Si u rehabilitua figura e Beg Ballës në vitin 1983

Nga Wikibooks

Nga Avni Alcani

(Kujtime)

Në vitin 1983 drejtoja Muzeun Historik të rrethit të Librazhdit. Nga organet drejtuese të rrethit m’u ngarkua që të bëja rikonstruksionin e një prej sallave të muzeut, asaj të quajtur “Salla e ndërtimit të socialiamit”. U deshën gati dy vjet punë përgatitore për të hartuar maketin, për të grumbulluar materiale të ndryshme ekspozimi, si objekte, dëshmi, fotografi, dokumenta etj.

Në një dokument të vitit 1946, që bënte fjalë për krijimin e Komitetit Ekzekutiv dhe Këshillit Popullor të rrethit të Librazhdit, hasa emrin e Beg Ballës (1873-1954), i cili kishte qenë zgjedhur anëtar i Komitetit në fjalë. Ky dokument ishte shumë i rëndësishëm, i cili duhej të zinte një të veçantë në stendat e ekspozimit. Por kisha ngecur në një ngërç dhe ai ngërç ishte Beg Balla.

Në atë kohë unë nuk kisha shumë njohuri për Beg Ballën. Për të më kishte folur im atë, që e konsideronte Begun si një figurë të rëndësishme në krahinën e Çermenikës, që ishte dhe mik i familjes së tij të Isufajve (Alcani) në Neshtë. Gjithashtu, në takimet e shumta që unë kisha patur me bashkëfshatarë të Begut, veteranë lufte dhe arsimtarë që kishin njohuri për aktivitetin e tij, kisha krijuar opinionin tim, se kishim të bënim me një figurë nacionalisti, që e kishte filluar aktivitetin patriotik gjatë Rilindjes Kombëtare. Beg Balla ishte bërë i njohur veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi ai kishte përkrahur dhe mbështetur pa rezerva Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në fshatin dhe shtëpinë e tij ishin strehuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Misioni ushtarak anglez, grupe të drejtuesve të lartë e LANÇ etj.

Pas dënimit të Kadri Hoxhës në vitin 1946 edhe për Beg Ballën filloi persekutimi politik. Ai u shpall “kulak” dhe u etiketua “kulak me bri në ballë”. E gjitha kjo i erdhi si “mirënjohje” për ndihmën dhe sakrificat e fshatit dhe familjes së tij për Luftën. Në vitet 1981-83 kishin dalë disa libra me kujtime të E. Hoxhës dhe në njërin prej tyre (“Kur lindi Partia”) autori e akuzonte Kadri Hoxhën, i cili kishte qenë komandant i Çetës së Çermenikës dhe komandant i Grupit dhe komandant i Qarkut Ushtarak të Elbasanit, se “nuk punonte për Luftën, por bënte “llogje” me Beg Ballën”. Në librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” E. Hoxha e cilësonte Beg Ballën: “spiun”, “bashkëpunëtor i anglezëve” dhe “reaksionar”. Kaq duhej dhe Beg Ballës iu “fshi” emri kudo, ai nuk përmendej më as për mirë e as për keq. Në këto kushte, të kërkoje të rehabilitoje figurën e Beg Ballës, për më tepër që atë e kishte goditur vetë dora e “Zeusit” (E. Hoxhës), ishte një mision sa i vështirë e i pamundur, po aq dhe shumë i rrezikshëm.

Unë e kisha studiuar mirë situatën, faktorët pro dhe kundër vendosjes së dokumentit për ekspozim dhe pata krijuar bindjen se ekzistonte një mundësi, ndofta dhe një “rreze drite”, që emri dhe fotografia e Beg Ballës të vendoseshin në Muze. Rehabilitimi i Beg Ballës duhej bërë, së pari, pasi ai ishte një figurë historike e Çermenikës, që ishte errësuar padrejtësisht; së dyti, ai ishte një nga burrat më të njohur të krahinës e më gjerë; së treti, duhej vënë në vend një padrejtësi absurde. Isha optimist se mund të triumfoja në misionin tim dhe kisha hartuar një strategji për realizimin e këtij misioni.

Në fonotekën e Muzeut ruheshin disa kujtime të regjistruara në magnetofon dhe në njërën bobinë (shirit) ishte regjistruar zëri i Ramadan Çitakut, ish-komisar i Çetës partizane të Çermenikës dhe ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UANÇ.

