Shko te përmbajtja

Shiko Hënën! (Lirikë)

Nga Wikibooks

Hëna ndriçon si një pasqyrë,

vetëm flori edhe argjend,

sonte s’e kam aspak vështirë,

të shoh atje portretin tënd!



Sa më magjeps pasqyrë e Hënës,

që gjithë Planetin pasqyron,

po sot në çdo tik-tak të zëmrës,

veç emri yt më tingëllon!



Koha trokon-po unë kam mbetur,

një romantik nga të qëmotit,

ndaj tek kjo Hënë sonte jam tretur,

si kripë e bardhë në pikë të lotit!



Shiko sot Hënën pambarim,

mund ta kundrosh ti nga çdo vënd,

që nga Ajo-portreti im,

do të shkëlqejë në syrin tënd!



Në zëmrën tënde ëmbëlsisht,

ta ndjesh magjinë edhe këngën,

hape dritaren qetësisht,

vetëm ngri sytë e shiko Hënën!



Mund të të kapi pak trishtim,

po jo trishtim si për një hall,

një i pafundmë mallëngjim,

sepse trishtim të sjell çdo mall!



Veç një sekondë ta shikosh,

gjithë natën sytë s’do t’ja ndash,

edhe aspak s’do ta kuptosh,

se si nga malli do të qash!



Mua gjithmonë në këto netë,

më turbullon Hëna e Plotë,

s’e kam kuptuar kurrë as vetë,

pse sytë më mbushen plot me lotë!



Një lot i ëmbël që më shlodh,

kur dot s’e ndaj jetën me ëndrrën,

ndaj moj e dashur mos u lodh,

kur ndihesh vetëm-shiko Hënën!



Hënën e Plotë-magji e netëve,

e dua në pafundësi,

se dhe tani pas dyzet vjetëve,

kur shikoj Hënën të shoh Ty!



Robër të saja neve mbetëm,

po më të mirë fatin s’e dua,

ndaj shiko Hënën kur je vetëm,

se do shikosh aty dhe mua!


A.DUKA