Udhëtim në mrekullitë turistike të Gjirit të Vlorës

Nga Wikibooks

Zylyftar Hoxha

Në një ditë të bukur të një moti ledhatar si i tetorit të këtij viti, bashkë me një grup shokësh, historianin e njohur, prof. Pëllumb Xhufi, Sefedin Çelën dhe “siamezin tim” (kështu na thonë ata që na njohin), gazetarin Bashkim Koçin, nisemi drejt Vlorës për një udhëtim të shkurtër në Parkun Kombëtar Detar Sazan-Karaburun, më shumë për të parë shpellën e Haxhi Alisë, të cilën, edhe pse “kemi bredhur botën”, kur i thonë fjalës, atë nuk e kishim vizituar.

Në Vlorë na presin miqtë tanë, veterani Luan Muhameti ose Luani i Vlorës, siç njihet nga pseudonimi që përdor kur shkruan në gazetën “Dita”; specialisti i njohur i mjedisit dhe eko-turizmit, Petrit Dervishi si dhe Sherif Durmishi (Lepenica), të cilin do ta njohim pak nga pak më poshtë, pasi ishte më kryesori në udhëtimin tonë.

Shfrytëzojmë rastin, për t’i falenderuar miqtë tanë për mundësinë që na krijuan.


Gjithmonë e kemi parë Gjirin e Vlorës në ditët e nxehta të verës, me lëvizjen, gjallërinë dhe zhurmën që sjell sezoni turistik dhe kemi menduar se me shkrehjen e çadrave dhe mbledhjen e zhezlongëve gjithëçka këtu shkretohet dhe vetmohet. Por e paskemi ditur gabim. Ai qenka po aq i bukur, po aq i gjallë, po aq i zhurmshëm edhe tani në vjeshtë, ku deti dhe qielli qenkan më blu; ku natyra përreth, nga Jonufra, Radhima, Tragjasi, Dukati, më tej Llogaraja dhe në anën tjetër Karabauruni me fundin e tij, Sazanin, si pika e një “i” – e gjigante kanë marrë një përflakje ngjyrash vjeshtore si ato të tablove të të famshmit Vangush Mio; ku molet e mjeteve të vogla zjejnë nga puna e peshkatarëve, por edhe e turistëve të vonuar që hipin e zbresin në anije të vogla dhe skafe për të vizituar brigjet misterioze të Karaburunit dhe të Sazanit.

Ndalemi në molin Sherif Durmishit, që, megjithëse na e shpjeguan disa herë, se Luani me të ishin nip e dajo, historia ishte aq e ngatërruar sa, të paktën unë, nuk e kuptova asnjëherëse kush ishte nipi e kush dajua!…

Sa na sheh Sherifi, na përshëndet nga larg dhe na çon në mol. Hipim ngadalë në skaf. Kapiteni na jep udhëzimet e nevojshme të udhëtimit në det, që, sado i shkurtër, kujdesi duhet të jetë maksimal.

”Kapiteni”, e vura në thonjëza këtë fjalë, se Sherifi, edhe pse kalon pjesën më të madhe të kohës në det dhe është një njohës i mirë i tërë Gjirit të Vlorës, i detit dhe nëndetit, i qiellit dhe i tokës të këtij gjiri; edhe pse gjithmonë e gjen me kapelen dhe bluzën simbol të detarëve; edhe pse është një nga guidistët dhe udhërrëfyesit më të mirë që ka zona; edhe pse ka në zotërim një anije dhe disa mjete të tjerë lundrues, një mol për ankorim skafesh dhe varkash, një dyqan dhe restorant peshku, përsëri nuk e pranon ta quash as kapiten dhe as biznesmen. Për kapiten: “Deti është det, thotë ai, s’ta jep kollaj gradën dhe titullin”, ndërsa për biznesmen, nuk do goca, “e kam babin të mirë, thotë, nuk e kam biznesmen”!…

“Dhe tani, nëse keni ndonjë triko a xhaketë, visheni, nga shpejtësia ajri ftohet”, na thotë Sheroja dhe i jep gaz skafit, i cili hidhet mbi valë me galop si një kalë, duke lënë një vragë të bardhë shkume pas.

