Emri i një rruge që na çon në gjurmët e jetës së Syrja Hakos

Nga Wikibooks

Nga Bashkim Koçi

Eshtë porosi që përcillet nga brezi në brez se jeta është e vështirë, se ajo duhet të pranohet ashtu si të vjen, se duhet të përballohet me të me dinjitet, për ta bërë të mirë, të pranueshme me gëzimet e hidhërimet që të sjell. Ka njerëz, madje ja pak në numër, që me jetën e tyre, me atë çka e bëjnë të njohur edhe për ne të tjerët, për shoqërinë, japin një shembull të jashtëzakonshëm e që meritojnë të mbeten pikë referimi për sot, për nesër, për mot, për të gjitha kohërat.

Këto ditë në ish NB-në e Sukthit, në një nga zonat më të populluara, njëra prej rrugëve më kryesore, me vendim të veçantë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Durrësit, u emërtua “Rruga Syrja Hako”. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë që të tërheq vëmendjen. Po pse? Sepse përditë shikojmë e dëgjojmë që emërohen rrugë me emra njerëzish për kontribute të veçanta, që nderohen me Urdhëra e Medalje persona me vlera të spikatura në fusha të ndryshme të jetës, por që, pse të mos e themi, herë-herë nuk dimë përse iu akordohen këto shpërblime morale, kur personi që e merr rreshtohet nga fundi i listës të bashkëqytetarëve të tij. Atëherë ç’na qenka, cilin model të njeriut na përfaqësoka ky Syrja Hakoja, i cili edhe pse është me origjinë nga Delvina, detyron Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Durrësit t’i ngrejë “lapidar” në mes të Sukthit? Pa bërë hyrje e dalje të tjera, pa bërë pyetje e hamëndësira për këtë dhuratë që i bëhet një personazhi që e ka emrin Syrja Hako, le të futemi drejt e në temë, tek “dhurata” që na jep ne të tjerëve modeli i jetës së tij, i shembullit të tij, që të jep krahë e të nxit sesi duhet ta vlerësosh seriozisht jetën.

Për ne të tjerët, sidomos për brezin e ri, jeta e Syrja Hakos është sfiduese, frymëzuese, është edhe interesante. Në radhë të parë, dhe që sipas meje është më kryesorja, jeta e tij, sfidat që ka kapërcyer me dinjitet njerëzor, uljet dhe ngritjet, peripecitë e panumurta, nuk të sjellin dëshpërim, keqardhe. Përkundrazi, për çudi, të bëjnë ta admirosh jetën, të sjellin doza optimizmi. Dhe për këtë çka po them ka një të vërtetë jo të zbukuruar me rrena, por që ta mbush mendjen. Në çdo hap që ka hedhur Syrja Hako “është matur shtatë herë dhe ka prerë një herë”. Në këtë udhëtim ai ndoqi të vlefshmen për vete dhe për shoqërinë, ndoqi progresin.

Në një farë mënyre jeta është edhe shans. Mund të marrësh, siç thuhet, edhe rrugën e dreqit. Por Syrja Hako, për shkak të intuitës së tij dhe të trashëgimisë familjare, mori rrugën e së vërtetës, atë rrugë mbarësie që në vitet e mëpastajmë do t’ja lartësonte emrin.

Djali nga një lagje e varfër e qytetit të Delvinës, qëkurse ishte vetëm 15 vjeç, u bë pjesë e formacioneve partizane të zonës së Sarandës e më pas luftëtar në Brigadën e XII-të Sulumuese, ku kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë në një nga njësitet partizane. Që të krijojmë një ide sa më afër të vërtetës, na duhet të kthejmë vitet mbrapa që të mund të përfytyrojmë një adoleshent të veshur me rrobën e partizanit dhe të mbajë mbi supe armën për t’u ndeshur me armikun e armatosur deri në dhembë. Për ne, sojin e sotëm, është absolutisht e pabesueshme. Për ta sjellë sadopak realisht kohën që po bëjmë fjalë, madhështinë e karakterit të partizanit të vogël Syrja Hako, përfytyroni tjetrën, krahasojeni me realitetin që e përjetojmë gati çdo ditë kur një nënë “vë kujën” pse djali i saj nuk është kthyer nga diskoja pas orëve të mesnatës. Vetëm duke bërë paralele të tilla mund të çmojmë realisht sakrificat dhe heroizmin e brezit që bëri luftën, të atij brezi që shpesh disa të liq mundohen t’i denigrojnë, t’u mohojnë atë që nuk mund ta ç’bëjë dot fisi i xhuxhmaxhuxhëve.

