimet, të metat dhe veshtërsitë në punën me nxënës, me qëllim që t’u japim ndihmë. Vlerësimi formues mbikëqyrë ecurinë, procesin, përparimin e nxënësve, mësimdhënësve, siguron informatë kthyese për të sjellë përmirësime. Kontrollon përparimin e nxënies së nxënësve gjatë procesit mësimor, pra kontrollon shkallën e zotërimit të objektivave udhëzues.

Vlerësimi përmbledhës - përcakton arritjet në përfundim të vitit mësimor, në përfundim të programit mësimor. Shërben për të marrë vendime për nxënësit, mësimdhënësit, programet etj. Ka për qëllim notimin dhe certifikimin e nxënësve, gjithashtu siguron informata për të gjykuar përvetësimin e objektivave të lëndës dhe efektëshmerisë së programit mësimor.

Vlerësimi i kontestit – ka për qëllim të përcaktojë kontekstin e shkollës, të klasës, të përshkruajë kushtet dhe rrethanat e punës së shkollës, të identifikojë dhe të vlerësojë nevojat dhe mundësitë në kontekstin e dhënë, ndikimin e tyre në arritjet e nxënësve dhe të shkollës.

Vlerësimi i brendshëm – kryhet nga brenda shkollës, mund të kryhet nga një apo nga disa mësimdhënës, nga drejtues të shkollës. Vlerësimi i brendshëm është më i përshtatshëm për përmbushjen e qëllimeve të vlerësimit formues. Për vlerësimin e brendshëm më gjerësisht do të flasim përmes temës –vlerësimi në klasë.

Vlerësimi jashtëm – quhet vlerësim i jashtëm sepse kryhet nga instutiocionet të veçanta të ngarkuara për vlerësimin në shkollë, për vlerësimin e jashtëm në fund të shkallës së shkollimit, siç është testi i arritëshmerisë, provimet e maturës. Vlerësimin e jashtëm mund ta kryejë MASHT, ZRA, DKA, apo vlerësues të pavarur. Vlerësimi i jashtëm zakonisht përdoret për të përmbushur qëllimet e vlerësimit përmbledhës – sumativ.

Vetëvlerësimi – është proces gjatë të cilit institucioni, shkolla, mësimdhënësi, nxënësi mbledhin informacion për vetën e tyre dhe bëjnë gjykimin e vlerave të tyre. Këtë vlerësim nxënësi e realizon duke krahasuar rezultatet e veta me rezultatet e nxënësve të tjerë, apo duke zgjedhur teknika të ndryshme të vlerësimit. Nëpërmjet vetëvlerësimit nxënësit kanë mundësi që në lidhje me qëllimet e caktuara të mësimit të vlerësojnë veten, arritëshmerinë e tyre. Vetëvlerësimi i bazuar në kritere të drejta, krijon bazë për të motivuar, përmirësuar dhe çmuar më tej arritjet në të nxënit e nxënësve.

VLERËSIMI I BRENDSHËM

[redakto]

(VLERËSIMI NË KLASË)


Çka është vlerësimi i brendshëm?

Vlerësimi i brendshëm është një proces i mbledhjes sistematike, analizimit dhe interpretimit të informatave duke përdor procedurat dhe teknikat e ndryshme të vlerësimit në klasë nga mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët vlerësojnë punën dhe arritjen e rezultateve të tyre në zotërimin e objektivave udhëzuese në klasë.

Vlerësimi brendshëm kryhet nga :

  • strukturat e vlerësimit,
  • mësimdhënësit,
  • nxënësit,
  • aktivet profesionale,
  • këshillat e krasëve dhe
  • nga strukturat drejtuese të shkollës. Vlerësimi i brendshëm kalon nëpër disa faza:
  • Përcaktohen qëllimet e vlerësimit;
  • Përzgjidhen llojet dhe modelet e vlerësimit;
  • Bëhet planifikimi dhe realizimi i veprimtarisë vlerësuese;
  • Mbahen shënime dhe analizohen ato;
  • Përgatitet raporti;
  • Prezantohen rezultatet e vlerësimit.

