Partizanit që iu pre këmba në prag të çlirimit të Tiranës

Nga Wikibooks

Në kufijtë e të pabesueshmes

Nga Sevo Tarifa

Hajro Haxhia ishte partizan i vjetër, i ri në moshë. Me Atdheun në zemër. Me dorën grusht. Me sy të ndritur. Me yll në kapele. Me pushkië në sy. Larguar nga Progonati në kryeqytet. Për bukën e gojës. Adoleshent, në punë të rënda, Sa dëshira të zjarrta kishte, por njëra ishte kryesorja: Tiranën e tiranisë ta shihte Tiranë të Lirisë! Dhe luftonte i vendosur, ilegal në qytet dhe partizan maleve me blerim mbuluar. Apo s’qëllonte me precizion, drejt e në lule të ballit të pushtuesve fashistë! Ku nuk dëgjohej “kënga” e pushkës së tij! Nuk pyeste për kokën e vet, mjaft që Shqipëria të të merrte frymë lirisht.


Atë ditë llogorja e tij ishte në Qafë-Kërrabë. Kalonte një autokolonë gjermane, e cila u ndodh para zjarrit të fuqishëm partizan. Makinat e armikut u ndalën. Duel i ashpër. Hajroja trim i rrallë, ishte në ballë. Në luftë e sipër, një predhë e nazistëve e goditi në shpatull. Ra trimi, puthi tokën! Por u ngrit, kishte krahun tjetër dhe pushkën s’e lëshonte. Këmbzën e saj e tërhiqte me dorën e saktë. Do kalonte dhe në beteja të tjera…

16 shtator 1944. Tirana shkonte drejt rrethimit të saj nga luftëtarët partizanë. Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha kishte dhënë urdhrin që kryeqyteti të çlirohej me çdo kusht. Do të niste një epope e lavdishme deri në luftë fronale e trup më trup! Shqiponjat partizane kalonin nga sulmi në sulm. Por një predhë bombe e nazistëve e godit aty ku luftonte, pikërisht në kodrat ku sot prehen dëshmorët e kombit. Këtë radhë plagë e rëndë në këmbë. Mbeti me të djathtën, pa të majtën, që i varej si një copë mish, pjesë e trupit të tij. Gjaku çurk… Sikur të mos mjaftonte plaga e parë. Ja dhe e dyta…

Çfarë t’i jepte më shumë popullit dhe atdheut ky shqiptar sypatrembur, lab trim? Pas shpatullës të coptuar, u fali dhe një këmbë. Dy herë gjak “me okë për këtë tokë”! Ishte gati të jepte dhe këmbën tjetër, vetëm duart, jo, se këto do t’i duheshin për të vazhduar luftën sipas parullës “Vdekje fashizmit, liri popullit”! Do kalonte nga llogorja në llogore me pushkën në sy, që ndizej shpejt me barut të thatë. Ishte betuaar “Ja Liri, ja vdekje”! Se “burrit i ka lezet fjala, si lumit vala”.

Po tani, ç’do bëhej me këtë luftëtar të lirisë? Ai e kishte mendjen jo aq te këmba e bërë fërtele, se s’është as i pari, as i fundit pa një këmbë, madje ka dhe partizanë plagosur ne të dyja këmbët. Ai mendonte për shokët, te lufta çlirimtare, të cilën ata vazhdojnë e Hajroja nuk është! Donte ta bëjnë pushkën si top dhe ta shohë Tiranën të çliruar edhe me pushkën e tij. Ah, që s’e lejojnë të ngrihet e të shkojë qqoftë dhe me paterica atje e ta sgkrepi pushkën në vijën e parë të sulmit! Armën e ka, fishekë ka, por nuk ecën dot…

E nisin me një grup shokësh drejt spitalit partizan, që nuk është afër. Do udhëtonte nga rrethinat e Tiranës drejt Zerqanit. Po si e me se do shkonte, me një këmbë”? Shokët që e shoqëronin ishin me dy këmbë dhe ecnin lirisht. Po partizani Hajro Haxhia? Edhe ai do vazhdonte bashkë me ta, rrugëve e rrugicave, me gurë e baltë, por me vigjilencë, se nazistët kishin filluar tërheqjen për në shtëpitë e tyre, por vendi ku do kalohej kishte dhe ballistë. Shokët e morën në krahë, herë njëri e herë tjetri. Sajuan një “barrelë” dhe herë me të e herë në mushkë ecnin krenarë dhe me besim se Hajroja do shpëtojë. E.prisnin në Zerqan tre mjekë. U takuan përzemërsiaht. Gati për operacion…