Në ato kujtime, të cilat ishin realizuar në mesin e viteve ’70, Çitaku fliste me shumë admirim për Beg Ballën, të cilin e konsideronte si figurën më të rëndësishme të Çermenikës, i cili, që në pranverën e vitit 1942, kishte mbështetur pa rezerva LANÇ dhe 2 vite më vonë kishte strehuar Shtabin e Përgjithshëm të kësaj ushtrie. Gjithashtu në fonotekën e Muzeut ndodhej edhe një bobinë me kujtime të Esat Dishnicës, shok dhe mik i E. Hoxhës, i cili, sipas kujtimeve të Hoxhës, i kishte dhënë këtij të fundit dyqanin “Flora” për të ushtruar aktivitet tregtar. Kujtimet e E. Dishnicës ishin marrë në vitin 1982, pra një vit pas botimit të librit “Kur lindi Partia” (1981). Në kujtimet e tij Dishnica fliste edhe për Beg Ballën, i cili, sipas tij, ishte mik dhe mbështetës i Aqif Pashë Elbasanit, gjyshit të tij. Në një nga takimet që Dishnica kishte pasur me Aqif Pashën në Austri, i cili jetonte në egzil pas përmbysjes së Revolucionit të Qershorit, ai e kishte porositur nipin e tij që të takohej me dy përfaqësuesit e trevave të Librazhdit: Shaban Blloshmin në Bërzeshtë dhe Beg Ballën në Çermenikë. B. Ballën ai e konsideronte si një nga kollonat e mbështetësve të tij në krahinën e Çermenikës. Në ato vite ishin botuar 2-3 albume kushtuar LANÇ. Në dy foto, që ishin realizuar në Labinot, Beg Balla kishte dalë në fotografi (në grup) me E. Hoxhën dhe, fatmirësisht, fotot nuk ishin retushuar (siç ndodhte rëndom kur hiqeshin fotot e “armiqve” që kishin dalë me E.H.).

Realizimin e planit tim ia bëra të njohur Isak Metës, çermenikasin më fisnik që kam njohur, i cili ishte bashkëfshatar dhe mik i familjes së Begut (pasi motra e Isakut ishte e martuar me djalin e Begut, Skënderin). Isaku kishte punuar shumë vite në aparatin e komitetit të partisë së rrethit të Librazhdit. I paraqita faktet dhe dokumentat që disponoja dhe i kërkova Isakut mendimin e tij, se ç’rrugë duhej të ndiqnim për rehabilitimin e Beg Ballës dhe të vendosjes në Muze të fotografisë dhe dokumentit me emrin e tij. Isaku, i cili i njihte mirë si makinacionet, por edhe rreziqet që mund të më vinin nga kjo iniciativë e imja, më këshilloi me dashamirësi që të tërhiqesha nga vendimi im. Unë i thashë se nuk dëshiroja që të tërhiqesha. Kur pa vendosmërinë time, Isaku më tha se do të më ndihmonte për çfarë të kisha nevojë.

Vendosa, së pari, që të shkoja në Orenjë, në vendlindjen e Begut, pasi duhej të bisedoja me bashkëfshatarët të tij, disa prej të cilëve kishin qenë shpifës dhe nxitës për shpalljen e Begut si kulak. Në shtator të vitit 1983, bashkë me kolegun dhe mikun tim, piktorin Sami Roçi, u nisëm për në Orenjë. Me vete mora magnetofonin. Autobusi na çoi deri në Zdrajsh dhe ne vijuam udhëtimin tonë për në Orenjë në këmbë. Magnetofonin e vura në krahë, pasi ai peshonte shumë. Samiu kishte marrë me vete kavaletin e tij të pikturës dhe realizoi disa peizazhe mjaft interesante nga natyra shumë e bukur e Orenjës.

Kur mbërrita në Orenjë u takova së pari me Tomorr Ballën, nipin e Begut, dhe i tregova qëllimin e misionit tim, të cilin ai ma miratoi. I kërkova së pari Tomorrit të mblidhte në qendër të fshatit (xhamisë) pleqtë më të moshuar. Në takim erdhën Qamil Meta, Ramiz Balla, Skënder Balla dhe disa pleq të tjerë, që s’ua mbaj mend emrat. U thashë se kisha ardhur për të regjistruar në magnetofon kujtimet e tyre për Luftën. E vura magnetofonin në mesin e tyre. Së pari vura të dëgjonin kujtimet e R. Çitakut dhe E. Dishnicës, të cilat i kisha marrë enkas me vete. Orenjasit dëgjonin me kureshtje dhe me interes gjithçka ç’kishin thënë për Begun dy figurat e njohura. Pastaj i intervistova me radhë dhe u kërkova që të më flisnin për organizimin e Lëvizjes ANÇ në Orenjë, roli dhe kontributi i B. Ballës në këtë lëvizje etj. Bashkëbiseduesit, pas dëgjimit të kujtimeve për B. Ballën, ishin më të çlirët dhe folën edhe për personazhe të tjerë që kishin qenë aktivizuar në Luftë në Orenjë. Aty dëgjova për herë të parë për vëllain e Begut, Sadik Ballën, i cili kishte qenë komandanti i Çetës vullnetare të Orenjës. Pasi mbarova regjistrimet, i shoqëruar nga dr. Agim Koçi, stërnip i B. Ballës, shkova në shtëpinë e Trane Koçit, vajzës së Begut, e cila banonte në një dhomë të shtëpisë me telize të “Tomës”. Në vitin 1953 Trania punonte si drejtuese e Rinisë dhe Gruas për Qarkun e Elbasanit. Nëna ime më pati thënë se, kur kisha lindur unë në maternitetin e Elbasanit, ne kishim qëndruar disa ditë në shtëpinë e saj. Kur ia thashë këtë, ajo u mallëngjye shumë. Tranes i kërkova të më jepte kujtimet për babain e saj, Begun. Trania ishte e sëmurë, por u tregua e gatshme të më ndihmonte. Unë regjistrova gjithçka që ajo tregoi për Begun dhe kujtimet e saj për Luftën. Kujtimet e Tranes dhe ato të orenjasve të tjerë, sot ndodhen në fonotekën e Muzeut Historik të Librazhdit.