Qëllimi i vlerësimit të brendshëm është : Ngritja e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Qëllimi i vlerësimit të brendshëm arrihet përmes formave të ndryshme të vlerësimit si :

  • shkalla e arritëshmërisë e nx. (Testi i arritëshmërisë)
  • shkalla e ndërtimit shpirtëror e nx. (Vrojtimi, Vetraportimi)
  • përcaktimi i shkathtësive të domosdoshme (Tes. i gatishmërisë.)
  • shkalla e zotërimit të objektivave (Test i gatishmërisë, Vetraportimi. Vroj)
  • përcaktimi i përparimit të nx. në mësimnxënie (Testi I zotërimit)
  • përmisimi i mësimnxënies (Testi formativ)
  • përcaktimi i shkaqeve të vështirësive (Testi diagnostik)
  • notimin e nxënësve ( Testi i arritëshmërisë, Testi i kombinuar)
  • përshkrimi i manifestimit në ndonjë fushë lëndore (T. zotërimit)
  • përcaktimi i shkallës së arritshmërisë e një nx. në raport me rezultatin me të mirë në një grup të njohur. ( Testi i bazuar në normë, Testi i përgjithshëm i përpiluar nga mësimdhënësi).

Vlerat e vlerësimit të brendshëm janë shumë dimensionale:

  1. Vlerësimi duhet të jetë i vlefshëm – ai duhet të vlerësojë atë që dëshirojmë ta vlerësojmë.
  2. Vlerësimi duhet të jetë i besueshëm – që vlerësuesit e ndryshëm dhe në kohë të ndryshme duhet të jetë i qëndrueshëm (pra vlerësimi me të njëjtin standard).
  3. Vlerësimi duhet të jetë i barabartë – instrumentet e vlerësimit duhen të jenë të njëjtë dhe proceset të jenë të drejta.
  4. Vlerësimi duhet të jetë i pa anshëm – pra nuk duhet favorizuar individin apo grupin.
  5. Vlerësimi duhet të bëhet në kohë të duhur.

Shtrohet pyetja : Cilat janë funksionet e vlerësimit të brendshëm? Përgjegjëja del se funksionet e vlerësimit të brendshëm shërbejnë:

  • për monitorim, për planifikim, për përmirësim, për zhvillimin e veprimtarisë në proces, për përgjegjësi, për përzgjedhje, për certifikim, për motivim, për mbështetje publike, për ushtrim autoriteti etj. Një vlerësim i vetëm mund të përdoret më tepër se sa një funksion .


Vlerësimi i brendshëm në vete përfshin disa parime apo pikënisje themelore. Secili mësimdhënës - vlerësues i brendshëm duhet t`i respektojë parimet themelore gjatë procesit të vlerësimit, si:

  1. Përcaktimi i qëllimit dhe përparësitë në procesin e vlerësimit;
  2. Përshkrimi i kujdesshëm i qëllimit të matjes;
  3. Rezultatet e parashikuara të të nxënit;
  4. Zgjedhja e matjeve të mundshme
  5. Zgjedhja e teknikave të përshtatshme të vlerësimit në përputhje me karakteristikat që duhen të maten: - Objektive; - Të sakta; - Të përshtatshme;
  6. Zbatimi i teknikave të ndryshme të vlerësimit ( vrojtimin, testin objektiv,testin subjektiv, testin ese, vetëvlerësimin, portofoli, pyetësorin etj.).


