Romanet e parë shqiptarë për Skënderbeun dhe epokën e tij
Prof. Nasho Jorgaqi
Në historinë e Shqipërisë mesjetare shekulli pesëmbëdhjetë zë një vend të veçantë si një epokë që, me vlerat dhe shëmbëlltyrën e vet, rrezatoi në mbarë historinë shqiptare. Kjo është epoka që lidhet me emrin e Skënderbeut, kur populli shqiptar, nën udhëheqjen e tij, u bëri ballë për njëzet e pesë vjet hordhive osmane dhe fitoi mbi to. Heroizmi dhe vetëmohimi i një populli të vogël kundër fuqisë më të madhe të botës së atëhershme pushtuan kohërat dhe mbetën në ndërgjegjen e historisë.
Skënderbeu dhe epoka e tij ushtruan në shekujt e mëpasmë një ndikim të madh në ndjenjat e mendimet e shqiptarëve. Figura e heroit u shndërrua në një simbol frymëzimi e besimi, qëndrese e force. Çdo kohë mori prej saj, por edhe çdo kohë e pasuroi atë me vlera të reja. Këtë e bëri në radhë të parë populli me traditën e tij të bukur poetike. Por këtë e bëri dhe letërsia. Mund të themi se Skënderbeu është heroi i përhershëm i letërsisë shqiptare.
Shkrimtarët humanistë shqiptarë me Marin Barletin në krye shkruan qysh në fillim të shekullit XVI vepra biografike e memuaristike, që mbetën me vlerë të përhershme për autenticitetin e tyre dhe jehonën e drejtpërdrejtë të kohës skënderbejane që sollën.
Në shekujt e errët që erdhën më pas shëmbëlltyra e heroit asnjëherë nuk e humbi shkëlqimin e vet. Fjala e shkruar shqipe e përcolli nga brezi në brez. Por figura e tij njohu një përtëritje të fuqishme e të gjerë në letërsinë shqiptare të Rilindjes, gjatë shekullit XIX. Kjo letërsi e bëri Skënderbeun dhe epokën e tij një nga temat e saj madhore. Shkrimtarët e Rilindjes iu drejtuan mesjetës, e kryesisht shekullit të pesëmbëdhjetë, duke e parë atë në prizmin e momentit historik dhe të interesave kombëtare. Të frymëzuar nga ideali i tyre patriotik, ata evokuan nga kjo epokë jo anët mistike dhe ekzotike, që patën tërhequr vëmendjen e romantizmit europian, po frymën e saj kryengritëse e aspiratat liridashëse, shembullin e bashkimit kombëtar. Të gjitha këto, shkrimtarët rilindës i mishëruan në figurën e Skënderbeut dhe e kthyen atë në një simbol të gjallë që frymëzonte dhe thërriste për luftë. Këtë detyrë historike do ta përballonte kryesisht poezia. Poetët e shquar si J. De Rada, G. Dara, N. Frashëri do të shkruajnë poema epike dhe epike-lirike, të cilat do t’i këndojnë heroit e do të evokojnë epokën e tij të lavdisë. Vepra të tilla luajtën një rol të rëndësishëm në zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar.
Tema skënderbejane do të vazhdojë të jetë e pranishme edhe në letërsinë që u zhvillua gjatë periudhës së shtetit shqiptar (1912-1939). Atë do ta shohim në vepra poetike, në drama, në histori të letrarizuara. Romani, që në këtë kohë hidhte hapat e parë, nuk mundi ta rrokte dot.
Në rrethanat e reja që u krijuan pas çlirimit të vendit, tema historike në letërsinë shqiptare fitoi një peshë të re. Kjo u duk qartë në trajtimin e pasqyrimin e figurës së Skënderbeut dhe kohës së tij. Asnjëherë ato nuk hynë në letërsi aq gjerë e aq thellë sa në epokën tonë.
Letërsia shqiptare, e mbështetur në përvojën dhe arritjet e saj më të mira, përballoi me sukses një varg problemesh ideoartistike për një pasqyrim të vërtetë e me dinjitet të temës historike të Skënderbeut. Duke nisur me këngët dhe skicat e kohës së luftës për Skënderbeun, ajo do të jepte në dekadat e ardhshme prova të suksesshme në fushën e poezisë, të dramës, të prozës së shkurtës për të arritur rezultate më të mira në fushën e romanit.
