Tomori, kulti i tabusë mbrojtëse

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Nuk dihet se kur ka nisur të praktikohet ngjitja e Malit të Shenjtë si një Festë për të gjithë njerëzit, me ngjyrë, besime dhe madje me gjuhë të ndryshme.

Dikur para Erës së Re besohet se ka nisur gjithçka.

Për vetë vetitë që besohet të ketë ende Mali i Tomorit, paganët e dikurshëm vendosën që çdo verë të caktoheshin pesë ditë nderimi për të dhe misticizmin e tij.

Më vonë, pas daljes së Kalendarit Romak, rastisi se Festa e Ngjitjes së Malit dhe therjes së bagëtive si kurban të fillonte më 20 gusht dhe të përfundonte të paktën zyrtarisht më 25 të këtij muaji.

E ngjizur si Festë e sektit të Bektashinjve, në fakt, këto ditë duket se Festa është për të gjithë.

Nga të gjitha viset e Ballkanit, historikisht kanë pelegrinuar me mijra njerëz , vetëm e vetëm, që të jenë të pranishëm në vendin aq të shenjtëruar dhe mistik.

Dhjetra janë edhe emrat e njerëzve të njohur të letrave të artit dhe të shkencës shqiptare që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Ditët e Tomorit.

Festa nisi me një ekspozitë pikture të hapur në qytetin e Çorovodës dhe me një sërë veprimtarish të tjera artistike dhe përkujtimore, të planifikuara dhe të programuara që më parë deri në detajet më të vogla.

Ditët e Festës së Tomorit – ato organizohen çdo vit – mbledhin në majën e malit të lartë dhe të shenjtë jo vetëm pelegrinët shqiptarë të brenda kufijve territorialë, por edhe ata të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, SHBA- se.

Por edhe nga Italia, Spanja ,Greqia, Gjermania, Kroacia dhe Izraeli etj.

Të gjithë paskëtaj, pa ndonjë dallim të madh me njëri-tjetrin i hipin kurrizit të Malit Plak, bëjnë kurbanet dhe kthehen sërish në shtëpitë e tyre, çuditërisht me një ndjenjë lehtësie në shpirt.


Periudha Parabizantine,- tepër e gjatë dhe e lakueshme me të dhëna mitologjike dhe historike, nis të paktën që nga epet e Homerit, ku përmendet emri i malit të Tomorit.

Më pas të dhënat e Strabonit dhe të autorëve të tjerë antikë, por edhe të ndonjë poeti të veçantë, si Theopompi, flasin për karakterin kultik të malit Tomor, që studiuesit e lidhin me emrin e malit Tomor.


Dy janë vërejtjet thelbësore që lidhen me këtë konstelacion informatash.

E para: Homeri flet për kultin e Zeusit pelazgjik dhe të Dodonës “dimërkeqe”.

Ky epitet ka rëndësi kolosale sepse në pozicionin gjeografik të Dodonës afër Janinës nuk mund të flitet për një klimë të ashpër malore dhe “dimërkeqe”.

Kjo vërejtje ka të bëjë me një lartësi malore të veçantë, ku dimri është i ashpër dhe jo me një klimë mesdhetare të Jugut.

Kjo do të thotë se Homeri ka parasysh një lëvizje të vendit të kultit të Dodonës nga Veriu në Jug dhe jo e kundërta.

Straboni flet se dikur ka pasur dy Dodona, deri sa ka mbetur Dodona e ilirëve mollosë, si orakulli në Jug më i vjetri.

E dyta: Kulti i Zeusit quhet pelazgjik, pra jo një kult i mirëfilltë grek, por një kult paragrek.

Kurse shërbyesit e orakullit janë të lidhur me një tabu të çuditshme.

Sipas Homerit, ata flenë përtokë dhe nuk i luajnë kurrë këmbët.

Kjo tabu e ujit është e habitshme dhe shpjegimi i saj ka mbetur i pakuptuar deri më sot.

Por e rëndësishme është ekzistenca shumë e vjetër e institucionit të tabusë në vetvete.


Në Periudhën Bizantine kemi të dhënë konkrete për malin Tomor.

Këto të dhëna na tregojnë se mali Tomor ka një rëndësi të veçantë në gjeografine shqiptare, të lidhur ngushtë me qytetin e Beratit, këtë kryeqytet të Shqipërisë së Mesme, sipas kujtimeve të shkruara nga princi Muzaka.

Kështu dokumentet përmendin malin Tomor herë si pjesë të maleve Akrokeraune, dmth të Karaburunit dhe herë siç ndodh në një gjeografi venedikase me emrin e malet e Diabolit, dmth të Djallit, që ka derivuar në toponimin e sotëm të Devollit.

Madje vazhdon të quhet si pjesë e maleve Akrokeraune.

Kjo ndodh deri në shekullin e 17-të.

Nga ana tjetër, përmendet edhe toponimi Tomorishtë, por edhe Tomorishta për krejt zonën e Myzeqesë së Principatës së Gjon Muzikës.

Emri i malit Tomor kapërcen kufijtë e malit dhe bëhet një emër shumë më i gjerë administrativ dhe gjeografik.


Në dokumentet bizantine përmendet edhe kështjella e Tomorit.

Kështu, Jani VI Kantakuzeni, duke shkruar për kryengritjet shqiptare kundër bizantinëve në vitet 1335-1336, flet konkretisht për kështjellën strategjike të Tomorit.