Llojet e vlerësimit që përdoren më së shumti në vlerësimin e brendshëm janë :

Vlerësimi diagnostikues: ka për qëllim që të përcaktojë shkaqet e qëndrueshme të problemeve në mësimnxënie dhe formulimin e planit të veprimit për t`u ndihmuar nxënësve;

Vlerësimi formativ: ka për qëllim të kontrollojë përparimin e nxënies së nxënësve gjatë procesit mësimor, pra kontrollon shkallën e zotërimit të objektivave udhëzuese;

Vlerësimi përmbledhës: ka për qëllim sigurimin e informatave mbi arritjen e objektivave udhëzuese të lëndës në mbarim të nënkategorisë, kategorisë programore, në fund të semestrit apo në fund të vitit, për të vendosur notë.

Si realizohet vlerësimi i brendshëm ?

  • Është i përditshëm dhe i vazhdueshëm ;
  • Me anë të kërkesave që bëhen në klasë;
  • Me anë të detyrave të shtëpisë;
  • Me anë të aktivizimit në klasë gjatë shtjellimit të materialit;
  • Me anë të aktivizimit të punës në grup;
  • Testeve kohëshkurtra – përvetësim i njësisë mësimore;
  • Kuize. Shoqërohet edhe me vënien e notave, etj.

Në çka duhet pasur kujdes gjatë procesit të vlerësimit të brendshëm ?

  • Humbja e përkohshme apo e pjesshme e objektivave të vlerësimit;
  • Pamjaftueshmëri e treguesve që përdoret për të bërë vlerësimin;
  • Duhet t`i kushtohet sa më shumë përvetësimit të koncepteve;
  • Nuk ka rëndësi riprodhimi i vërtetimeve dhe zbatimeve por kuptimi i thelbit të koncepteve si model i punës së pavarur ( një % jo e madhe e kohës së mësimit);
  • Momente kur duhet të përdoret teksti shkollor;
  • Momente kur duhen të përdoren mjetet e punës;
  • Mos të ketë shumë riprodhim gojor të materialit të mësimit;
  • Mos të humbet kontakti nxënës – mësimëdhënës;
  • Mos ngarkimi tej mase me rregulla e formula;

TEKNIKAT DHE INSTRUMENTET E MATJES. TESTET

[redakto]

Ç’është testi ? Fjala „ test“ vjen prej fjalës latine „ testor, testari „ që do të thotë për të „ dëshmuar“,për të argumentuar. Në gjuhën angleze fjala „ test „ merr kuptimin e përgjithshëm të fjalës „ provë“ gjurmim në kushte të caktuara.

Procedura e vlerësimit përmes së cilës merren të dhëna për shkallën e nxënies së nxënësve duke përdor lloje të ndryshme të testeve quhet testim. Testi përbëhet nga një sistem detyrash, pyetjesh çështjesh të lidhura logjikisht ndërmjet tyre, të cilat kanë të bëjnë me një fushë të caktuar dhe që duhen zgjidhur e në bazë të zgjidhjeve vlerësojmë për dukurinë e caktuar. Pra,testi është një instrument ose mjet që përdoret për matjen e njohurive, aftësive, shkathtësive.

Llojet e testeve


Testet verbale - Testet verbale bazohen në gjuhën e shkruar ose të folur, ato përdoren për të matur leximin, shkrimin të folurit.


Testet joverbale - Testet joverbale janë teste që nuk i kërkojnë personit që testohet të zgjedhë probleme verbale. Janë teste të përpiluara me shembuj numerikë dhe vizatimorë,ato nuk masin aftësitë e leximit, të shkrimit, të të folurit.


Testet objektive - është ai lloj testi i ndërtuar në një mënyrë të tillë që vlerësues të ndryshëm, të cilët vlerësojnë në mënyrë të pavarur arrijnë në të njëjtin vlerësim për nivelin e paraqitur të njohurive, të aftësive, të qëndrimeve duke u bazuar në një çelës përgjigjesh të sakta.


Testet subjektive - është testi që vlerësohet në bazë të gjykimit vetjak të vlerësuesit, sipas kritereve të caktuara nga ai.


Testet e standardizuara - janë teste, përmbajtja e të cilave përzgjidhet dhe kontrollohet në mënyrë empirike. Janë të caktuara normat, kanë të përcaktuara metoda të njëjta të administrimit, të pikëzimit dhe të vlerësimit dhe mund të vlerësohen me një shkallë të lartë objektiviteti.