Në qoftë se letërsia shqiptare pararendëse më tepër i këndoi figurës së Skënderbeut dhe në disa raste e evokoi epokën e tij, duke dhënë ndonjë moment të rëndësishëm, letërsia e re e pasqyroi në përmasa të gjera, dhe në dritën e një koncepti të ri filozofik ajo kapi dhe dha artistikisht thelbin historik të epokës, zbuloi kohën dhe njerëzit në dritën e së vërtetës materialiste.
Dhe këtë arriti ta bëjë në radhë të parë romani, si gjinia letrare me mundësi më të mëdha pasqyrimi dhe interpretimi. Përvoja e grumbulluar në trajtimin e temës historike nga letërsia jonë, pjekuria që ajo kish fituar, arritjet e historiografisë shqiptare në studimin e mesjetës qenë ata faktorë objektivë që çuan në pasqyrimin e trajtimin romanesk të temës së Skënderbeut. Por, nga ana tjetër, duhet nënvizuar se interesimi për këtë temë do të rritet në mënyrë të dukshme në fund të viteve ‘60-të dhe në vitet ‘70-të. Një nxitje të veçantë i dha sidomos përkujtimi i 500-vjetorit të vdekjes së heroit, rast ky që i frymëzoi dhe mobilizoi shkrimtarët për të shkruar vepra me temë skënderbejane.
Tamam në këtë kohë do të lindte romani i vërtetë me temën e Skënderbeut. Në qoftë se poezia e drama e kishin trajtuar këtë temë në mënyrë të pjesshme dhe episodike, romani do ta bënte me përmasa të gjera e të plota. Romanicierët do të ngrinin perden e kësaj epoke të ndritur dhe do ta pasuronin e thellonin përfytyrimin tonë mbi heroin e kohën e tij. Romani historik shqiptar me temën skënderbejane u shfaq në gjirin e letërsisë sonë të re jo vetëm si nevojë e momentit që kalonte vendi, por edhe si rezultat i zhvillimit frontal të letërsisë dhe pjekurisë që ajo kish fituar.
Romani shqiptar hapi një rrugë krejt të re po të kemi parasysh se romani historik europian për Skënderbeun e trajtoi dhe e pasqyroi këtë temë nga pozita romantike-sentimentaliste, të shkëputur përgjithësisht nga procesi i gjallë social-historik. Romani shqiptar do ta vështronte e pasqyronte jetën me historinë e shekullit XV në dritën e botëkuptimit shkencor materialist, të zhveshur nga petku legjendar dhe fryma kalorësiake. Ai do të vendosë heroin dhe kohën e tij në një truall real, në rrethana objektive dhe këtë do ta arrijë përmes një pasqyrimi të denjë artistik.
Romani historik shqiptar për Skënderbeun dhe epokën e tij dha rezultate të çmuara që në veprat e para. I pari roman me këtë temë është Kalorësi i Skënderbeut (1968) i Haki Stërmillit, i botuar si vepër postume, ku autori bën përpjekje prej pionieri në pasqyrimin artistik të figurës dhe epokës së heroit tonë kombëtar. Po vepra që tërhoqi vëmendjen e lexuesve ishte romani Muret e Krujës (1968) i Gjergj Zhejit, në të cilin jepet kuadri i gjerë i kohës me një patos heroik, zbulohet bukur qëndresa e popullit kundër hordhive osmane, heroizmi i tij masiv dhe personaliteti i gjithëfuqishëm i Skënderbeut. Ndonëse figura e tij nuk është në qendër të subjektit, kjo nuk e ka penguar autorin të na vizatojë udhëheqësin me tiparet më të qenësishme.
Vëmendja kryesore në roman i është kushtuar paraqitjes së masave popullore, të cilat, të frymëzuara nga ideali patriotik dhe shembulli i heroit, luftojnë me guxim për mbrojtjen e Arbërisë. Janë këta njerëz të thjeshtë forca lëvizëse e epokës heroike. Autori, me të drejtë, theksin e ka vënë në radhë të parë te fshatarësia, prej së cilës spikasin personazhe të gjallë e bindës. Është meritë e veprës që në të ndriçohet realiteti shqiptar i shekullit XV, gjendja ekonomike, marrëdhëniet sociale, qëndrimet e klasave të ndryshme. Shkrimtari ka ndërtuar një roman jo vetëm mbi një material të pasur faktik, po edhe realiteti historik ka gjetur shprehjen e vet artistike. Këtë e shohim në galerinë e larmishme të personazheve, në psikologjinë e tyre, në logjikën realiste të figurave, në atmosferën plot kolorit dhe gjuhën e individualizuar.
