Zoti Rama, kush duhet ta ulë kokën, ne apo ju që po i dilni zot një tradhtari?
Letër e hapur Z. Edi Rama
E mirëpritëm dhe e aprovuam që në fillim sjelljen eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri. Askush prej nesh nuk reagoi apo shprehu pakënaqësi. Kushdo qoftë ka të drejtë të prehet në Atdheun e të parëve, për më tepër Lumo Skëndo një studiues, diplomat, gjuhëtar e albanolog i klasit të parë.
Prisnim që varrimi të bëhej nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me ndonjë institucion shkencor, por kurrsesi nuk e mendonim se varrimi do të bëhej me ceremoni shtetërore, madje si pak kujt i është bërë. Për më tepër, ti prinit Ju ceremonisë e të mbanit fjalën e rastit si Kryeministër i Shqipërisë. E çfarë fjalimi! Fyes për çdo patriot e atdhedashës, e për më tepër për ne bijtë, vëllezërit, motrat e pasardhësit e atyre që dhanë jetën në luftë me pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre, përfshijë dhe krye bashkëpunëtorin, Mid’hat Frashëri si kryetar i Ballit Kombëtar.
Para disa vitesh, pak mbasi ishit ulur në karrigen e Kryeministrit, gjatë një takimi në kryeministri (në kuadrin e 5 Majit) me familjet e Dëshmorëve, përfaqësues të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, veteranë etj, ndërmjet tjerave Ju folët me konsideratë e respekt për Luftën Nacional Çlirimtare, për Dëshmorët e Atdheut etj., por ndërmjet tjerave, si kalimthi përmendët ditarin e një oficeri gjerman, i cili kishte shkruar se “lufta në Shqipëri ishte një luftë midis bandash” … Që, ndërmjet rreshtave do të thoshte se lufta në Shqipëri ka qenë luftë civile, midis bandave dhe se Ushtria Nacional Çlirimtare paska qenë një tufë banditësh. E thatë si kalimthi, dhe ne bëmë sikur nuk e kuptuam dhe nuk Ju dhamë përgjigje sepse menduam se ishte një lajthitje, nga ato që u ndodhin nganjëherë të rinjve kur vijnë në pushtet…
Me kalimin e viteve kemi parë se pavarësisht nga fjalët e mira që keni thënë me raste të ndryshme për Luftën Nacional Çlirimtare e Dëshmorët e Atdheut, me veprimet e qëndrimet Tuaja, të paktën ndaj nesh si Organizatë Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, organizatë jo partiake dhe që mbrojmë interesat e Dëshmorëve të të gjitha kohërave, nuk keni treguar respektin, kujdesin, mbështetjen e përkrahjen e duhur. Kështu për shembull, prej disa vitesh kemi kërkuar hartimin e një ligji të ri për Statusin e Dëshmorit të Atdheut dhe më në fund, mbas shumë lutjesh e kërkesash e dërguat në Kuvend, por me shumë mangësi e që nuk plotëson shumë kërkesa që janë të domosdoshme për një status të tillë, ashtu siç e kanë shumë vende demokratike (Megjithatë shpresojmë se gjatë diskutimeve në komisione dhe në seancën plenare të Kuvendit, deputetët do na kuptojnë dhe do të bëjnë korrigjimet e duhura)
Ju kemi kërkuar, madje Ju jemi drejtuar dhe me letër të posaçme me propozimin për ngritjen e një institucioni të specializuar, Institut, Komitet apo çfarëdo qoftë emri që mund ti vihet, e që do të merret me problemet e shumta që lidhen me Dëshmorët e Atdheut (ashtu siç e kanë shumica e vendeve demokratike). Ju kujtojmë se që nga viti 1870, siç shkruajnë historianë e studiues seriozë, Shqipëria ka rreth 50 mijë të rënë në mbrojtje të kufijve, në kryengritje për çlirim e liri, në Luftën Nacional Çlirimtare (Ju përsërisni shifrën që paska shkruar Mid’hat Frashëri për 30 mijë Dëshmorë të Luftës Dytë Botërore) dhe shumica prej tyre, jo vetëm nuk kanë Statutin e Dëshmorit, madje as nuk janë të evidentuar nga shteti, me emra të saktë, ku kanë luftuar, ku janë vrarë etj. sepse asnjë qeveri, flasim për të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre 100 viteve pavarësi, nuk është marrë seriozisht me këto probleme. Ju a kemi shpjeguar se nuk ka nevojë për shtesë organike sepse pranë Ministrisë Mbrojtjes ekziston një grup pune (sigurisht jo me specialistë të mirëfilltë) që merret me këto probleme. Shpresojmë të na kuptoni dhe ta ngrini sa më shpejt një institucion të tillë…..