Testet e përgatitura nga mësuesi - janë teste të përgatitura nga mësuesi për përdorim në klasë.


Përdoren për disa qëllime:

  • Për të matur dhe vlerësuar përparimin e nxënësve në lidhje me objektivat specifike të lëndës
  • Të motivuar të nxënit për çështje të përgjithshme dhe të veçanta
  • Për të siguruar një evidencë për anët e forta dhe të dobëta të individëve dhe të grupit për punën në kapituj dhe tema të veçanta
  • Për të siguruar informacion për qëllime raportimi
  • Për të përmirësuar procesin e mësimdhënies dhe të procedurave e formave mësimore.

Testet e shpejtësisë – janë teste që përfshijnë kohen si faktor. Ato parashikohen të kryhen brenda një kohe të përcaktuar. Kërkesat janë të shumta në numër dhe të lehta për tu zgjedhur.


Testet e fuqisë - masin fuqinë, janë teste me kufij kohorë të lirë dhe që i lejojnë çdo të testuar të përpiqet që të përgjigjet për çdo kërkesë, por për shkak të vështërsisë jo cilido i testuar mund të gjejë përgjigjen e saktë. Kërkesat zgjidhen të vështira dhe renditën sipas shkallës së vështërsisë.


Testet e njohurive – masin zotërimin e njohurive. Testi mund të dëshmojë se sa i testuari mund të njehë konceptet, faktet, ngjarjet etj.


Testet e aftësive – masin aftësitë e të testuarve në nivele të ndryshme.


Testet e inteligjencës – janë instrumente që përdoren për të matur funksionet intelektuale, aftësitë për të nxënë, aftësinë për t’u orientuar dhe për t’u përshtatur në një situatë të re.


Testet e personalitetit - janë të destinuara të mbledhin dhe të vlerësojnë informacionin për tipare të personalitetit të individëve.


Teste diagnostikuese - synojnë të masin arritjet në një fushë të ngushtë ose nënfushëz, për të përcaktuar dobësitë specifike të të testuarve me qëllim që të merren veprime ndihmëse. Të evidentojë anët e forta dhe të dobëta të të testuarit.


Testet e bazuara në normë - kanë për qëllim të zbulojnë shkallën e përvetësimit të lëndës nga nxënësit dhe bëjnë të mundur dallimin e aftësive nga një nxënës tek tjetri. Janë teste në të cilat pikët krahasohen me mesataren e përparimit të të testuarve të tjerë.


Testet e bazuara në kriter – janë teste në të cilat pikët krahasohen me një standard të caktuar përparimi. Standardet mund të vihen në çdo lloj niveli dhe kanë për qëllim të përmirësojë punën e nxënësve në të ardhmen.

Mësimdhënësi përdor këtë strategji:

  1. Flet sa më pak
  2. Nuk ka kërkesa të mëdha në orë të mësimit
  3. Duhet bërë kërkesa të nivelit të lartë
  4. Përgjigjet e nxënësve përsëriten sa më pak
  5. Kërkesa sa më konkrete dhe zbatuese

Nxënësit:

  1. Duhet të mësohen të japin përgjigje të sakta dhe të qarta
  2. Pjesëmarrja sa më e madhe në shpjegim
  3. Sa me më pak konfuzion
  4. Sa me më shumë konfidencë
  5. Sa më pak ndërhyrje
  6. Ka më shumë bashkëveprim
  7. Nxënësit fitojnë arritje të lartë


Vlerësimi i nxënësve në tabelë

Duhet pasur parasysh disa kërkesa, si :