Në romanin Shqipja e kreshtave tona (1967) të Skënder Drinit, Skënderbeu është personazhi kryesor i veprës. Subjekti i romanit i përmbahet një plani pak a shumë kronologjik dhe kjo ka bërë që të përfshihen në të pothuajse gjithë ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Duke thurur veprën në dy linja, në linjën e Skënderbeut dhe në atë të fatit të popullit, të cilat alternohen me njëra-tjetrën përmes një kompozicioni linear, shkrimtari ka arritur të japë tablonë e madhe të luftës popullore. Në këtë tablo evidentohet në radhë të parë figura e Skënderbeut, realizimi i të cilës është dhe vlera kryesore ideoartistike e romanit. Duke na dhënë botën e brendshme të heroit, ai arrin të zbulojë qartë karakterin e tij, një karakter në zhvillim e sipër, të marrë si pjellë e kushteve social-historike të kohës. Skënderbeu na paraqitet një figurë poliedrike, me tiparet më të mira të epokës, si njeri i mendimit e i veprimit. Në paraqitjen e heroit, autori ka një koncept të saktë historik, larg çdo idealizimi dhe fryme romantizante. Duke dhënë objektivisht meritat e mëdha si udhëheqës që mbështetet te populli, në të njëjtën kohë Skënderbeu na jepet dhe si përfaqësues i klasës feudale. Ai është bir i epokës së tij, por edhe njeriu i përparuar i kohës, një personalitet që, përmes luftës çlirimtare, i hap rrugën përparimit.
Tema e qëndresës shqiptare në shekullin XV ka gjetur një realizim artistik të fuqishëm në romanin Skënderbeu (1975) të Sabri Godos. Kjo është vepra ku figura e Skënderbeut është dhënë në mënyrë më të plotë dhe më të gjerë në gjithë letërsinë shqiptare. I marrë në rrjedhën e ngjarjeve që nisin me kthimin e tij në Shqipëri, më 1443, e deri kur ai vdes, më 1468, heroi bëhet në këtë mënyrë protagonisti i romanit, dhe lexuesi ballafaqohet hap pas hapi me jetën dhe bëmat e tij. Kështu, brendinë dhe ndërtimin e romanit e ka përcaktuar biografia e heroit dhe kronologjia e ngjarjeve. Në bazën e tij është konflikti më i madh i shekullit: lufta heroike e popullit shqiptar kundër agresorëve osmanë dhe kjo ka kushtëzuar karakterin epik të romanit. Pamjet e gjera të epokës, shtrirja e plotë e ngjarjeve, pasuria e fakteve janë sfondi mbi të cilin gjallon dhe vepron heroi. Skënderbeu është paraqitur në dy drejtime: nga një anë, në luftën që ai bën për bashkimin e vendit dhe krijimin e shtetit shqiptar dhe, nga ana tjetër, në përpjekjet për të siguruar një aksion të përbashkët antiosman në plan europian. Dhe është kjo luftë e gjithanshme nëpërmjet së cilës zbulohen cilësitë madhore të heroit tonë. Ai na jepet i plotë jo vetëm në planin e misionit historik, por dhe në planin e botës shpirtërore, ku jeta politike-shoqërore plekset me jetën e tij private. Është meritë e autorit që ka ditur të krijojë një unitet artistik brenda veprës dhe këtë e ka arritur në radhë të parë në ndërthurjen dhe lidhjen e ndërsjellë mes ngjarjeve politike dhe jetës së heroit. Skënderbeu nuk është vetëm udhëheqës i urtë i popullit, strategu i fitoreve, burri i shtetit, diplomati, por dhe njeriu me virtyte të larta, mishërim i vlerave dhe cilësive të mira të popullit të vet. Ai karakterizohet nga një botë e pasur emocionale.
Një vend të rëndësishëm në roman zë përshkrimi i veprave luftarake, paraqitja mjeshtërore e betejave të njohura skënderbejane. Qëndresa heroike e shqiptarëve, format origjinale të luftës së tyre, zmbrapsjet dhe disfatat e armiqve nënvizojnë qartë idenë se një popull, kur lufton për liri, është i pamposhtur. Me gjithë skenat e shumta të betejave, vepra nuk ka karakter fatalist, përkundrazi është plot jetë dhe larushi. Në përshkrimin e betejave zotëron epiciteti, fryma heroike, vendosmëria se rruga e fitores janë armët shqiptare, mbështetja në forcat e veta.