Gjiri i Vlorës nuk ka patur këtë liri dhe frymëmarrje turistike që ka sot. Historia e tij, sidomos e vonshmja, është vërtet e dhimbshme. Para viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishin ëndërr për shumicën e shqiptarëve, për të shkelur dhe për të shuar kërshëritë me mrekullitë e tyre natyrore. Këtë këtë privilegj e kishte vetëm një pakicë, oficerët dhe ushtarët, të cilët prej shërbimeve të gjata, ditë e natë, prej punës së rëndë që bënin për hapjen e tuneleve, fotifikimeve, bunkerëve dhe transheve, “nuk u vinte as “për qumështin e nënës”, jo të dinin se shkelnin mbi thesarë të tillë mahnitës të natyrës.

Karaburuni tej e mbrapa ishte një “mollë e ndalueme”, ashtu edhe ishulli i Sazanit. Nuk lejohej të hynte këmbë civili. Tabelën “Ndal, zonë rrepësisht e ndaluar ushtarake!” e gjeje në çdo dhjetë metra. Edhe nëse do të të duhej se s’bën të hyje këtu, duhej lejë e posaçme me një kokëçarëje të madhe nga Dega e Brendshme.

Edhe në vitet e para të të ashtuquajturës Demokraci, pavarësisht se ishulli dhe gadishulli u çmilitarizuan, historia e Gjirit përsëri do të ishte e dhimbshme. Rrodhën për të ngjarje të rënda.

Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë, lulëzoi edhe këtu në mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qenieve njerëzore drejt brigjeve italiane. Nga porti i vogël i skafeve të Radhimës dhe nga gjiret e fshehur të Ujit të Ftohtë dyndeshin burra, gra dhe fëmijë nga e gjithë Shqipëria duke shkuar më shumë drejt vdekjes se drejt jetës. Vetëm deti e di se çfarë ka ndodhur dhe sa jetë njerëzore kanë humbur në të!…

Pas kësaj tragjedie të madhe, historia fatkeqe e Gjirit përsëri vazhdon. Të paafta për të ndalur trafikun e qenieve njerëzore, qeveritë e ardhura njëra pas tjetrës gjetën një zgjidhje “Deus ex makina”, nxorën ligjin e ashtuquajtur “Moratoriumi i skafeve”, i cili ndalonte qarkullimin e skafeve dhe mjeteve të tjera të vogla lundruese, duke i sjellë dëme të pallogaritshme gjithë zonës. Jeta turistike dhe detare u paralizua, Karaburuni dhe Sazani përsëri u kthyen në “mollë të ndalueme”.

Sherif Durmishi na tregon se këto tre-katër vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, por sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha. Me shetitjen romantike nëpër kuriozitetet e Karaburunit udhëtarët ndjehen të gëzuar dhe të mrekulluar.

Skafi ynë shkon shumë pranë vaskave të kultivimit të peshkut. “Ngadalësoje pak, i thotë Petriti Sherifit” dhe pastaj na drejtohet ne: Shikoni një masakër tjetër që i u bëhet brigjeve të Karaburunit. Zhytësit, kur u bie puna të kalojnë poshtë tyre, thonë se janë si stalla derrash që helmojnë gjallesat. Ushqimi që përdoret për peshqit është shumë ndotës për mjedisin, pasi ka yndyrë. Rritësit e peshkut, siç ndodh edhe me produkte të tjera tek ne, e shtojnë deri në tre-katër fish përqindjen e yndyrës në ushqim, me qëllim rritjen shpejtë të peshkut, pa llogaritur dëmin që sjellin në cilësinë e peshkut po e po, por edhe në atë që po flasim tani, ndotjen e detit. Yndyra në det do të thotë vdekje. Asnjë gjallesë nuk i reziston asaj.

Treguesi më qartë i ndotjes që sjellin këto rezervate peshku, vazhdon të tregojë Petriti, janë algat. Në brigjet e Karaburunit dikur algat kishin ngjyrë të kuqe, tani janë jeshile, çka tregon se ka njëfarë ndotje, dhe në shumë vende ato janë blu dhe të zeza, çka tregon ndotje maksimale! Nëse vazhdon kështu, nuk do të jetë vonë dhe do të ndodhemi para një katastrofe ekologjike. Duhet të merren masa që një pjesë e tyre të transferohen në vend tjetër, ku nuk sjellin kaq shqetësim.

