Shko te përmbajtja

Shpella e Pëllumbasit e konceptuar si muze, studiuesi Qiriazi: Është banuar 10 mijë vite më parë

Nga Wikibooks

Monumentet e natyrës shihen si të rëndësishme jo vetëm për studimet shkencore, por edhe për zhvillimin e turizmit.

Profesor Perikli Qiriazi ka kohë që ka hartuar një projekt për shndërrimin e Shpellës së Zezë të Pëllumbasit në muze.

“Së pari në të ka jetuar ariu i shpellave, nga 10 mijë deri në 400 mijë vjet përpara. E jona ka një vlerë më të madhe se sa simotrat e saj evropiane. Sepse në të ka jetuar edhe njeriu, nga paleoliti i vonë deri në mesjetë të hershme”, thotë ai për Top Channel.

I pyetur për atë se çfarë do të transmetojë konkretisht ky projekt, ai shprehet:

“Kemi menduar një rrugë komode këmbësore. E kemi menduar të vendosim njeriun e shpellave. Manikinat e njeriut të shpellave, familjen rreth zjarrit. Dhe më tej pastaj, atje ku ne kemi gjetur skeletet e arinjve të shpellave, të vendosim ariun e shpellave”.

Profesor Qiriazi thotë se nuk mjafton vetëm identifikimi i monumenteve të natyrës, por kërkohet mbi të gjitha mirëmbajtja e tyre.

“Unë do të theksoja këtu në mënyrë të veçantë parkun kombëtar të Lurës. Prerjet abuzive, djegiet e vazhdueshme tashmë i kanë zhdukur ato motive, ato vlera, për të cilat ju dha me të drejtë statusi i parkut kombëtar. Unë do të radhisja parkun kombëtar të malit të Tomorrit. Në mënyrë të veçantë, shpatin perëndimor të këtij mali”.


18 Gusht 2018