Qan me lot një gur i thinjur!

Nga Wikibooks

Qan me lot një gur i thinjur!


Tani shkoj në fshat pa zhurmë,

se syri m’u mjegullua,

qan me lot një gur i murmë,

qan për vete-qan për mua.



Trupin drejt s’e mbaj më dot,

m’u venitën sytë e zinj,

guri i murmë derdhi lot,

dhe nga fati im u thinj.



Trokëllij ngadalë me shkop,

në qilim të Luarisë,

bëj t’i ngjall e s’i ngjall dot,

kujtimet e miturisë.



Në rrugicën me barishte,

jap e marr të bëhem djalë,

në një këngë labërishte,

them të tretem dalëngadalë.



Në një këngë labërishte,

them të rri-e them të tretem,

të tretem si rreze drite,

dhe përjetë aty të mbetem.



Të më gjejnë si mjaltë i tretur,

gjithë ata që dot s’më panë,

në Labovë ende ka mbetur,

për poetin një kambanë.



Për poetin një kambanë,

një kandil-një qiri,

ju të gjithë merrni dynjanë,

unë këtu përjetë do rri.



Unë këtu përjetë do mbetem,

në rrjetat e dashurisë,

do më bëhem Monument,

Gur i murmë i Luarisë.



Te ky prag e te ky krua,

buza kurrë s’më është nginjur,

qan për vete-qan për mua,

qan me lot një gur i thinjur.


A. Duka