Pavarësisht nga kërkesat tona e mos plotësimi i tyre ne kemi shpresuar e vazhdojmë të shpresojmë në mirëkuptimin tuaj për plotësimin e këtyre kërkesave më se të domosdoshme për zgjidhjen e shumë probleme që lidhen me Dëshmoret e Atdheut.
Por, të themi të drejtën jemi shumë të shqetësuar e të prekur nga veprimet tuaja e nga fjalimi që mbajtët në ceremoninë për Mid’hat Frashërin apo përgjigja që i dhatë Prof. Fatos Tarifës (megjithëse ne shpresonim se do të kishit reflektuar e do ta kishit kuptuar gabimin).
Ju pretendoni ta quani Mid’hat Frashërin patriot të madh (gjeni i Kombit duan ta quajnë disa). Ne nuk mohojmë meritat e tij në shumë fusha, por kurrsesi nuk mund të falim veprimtarinë e tij në krye të Ballit Kombëtar. Duam të ju kujtojmë se të gjithë bashkëpunëtorët e pushtuesit apo kolaboracionistët siç i quan Europa, e kanë mbajtur veten për patriot, madje tradhtinë janë përpjekur ta shesin për patriotizëm. Nuk ka hy kot ajo shprehja “Tradhti patriotike” e përdorur për herë të parë nga studiuesi D.Litlejohn në librin e tij “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania”. Të gjithë kolaboracionistët tanë që nga Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj, Patër Anton Harapi, Maliq Bushati etj. përfshij dhe ideologun dhe kryetarin e organizatës Balli Kombëtar”, Mid’hat Frashëri, njëlloj si kolegët e tyre neper Europë, në Francë, Norvegji, Danimarkë, Jugosllavi, Greqi etj. tradhtinë e tyre e kanë quajtur patriotizëm.
Nuk do të përmendim aktivitetin e tij në krye të Ballit sepse tashëm ai dihet, por me që Ju vetë e përmendët në letrën tuaj fjalën e tij në Shkodër, para se të ikte me bisht ndër shalë, i mbrojtur dhe bashkë me nazistët gjermanë, ndërmjet tjerave ka thënë “Marr përgjegjësinë t’ju deklaroj se e ç’bëjmë organizatën e Ballit Kombëtar. Ne e humbëm luftën, por jo shpresën”. Pra ai e pranon se kjo organizatë ka luftuar. Po kundër kujt e humbi luftën?. Më shqip nuk ka si thuhet se ai e humbi luftën që kishte zhvilluar përkrah gjermanëve, dhe në disa raste edhe italianëve kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare, pra kundër Koalicionit të Madh Antifashist.
Nuk do të përsërisim ato që janë thënë për Ballin e veprimtarinë e tij si bashkëpunëtor i pushtuesve, por si i lëçitur që jeni, ju rekomandojmë të lexoni çfarë shkruajnë të huajt për rolin e Ballit ( “Shënime për Shqipërinë” Dokumente historike italiane nga Arkivi Shtetëror Italian Prill-korik 1943. Botuar në Londër në v.2015, “Përmbledhje dokumentesh nga Fondi i Komandës Gjermane 1940-1944” botuar në Tiranë 2017, kujtime e dokumente të oficerëve anglezë e amerikanë që kanë qenë në Shqipëri gjatë Luftës Nacional Çlirimtare etj.) apo çfarë shkruajnë fashistët shqiptarë për Ballin Kombëtar e ballistët si për shembull Kol Bib Mirakaj në librin “Vetëvrasja e një kombi” botuar në Shkodër 2013, apo letrën e Ernest Koliqit drejtuar Karl Gurakuqit më 18.7.1952 etj.