Romani ka meritë tjetër të shquar, sepse, duke na dhënë përmes tablosh të gjera e realiste një vizion të plotë të shoqërisë shqiptare të shekullit XV, i bën asaj autopsinë sociale për të treguar disa faktorë e rrethana që lindën një personalitet si Skënderbeu. Me të drejtë, autori, për ta zbuluar figurën e tij, vendin kryesor në roman ia ka dhënë paraqitjes sa më të plotë të rolit të fshatarësisë, si forca më e madhe lëvizëse e epokës dhe mbështetja bazë e heroit, por, nga ana tjetër, ai hedh dritë mbi luftën e Skënderbeut kundër anarkisë feudale, duke treguar se feudalët me separatizmin e tyre bëhen burim i tradhtive dhe disfatave.
Skënderbeu i Sabri Godos është një vepër që shquhet për karakterin e saj origjinal, po të kemi parasysh se ajo qëndron në mes rrëfimit letraro-historik dhe romanit. Pasuria e madhe faktike dhe informacioni i gjerë shoqërohen me gjykime e sentenca të goditura, me meditime filozofike e historike, të dhëna këto me një stil të bukur e të fuqishëm. Vepra të bën për vete me epicitetin e saj, qoftë kur rrok gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe biografinë e heroit, qoftë dhe kur hidhet dritë në momente nga afresku i madh skënderbejan. Rrëfimi i autorit është i gjallë, pa ekzaltime e zbukurime, brenda kufijve të objektivitetit, e shprehur me një gjuhë lakonike, me ngarkesë emocionale e ritëm të brendshëm.
Arritja më e shënuar në trajtimin e temës historike të shekullit XV është padyshim romani Kështjella (1970) i Ismail Kadaresë. Kështjella është një nga ato vepra madhore të letërsisë shqiptare që ka mundur të japë në mënyrë sintetike e të thellë shpirtin e epopesë skënderbejane. Kësaj ai ia ka arritur duke trajtuar vetëm një episod nga historia e mesjetës: rrethimin e një kështjelle shqiptare nga ushtria osmane, qëndresën heroike të shqiptarëve, që i bëjnë ballë forcës dhe djallëzisë osmane dhe tërheqjen më në fund, me turp, të armiqve. Te kjo kështjellë hovi i feudalizmit ushtarak osman drejt Perëndimit ndalet e dështon. Kështu kështjella kthehet në simbol lirie e qëndrese, që i kalon kufijtë e mesjetës.
I. Kadare i është drejtuar historisë së shekullit XV, ka marrë prej saj fakte , por e ka interpretuar historinë artistikisht duke krijuar karaktere të gjalla, situata të fuqishme dramatike, atmosferë sugjestive. Me forcën e një talenti origjinal dhe duke iu përmbajtur saktësisë shkencore të historianit, ai ka përftuar në faqet e romanit një të vërtetë artistike, ku ngjarjet e kohës marrin një nëntekst të qartë historik-shkencor dhe kthehen në përgjithësime të tipareve të epokës.
Konflikti i veprës është real, ka karakter historik, i dhënë përmes analizash dhe sintezash poetike. Aty zbulohen qartë forcat ndërluftuese, duke tipizuar përmes figurave të gjalla heronjtë e qëndresës dhe agresorët. Në roman është lënë jashtë kronologjia e ngjarjeve historike, sepse aksioni i tij është përqendruar jo në ngjarjet, por në marrëdhëniet mes njerëzve, në botën e tyre shpirtërore. Kjo ka sjellë shmangien e tablove të gjera të betejave dhe vëmendja u kushtohet njerëzve të thjeshtë, heroizmit të tyre. Këta janë luftëtarë të Skënderbeut, ndonëse figura e tij asnjëherë nuk paraqitet drejtpërdrejtë. Skënderbeu ndihet në qëndresën e kështjellës. Mendimi i heroit mban njerëzit në këmbë dhe i udhëheq në luftën çlirimtare.
Në roman ka gjetur një zgjidhje të drejtë raporti mes artit dhe historisë. I nisur nga synime ideoartistike të qarta, autori i drejtohet historisë jo për të qëndruar brenda kufijve të saj. Historia është asimiluar dhe përpunuar në atë masë sa është përftuar një realitet i gjallë e bindës, kemi një krijim artistik që bën objektivisht një jetë më vete.