  1. Çështja që do të pyetet duhet të jetë e ndryshme nga ajo që nxënësit janë duke punuar në klasë
  2. Kërkohet që të mos harxhohet shumë ( 8-10 minuta)
  3. Të paraqes interes për klasën, dëgjimi i përgjigjes
  4. Të ketë kontrolla të ndryshme, elemente të materialit të ri, në trajtë të punës krijuese
  5. Vlerësimi bëhet duke u përgjigjur gojarisht, nga tabela, duke shkruar në tabelë, apo duke vazhduar punën edhe në vend
  6. Vlerësimi bëhet në të gjykuarit e vet mësimdhënësit mbështetur në rezultatet e pritura ( objektivat e përgjithshme dhe specifike)

Vlerësimi i shkathtësive laboratorike apo puna praktike:

  • Element i rëndësishëm në zhvillimin e procesit të mësimdhënies në shumë lëndë janë veprimtaria laboratorike, praktike dhe eksperimenteve
  • E rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë reale dhe praktike që lejon mjedisi i të nxënit
  • Shumë veprimtari të disa lëndëve realizohen me anë të përvojave praktike, prandaj theksi vihet mbi vrojtimet e lidhjeve shkak-efekt-dukuri

Vlerësimi i arritjeve sipas rezultateve të pritura


Nxënësit demonstrojnë arritjet e tyre në të mësuarit e lëndës, në përputhje me një sërë faktorësh – pra në përputhje me mundësitë psikike dhe emocionale të tyre. Rezultatet e pritura zakonisht paraqiten për tre nivele;

I. arritja minimale – kufiri i poshtëm i lejueshëm, realizohet me anë të kërkesave standarde në klasë (deri 40%);
II. arritje mesatare – karakterizohen rezultatet drejt të cilave synohet që të përvetësohet baza e lëndës së zhvilluar (deri 80%);
III. arritje e lartë – karakterizohet me kreativitet siguri dhe saktësi e zotërimit të objektivave udhëzuese (mbi 80%);

Shembull:Tre nivelet e arritjeve për arsyetim matematikë zgjidhje problemore dhe komunikim

Niveli I.


Zgjidh probleme :

  • me ndihmën e mësimdhënësit;
  • me një kufizim metodash;
  • me gabime apo me mangësi.


Përdor arsyetim matematik:

  • me ndihmën e mësimdhënësit;
  • me metoda që janë më të thjeshta;
  • me gabime apo me mangësi;


Komunikon njohuritë:

  • me ndihmën e mësimdhënësit;
  • paqartë dhe pasaktë;
  • duke përdorur rrallë terminologji të përshtatshme;


Niveli II


Zgjidh probleme me:

  • me ndihmë të kufizuar nga mësimdhënësi;
  • me një numër jo të madh strategjish bazë;
  • me gabime apo me mangësi të pjesshme;


Përdor arsyetim matematik:

  • me ndihmë të kufizuar nga mësimdhënësi;
  • metoda të përshtatshme për zgjidhje;
  • me disa gabime apo me mangësi të vogla;


Komunikon njohuritë:

  • pa ndihmën e mësimdhënësit;
  • me një farë qartësie të saktë;
  • përdor herë pas herë terminologji të përshtatshme;


Niveli III


Zgjidh probleme :

  • në mënyrë të pavarur;
  • me një numër të madh strategjish dhe duke krijuar të reja;
  • zakonisht me saktësi.


Përdor arsyetim matematik:

  • në mënyrë të pavarur;
  • të përshtatshëm për zgjidhje, krijon zgjidhje edhe vetë;
  • pa gabime apo me mangësi.


Komunikon njohuritë:

  • në mënyrë të pavarur;
  • qartë dhe saktë;
  • duke përdorur terminologji dhe simbolikë të përshtatshme;


Dokumentet bazë të vlerësimit


Fillimisht reflektojnë pjesëmarrësit.

