Një penë misionare e paqes

Nga Wikibooks

Nga Ramazan Çeka

Nganjëherë stinët të befasojnë me trillet e motit. Vetëm qenia në muajin tetor dhe peizazhi i kuqërremtë i natyrës, të kujtojnë se jemi në vjeshtë, por në një vjeshtë me ditë të ngrohta e plot diell, si në pranverë. Gjithë ky peizazh i mrekullueshëm ishte, si të thuash dekori më i bukur i një ngjarjeje të shënuar në qytetin e Shkodrës.

Shkrimtari dhe dramaturgu i shquar, “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja festonte me të afërmit, me kolegët dhe me miqtë e tij të shumtë 87 vjetorin e lindjes.

Të flasësh për Fadil Krajën, për këtë profesor në kuptimin e vërtetë të fjalës, për këtë krijues dhe erudit të shquar nuk është e lehtë.

I lindur në Shkodër më 11 tetor 1931, ky talent i ardhshëm u përkund në djepin e një qyteti si Shkodra, e cila në këtë kohë nga marrëdhëniet që kishte me Evropën, ishte edhe vetë një qytet që kishte përqafuar përparimin.

Kjo festë për nder të ditëlindjes së tij, u kremtua në mjediset e Gjimnazit “28 Nëntori” të qytetit, në këtë shkollë gati 100 vjeçare, në këtë shkollë vatër të dijes dhe të shqiptarizmës, në këtë shkollë ku dhe vetë Fadil Kraja, ka studiuar, por edhe ka dhënë mësim.

Salla e kulturës e Gjimnazit ishte e mbushur plot dhe binte në sy sidomos pjesëmarrja e nxënësve, e të rinjve që aspirojnë edhe për të ardhmen e tyre në rrugën e letërsisë dhe të artit.

Organizatorët këtë aktivitet kaq të bukur e kishin titulluar “Pranvera nuk vritet”, duke huazuar kështu titullin e një prej dramave të autorit, e një prej dramave që përcjell mesazhin e paqes dhe të dashurisë mes njerëzve. Pikërisht kjo vepër e vënë në skenë nga aktorët e Teatrit “Migjeni” Raimonda Marku dhe Agron Dizdari u interpretua nga nxënësit e talentuar të këtij gjimnazi. Loja e tyre e bukur emocionoi të gjithë të pranishmit, por veçanërisht autorin që ishte i pranishëm.

Programin e bënë edhe më të larmishëm muzika, pjesët artistike të interpretuara nga të rinjtë e gjimnazit të cilët dhuruan emocione dhe korrën duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.

Përshëndetjen e parë si mikpritëse e bëri drejtoresha e gjimnazit, zonja Albana Bushati, e cila falënderoi organizatorët, por edhe prof. Fadilin që kishin zgjedhur ambientet e kësaj shkolle historike, për të festuar vitlindjen e 87-të dramaturgut të madh.

“Edhe unë kam qenë nxënës i kësaj shkolle, pastaj edhe pedagog, u shpreh “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja, prandaj edhe emocionet i kam të shumta, veçanërisht në këtë ditë që është edhe ditëlindja ime”.

Me një karrierë të gjatë e të pasur si mësues e si shkrimtar, e veçanërisht si një nga penat më të spikatura të dramaturgjisë shqiptare, prof. Fadil Kraja me veprën e tij ka transmetuar te sa e sa breza dije e kulturë, paqe, dashuri e mirësi, duke u bërë kështu edhe një misionar i tyre, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe më tej në të gjithë hapësirën globale ku jetojnë e punojnë shqiptarë.

Ky kontribut kishte iniciuar edhe një dhuratë surprizë, një nderim që atij iu akordua në këtë ditë të shënuar nga Misioni Diplomatik i Paqes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fadil Kraja u nderua me dy tituj ndërkombëtarë “Misionar i Paqes” dhe “Veprimtar i Shquar”.

Për t’ia dorëzuar këto medalje kishte udhëtuar nga Nju Jorku vete Dr. Madhu Krishan, nga Academy of Universal Global Peace/USA. Ai erdhi në Shkodër dhe i dorëzoi dramaturgut tonë të shquar “Medaljen e Paqes”, duke e cilësuar atë në fjalën e tij, misionar të paqes të përmasave botërore. Ky ishte një nderim i madh që iu bë jo vetëm prof, Fadilit, por edhe Shkodrës e mbarë Shqipërisë.

Në këtë atmosferë festive e mori fjalën edhe ai, “Mjeshtri i Madh” i lumtur për këtë nderim që iu bë, tanimë para të pranishmëve i veshur me uniformën e misionarit të paqes, me devizën e një personaliteti që gjithë jetën e tij ia ka kushtuar edukimit dhe dashurisë njerëzore.

Në vargjet me të cilët përshëndeti të pranishmit edhe pse flisnin për jetën dhe vdekjen nuk kisha asnjë notë pesimizmi, përkundrazi ata ishin, si të thuash një apotemë e rrugës së gjatë të jetës, e vështirësive dhe përpjekjeve njerëzore për ta jetuar atë.

Jeta është një melodi

Fillon me nina nana, mbaron me liturgji.

Jeta është një vrapim simbol

Starti është djepi

Finishi arkivol

Por të gjithë pëlcasim

Që këtë vrapim ta zgjasim

Dhe secili nga ne thotë:

“Dreq o punë”, të gjithë një ditë do vdesim.

Ndoshta edhe unë…


Ashtu siç e cilësuam më lart Projekti “Fjala artistike në nderim të figurave të shquara” u realizua nën kujdesin e aktorëve Agron Dizdari dhe Rajmonda Marku të cilët, edhe vetë, interpretuan pjesë artistike të dashura për publikun.

“Kjo ishte një ngjarje e shënuar për të gjithë ne, u shpreh me emocion aktori Agron Dizdari, sepse sot ne festojmë ditëlindjen e jo vetëm dramaturgut Fadil Kraja, por të profesorit, mësuesit tonë të nderuar”.

“Shfaqja e sotme me nxënësit e gjimnazit është një shprehje e respektit, si dhe një dhuratë në shenjë nderimi për dramaturgun e njohur, prof. Fadil Krajen”, tha në fjalën e saj aktorja e mirënjohur shkodrane Raimonda Marku.

Jeta e shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar Fadil Kraja ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me teatrin “Migjeni” kësisoj drejtorja e këtij teatri zonja Rita Gjeka, në emër të të gjithë artistëve të kësaj skene në vite shprehu vlerësimet e saja në nderim të Fadil Krajës.

Një përshëndetje e veçantë dhe emocionuese ishte edhe kënga e rapsodit të njohur Gjon Frroku, që këtë këngë e kishte krijuar enkas për prof. Fadilin, jo vetëm si shkrimtar e dramaturg i shquar, por tani edhe si misionar e ambasador i paqes.

Edhe vetë mbyllja e aktivitetit rezervoi emocione të shumta. Të gjithë të pranishmit kishin dëshirë kush e kush më parë t’i uronin ditëlindjen mikut të tyre të mirë, e pse jo të bënin edhe një fotografi së bashku, një kujtim të paharruar nga kjo festë e bukur.

Festimi i 87 vjetorit të ditëlindjes së “Mjeshtrit të madh” të dramaturgjisë shqiptare Fadil Kraja u pasqyrua në të gjitha mediat vizive lokale….e kombëtare.

Edhe 100 Profesor i nderuar!

Tetor 2018