Kështjella, ndonëse flet për shekullin XV, ka një tingëllim të qartë nga aktualiteti shqiptar. S’ka dyshim se romani lindi në skenën tonë dhe domosdo ndihet në të gjendja shpirtërore e popullit shqiptar, patosi i tij patriotik, që buron nga lufta për mbrojtjen e lirisë dhe interesave kombëtare. Romani, gjatë shtjellimit të subjektit, në kontekstin ideor të tij, bën analogji mes qëndresës shqiptare të shekullit XV dhe qëndresës së sotme. Edhe pse jepen procese historike e ngjarje të një të kaluare të largët, romani mbetet pjellë e kohës sonë. Kritika e huaj, sidomos ajo franceze, e ka vënë re dhe e ka çmuar tingëllimin bashkëkohor të veprës, duke nënvizuar se te “Kështjella” mund të diktohet në filigran qëndresa e Shqipërisë në vitet ‘60-të.
Romani Kështjella është një vepër me vlera të shquara artistike. Kritika e ka cilësuar si një poemë epike me tone madhore, epope magjike të luftës për liri, si një vepër mjaft origjinale, që qëndron në mes rrëfimit dhe afreskut historik.
Vepra të bën për vete me forcën e madhe të përgjithësimit artistik dhe kjo ka ardhur falë përmbajtjes së thellë, dramaticitetit të brendshëm, pasurisë figurative, veprimeve të ngjeshura. Kudo ndihet një forcë e madhe asociative, fantazi e gjallë, mendime të fuqishme.
Është meritë e shquar e shkrimtarit që përmes një rrëfimi magjepsës e të qetë, analizon nga një anë proceset historike të kohës dhe nga ana tjetër karakteret e njerëzve duke i dhënë këto në unitet e në funksion të njëra-tjetrës. Autori nuk bën inkursione historike, as përshkrime nga jeta zakonore mesjetare, po tërë vëmendjen ia kushton zbulimit dhe përshkrimit realist të karaktereve, marrë këto gjithnjë në raport me kështjellën. Me të drejtë është vënë në dukje aftësia e veçantë e Kadaresë në këtë roman, për të individualizuar e tipizuar personazhet e romanit, qoftë në mendime e veprime, qoftë në psikologjinë e tyre,
Romani është ndërtuar me një arkitekturë origjinale, ka një kompozim solid, të ngjeshur e funksional. Lidhja logjike e ngjarjeve është bërë në mënyrë të tillë ku idetë e ndryshme konvergojnë për të dhënë mendimin kryesor të veprës. Subjekti i thjeshtë i romanit merr jetë dhe ndikon fuqishëm te lexuesi në sajë të toneve dramatike, të kontrasteve të forta dhe imazheve plastike. Ai jepet me një stil të qetë e lakonik, me nëntekst të pasur, me një gjuhë të rrjedhshme e sugjestive.
Romani është çmuar dhe për një koncentrim të fuqishëm, për sensin e masës në përdorimin e mjeteve artistike, për një kompaktësi të brendshme. “Kështjellës, – siç shkruan kritiku Rexhep Qosja, – nuk mund t’i hiqet asgjë, asnjë skenë, asnjë fjalë, asnjë detaj”.
Romani me temën e Skënderbeut dhe epokës së tij lindi dhe u afirmua në letërsinë shqiptare në vitet ‘60-të e këndej, në kushte të caktuara historike,
Ky roman, duke e mbështetur në një koncept shkencor të historisë, e dha Skënderbeun dhe mesjetën shqiptare mbi një bazë materialiste. Ndryshe nga romani evuropian, i cili ka krijuar një përfytyrim romantik e sentimentalist, me frymë kalorësiake dhe ekzotike për Skënderbeun dhe kohën e tij, romani shqiptar i vendosi ata mbi një truall real, zbuloi thelbin e tyre historik e shoqëror.
Romani shqiptar më këtë temë paraqitet kryesisht si roman realist, me karaktere e rrethana tipike dhe brenda pasqyrimit realist; koha dhe heroi janë dhënë nga këndvështrime të larmishme. Autorë të ndryshëm kanë shfrytëzuar dhe procedime artistike të ndryshme, në përputhje me talentin e tyre krijues.
Romancierët shqiptare, duke trajtuar temën e mesjetës, i janë drejtuar historisë jo thjeshtë për ta përshkruar atë, po për të nxjerrë mësime dhe konkluzione me vlerë për kohën e tyre. Një gjë të tillë ata e kanë bërë duke iu përmbajtur denjësisht kërkesave dhe specifikës së letërsisë artistike.
Veprat e romancierëve tanë kanë krijuar një përvojë të çmuar në trajtimin ideoartistik të temës historike, që meriton të njihet e të studiohet si kontribut origjinal i letërsisë shqiptare në letërsinë ballkanike e më gjerë.