Sistemi i vlerësimit duhet të mbështetet në“ Udhëzim administrativ për vlerësimin e shkallës së arritshmërisë së nxënësve” i lëshuar nga MASHT, në “Plani dhe programi mësimor” për lëndë dhe klasë përkatëse. Sistemi i vlerësimit duhet të mbështetet mbi një sasi të mjaftueshme të dhënash:

  • vlerësimi me notë për përgjigje;
  • vlerësimi i aktivizimit në vend;
  • vlerësimi i aktivizimit të punës në grupe;
  • vlerësimi me teste afatshkurtra;
  • vlerësimi në fund të nënkategorisë programore;
  • vlerësimi në fund të kategorisë programore;
  • vlerësimi në një periudhë kohore;
  • vlerësimi në gjysmëvjetor;
  • vlerësimi në fund të vitit mësimor, etj;

Vlerësimi me notë

Bëhet diskutim me pjesëmarrës.

  • Problemi kryesor ka qenë dhe në një të ardhme të afërt do të jetë, vendosja e notës sepse është një gjykim mbi statusin dhe përparimin e nxënësit, në intervale të ndryshme kohore;
  • Nota është paraqitja e rezultateve të arritjeve dhe përparimeve akademike të nxënësit;
  • Nota ka për qëllim dëshminë e arritjeve të nxënësit , për orientim vetjak të tij, informim të prindërve mbi të arriturat e fëmijëve të tyre dhe është orientim i profilizimit;
  • Nota vendoset si rezultat i të arriturave e jo edhe i sjelljeve disiplinore;

Nxjerrja e notës përfundimtare


Se pari reflektojnë pjesëmarrësit se si veprojnë praktikisht.

Nota përfundimtare nxirret si rezultat i të gjitha të arriturave akademike që i arrin nxënësi me të gjitha format e vlerësimit dhe instrumenteve matëse.


Disa studiues këshillojnë që nota mund të bazohet në raporte të tilla si:

  • vlerësimi me gojë ( 10 %);
  • vlerësimi me teste (50 %);
  • vlerësimi i punës në klasë ( 30 %);
  • vlerësimi i detyrave të shtëpisë ( 10 %) , etj.

Ndërsa një grup mësimdhënësish me përvojë këshillojnë se nota duhet të bazohet në këtë raport:

  • vlerësimi me gojë ( 15 %);
  • vlerësimi me teste (60 %);
  • vlerësimi i punës në klasë ( 15 %);
  • vlerësimi i detyrave të shtëpisë ( 10 %) , etj.

Nota duhet të mbështetet në standarde të caktuara, në shumë burime dhe duhet të regjistrohet formalisht në dokumente e caktuara.

Kompetencat kryesore të veprimtarisë së mësimdhënësit në fushën e vlerësimit:

  • Të hartojë politikën e vet të vlerësimit të nxënësve;
  • Të njohë instrumentet dhe teknikat e vlerësimit;
  • Të përzgjedhë dhe përdorë mjete dhe teknika të vlerësimit në përshtatje me vendimet mësimore;
  • Të zbatojë procedurat e vendosjes së notave;
  • Të administrojë, të interpretojë dhe të raportojë përfundimet e vlerësimit para nxënënësve, drejtuesve të arsimit, prindërve;
  • Të përdorë përfundimet e vlerësimit për marrjen e vendimeve mësimore në lidhje me nxënësit dhe më mësimdhënien;
  • Të zhvillojë aftësitë e nxënësve për vetëvlerësim;
  • Të përmbushë përgjegjësitë etike dhe ligjore që lidhen me vlerësimin e nxënësve.



Shkolla dhe komuniteti dy sisteme të ndërvarura

Është punim i përgatitur nga Alush Kryeziu, mësimdhënës dhe trajner i çertifikuar për programin
,,Qeverisja dhe Udhëheqja në Arsim, organizuar nga KEC - Prishtinë

Punimi është i bazuar në seminarin dhe ibrin e seminart "Qeverisja dhe Udhëheqja në Arsim", dhe është paraqitur në Wikipedia nën fleten përdoruesit Alushi

Informacioni “Planifikimi dhe vlerësimi” është i bazuar në projektin e KEDP-së në bashkëveprim me MASHT - Kosovë