Syrja Hako, në kohën që iu bashkua luftëtarëve për çlirimin e Atdheut, kishte kryer vetëm dy klasë në shkollën e mesme bujqësore të famshme të Golemit në Kavajë, të ngritur nga amerikani Telford Erikson në vitin 1926. Pastaj këtë shkollë të nisur me ëndrra të mëdha, për t’u bërë specialist bujqësie, sigurisht, ia ndërpreu lufta. Pas çlirimit iu desh të jepte provime shtesë në mënyrë që shkolla të konsiderohej e përfunduar. Bazuar edhe në përvojën e tij drejtuese dhe të nevojave të ngutshme që kishte bujqësia e pasluftës, vitet iu klasifikuan si semimaturë, pra të pranuara ligjërisht të vlefshme.

Por ky djalosh i bërë “burrë” para kohe, “i pjekur dhe i djeguar” nga lufta, kish mësuar se ajo çka kish mësuar në shkollë, ashtu partizançe, nuk kish as ngjashmërinë më të vogël me jetën reale, që do të thoshte se shanset nuk të jepen shumë herë në jetë. Me Syrjanë ngjau e kundërta. Nevojat urgjente të bujqësisë për t’u rimëkëmbur sa më shpejt dhe në mënyrë shkencore, bënë që ai t’i bashkëngjitej një ekipi specialistësh të Ministrisë së Bujqësisë për ngritjen e fidanishteve të pemëve frutore në 26 rrethe të vendit. Ishte viti 1947 dhe ai ende nuk i kish mbushur të 30-tat.

Forca dhe vullneti bëjnë që të kapësh majat, edhe atë që në pamje të parë të duket e pamundur. Syrjait nuk i mungonte as forca, as morali i lartë, e as vullneti. Kur e dërguan në një kurs 6-mujor në Bullgari, për t’u kualifikuar në fushën e vreshtarisë, arriti të mësonte ca të fshehta të specialitetit, të cilat mund të asimiloheshin vetëm nga agronomë me arsim të lartë, madje edhe të kualifikuar në kurse e seminare të posaçme për kultivimin e rrushit. Bashkëkohësit e tij këtë “gjenialitet” e shpjegonin me aftësinë e tij për të kuptuar se tek gjëja e “ frikshme”, nuk mbërrihet duke u lutur, uruar apo shpresuar, por duke punuar për ta bërë tënden.

Vullneti për të mësuar dhe dëshira për të patur sukses, ishin dy nga çelsat që Syrja Hakos të mund t’i hapeshin dyert e përsosmërisë në kryerjen e shumë detyrave të rëndësishme që dukeshin se do të ishin pjesë e jetës së tij si kuadër e specialist. Provat i erdhën njëra pas tjetrës. Beteja më e madhe për dije e kulturë ishte përballimi i studimeve në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Peruxhias (Itali). Ishin vitet 1960-66, kur ai sapo kish kaluar moshën e burrit, i martuar e me katër fëmijët të mitur dhe, pika më e dobët, kish mbaruar një arsim të mesëm copa-copa.