I bashkohemi merakut të Petritit, njohësit më të mirë të eko-turizmit në këto anë. Por ajo që mund të bëjmë ne në këtë rast, është që të hedhim shqetësimin në rreshtat e këtij shkrimi. Kushedi, mbase ndonjë vesh perëndie na dëgjon, po të mos ia ketë zënë “Babalja”!…

Pas mëse treçerek ore arrijm te Kepi i Gjuhëz, fundi i gadishullit të Karaburunit. Ngushtica mes Kepit të Gjuhëzës dhe Sazanit, quhet Mesokanal. Është 3.5 km e gjerë dhe 16 km e gjatë. Pjesa më me histori e gjithë Gjirit të Vlorës.

“Paska patur të drejtë Enver Hoxha, kur thoshte se çelësat e Otrantos i kemi ne”, i them Profesor Xhufit, më shumë për ta provokuar se çfarë do të thotë. Si duket ai e kuptoi djallëzinë e pyetjes time. “As topi s’e luan”, tha dhe qeshi!…

E ndërpremë bisedën, sepse menjëherë aty, në të kaptë, u shfaq Shpella e Haxhi Alisë, për të cilën edhe kishim ardhur deri këtu.

I afrohemi ngadalë gojës së stërmadhe të saj, 60 metra të lartë. Më e madhja shpellë e bregdetit shqiptar. Sipas historianëve është një shpellë që është përdorur shumë nga ilirët. Rreth viteve 1540-1545 është përdorur nga piratët frëngj për t’u mbrojtur siç thonë edhe toponimet afër shpellës. Por emrin shpella e ka marrë nga pirati ulqinak Haxhi Aliu që është strehuar aty.

Duke u futur në brendësi me skafin tonë shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas veriperëndim-juglindje dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës verilindje të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës, përballë hyrjes, paraqiten stalaktite të pjerrta, ndërsa në fund të saj rreth një metër shpella ka ngjyrë të kuqe nga algat.

Kjo shpellë mund të ketë histori të tjera edhe më interesante, por të gjitha ato i ka sfumuar dhe tretur ajo e Haxhi Aliut, që është kthyer në mit dhe legjendë. Sipas legjendës, pirati me famë ka vepruar nga mesi i shekullit të 17-të. Mesokanali dhe shpella i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj. dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura. Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij, Haxhi Aliu duhet të ketë qenë vërtet një hero që nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri e piratët nëpër Mesdhe. Siç e tregoi koha, deti ishte shtëpia e tij dhe njëkohësisht varri i tij.

Tregojnë shumë histori për të, por njëra nga këto na u duk më interesante: Një pirat turk me origjinë algjeriane, nga Afrika, i dërgon një letër Haxhi Aliut ku i shkruante: “Arnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do ta rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit”.

Me të marrë letrën Haxhiu iu përgjigj kështu: “Hajde, hajde, se kafkën tënde kam për ta bërë çibuk duhani”!

S‘kaloi shumë dhe piratin e zuri të gjallë dhe ç’nuk i bëri atij deri sa e vdiq. Thonë se Haxhi Aliu u vra me të birin nga venecianët dhe është varrosur në Sazan.

Në thellësi të shpellës i kërkojmë Sherifit të na tregojë diçka më tepër nga këto që kemi dëgjuar dhe lexuar. “Vërtet, a talleni? – thotë ai me një nënqeshje hileqare labe, dhe pas kësaj lëshon tjetrën: “A i shitet bostan bostanxhiut?! Ju ini të tërë të letrave, dhe jo sidokudo, por profesora; në vend të më thoni ndonjë gjë të re ju mua, që t’ua tregoj të tjerëve, kërkoni përralla nga unë të nxirrni gjuhën!…Ku i kini ata aparatet, bëni ndonjë fotografi dhe hajde të kthehemi, se kemi edhe disa gjëra të tjera për të parë”, – e mbylli me të qeshur bisedën Sherifi.

