Sfida e përditshme, saldatorja punon prej 38 vitesh tek Metalurgjiku

Nga Wikibooks

Kjo është një histori njerëzore. Profesioni saldator është parë gjithë si një profesion mashkullor, por në Shqipëri duket se ka ende gra që e zotërojnë. Një prej tyre është edhe Hamide Glaceri.

60-vjeçarja është ndër saldatoret më të vjetra të Metalurgjikut të Elbasanit. Ndonëse sot shumica e uzinave janë privatizuar, Hamideja nuk ka hequr dorë nga profesioni.

Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Hamideja tregon se prej 38 vitesh jeta e saj është një sfidë e përditshme për të përkulur hekurin.

“Çdo gjë që shikoni ju këtu në lidhje me rezervuarët, hyrja dhe dalja e tubacioneve është bërë nga unë. Saldimi i tubave, saldimi i fllanxhave dhe çdo gjë tjetër është bërë nga unë dhe jam shumë krenare. Këtë proces pune unë e kam filluar që në vitin 1975. Kam punuar në montim për 16 vjet, pastaj në nikel-kobalt, remont dhe pasi u mbyll gjithçka kalova në një firmë private ku vazhdoj akoma.

Gra që merren me këtë punë ka pasur shumë, por punimet me oksigjen rrallë i bëjnë sepse ka presion. Të gjithë luftojnë të kenë një punë të mirë nëpër zyra, por mua më pëlqen ky profesion. Kujdesem shumë për veglat e punës dhe i dua. Gjatë gjithë jetës profesionale nuk më ka ndodhur asnjë aksident. Edhe pse sot jam pensioniste unë vazhdoj të punoj në lartësi pa asnjë problem. Të jesh saldatore është profesion shumë i vështirë, nuk është profesion për femra”, tha Hamide Glaceri.


13 tetor 2018