Mjekët u vunë në lëvizje. Partizani i plagosur i ndjek me sy. Ata kthehen prapë, ulen pranë tij. Ai i sheh me një sharrë të hekurt në duar. E merr me mend përse e duan, por veten nuk e jep. Të dy palët shikohen sy më sy. Puna s’pret. Fillon prerja e asaj këmbës së plagosur. Hajroja mbyll sytë. Mbledh forcat, Shtrëngon dhembët. Narkozë s’ka. Bisturi s’ka. Partizani i plagosur drejton sytë nga doktor Ibrahimi. Të dy sikur “merren vesh, pa fjalë” dhe “gjejnë” një “narkozë” tjetër, që e ka emrin “këngë”!

Dhe kënga labe fillon! Nuk duhen shumë veta, mjaftojnë dy-tre dhe ajo shpërthen, zërat e saj janë ”muzikë”, shkojnë “zile”. Ia merr doktor Ibrahimi, ia kthen Hajroja, iso mban kirurgu me fam Çani. Mjeku italian shikon, mendon, çutditet dhe thotë: “Mama mia”, s’kam parë njeri që t’i pritet këmba dhe, në vend që të ulërijë, këndon!” Pjesa e këmbës që pritet bie në tokë…Trimi duron. Kënga labe ndihmon. Është e bukur. Të lehtëson dhimbjen. Të kënaq shpirtin. Të forcon zemerën. Të lartëson trimërinë. Melodia e saj bën të harrosh çdo gjë. Ata që janë aty vështrojnë njëri-tjetrin. Një buzeqeshje e lehtë duket në buzët e tyre. Janë burra dhe në fytyrën e secilit s’duken lot. Ndoshta ndonjërit “loti” i pikon në zemër. “Trimat s’qahen”!

Kënga vazhdon. Është këngë trimërie. Atdhetare, popullore. Edhe këngë partizane. Janë këngë të fitores. Këngë për Tiranën që po çlirohej.

Pas 12 ditësh, më 29 Nëntor, do çlirohej gjithë Shqipëria. Nga malet do zbrisnin partizanët bashkë me lirinë!…Festë e madhe. Në Zerqan shkuan dhe e panë partizanin njerëz të tij, vëllezërit Mediu dhe Rustemi, që e përfytyronin të vdekur. Por jo. E gjetën duke kënduar, edhe pse me një këmbë. U ndryshoi fytyra. Kulmon gezimi i tyre. Hajroja ishte gjallë! “Ditëgjati s’bëhet ditëshkurtër”. Durimi është karakteristikë e trimit. Edhe optimizmi. Frymëzoi edhe kënga prtizane, edhe kënga labe, zanafilla e së cilës te Hajroja është te djepi!


Hajro Haxhia ishte fisnik dhe serioz. Sa i dashur dhe fjalëkursyer. Mbi të gjitha atdhedashës. Atdhetarizmi i tij nuk qe i rastit. Që në shtatorin e vitit 1941, ai punonte në fabrikën e tullave të Tiranës. Piqeshin tullat në zjarr, piqej dhe Hajroja në flakët e luftës. Anëtar i njësitit gueril. Në një treshe komuniste pas Konferencës së Pezës. Në aksion për prerjen e telave në korrikun e vitit 1942. Trim në demonstrata antifashiste. Me trakte të Partisë në gjoks e në duar. Beqir Balluku thoshte: “Nuk ka aksion që të mos ketë marrë pjesë Hajroja. Ai, është nga ata që duke ikur rrugës, edhe delen e rrjep dhe e pjek rrugës”!

