Zhgënjimi i madh

Nga Wikibooks

Nga Bedri Islami

Të paktë duhet të jenë ata njerëz të zakonshëm që nuk ndjejnë në vete zhgënjimin e madh të këtyre 28 viteve të fundit, të cilat ende edhe sot e kësaj dite, quhen tranzicion i pambarimtë. Të paktë janë, po ashtu, edhe ata që nuk kanë pritur një përmbysje tjetër, më të madhe, më të ndjeshme dhe më të pranishme në begatinë e jetës së tyre. Ëndrra e pritur kishte pasur fryte të hidhura në thelbin e saj dhe kjo nuk kishte të bënte me sistemin që po vendosej dhe ende është i pavendosur si duhet, por më shumë m tepër se kaq: ajo po shpërpejtohej mjaftueshëm për të sjellë pranë shumë vetëve ndjenjën e hidhërimit fillimisht, të pritjes më pas, për të shkuar drejt fillesës së një zhgënjimi dhe tash drejt atij që shumë kush e përjeton si zhgënjimin e madh të jetës së tij.

Në pak vite, si nuk ishte pritur, e gjithë ngrehina e asaj që ishte ëndërruar e premtuar madhërishëm, do të shkërmoqej marramendshëm dhe do të bëhej pjesë e një lufte për mbijetesë; do të shndërrohej malli në ankth për të shumtët që janë larguar e po largohen nga vendlindja; pritja do të jetë pambarimisht e gjatë dhe , ajo që rëndon më tepër, shumë më tepër, do të përmblidhej në bindjen fatale se “ ky vend nuk bëhet”.

Ata që në dhjetorin e vitit 1990 të joshnin me Europën, tani të kallin tmerrin me ferrin.

Fillesa e këtij zhgënjimi të madh nuk ka të bëjë me sistemin dhe as me idenë e pluralitetit të mendimit. Është përtej tyre. Është një cak që mund të kalohet ndershmërisht, me njerëzit e duhur dhe me drejtimin e duhur. Të kesh një sistem kapitalist nuk do të thotë vetvetiu se i ke të gjitha: edhe mirëqenien, edhe ligjshmërinë, edhe rendin, edhe punën e garantuar, edhe sistemin shëndetësor falas, edhe një arsim të detajuar. Sistemi të hap premisën, njerëzit e përmbushin atë.

Nëse në Shqipëri kjo nuk po bëhet as sot e kësaj dite nuk duhet kërkuar e keqja tek sistemi, i cili në fakt tek ne nuk është as kapitalist e as socialist, por një mish-mash politiko ekonomik, ku ndërthuret e keqja e shtetit me babazinë e privatit, ku lëmosha bëhet e përditshme sepse shteti hap dyert e skllavërimit modern.

Ka disa shkaqe përse ndodhi kështu.

Në Shqipëri nuk u bë asnjë revolucion përmbytës, sepse, para ngjarjeve të dhjetorit 1990 nuk kishte lëvizje politike të fuqishme. Kishte sinjale politikë, kishte shenja politike, por jo lëvizje. Sistemi i së shkuarës, i cili u shemb si një kartë letre, më shumë se sa ta shembnin, e përvijoi vetë rënien e butë të tij. Lëvizja studentore, e nisur si uragan, përfundoi në një erëzim të çoroditur, të pamasë dhe aforfe; ajo në pak kohë u shndërrua në një mërzi politike, prej së cilës, jo rastësisht e jo papritur, dolën në skenë figura të tjera.

Mungesa e një lëvizje të fuqishme politike, me njerëz vizionarë dhe idealistë, të cilët do të kishin marrë përsipër edhe vetëflijimin solli në skenë figurantë revolucionarë, të cilët, në janarin e vitit 1991, e kishin më të lehtë të protestonin se sa të rrinin në heshtje; të cilët, edhe nëse disa ditë më parë të trembur nuk kishin pranuar të ishin pjesë e një nisme tjetërlloj, tani e gjenin veten më të lirshëm në këtë gjurulldi që po ndodhte. Ëndrra studentore u burokratizua, u fut në sirtar, u josh me pushtetin dhe doli nga loja.

Më shumë se një rebelim nga të vuajturit, idealistët dhe vizionarët, e gjitha që po ndodhte ishte një rebelim i skalionit të dytë komunist kundër figurave të skalionit të parë.

Më shumë se gjithçka tjetër ishte një larje hesapesh mes një brezi komunist të dorës së dytë që e donin veten në sipërinën e pushtetit, ndaj të roniturve të skalionit të parë; më shumë se kryengritjes politike ishte një synim drejt ndërrimit të vendeve.

Të gjithë ata që u bënë staturat politike ishin nga aradha e komunistëve ose e familjeve të lidhura ngushtë me to. Asnjëri prej tyre nuk kishte qenë i përndjekur, nuk kishte në fisin e tij njerëz të burgosur politikë, nuk ishin shquar për rebelim apo përplasje të ndjeshme politike. Ishin nëpunës të aftë, të bindur dhe solidë në punën e tyre. Vetëm ndonjërit prej tyre mund t’i kishte shkuar mendja se do të kishte një lëvizje studentore, që do të shndërrohej në një fillesë politike. Ylli Vejsiu, Tritan Shehu, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Elsa Ballauri, Arben Imami, Arben Demeti, Neritan Ceka, Genc Pollo, Besnik Mustafaj, Blerim Çela, Rexhep Ukaj – të gjithë këto nuk ishin asgjë tjetër, veçse skalioni i dytë që mund të vinte në çdo moment në pushtet. Secili prej tyre, në një kohë të mëhershme, po të ishte thirrur për të qenë ministër, zyrtar i lartë, anëtar i KQ të PPSH-së, me siguri do të vaponte drejt vendit të ri.