Pas kthimit tim nga Orenja, unë shkova në komitetin e partisë, në zyrën e V. B., i cili ishte instruktor në këtë institucion, që mbulonte sektorin e agjitacion-propagandës. Më vete kisha marrë magnetofonin dhe bobinat me kujtimet e R. Çitakut, E. Dishnicës e të pleqve të Orenjës. Gjithashtu dhe albumet me fotot e B. Ballës që kishte dalë me E. Hoxhën e që s’ishin retushuar. Pasi më dëgjoi deri në fund, V.B. më kërkoi që t’ia lija materialet në zyrën e tij dhe më tha se do të më njoftonte disa ditë më vonë se çfarë do të vendosej për B. Ballën.

Kaloi një javë. Unë po prisja me ankth. V.B. më thirri në zyrën e tij dhe, duke më dorëzuar materialet, më tha se dokumenti i vitit 1946 me emrin B. Ballës dhe fotografia e tij do të vendoseshin në Muzeun e Librazhdit. Gati sa nuk fluturova nga gëzimi. U takova menjëherë me Isak Metën dhe i dhashë lajmin e mirë se kishim fituar: emri dhe fotografia e Beg Ballës do të vendoseshin në stendat e Muzeut Historik të rrethit. I kërkova Isakut që të gjente një foto të mirë të Begut. Isaku kishte shkuar në Orenjë dhe pas një jave më solli foton e Begut, e cila ishte e kuadruar në një kornizë prej druri.

Në vitin 1991 i dërgova një letër Tomorr Ballës, ku i pata kërkuar që të më jepte disa të dhëna për gjyshin e tij Beg Balla dhe për Kadri Hoxhën, komandantin legjendar të LANÇ, i cili kishte qenë përsekutuar prej gati 50 vjetësh nga regjimi komunist. Në letër e pyesja Tomorrin nëse ende jetonte Kadri Hoxha. Unë nuk mora përgjigje nga Tomorri dhe pata menduar se ndoshta ai nuk e kishte marrë letrën time, pasi kishte qenë fillimi i viteve ’90, vite të vështira e të rrëmujshme.

Në qershor të vitit 2003, në ditën e inaugurimit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Çermenika”, m’u afrua Tomorr Balla dhe në dha një zarf. E pyes se çfarë kishte në të dhe më tha se ishte përgjigja e letrës që unë i kisha dërguar në vitin 1991. Kur hapa zarfin gjeta të dhëna për jetën e Beg Ballës. I kërkova mikut tim Ruzhdi Mata, historian i njohur dhe autor i disa monografive kushtuar figurave të rëndësishme patriotike, që të shkruante një artikull për Beg Ballën. Shkrimi u botua në gazetën “Çermenika”, Nr. 11, 2004.

Në vitin 1998, në një takim me kryetarin e Bashkisë së Librazhdit z. Hiqmet Shalja, i pata kërkuar që të vendoseshin portretet e disa patriotëve në parqet e qytetit të Librazhdit, ku, krahas busteve të patriotëve të Bërzeshtës, që ishin realizuar nga skulptori O. Paskali, të porositeshin portretet e patriotëve çermenikas Mus Ballgjini, Beg Balla, Kadri Hoxha etj. Në vitin 2002 i kërkova kryetarit pasardhës të Bashkisë së Librazhdit, z. Fatos Zharri, që rrugës që trenit t’i vihet emri i B. Ballës dhe sot ajo rrugë quhet: “Rruga Beg Balla”. Në vitin 2006 i kam kërkuar kryetarit të Komunës së Çermenikës, z. Ndriçim Hida, që të shpallë “Qytetar nderi të Çermenikës” patriotët Beg Balla, Kadri Hoxha, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Mehmet Alcani etj., të cilët, pas një viti, u shpallën “Qytetarë nderi të krahinës së Çermenikës”.


10 Korrik 2018