Shko te përmbajtja

Vargje të zgjedhur në vite…

Nga Wikibooks

Pa titull…


Ka një gjë në jetë,

që nuk do sforcim,

dhe kjo është Mirënjohja,

more miku im!



Pa titull…


Kur je në të errët,

mos e humb vërtet,

se té ndizet drita,

andej nga s’e pret!



Pa titull…


Ta vunë kufirin,

te thana me lule,

dhe ti nga inati,

gjithë thanën e shkule.


Dhe bëre si bëre,

ece dhe një metër,

po aty-për dreq,

ishte thana tjetër.


Ndaj dëgjo nga unë,

dy fjalë me vlerë:

“Po t’u vu kufiri,

s’çan dot asnjëherë!”



Pa titull…


Të shpuan-të gjuan,

mos u mërzit kurrë,

veç pema me kokrra,

goditet me gurë.


Të shpuan-të gjuan,

rri-e mos bëj njërën,

s’e nget kush me gurë,

as drizën-as ferrën!



Pa titull…


Asnjëherë në libër,

s’janë shkruar afatet,

po këtu do lahen,

të gjitha mëkatet!



Pa titull…


S’e di aspak,

si është kjo punë,

Bota më vete,

më vete unë…


Me pikatore,

puthje dhe dhele,

dy rrugët tona,

si paralele!



Pa titull…


Ti jetoje jetën,

o njeri i gjorë,

ajo vjen e ikën,

si një meteor!


Si një meteor,

që pak gjurmëz la,

veç një shkrepje drite,

kjo ishte gjithçka!



Pa titull…


Është e kotë-o mik,

që me ty të flasësh,

njëlloj si një shurdhi,

në derë t’i trokasësh!


Flas-po kujt i flas,

kot që bëj ezmerin,

njëlloj si të verbërit,

t’i tregoj ylberin!



Pa titull…


Pak kujdes ti po të kesh,

gjarpri dot s’të helmatis,

po dhe një Profet të jesh,

s’i shpëton dot pabesisë!



Pa titull…


Dashuria s’i duron dot fjalët,

ajo është memece, që s’shërohet,

se dhe deti ngré dallgët dhe valët,

si në dashuri-kur zëmërohet!



Pa titull…


Nuk ke ç’i bën injorancës,

kur blindohet në pushtet,

në dy krahët e balancës,

është e sigurt që humbet!



Pa titull…


Ku bëhen më shumë betime,

për besë e për dashuri,

aty ka më shumë mashtrime,

dhe gënjeshtra-o njeri!


Arben Duka

20 tetor 2018