Me këtë frymë është rritur Hajroja. Në poret e lëkurës së tij ka hyrë vetëm era e shëndetshme e maleve të Progonatit. Ndërgjegjja e tij është ushqyer me qumështin e nënë Tanës. Veshët e tij kanë dëgjuar fjalën e saj dhe të baba Zubos. Zemra e tij ishte behar. Sytë e tij kanë parë lulet e bukura të malit. Dhe ishte bërë vetë lule mali! I kalitur si hekuri në zjarr. I skalitur nga dorë artistësh. U bë Luftëtar i vendosur, që e mbate syrin te shqegëza dhe thepi i pushkës e gishtin tregues të dorës në këmbëzën e shkrepjes. Ka qenë i sigurt se predha do të shkonte në zemrën e pushtuesit të huaj dhe, kur bashkë me ta shtinte kundër partizanëve edhe kolaboracionisti, pedhen nuk e kursente kunder të dyve. I “paloste”!

Në këtë luftë mbarëpopullore legjendare, që rritej si ortek i dëborës, Hajroja luftonte me trimëri. Në prill të vitit 1943, ishte partizan në çetën Krujë-Ishëm. Në luftën për çlirimin e Krujës qe komandant i skuadrës mitraliere. Në tetor të atij viti u inkuadrua në Brigadën e III Sulmuese, me detyrë komandant i armëve të rënda. Ka marrë pjesë në aksionin e guximshëm të goditjes me top kundër Asamblesë tradhtare. Flet lapidari që ngrihet krenar në kodrat e Saukut.

Vjeshtë e vitit 1944. Kishin rënë e po binin fletët e verdha të pemëve, por morali i Hajros nuk binte, Zemra e tij ishte dhe mbeti e kuqe, si gjaku që rrodhi nga plagët e tij, si ngjyra e yllit partizan, si ngjyra e luleve të kuqe të maleve, se dhe ai ishte një lule progonati. Morali i tij ngrihej lart bashkë me gëzimin, që Shqipëria u çlirua dhe vëllezër të tij do t’i qepeshin me luftë nazizmit gjerman edhe përtej kufijve shtetërorë të atdheut.

Ëndërronte Hajro Haxhia të shkonte dhe vetë e t’i ndiqte hitlerianët këmba-këmbës, pavarësisht se vetë ishte me një këmbë. Por hakën e tij e morën vëllezërit dhe gjithë shokët e tjerë luftëtarë, që mbanin në qafë shaminë e kuqe të partizanit.

Sakrificat partizane të këtij trimi arritën kulmin në plagën e rëndë, në këmbë, me prerjen e saj! Por nazisti, me bombën e tij ia mori të keqen, nuk e shoi dot jetën e tij. Se Hajroja ishte zemërfortë. Kurajoz. Shpirtmadh. I pamposhtur. Me vullnet të hekurt si sharra që i preu këmbën. Përballoi dhimbje të mëdha. Por më shumë se vetja e tij i dhimbte Atdheu. Dhe Shqipëria u çlirua. Te kjo festë e madhe Hajroja shihte dhe kontributin e tij. E harroi këmbën që i mungonte. Jetonte me ato vite të barutit, të zjarrit, të luftës, të sulmeve e të kundërsulmeve partizane.


Pas çlirimit nisi një jetë të re. Iu përvesh detyrave të reja të kohës. Oficer i Ministrisë së Mbrojtjes. E gjeje në krye të detyrave në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak; komisar të baterisë I të artilerisë në Tiranë e në Sazan; shef të invalidëve të Luftës; kryetar të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës; drejtor në Minierën e Qymyr-Gurit në Memaliaj dhe me detryra të tjera shtetërore në Durrës e në Tiranë. Partizani ishte çlirimtar i vendit, tani oficer, drejtues, që do të gëzonte nderimin e të tjerëve, për gjakun që kishte derdhur, për këmbën që kishte lënë në beteja luftarake.

E shihja Hajron nëpër Tiranë, që ecte duke çaluar pak, po vështirë ta kuptoje pse. Hapin e hidhte të sigurt. Këmbën e mbështeste mirë në tokë. Nuk e dija se një “këmbë” s’është e tij! Oh, një histori e tërë! Një akt trimërie. Një episod heroizmi. E vëja re çdo mëngjes që shoqëronte gjeneral Arif Haskon dhe në fillim mendoja se do të ishte nga Tërbaçi. Nuk e dija se qe progonatas, as se ishte djali i xha Zubos, bir nga fisi me 11 pushkë partizane, që pushka u këndonte në duar. Njihja partizanë nga familja dhe fisi tij, por jo Hajro trimin.

