Ca rreze e pakëz vesë…

Nga Wikibooks

Ca rreze e pakëz vesë…


Nuk mbaj mend se kur kam lindur,

dhe s’e di se kur do vdes,

po fati s’më ka braktisur,

tutje Urës së Qabesë.



Nuk jetova-siç kanë thënë,

në një botë shkretëtirë,

u mundova që çdo ditë,

të bëja ndonjë të mirë.



Drejt dritës së mirësisë,

gjithnjë gjeja nga një shteg,

dhe pas detit të trazuar,

ajo më priste në breg.



I pasur s’u bëra kurrë,

nëpër pallate të ndritshme,

po pa kuje dhe pa lot,

hëngra bukën e përditshme.



Dhe tani në fund të rrugës,

jam i qetë si Perëndia,

erë e dashur-Erë e Jugës,

veson mbi këngët e mia.



Nuk mbaj mënd se kur kam lindur,

dhe s’e di se kur do vdes,

më mjaftojnë për të jetuar,

disa rreze-pakëz vesë.



Kush jeton kështu si unë,

asnjëherë s’ka për të humbur,

se ca rreze e pak vesë,

të bëjnë vërtet të lumtur…



12.12.2004

Arben Duka