Vetëm në marsin e vitit 1991, pas katër muajve, ata filluan të afrojnë rreth vetes njerëz të persekutuar politikisht, si Pjetër Arbnori, Kalakula etj, të cilët, po ashtu, ose i larguan, ose i lanë të vdisnin në heshtje.

Të rigrupuarit menduan për atë që u kishte munguar:pushtetin. Kur e gjetën filluan luftën për ta mbajtur.

Kjo luftë, në 28 vite, i ka kushtuar Shqipërisë mbi 4 mijë të vrarë.

Themeli i forcës së parë politike opozitare ishte i rrëshqitur që në fillim. Sigurimi i Shtetit delegoi menjëherë në strukturat drejtuese njerëzit e tij , të cilët kishin shërbyer prej kohësh, ose që ishin të gatshëm të shërbenin edhe më tej.

Në një mënyrë ose në një tjetër kishte një dallesë të ndjeshme mes ëndrrës njerëzore, për një forcë politike të fuqishme, të ndershme, të pastruar nga mëkati me atë që po ndodhte në fakt.

Kur disa nga nismëtarët e krijimit të PD-së, dolën në vete dhe kërkuan shqyrtimin e dosjes së Sali Berishës, duke ngulmuar se ishte njeri i shërbimit serb, nga verifikimi doli se nga gjashtë prej tyre –katër kishin qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Më pas, dy liderët kryesorë të fillesës, Azem Hajdari dhe Berisha, po ashtu, u akuzuan si bashkëpunëtorë të tillë, deri edhe në gjyqet politike të kohës.

Shumë nga pseudonimet e njohura më pas si Pashtriku, Pelicilina, Malsori, Dizenjatorja, Mjeku, etj, mbanin në vete bashkëpunëtorë të nivelit të lartë.

Që në ditët e para në strukturën e forcës së parë politike opozitare ndërhyri jo pak edhe shërbimi i huaj, sidomos serb, e më pas edhe ai grek.

Në ditët e mesit të janarit 1991, një njeri i afërt me kabinetin Millosheviç, por edhe me njerëz të tij në Tiranë, erdhi dhe solli ndihmat e para financiare për PD-në, por edhe një paketë politike për ecurinë e saj. Takimi i tij me Azem Hajdarin, megjithëse i fshehtë, u bë i njohur nga rrethanat e kohës dhe megjithëse u sinjalizua njeriu i parë i shtetit të kohës, R.Alia, askush nuk ndërhyrë.

Më pas, sa herë që Azem Hajdari kërcënohej, ai kundërpërgjigjej me kërcënimin e njohur të tij se “Unë kam qenë Njëshi dhe Njëshi di shumë gjëra”. Azemin nuk e lanë kurrë të dëshmonte “për shumë gjëra që kishte ditur si Njëshi i dikurshëm, por faktet e mëpasme, sidomos ato që lidhen me Kosovën dhe luftën e saj, dëshmuan se ardhja e emisarit të Millosheviçit në janarin e vitit 1991, nuk kishte qenë pa efekt.

Ende, edhe sot e kësaj dite, askush nuk e ka qartësuar pse ngjarjet e 2 prillit i filmoi vetëm Radiotelevizioni i Malit të Zi dhe si e dinin ato që paralajmëruan vrasje politike.

“Krushqitë” e mëvonshme me malazezët qeveritarë ndoshta janë vazhdim i kësah rrënoje.

Qeveria “Meksi”, e cila erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve të vitit 1992, mori një mandat të pashembullt, por jo të papritur. Njerëzit ishin të gatshëm të votonin për cilindo, e mjaftueshme ishte që të ndërrohej pushteti, të pushonin përplasjet, të zinte vend qetësia.

Në ato ditë, të lodhur nga gjithçka përreth tyre, njerëzit ishin të gatshëm të besonin çdo gjë. Në ato ditë unë shkrova “Përse duhet mbështetur qeveria Meksi”, gjithnjë me idenë e së mirës.

Ekipi “Meksi” ishte fillesa e grabitjes së shtetit shqiptar. Megjithëse ai mbetet shefi i qeverisë më njerëzori, përreth tij ishin mbledhur një grup njerëzish të etur, të cilët, edhe sot e kësaj dite, në shumicën e tyre, po “gëzojnë” të vjelat e qeverisjes së parë.

Kjo strukturë grabitësish i hapi rrugën të tjerëve, të majtë e të djathtë, republikanë e monarkistë, ideali i të cilëve u bë vjedhja, mashtrimi dhe që sollën dilemën se të jesh i ndershëm, duhet të jesh budalla.

Asnjëherë, në këto 28 vite, Shqipëria nuk ka pasur shefin e qeverisë që ka merituar. Rama ndryshon nga të tjerët, por jo se ka përmasat e burrit të shtetit. Ndoshta nuk i ka pasur kurrë, por kemi besuar se i kishte.

“Më jepni një pikë, ku të vendos levën time…” thonte dikur Arkimedi i mençur që donte të lëvizte botën.

Ne na duhet , edhe sot e kësaj dite, një kryeministër ndryshe.

Natyrisht, nëse na mbushe mendja e krahasojmë Ramën me paraardhësit e tij, sigurisht që do të rendim përsëri drejt besimit ndaj tij, por, nëse ndodh zhgënjimi ndaj figurës së tij, ky do të ishte ndoshta më i rëndi dhe më thelbësori.

Jemi në prag zhgënjimit të madh?

Është e mundur!


17 Gusht 2018