Lexoni këto materiale e bindeni edhe Ju se kush ka qenë Mid’hat Frashëri në krye të Ballit…
Europa demokratike i ka mbyllur një herë e mirë këto probleme, dhe nuk merret askush më me rehabilitimin e tyre. ( (Po, është e vërtetë se në disa vende si Ukraina, Lituania, Estonia ka tendenca të tilla, por atje situata është krejtësisht tjetër dhe lidhet me faktorë të tjerë që nuk kanë asgjë të përbashkët me Shqipërinë).
Ju përmendni në letrën Tuaj Ge Golin. Edhe këtu gaboni, ose sepse nuk e dini si është e vërteta ose e dini, dhe kujtoni të tjerët se nuk marrin vesh, e mund tu thuash ç’të duash….. Ju nuk thoni se De Goli luftoi deri në fund jo vetëm kundër pushtuesit por edhe kundër kolaboracionistëve francezë. Madje ka qenë tepër aktiv në luftë dhe mbas përfundimit të saj, për dënimin e tyre. Është e vërtetë se De Goli i fali jetën Petenit, Heroit të Luftës Parë Botërore e tradhtarit të Luftës Dytë Botërore, por e la në burg si tradhtar deri sa ndërroi jetë, e madje deri më sot ai mbetet tradhtar i Francës. Prej tij të mësoni dhe po të vepronit si ai, ne do ta përshëndesnim e do ju përkrahnim me të gjitha forcat. Në se nuk e dini, e mësoni se ishte pikërisht De Goli, që si patriot i madh, për hir të “unitetit të kombit” urdhëroi në vitin 1949 të ndërpriteshin hetimet e gjyqet, sepse deri atë ditë vazhdonin pa ndërprerje gjyqet kundër kolaboracionistëve
Në vitin 1953 në Francë u shpall amnisti për kolaboracionistët dhe me ligj u ndalua të përmendej bashkëpunimi i tyre me pushtuesit nazistë, duke zgjidhur një herë e mirë problemin e kolaboracionistëve, por jo duke i harruar e ç’është më kryesorja duke mos i rehabilituar por duke mbetur deri më sot tradhtarë të Francës…..
Po është e vërtetë se me që ndonjë kolaboracionist kishte arritur të shpëtonte dhe të fshihte veprimtarinë e tij prandaj për shumë vite ka vazhduar identifikimi i tyre deri në zbulimin e të vërtetës. Mbi ketë bazë u bënë shumë hetime dhe shumë gjyqe deri tani vonë. Ju kujtojmë gjyqin e zhvilluar në vitin 1998 kundër Moris Patonit i cili kishte fshehur veprimtarinë e tij si kolaboracionist dhe kishte arritur deri postin e ministrit, por megjithëse kishin kaluar rreth 40 vite, gjykata franceze e denoi me 10 vite burg. Kjo është e vërteta.
Dhe nuk ishte vetëm De Goli. Do Ju kujtojmë ç’ndodhi me kolaboracionistët çekosllovakë. E dini se në Çekosllovaki, mbi bazën e dekreteve të Presidentit Benesh, janë gjykuar e dënuar rreth 100 mijë kolaboracionistë, dhe deri më sot asnjë qeveri, e majtë, e djathtë apo koalicioni nuk i ka ç’ligjëruar këto Dekrete. Edhe sot e kësaj ditë ata mbeten tradhtarë, sipas vlerësimeve të bëra në atë kohë…
Besojmë se e lexuat ç’i bënë Presidentit Makron kur, gjatë aktiviteteve për 100 vjetorin e Luftës Parë Botërore përmendi Petenin. Desh e linçuan edhe bashkëpunëtorët e tij sepse Peteni mbetet tradhtar i Francës.
Europa demokratike i ka mbyllur një herë e mirë këto probleme. Askush nuk merret më me rehabilitimin e tyre. Pyesni si kanë vepruar në Norvegji, Danimarkë, Belgjikë, Holandë etj. I kanë mbyllur një herë e mirë problemet e kolaboracionisteve dhe askush nuk merret me rehabilitimin e tyre.