Në kthim lundruam më afër bregut shkëmbor, ku binin në sy fortifikime, tunele, bunkerë dhe qendra zjarri të braktisura; ndërsa më lartë, në luginat e feshehura, gërmadha të ndërtesave strategjike ushtarake, reparte, depo armatimesh, vendroje, qendra zjarri dhe një rrjet i tërë rrugësh makinash dhe këmbësorës që tashmë kanë zënë bar nga që nuk shkelen.

Mjeshtri ynë i lundrimit, Sherifi na zbret në një gji të bukur, ku ndodhet edhe një kalatë e vjetër për ankorim anijesh dhe mjetesh lundruese. Quhet Shën Vasi. Dikur këtu ka qenë një kishë e vjetër me të njëjtin emër ku faleshin e luteshin detarët.

Gjiri është kthyer në plazh me një kapacitet prej 800-1000 pushues dhe e menaxhojnë disa djem, që ne nuk i takuam dot, pasi ka mbaruar sezoni turistik.

Pas vërshëllimës së Sherifit, nga barakat prej druri, doli duke qeshur një burrë i vjetër, Behxhet Bodo e quanin. Ishte nga Dukati dhe këtu kishte pronën e vet, malin lartë, përfshi dhe plazhin.

Pasi na gostiti me qumësht dhe mjaltë, na tregoi historinë e tij. Kishte 20 e ca vjet që jetonte këtu, si eremit, gjashtë orë larg nga shtëpia, për të ruajtuar pronën. Në ’97-ën i kishin ardhur disa herë banda për ta pushtuar, por ai e kishte mbrojtur edhe me armë.

“Më pas më dualën banda dhe banditë të tjerë, këtë radhë të veshur me kollare, vazhdon të tregojë Behxheti. Erdhën inxhiniera dhe gjeometra dhe matën malin dhe pas ca ditësh më thanë se kjo pronë është e filanit, një deputeti, që unë nuk po ia them emrin, por që dihet nga të gjithë. Ky deputeti gjoja ia kishte blerë një të jetimores, dhe ky i fundit ia kishte blerë një fshatarit tim nga Dukati, i cili sa kishte hedhur firmën, kishte vdekur! Një falsifikim i tmerrshëm…dhe unë tani luftoj me të vdekurin, që a mori lekë as s’mori, s’dihet; a e shiti vërtet a s’e shiti një gjë që s’ishte e tija, prapë s’dihet, por që litarin e la jashtë, ama! Në një kohë që unë kam në dorë tapinë e 1912-ës!

Tani jemi në gjyq me deputetin. Një herë, në fillim, kur më morën në telefon, më thanë se e humbëm gjyqin. Isha vetëm në mes të pyllit dhe nuk e di se si më doli ai zë aq i fortë, thirra: “O e drejtë”! “Plaç të preftë”! – më erdhi jehona nga përroi.

Mu duk, a më erdhi vërtet, po kështu ka qenë. “Ëhë, thashë, s’paska të drejtë” dhe u shtriva në tokë, nuk e di sa kam ndenjur ashtu.

“Po tani, çfarë po bëni”? – e pyesim Bexhetin. Tani po presim të ngrihet gjykata e re, kjo e Vetingut, aty ka ngelur. Të shohim kush do të fitojë, unë i gjalli apo ai vdekuri; tapia ime apo falsifikimet e deputetit; e drejta apo mashtrimi.

“Na e nxorre nga hundët atë qumësht që na dhe”, i thamë me shaka Behxhetit dhe, duke u larguar, i uruam fitore.

U kthyem, se u bë vonë. Por, të themi të drejtën, koka na mbeti prapa, na ngelën shumë gjëra të tjera pa parë. Ia them këtë profesor Pëllumbit. “Mos u mërzit, aty e kemi kapiten Sherifin me gjithë bluzë dhe me gjithë kapele. Madje radhën tjetër do t’i bje unë një kapele marinari që ma kanë dhuruar në Venecie”, tha Profesori me atë nënqeshjen karakteristike të tij.


18 tetor 2018