E mbylli jetën si atdhetar, si nga ata njerëz të thjeshtë, që e deshte të mirën, progresisten, atë që ishte në të mirë të vendit. Ai jo se e donte familjen, fëmijët, shokët e miqtë më pak, por vendin e tij e donte shumë, përgjërohej për të dëgjonte një lajm të mirë, të ndërtohej e jot ë prishej e digjej. Sa herë që e binte rasti, Syrjai do të shfaqjet edhe ndjenjat e atdhetarisë. Fliste shpesh për vend-lindjen, për fshatin e tij në Delvinë. Kujtonte me admirim Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ku dhe kishte marrë pjesë aktiv në moshën e adoleshentit. Kujtonte me dashuri shokët e Luftës, sidomos ata që ranë dëshmorë. Me admirim fliste për rindërtimin e Shqipërisë pas Luftës, e cila kishte dalë prej saj me humbje jetësh njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Krenohej për mobilizimin e madh të popullit në rindërtimin e ekonomisë, ngritjen e sistemit shëndetësor, për zhdukjen e analfabetizmit, zhvillimin e arsimit e të kulturës, i gëzohej çeljes së Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku bijtë e popullit do të përgatiteshin si specialistë e kuadro për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Si njohës i mirë i sektorit të bujqësisë dhe i apasionuar pas saj, ai përmendte punën kolosale për transformimin e ekonomisë bujqësore, siç qenë tharja e kënetave, bonifikimi i tokave, shumë kanale kulluese e vaditëse, mekanizimi i lartë i punëve bujqësore, përdorimi i plehrave kimike, i pesticideve etj. etj. Dhe i përvëlohej shpirti kur mendonte sesi u zhduk nga faqja e dheut e gjithë ajo pasuri.

Ky njeri i mësuar dhe i kultivuar në perëndim, siç ishte Italia, e kishte problem të madh çështjen e të nxënit, të përvetësimit të dhënave të shkencës, sidomos në bujqësi. Në një jetë goxha të gjatë në shërbim të bujqësisë, Syrja Hakos i erdhi rasti të shkonte në detyrën e drejtorit të shkollës bujqësore të Golemit, aty ku ishte arsimuar edhe vet. Çuditërisht e mori këtë detyrë dy herë, në vitin 1968 dhe përafërsisht, pas dhjetë vitesh, më 1977. Ne nuk mund të dimë arsyet e vërteta për këto lëvizje, por dimë tjetrën që Syrjai shpesh e përdornin për çështje emergjencash. Aty ku nuk shkonin punët mirë, aty do të dërgohej i papërtuari Syrja Hako. Por le të qëndrojmë pak në Golem, në shkollën e famshme të ngritur nga amerikanët, ku drejtoi për një kohë të gjatë Syrja Hako. Për të patur rezultate në shkollë, në përvetësimin e mësimeve, por edhe të praktikës bujqësore, ai i referohej një thënieje të cilën nuk lodhej t’ua përsëriste shpesh agronomëve të rinj. Ashtu si toka, thoshte profesori, dhe nëse është pjellore, nuk mund të prodhojë asgjë pa kultivim, kështu edhe mendja e njeriut: pa mësim nuk mund të japë rezultatet e pritura. Në teknikumin Bujqësor “Kajo Karafili” të Golemit, ku ai ish një nga nxënësit e parë pas Çlirimit, punoi në mënyrë të tillë saqë rrugës kryesore të kësaj kodre të zgjedhur, u bënë projekte për t`i vënë emrin e tij. Po t`i referohemi një historiku modest “Shkolla e Mesme e Golemit në vite” (2002), përgatitur nga mësuesi veteran i asaj shkolle, Ymer Metani, do të gjejmë të shkruar të zezën mbi të bardhë se drejtorët që kanë lënë më shumë gjurmë qysh nga viti 1926, viti i themelimit të shkollës, e këtej, kanë qenë Llazar Misja, Syrja Hako dhe Dule Çarçani.

Thonë se ai që vdes i paguan të gjitha borxhet. Me Syrja Hakon, këtë burrë nga Delvina, ndodhi diçka ndryshe. Atij iu kthyen borxhet që i kishim ne të gjallët. Përjetësimi i emrit të tij në një nga rrugët e qytezës bujqësore të Sukthit, aty ku ai la pjesën më vitale të jetës së tij, me vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Durrësit, besoj se është një gjest i lartë që shteti i bën qytetarit të vet.


18 Korrik 2018