Në letrën Tuaj Ju thoni se “rehabilitimi i përket historisë”. Me të drejtë pyesim, po Ju përse e morët përsipër një detyrë që nuk ju takon e që nuk e keni as kompetencë….Duket keni marrë mendtë e Uran Butkës e disa pinjollëve të tjerë të kolaboracionistëve (madje shumë prej bijve e pasardhësve të tyre nuk ndihen e nuk i dalin zot tradhtisë së paraardhësve të tyre) e të disa neofashistëve të rinj, që fati i tyre që në atë kohë nuk kishin, apo nuk ishin moshë madhore, sepse do të kishin qenë nder kolaboracionistët më të zellshëm….
Ke boll probleme e telashe, madje halle pa fund ka sot Shqipëria e ç’doni që përziheni me rehabilitimin e kolaboracionistëve, përse e fusni veten në qorrsokak nga ku nuk mund të dilni e për më tepër, në vend që të punoni për unitetin e këtij popull, që edhe kështu është i përçarë, krijoni probleme, u jepni kurajë atyre që u ka mbetur ora në vitin 1944…E dëgjuat atë pinjollin ballist, kryetarin e mbeturinave të Ballit Kombëtar (sepse vetëm emri i ka mbetur asaj partie) që mori zemër nga qëndrimi Juaj (madje në një intervistë ky far trimi Ju ngriti në qiell për qëndrimin Tuaj “atdhetar” ndaj Mid’hat Frashërit) dhe kërcënoi gazetarin e gazetës DITA se do i jepte një plumb. Dhe nuk u mjaftua vetëm me një plumb për të, por desh të vriste të gjithë ata që mbështesim e mbrojnë Luftën Nacional Çlirimtare…
Ju, nga padija apo me qëllim doni të ngatërroni Luftën Nacional Çlirimtare me ato që ndodhen mbas çlirimit dhe vendosjes së regjimit komunist. Kështu veprojnë ata që duan ta mohojnë këtë luftë, ta quajnë luftë civile, të mohojnë gjakun e derdhur për çlirim, të rehabilitojnë tradhtarët e bashkëpunëtorët e pushtuesit etj.
Në atë fjalim fyes që mbajtët gjatë ceremonisë mortore Ju na bëtë thirrje, madje na këshilluat apo na kërcënuat që të ulim kokën. Po kush të ulë kokën, ne apo Ju që po i dilni zot një tradhtari. Mos e harroni se ne jemi pasardhësit e atyre që jo vetëm nuk e ulën kokën por u përleshën me pushkë me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre të tipit Mid’hat Frashëri e dhanë jetën. Kush kujtoni se jeni. Kryeministër jeni sot dhe keni ardhur në atë karrige me votat tona dhe të atyre dhjetëra e qindra mijëra shqiptarëve që mbrojnë Luftën Nacional Çlirimtare, por nesër do të jeni si të gjithë ne të tjerët. Mos i harroni këto. Shqipëria këto 100 vite pavarësi ka pas shumë ministra e kryeministra, por disa prej tyre kanë lenë emër të mirë, disa janë harruar e disa të tjerë përmenden për keq, pa folë për ata që i ka mbuluar turpi i tradhtisë…
Mos harroni se ne ju kemi mbështetur për ato të mira që keni bërë për Shqipërinë e reformat e ndërmarra, por sa herë që mund të shkelni në dërrasë të kalbur, si në rastin e Mid’hatit, ne do ju kritikojmë e do ju kundërvihemi, me mendimin e mirë për t’ju ndihmuar e me shpresë se nuk do i përsërisni më. Por mos harroni se po u bënë disa dërrasa të kalbura, u shembet dyshemeja e nuk dihet ku përfundoni…
Shpresojmë se edhe drejtuesit e Partisë Socialiste do t’ju ndihmojnë sepse në rastin e Mid’hatit ose nuk kuptuan se ç’po bëhej ose Ju nuk i pyetët. Gjithsesi, nga sa dimë ne, sipas programit të Partisë Socialiste, kjo parti ku Ju jeni kryetar prej shumë vitesh e ka në program mbrojtjen e Luftës Nacional Çlirimtare dhe anëtarët e thjeshtë të kësaj partie nuk u a pranojnë lajthitje të tilla si kjo me kolaboracionistin Mid’hat Frashëri.
Kryesia e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut
28 nëntor 2018