“Të nderosh Mit’hatin dhe të lësh në SHBA eshtrat e Fan Nolit?! E bën vetëm vendi ku Hajdari ka monument më të lartë se Ismail Qemali

Nga Wikibooks

“Nderimet shtetërore që iu bënë atij (Mit’hat Frashërit) me rastin e sjelljes së eshtrave dhe rivarrimit të tyre ishin shproporcionale me figurën dhe vendin e tij në historinë politike e kulturore të popullit shqiptar. Përpara se të mendohej për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashërit, duhej menduar per eshtrat e shqiptarit më të madh të shekullit të 20-të dhe, ndoshta, të vetmit gjeni të kulturës sonë kombëtare, Fan Nolit, të cilat ende prehen në varrezat publike Forrest Hills të Bostonit, përtej Atlantikut” – thotë në një intervistë për DITA, sociologu dhe diplomati Fatos Tarifa.

Tarifa shton se mes këtyre dy figurave historike as nuk mund të bësh krahasim.

“Noli, si pak të tjerë (ndër ta do të veçoja tre vëllezërit Frashëri dhe Ismail Qemalin), është ndër ata njerëz të mëdhenj që i kanë shërbyer më shumë se kushdo dhe në shumë drejtime kombit tonë.Dhe, ndërsa për Mit’hat Frashërin sot flitet kaq shumë, ndërsa edhe Ahmed Zogu, mbreti i vetshpallur i shqiptarëve, që e braktisi popullin e vet në prag të pushtimit fashist, ka një monument në Tiranë, Noli i madh thuasje është harruar. Ai Fan Nol, me të cilin do të mburrej çdo popull e çdo vend. Noli meriton t’i sillen eshtrat në atdheun e tij. Noli meriton të nderohet si pak të tjerë në këtë vend. Noli meriton t’u mësohet nxënësve në shkollat tona dhe t’i botohen e ribotohen, nga koha në kohë, për gjeneratat e reja të shqiptarëve, veprat dhe përkthimet e tij mjeshtërore. Noli meriton një përmendore të lartë në zemër të kryeqytetit tonë” – thotë ai në intervistën për zv.kryeredaktorin e DITA, Erion Habilaj.

Tarifa thekson se “krahasuar me figurën, meritat, kontributet dhe integritetin moral e politik të Fan Nolit, ato të Mit’hat Frashërit janë shumë, shumë të zbehta e kontraverse dhe unë mendoj se nuk do të meritonin nderimet e mëdha që iu bënë pak ditë më parë”.

“Si mundet të pranojmë një përmendore të Zogut, ndërkohë që Nolin e madh e kemi lënë thuajse në harresë? Edhe Kishën Ortodokse autoqefale shqiptare që Noli e themeloi ia morëm për t’ia dhënë një greku, Si mundet që Azem Hajdari të ketë një monument më të madh se Ismail Qemali?! Cili popull ka gabuar, ose do të gabonte kaq shumë sa ne, shqiptarët, në vlerësimin e figurave tona kombëtare më të shquara?! Pse e përçmojmë historinë tone dhe nuk i vlerësojmë sa duhet njerëzit më të shquar të kombit tonë? Dhe pastaj qahemi se shqiptarët, sidomos të rinjtë, po largohen e duan të largohen nga vendi.” – shton ai.


21 nëntor 2018