Gjeneral Arifi i paharruar e kishte si vëlla, se Hajroja nuk i ndahej. Shkonte me të kudo. Ku të ishte Arifi, atje do të gjendej edhe Hajroja. Vetëm kur ky mungonte me arsye, gjeneralin në penson e shoqëronte dhëndri. Jani Capo. Vonë do ta mësoja se kush qe Hajro Haxhia, se nga ç’derë vinte ai, i cilës familje ishte. Ndaj për të m’u rrit aq shumë respekti, simpatia e dashuria.

Doja të takohesha me të duke bërë një copë rrugë. Unë me dy këmbë e ai me një të tij e tjetrën protezë, por ecnim njëlloj. Ngjiteshim atyre 76 shkallëve të godinës së veteranëve dhe ai nuk kuptohej se ishte me një këmbë. Kisha dëshirtë të piqesha me të sa më shpesh. Ma kishte qejfi ta dëgjoja. Pse jo dhe si njeri i letrave të shkruaja për jetën dhe vepron e tij. Por e pashë që “e pengonte” modestia. I është rrënjosur kjo cilësi e bukur që në jetë partizane. Sa mirë! Veteran dhe invalid i urtë, fjalëpak. Duhet t’ia nxirja rrugën e jetës me pyetje. Unë e pyesja, ai më fliste për partizanë të tjerë, ndër të cilët edhe progonatas, nga të cilët unë njihja jo pak, sdomos nga familja dhe fisi i tij, që nga xha Hysoja, Dalipi, Rakipi, Enver Haxhia e të tjerë.

E pëytyroj dhe e kujtoj me nderim gjithëmonë këtë luftëtar, me karakter të fortë, me virtyte të larta. i drejtë dhe i ndershëm, fytyrëmbël dhe i sertë. Ëmbësinë e kishte për popullin, për atdhetarë të vërtetë. Piperin, rreptësinë, humorin therës e përdiorte ndaj antiatdhetarëve, hipokritëve, karrieristëve, servilëve, atyre me shumë flamurë, të korruptuarve. I donte njerëzit të jenë të drejtë e të ndershëm, siç ishtë vetë. Dhe shprehej:“s’ka pyll pa derra”!

Një ditë dëgjova nga një shok një episod nga marrëdhëniet e Hajros me njertëzit. Sikur s’më besohej. Dhe pyeta Hajron për vërtetësi. Mezi ma tregoi. Ishte ndodhi e vertetë. Atë ditë ishte festa e Çlirimit. Kishte veshur xhaketën që mbante dekortata. Po udhëtonte me autobusin e linjës. Iu afruan ca djem. I bëjnë disa pyetyje dhe ai përgjigjet. Ishte kërshëri, por një pyetje “mbante erë të keqe”.

Ja dialogu:

-O xhaxhi, këto dekorata prej floriri janë?

-Jo, ore çuna, nuk janë flori.

Njëri prej tyre e pyeti:

-Ke qënë partizan, sa gjermanë ke vrarë?

-Vetëm një, atë që pashë mbi nënën tënde!

Ata shqyen sytë nga kjo përgjigje dhe u shtynë më tutje. Shpejt e kuptuan që gabuan me pyetjen e dytë dhe kur Hajroja zbriti nga autobusi, dolën dhe ata dhe e pyetën: doni t’ju ndhihmojmë, ku do shkoni?

-Jo faleminderit!

Ishte shenjë pendimi e atyre djelmoshave.


Trimi Hajro Haxhia, nga lufta mbeti i gjallë, por vdekja, kjo opozitë e egër e jetës njerëzore, na i rrëmbeu. Na mori Hajron e dashur, besnik, të patjetërsuar, të paharruar jo vetëm për familjen, por edhe për ne, shokët e tij dhe për të gjithë ata që e njihnin. Sot na mungon fizikisht, por jo shpirtërisht. Na e kërkon syri. E kemi të gjallë në zemër dhe në mendje! Nder e lavdi trimit Hajro Haxhia!


5 Qershor 2018