Tre shekuj më parë murgu Gjergj Kedreni përshkruan luftën e perandorit Bizantin Vasili II kundër Bullgarisë dhe Carit Jan Ivaci.

Kedreni thotë, se Perandori i Bizantit – Vasili i 2-të, i masakroi ashpërsisht bullgarët dhe në qytetin e Devollit u bë një ceremoni triumfi , ku pjesëtarët e familjes mbretërore bullgare ,si gruaja e Jan Vladisllavit me tre djem e gjashtë vajza, djali legal i Samuelit, si dhe dy vajza e pesë djem të Radomirit të Samuelit, i ranë në këmbë dhe i kërkuan mëshirë Perandorit të Bizantit pikërisht në këtë qytet që lidhet me emrin e Devollit, emër, që në kronika të tjera bizantine është quajtur edhe vetë mali Tomor.

Meqenëse në fushën e Devollit sot nuk ka një qytet të tillë,( ose nuk eshte gjetur nga arkeologet) , siç flitet në kronikat e shekullit të 9-të, ne mund të supozojmë , se toponimi i Devollit është një mbetje e mëpasshme e një qendre të dikurshme, që nuk mund të identifikohet veçse nëse supozojmë që ka qenë një herë midis Beratit dhe Ohrit ,ose mbase edhe vetë në Tomor.

Një kronist i shekullit XIII dhe XIV, Efremi flet, se si Strategu bizantin, Kantakuzeni , u ngjit në Tomor , ku qëndroi shtatë ditë dhe pastaj sulmoi Boemundin e Normanëve, duke zënë rob kushëririn e Boemundit.

Kjo tregon që zona e Tomorit ka pasur një karakter të veçantë mbrojtës.

Tabu Mbrojtëse!


Madje Gjergj Kedreni shton në të dhënat e tij , se tre djem të familjes mbretërore bullgare ikën dhe u fshehën për t’u mbrojtur në malin Tomor, që ishte më i sigurt nga vrasjet dhe ndjekjet.

Këto tregojnë se në malin Tomor ka ekzistuar një Tabu Mbrojtëse e Malit, një Zonë e Shenjtë, që nuk mund ta shkelje dhe një traditë e vazhduar në shekuj.


Efremi në kronikën e tij në vargje tregon edhe një episod që ka ndodhur më 1216 për vëllain e Teodor Engjëll Komnenit, të quajtur Mihal, i cili u therr, nga një i quajtur Romeo , natën ndërsa Mihali ishte duke fjetur në Tomor, pra duke e shkelur Tabunë e malit Tomor.


Teza e Zonës Tabu vërtetohet nga shënimet e udhëpërshkruesit Evliha Çelebiu, i cili flet se në malin e Tomorit është e ndaluar të priten dru, kurse kriminelët që arratisen në këtë mal i shpëtojnë grushtit të ligjit, por nuk janë më të mbrojtur, kur dalin nga Zona e Shenjtë e malit.


Tani të bëjmë një sintezë të të dhënave.

Vërtetohet një mbijetesë e institucionit të Tabusë në Tomor, por i ndryshëm nga ai i traditës homerike që ka të bëjë me tabunë e ujit.

Por vijon megjithatë tradita e Zonës së Shenjtë të quajtur Temenos (Vendi i Hyjnisë).

Toponimi Mali i Djalit – Diavolos- Devoll, që duhet shpjeguar drejt.

Vetëm eufemizmi është një institucion mitik dhe kult. Shpjegimin e saktë e jep përcaktimi, që mali Tomor është quajtur edhe si maja e maleve Akrokeraune.

Dihet se malet Akrokeraune ose Malet e Vetëtimave kanë qenë vendi paraolimpik i Zeusit, kryeperëndisë pagane.

Pikërisht Zeusi pelazgjik nga Akrokeraune është vendosur sipas mitologjisë greke në Olimp të Greqisë.

Në periudhën bizantine të krishterë teologët e kanë anatemuar paganizmin dhe traditat pagane të kultit të Tomorit dhe si mal i Zeusit të Akrokerauneve është quajtur nga dogmatizmi bizantin si Mali i Djallit,- Diavolos.

Por tradita e nderimit të malit dhe e Tabusë së tij mbijetoi.

Mitologët thonë se Kulti i Zeusit fillimisht ka qenë një Kult Solar, pra i kultit të Diellit.

Por Zeusi si kryeperëndia e rrufeve ka krijuar idenë e shpagimit dhe të epitetit homerik të Dodonës “dimërkeqe”.

Kështu Faza Pas-homerike , ose Faza Bizantine e të dhënave për Tomorin tregon një mbijetesë të kultit pagan, të korruptuar nga një epokë e mëtejshme, por gjithsesi të pazhdukur dot.


Kulti i malit Tomor vazhdoi deri në vitin 1600, kur u ndërtua në Kulmak varri kenpotaf simbolik i Abaz Aliut dhe Tomori u bë Kryemali i Bektashizmit Shqiptar,mbas kësaj, për gjithë kohërat.

Kështu, duke i parë, me një sy të ri dhe ndryshe , burimet e të dhënave, më duket se kemi zbuluar enigmën dhe sekretin e Kultit të malit Tomor.



Kjo teoria ime ( shpjegimi shkencor ) është një mundësi logjike, por që në të ardhmen e ka të domosdoshme plotësimin me të dhëna dhe studime të reja. (1998)